Thursday, 15/11/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Magjitë, sihri, xhinet dhe shërimi nga ata pjesa e dytë



Magjitë, sihri, xhinet dhe shërimi nga ata pjesa e dytë

universeHyrja në shërim

Kjo fazë e shërimit përbëhet nga parapërgaditjet që kanë të bëjnë me të sëmurin, me atë që këndon rukjen dhe kushtet për shërim të suksesshëm. Sa u përket mjekuesit dhe të sëmuarit do të duhej imunizuar dhe mbrohen me mbrojtjet kur’anore dhe sunnetore, para se të fillohet me vetë shërimin, me leximin e isti’adhes (formulës së mbrojtjes dhe strehimit tek All-llahu), ajetul-Kursisë (el-Bekare, 155), duave dhe dhikreve.

Procesi i shërimit: këndimi i rukjes

Në këtë fazë lexuesi i rukjes personit të sëmurë ia vë dorën e djathtë në kokë dhe e këndon rukjen, në të vërtetë ajetet dhe suret e zgjedhura, të cilat këndohen me një kiraet të qartë në veshin e djathtë të personit të sëmurë. Në transmetimin e Ubejj bin Ka’bit i kemi sjellë ajetet që Pejgamberi i All-llahut ia ka lexuar njërit nga të sëmurët. Rukja e vlefshme është e lejuar dhe është e urdhëruar me koncensus, nëqoftëse përmbushen kushtet e saj.

Argumentet për lejimin e rukjes

Ekzistojnë shumë hadithe që argumentojnë se rukja është e lejuar:

1. Përcillet në disa transmetime autentike se i Dërguari i All-llahut ia ka kënduar rukjen vetes. Buhariu shënon prej Aishes r.a. se ai (i Dërguari) kur do të shkonte të flejë, i fryente durt e veta duke kënduar suren “Kul huvall-llahu ehad” dhe “Mua’vvidhetejn” (El-Felek dhe En-Nas) pastaj me duar e përshonte fytyrën dhe tërë trupin deri sa mund ta arrijë.

2. Poashtu përcillet se i Dërguari a.s. ka urdhëruar që t’iu lexohet rukja edhe të tjerëve. Buhariu shënon prej Ummi Selemes se Pejgamberi i All-llahut ka parë në shtëpinë e saj një robëreshë, në fytyrën e së cilës mund të vërekeshin simptome xhinore të marrjes mësysh, andaj urdhëroi: “Lexonia rukjen sepse tek ajo shihet se e kanë marrë mësysh”.

3. Përcillet poashtu se Pejgamberi a.s. ua ka këndur rukjen të tjerëve. Buhariu shënon prej Aishes r.a se ai (pejgamberi) i ka imunizuar dhe i ka mbrojtur disa të sëmurë duke ua fërkuar dorën e djathtë dhe duke kënduar duanë: “Largoje sëmundjen, o Sunduesi i njerëzve, shëroje, sepse Ti je Ai i cili jep shëndet. S’ka shërim përveç shërimit tënd që nuk zmbrapset para sëmundjes”.

4. Transmetohet se Pejgamberi a.s. i ka lejuar edhe pëlqyer rastet e këndimit të rukjes nga personat e tjerë. Buhariu shënon një transmetim nga Ebu Se’idi, në të cilin tregohet se një grup as’habësh duke udhëtuar u gjet në territorin e një fisi arab. U paraqitën si mysafirë, mirëpo ata i refuzuan e nuk i gostisën.

Në atë kohë ndodhi që të parin e fisit në fjalë ta kafshojë një gjarpër helmues. Ata u munduan që ta shërojnë duke i provuar të gjitha metodat e njohura mjekuese që i dinin, por nuk patën sukses. Dikujt në atë fatkeqësi iu kujtuan edhe mysafirët, ndaj të cilëve nuk u sollën mirë dhe kërkuan prej tyre që të ndihmojnë, sepse ndoshta ndonjëri prej tyre e njeh mjeshtrinë e shërimit.

