Thursday, 27/7/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame
Tirana
0C

Lugina e Preshevës nën xhandarmëri

Lugina e Preshevës nën xhandarmëri

ragmi mustafa

Kryetari i komunës së Preshevës, në një intervistë për agjencinë e lajmeve INA nga Maqedonia flet për gjendjen momentale në Luginën e Preshevës, forcat e xhandarmerisë…

Përderisa flamuri kombëtar përdoret në Shqipëri, përdoret edhe në Maqedoni, edhe në Mal të Zi edhe në Kosovë, i njëjti duhet të përdoret edhe në Luginë të Preshevës. Politika zyrtare në Luginë të Preshevës këtë nuk do ta pranojë kurrë edhe përkundër përpjekjeve të vazhdueshme të Qeverisë sërbe në Beograd për të ndryshuar identitetin e shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Kryeministri i tanishëm i Shqipërisë, gjatë vitit të kaluar dy herë ka qëndruar për vizitë në Preshevë dhe mund të shprehem dhe të konsideroj se së paku e ka prekur këtë sipërfaqe tokësore, e ka prekur popullin. Nuk do të donim që të presim më shumë se ta respektojë Kushtetunë e Shqipërisë

Kam kërkuar në pjesën e ekspozesë time që me zgjidhjen e problemit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës tani të merret Bashkimi Europian në Bruksel, sikurse që duan ta zgjidhin problemin e sërbëve në veriun e Republikës së Kosovës në Bruksel, duke ndërmjetësuar baronesha Eshton, ndërmjet dy kryeministrave.

Gjatë njië vizite të shkurtër në pjesën e Kosovës Lindore, konkretisht në Preshevë, ekipi i Agjencisë INA,  zhvilluan në kabinetin e tij, një bisedë me kryetarin e komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, lidhur me gjendjen e përgjithshme në Preshevë, Bujanoc e Medvegje, reflektimet e momentit aktual politik pas ndryshimeve në Qeverinë e Shqipërisë, përfshirë raportet me Qeverinë në Tiranë dhe Prishtinë si dhe lidhur me propozim-provokimin e radhës së  pushtetit të Sërbisë për ndryshimin e flamurit kombëtar shqiptar për përdorim në këtë pjesë të Kosovës Lindore, në komunat Preshevë Bujanoc e Medvegjë, duke i shtuar elemente të reja ikonografike flamurit kombëtar, që për shqiptarët e këtij rajoni dhe në përgjithësi,  është e  papranueshme.

Natyrisht se çështja dhe problemi me lapidarin e mënjanuar nga xhandarmeria sërbe që gjindej para ndërtesës së komunës së Preshevës, ku ishin të skalitur emrat e 28 dëshmorëve të luftës së UÇPMB-së, ishte një nga pikat e bashkëbisedimit me kryetarin e komunës së Preshevës.

Zotëri Ragmi Mustafa, pa hezitim iu përgjegj pozitivisht kërkesës tonë dhe realizuam këtë intervistë.

INA: Cila është gjendja momentale e shqiptarëve në komunën e Preshevës përfshirë edhe komunat tjera shqiptare të Kosovës Lindore, Bujanoc e Medvegjë?

Ragmi Mustafa: Situata që përcjell komunën e Preshevës respektivisht komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegjë për vite të tëra më përpara nuk ka lëvizur në drejtimin pozitiv.  Nuk ka lëvizur në drejtimin pozitiv sepse akoma, fatkeqësisht edhe 12 vite pas mbarimit të Luftës Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, ku ka pasë një marrëveshje për demilitarizimin e rajonit, akoma fatkeqësisht e kemi të ngarkuar këtë pjesë teritoriale Preshevë, Bujanoc e Medvegjë të banuar me shumicë shqiptare me forca të panumërta të xhandarmerisë sërbe, forca që numrin e tyre akoma nuk e dinë pushtetet lokale. Kjo është  sepse komandimi i tyre bëhet në vijë vertikale prej Qeverisë në Beograd, gjegjësisht ministrit të brëndshëm, tani pasuesit të Millosheviqit, ministrit Daçiq, që aktualisht në cilësine e kryeministrit edhe ministër i brëndshëm.

INA: Çka paraqesin forcat e xhandarmerisë në këtë pjesë të rajonit?

Ragmi Mustafa: Forcat e xhandarmerisë janë një forcë policore e specializuar për të krijuar tek shqiptarët pa dyshim ndjenjën e pasigurisë, duke frekventuar me autoblinda nëpër vendbanimet shqiptare me tytat e automatikut të drejtuara në drejtim të qytetarëve pavarësisht nga mosha, qofshin ata të moshuar ose fëmijë dhe gjithmonë pa asnjë kontakt me pushtetet lokale, pa asnjë kontakt me policinë lokale, por janë forca të cilat sikur të jenë të instaluara për të mbrojtur këtu krimin e organizuar që mund të hyjë këtu nga Kosova ose nga jashtë. Së paku janë këto arsyet e qeveritarëve në Beograd për qëndrueshmërinë dhe koncentrimin e xhandarmerisë këtu në komunat tona, në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.

Megjithate ne nga pozicioni i pushtetit lokal konfirmojmë përfundimisht se asnjë krim i organizuar nuk është nisur dhe nuk niset nga Kosova dhe se qytetarët shqiptar të komunës së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës nuk e ndien veten kurrë të rrezikuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, e aq mq parë edhe nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë, me këto dy shtete me të cilat kufizohet Presheva. Prandaj, forcat e xhandarmerisë janë të karakterit politik për të krijuar ndjenjën e pasigurisë, forca të cilat marrin aktivitete dhe akcione sa herë që i duhen kryeministrit Daçiq për të arrestuar shqiptar duke montuar e shantazhuar procese të montuara politike, fatkeqësisht sikur në vitin 2008 me arrestimin e nëntë shqiptarëve dhe burgosjen e tyre në “