Një as’hab u lajmërua që t’ia lexojë rukjen. Por, ua përkujtoi atyre sjelljen ndaj as’habëve si mysafirë dhe refuzoi të këndojë, përveçse me kompenzim. U morën vesh se, në qoftë se e shëron, do t’ia japin një tufë delesh. Sahabiu filloi me pështyerjen dhe me këndimin e rukjes në formë të leximit e përsëritjes së “”El-Hamdu lil-lahi rab-bil a’lemin-it”, deri kur i helmuari u ngrit sikur të ishte liruar nga prangat. Ai eci aq sa i dëshironte zemra. Ia dhanë atij tufën e premtuar të deleve. Disa prej as’habëve kërkuan që delet t’i ndajnë mes vete.

Megjithatë, lexuesi i rukjes u propozoi që atë ta lënë pasi ta lajmërojnë Pejgamberin a.s., për mënyrën se si kanë vepruar. Kur erdhën tek ai dhe e lajmëruan për rastin e tyre, ai u pajtua me mënyrën e veprimit të tyre, duke u thënë: “Prej nga e din se (Fatiha) është rukje? E keni qëlluar! Ndanie fitimin dhe më bëni edhe mua hisedar në të”.

Ky transmetim i besueshëm dhe shumë të tjerë janë bazë e koncensusit për lejimin e rukjes, e cila mund të ndahet në dy lloje:

a) rukja që lexohet për shërim, pasi që një person sëmuret dhe

b) rukja e cila lexohet si masë preventive për t’u mbrojtur, imunizuar dhe për t’i penguar sëmundjet.

Rukja që lexohet për shërim ka baza në transmetime të shumta:

1. Aisheja r.a, transmeton se kur sëmurej Pejgamberi i All-llahut, meleku Xhibril ia lexonte rukjen: “Me emrin e All-llahut të mbrojmë nga e keqja e ziliqarit që ka zili dhe nga e keqja e marrjes mësysh dhe (ne) të shërojmë prej çdo sëmurjeje”. Poashtu, përcillet edhe verzioni, në të cilin, Xhibrili a.s., lexon: “Me emrin e All-llahut ta këndoj rukjen kundër çdo gjëje që të mundon, dhe All-llahu të shëroftë kundër çdo personi ziliqar e lakmitar. Me emrin e All-llahut po ta lexoj rukjen”.

2. Aisheja r.a përcjell se Pejgamberi i All-llahut, “kur do të sëmurej ndonjëri nga familja e tij, e fryente atë duke e lexuar “El-Mua’vvidhetejn”-in. Kur edhe vet e sëmur për vdekje, e fryeja atë dhe e përshkoja me dorën e vet, e cila është më bereqetlije se dora ime”.

Argumentet e rukjes preventive

Rukja e cila këndohet si masë preventive, për të penguar veprimet dhe sëmundjet xhinore, po ashtu ka argumentet e veta në hadithet që vijojnë:

1. Buhariu shënon nga Ibni Abbasi se i Dërguari i All-llahut, u ka kënduar rukje mbrojtëse nipërve, Hasanit e Huseinit, duke thënë se stërgjyshi i tyre (Ibrahimi a.s.) u ka kënduar Ismailit dhe Is’hakut: “Kërkoj mbrojtjen e All-llahut me fjalë të plota që të më mbrojë nga çdo shejtan e brengë, dhe nga çdo sy i keq”.

2. Muslimi shënon se Pejgamberi i All-llahut ka thënë: “Kur dikush prej jush të hyjë në banesë le të lexojë: ‘ Kërkoj mbrojtjen e All-llahut me fjalë të plota që të më mbrojë nga e keqja e asaj që është krijuar’, asgjë s’mund t’i bëjë dëm deri kur ta lëshojë atë vend”.

3. Imam Ahmedi në “Musned” shënon hadithin autentik, në të cilin Osman bin Ebil-‘Asi i ankohet Pejgamberit të All-llahut: “O i dërguar i All-llahut, shejtani më pengon të falem dhe të mësoj”. Ai i tha: “Ai është shejtani i cili quhet Hanzeb. Sapo ta hetosh, këndoje “isti’adhen” dhe pështyj tri herë në anën e majtë”. Osmani rrëfen: “Veprova në atë mënyrë, andaj All-llahu i Madhërishëm e largoi prej meje”.

Rukja e vlefshme

Rukjet që kanë ardhur me anë të transmetimit nga Pejgamberi a.s., duhet lexuar sipas mënyrës së caktuar pa shtuar ose hequr asgjë, sepse janë të natyrës doktrinare. Nëse është transmetuare se rukja e caktuar lexohet në mbrëmje, atëherë nuk është e lejuar që ajo të bëhet pasdite e të ngjashme.

Megjithatë, nëqoftëse nga përvoja dëshmohet donia e ndonjë rukjeje e cila nuk është caktuar në mënyrë doktrinare, as që i prish kushtet e rukjes së vlefshme, do të ishte e lejuar të zbatohet, sepse një gjë e tillë kuptohet nga sunneti.

Buhariu shënon hadithin të cilin e përcjell Ebu Sei’di, e në të cilin thuhet se një njeri ka ardhur te Pejgamberi a.s. dhe i është ankuar se vëllai i tij ka dhimbje në bark. E ka urdhëruar: “Jepi mjaltë!”. Pastaj ka ardhur edhe herën tjetër, kurse ai i ka thënë: “Jepi mjaltë!”. Mandej sërish ka ardhur duke pohuar se kësaj radhe ka vepruar sipas porosisë, atëherë i Dërguari i All-llahut ka thënë: “Të vërtetën e ka thënë All-llahu i Madhërueshëm, kurse rrenë barku i vëllait tënd. Jepi mjaltë!”. I dha mjaltë dhe ai u shërua.

Nga ky hadith kuptohet se mënyra doktrinare është më e preferueshme ndaj përvojës, do të thotë, ajo që ka ardhur nga Pejgamberi a.s. është më e preferueshme se e zakonshmja dhe përvoja.

Pejgamberi a.s. ka lejuar rukjen me prejardhje jodoktrinare që as’habët e kanë mësuar prej të tjerëve, në qoftëse nuk ka pengesa sheriati. Muslimi shënon transmetimin e Ebu Zubejrit se akrepi e ka kafshuar e helmuar një njeri, përderisa ai rrinte ulur me Pejgamberin a.s. , e dikush prej tyre tha: “O Pejgamber i All-llahut, t’ia këndoj rukjen?” Pejgamberi a.s. i tha: “Kush mund t’i bëj mirë vëllait të vet, le ta bëjë atë”.

Imam Muslimi shënon prej A’uf bin Malik El-Eshxhe’iut, i cili ka thënë: “ E kemi lexuar rukjen në periudhën paraislame. Ne i thamë: ‘O Pejgamber i All-llahut, çka mendon për këtë?’ Ai tha: ‘M’i tregoni ato rukjet tuaja që t’i shoh. Është e lejuar rukja në të cilën nuk ka shirk (bestytni, politeizëm)

Nga ky transmetim kuptohet se është e lejuar çdo rukje në të cilën s’ka shirk, do të thotë, prishje të monoteizmit të proklamuar islam, përndryshe Pejgamberi a.s. nuk do të kërkonte që t’ia tregojnë t’i shohë rukjet e tyre paraislame, por a priori do t’i gjuante dhe do të kërkonte të bëhen vetëm rukjet që dalin nga Kur’ani dhe sunneti.

Nga transmetimet që flasin për rukjen kuptohet zbatimi i saj i tërësishëm për shërimin e sëmurjeve dhe s’është specifike vetëm për sëmurje të caktuara.

Kushtet e vlefshmërisë së rukjes mund t’i ndajmë ose definojmë, duke u mbështetur në tekstet e mëparshme tradicionale:

1. Rukja duhet të ketë përmbajtje monoteiste dhe në mënyrë definitive të jetë pa përzierje shirku. Nuk guxon të përmbajë kurrfarë betimi me cilëndo krijesë, siç janë: dielli, hëna, yjet, xhinët, melekët etj. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Ai i cili betohet në diçka tjetër, përveç All-llahut, ka bërë apostazi (ka dalë nga feja)”.

Poashtu, rukja nuk guxon të përmbajë lutje ose me të të kërkohet ndihmë prej krijesave të All-llahut, për gjërat të cilat mund t’i bëjë vetëm All-llahu dhe që janë vetëm ne kompetencat e Tij.

Në Kur’anin famëlartë thuhet: (shih Kur’anin, 35:13-14)

2. Rukja s’guxon të përmbajë sihër (magji) dhe fall. Sihri është i ndaluar (haram) dhe juridikisht trajtohet si një lloj apostazie.

3. Rukja s’guxon të jetë as prej atij që nxjerr fall, parashikon, po bile edhe sikur të mos jetë sehirbërës. Ahmedi dhe Hakimi shënojnë një transmetim, në të cilin thuhet: “Kush shkon tek ai që nxjerr fall dhe parashikon, pastaj i beson, me të ai bën kufër (apostazi) në atë që i është shpallur Muhamedit a.s.”.

4. Rukja duhet patjetër të jetë e kuptueshme, sepse ajo që nuk kuptohet mund të ketë domethënie mosbesimi, e prej saj duhet të largohemi patjetër.

Ibni Haxheri shkruan se ulematë pajtohen mbi vlershmërinë e rukjes së lejuar:

a) të jetë fjalë e All-llahut ose përmendje dhe dhikër i emrave të bukur të Tij dhe cilësive të Tij;





b) të jetë arabisht ose përkthim i kuptimeve të lejuara me Sheriat;

c) të ekzistojë bindja se rukja nga vetvetiu ose ai që e këndon nuk janë faktorë vendimtarë në shërim, por vendimtar është veprimi (ndikimi) i All-llahut Fuqiplotë.

5. Rukja duhet të jetë si një lloj forme, e cila është transmetuar nga Pejgamberi a.s. dhe gjeneratat e as’habëve, e nuk guxon të jetë në ndonjë formë të ndaluar, sikur të lexohej me qëllim xhunub ( i papastër), në varr, në hamam (banjo), në mënyrë që të shkruhen shkronjat dhe shenjat e rukjes duke shikuar në yje e të ngjashme; ose të shkruhen me papastërti etj.

6. Nuk guxon të jetë duke shqiptuar sharje e mallkime.

7. Lexuesi i rukjes ose i sëmuri s’guxojnë të jene të bindur se rukja nga vetvetiu shëron ose shpëton nga fatkeqësia. Duatë dhe mbrojtjet e ndryshme të cilat lexohen, në një mënyrë janë armë ose mjete të cilat nuk veprojnë me mprehtësinë e tyre, por fuqinë e shkathtësinë a atij që merret me to, do të thotë, edhe lexuesi duhet patjetër të ketë veti të caktuara dhe t’i plotësojë kushtet e caktuara për rukje. Rukja duhet të jetë e lejuar (xhaiz) ose së paku e lëvduar (mendub).

Lexuesi i rukjes, pra, duhet patjetër të jetë në shkallën e përgjegjësisë me nijet të mirë dhe kushte të përmbushura të lutjes së pranuar, që All-llahu i Madhërishëm, krahas gjithë kësaj, të dojë shërimin dhe ta përcdaktojë atë.

Pas rukjes së lexuar, xhini i cili është shkaktar i sëmundjes përzëhet e largohet nga trupi i të sëmurit. Nëse xhini vetëm me lexim detyrohet të dalë, ajo është forma më e mirë. Megjithatë, po qe se në atë mënyrë nuk arrihet sukses, atëherë bëhen përpjekje që xhini të detyrohet të flasë dhe në bazë të bisedës, dialogut, të rënave e metodave tjera të ndryshme, detyrohet, me ndihmën e All-llahut, të dalë nga trupi.

Kjo është periudha pas leximit të rukjes, kur të sëmurin e pret një detyrë mjaft e rëndë, e ajo është të mbrohet dhe imunizohet, ashtuqë xhini të mos i kthehet sërish. Mbrojtja arrihet vetëm me besim, me jetësimin e besimit dhe me ibadetin e të sëmurit. I sëmuari ka nevojë për ndihmën e anëtarëve të shtëpisë dhe të shokëve, të cilët mund t’i ndihmojnë duke bërë çmos që t’iu iket gabimeve në rrethin dhe shoqërinë e të sëmurit, në mënyrë që të mos i mundësojnë sulmuesit të mbetet ose të kthehet në qoftëse është dëbuar me anë të rukjes.

Posaçërisht do të duhej që i sëmuri, i cili shërohet prej këtyre sëmundjeve, t’iu kushtojë mjaft kujdes veprimeve vijuese:

1. që sipas mundësisë të jenë me abdes dhe rregullisht të falin namazin, sidomos me xhematë (për meshkuj),

2. të këndojnë ose të dëgjojnë Kur’an,

3. të mos dëgjojnë muzikë, këngë e të mos shikojnë programe zbavitëse në TV e të ngjashme,

4. të marrin abdes para se të flejnë, të këndojnë ajetul Kursinë dhe mbarimin e sures Bekare,

5. të këndojnë në shtëpi, në çdo të tretën ditë, suren Bekare,

6. të këndojnë suren Mulk para se të flejnë, e pas sabahut të këndojnë suren Jasin

7. të shoqërohen me të devotshmit dhe njerëzit e mirë, e të largohen nga shoqërimi i mëkatarëve,

8. femra sidomos do të duhej të vishej në bazë të Sheriatit,

9. të këndojnë ose të dëgjojnë për çdo ditë nga një xhuz prej Kur’anit,

10. të këndojnë në sabah njëqind herë dhikrin që ka këtë përmbajtje: (La ilahe il-lell-llahu vahdehu la sherike lehu. Lehul-mulku ve lehul-hamdu ve huve ala kul-lishej’in kadir). “S’ka Zot tjetër përveç All-llahut Një i pashoq. Atij i takon pushteti dhe Atij i takon falënderimi. E ai është i Gjithëfuqishmi”,

11. të këndojnë Besmelen në çdo aktivitet e punë,

12. të mos flejnë vetëm,

13. të këndojnë sipas nevojës për çdo ditë edhe vird (zgjedhje) të veçantë të dhikreve e lutjeve të cilat janë të përmendura si mbrojtje.

Shpesh ndodh që edhe leximi i rukjes me rastin e tentimit për shërimin e personit të sëmurë thjesht të mos ketë sukses. Shkaktar i kësaj, shpeshherë, mund të jetë kënduesi i rukjes ose i sëmuri, në të vërtetë, përpjekjet e shërimit dhe këndimi i rukjes prej ndonjë personi joprofesional dhe që nuk i plotëson kushtet, me bindje jo të mjaftueshme në ndikimin kur’anor, në vent që ta irritojë xhinin mund ta bindin në mundësinë e mbetjes së tij në personin e sëmurë. Për këtë shkak, përpjekjet e para të shërimit janë mjaft me rëndësi, siç është mjaft me rëndësi edhe kryerje nga ana e personit me cilësitë e përmendura dhe në mënyrën e lejuar që e kemi përshkruar më heret.

Nga ana tjetërt, i sëmuri, me qëndrim të gabuar dhe jo të drejtë ndaj fesë, duke mos iu përmbajtur trajtimit për shërim, po ashtu, i jep legjimitet e të drejtë xhinit që të mbetet në të. Gabimi i të sëmurit xhinin e bën të ndjeher sikur është në ambientin e vet, dhe sikur në shtëpinë e vet, nga e cila askush nuk e dëbon. Për këtë arsye ndonjëherë ndodh që të sëmurit, derisa i këndohet rukja, në mënyrë jo të natyrshme, vazhdimisht i hapet goja nga mërzia sikur don të thotë; “Pse më shqetëson në shtëpinë time?!

Ngandonjëherë, gjatë leximit të rukjes, i sëmuri ndjen marramendje, ngushti dhe dridhje, por xhini, përkundër kësaj nuk paraqitet. Në atë rast këndohet rukja tri herë e pastaj, nëse edhe kjo nuk sjell ndonjë ndryshim, të sëmurit i propozohet trajtim i veçantë, të cilit do t’i përmbahet një muaj. Pas kësaj sërish këndohet rukja, e cila do të duhej të jetë efikase e ta detyrojë xhinin që ta lërë (braktisë) e të largohet nga trupi i të semurit, me ndihmën e All-llahut, nëse i sëmuri vërtet i përmbahet saktësisht trajtimit dhe udhëzimeve që e irritojnë xhinin.

Në të njëjtën mënyrë veprohet edhe atëherë kur paraqitet xhini, por refuzon të dalë.

Në rast se i sëmuri qanë me rastin e këndimit, duke mos mundur të përmbahet, ajo tregon se bëhet fjalë për sihër që mund të hulumtohet duke lexuar ajetet e sihrit.

Ndonjëherë xhini mund të paraqitet me britma, kërcënime e zhurmë. Nuk duhet frikësuar nga ai. Në këtë rast është mirë të këndohet ajeti i cili bën fjalë për dobësitë e intrigave djallëzore: “S’ka dyshim se intriga e djallit është e dobët” (4:76)

Ndonjëherë xhini e shanë dhe i kërcënohet lexuesit. Hidhërimi asgjë nuk zgjidh e s’ndihmon, kështuqë lexuesi i rukjes duhet patjetër të qëndrojë i qetë dhe të jetë i durueshëm.

Nganjëherë xhini shërbehet me dinakëri e mashtrime, kështuqë bën lajka me fjalët: “Ti je i mirë dhe i devotshëm, do të dal për hatër tënd”, e të ngjashme. Atij duhet thënë kështu: “Unë jam njeri i rëndomtë, kurse ti dil i përulur ndaj All-llahut të madhërishëm”.

Në rast se xhini është posaçërisht i padëgjueshëm, atëherë lexohet Kur’an mbi ujë, të cilin pastaj e pin i sëmuri. Xhini nga ai do të ndjejë dhimbje e do të dalë, nëse don Zoti.

Në rast se xhini së pari paraqitet e mandej largohet e ikë nëpër trup të sëmurit, me rastin e marrjes së besës (a’hdit) për dalje, atëherë detyrohet të vijë duke përsëritur këndimin e katër ajeteve nga sureja Er-Rahman: “O turmë e xhinëve dhe e nerëzve, nëse keni mundësi të dilni përtej kufinjve të qiejve e të tokës, depërtoni pra, po nuk mundeni vetëm me ndonjë fuqi të fortë (por ju nuk e keni atë)…” dhe vazhdon ajeti më tej.

Ndonjëherë xhini dëshiron të lëre përshtypje se ka dalë nga trupi, kurse në të vërtetë s’ka dalë. Kjo mund të vërtetohet me vënien e dorës në kokën e të sëmurit e cila në mënyrë të panatyrshme lihtë dridhet, në qoftë se ai është aty ende i pranishëm.

Xhini i ngushtuar me këndim, ndonjëherë, vë kushte për të dalur. Në qoftëse kushtet janë në pajtim me Sheriatin, mund të merren parasysh por. Vetëm si përulje ndaj All-llahut të Madhërishëm, e jo ndaj xhinit. Po qe se do të kushtëzojë atë çka nuk është e lejuar, s’guxon ajo t’i plotësohet, as që duhet të merret parasysh.

Në momentin e përzënies së xhinit, lexuesi i rukjes, i sëmuri dhe krejt ata që prezentojnë gjatë shërimit, e falënderojnë All-llahun e Madhërishëm, duke rënë në sexhde.

Me rastin e shërimit, lexuesi nuk do të duhej të thotë: “Unë e kam përzënë atë” ose “Unë e kam shëruar”, por, ajo u bë me dëshirën e All-llahut. Pra, shihet se mendjemadhësia ia hapë dyert veprimit dhe mashtrimit djallëzor.

Ai i cili dëshiron të merret me leximin e rukjes dhe të shërojë me Kur’an duhet patjetër të studjojë, të kuptojë dhe të përvetësojë literaturë që merret me këtë tematikë, pastaj veprat e hadithit e artikujt që flasin për mjekësinë e Pejgamberit a.s. Personi i tillë duhet ta njohë fikhun sepse shpesh do të ket rast të sjellë vendime për të cilat do të duhet të përgjigjet.

Bota e sihrit (magjia e zezë, shtrignia) është botë e çudirave ku gërshetohen të vërtetat e fesë dhe bestytnitë, dituria dhe shkathtësia me iluzionin, kurse shtytjet dhe stimulet harmonizohen me qëllimt dhe tendencat. Ajo është botë e maskës, botë e jashtme e papërballueshme, joshëse, magjepse, e në qenien e vet është forma më e zezë e më e ndytë e shërbimit fizik e shpirtëror ndaj shejtanit të pandershëm, gjë që e urren çdo natyrë e shëndoshë njerëzore.

Historia e sihrit është vetëm terr dhe errësirë. Ajo është ana e zezë e hapërimit njerëzor nëpër historinë e intrigave, tradhtive e iluzioneve të shejtanit, si mjete për mashtrimin e robërve të All-llahut, që për pasojë të fundit të shkrihen në llojet më të rënda të gjynaheve të pafalshme të apostazisë (kufrit, shirkut dhe dalatetit), prej nga nuk ka më kthim në rrugët e shpëtimit.

Muharem Shtullanoviq

vazhdon, In Sha`Allah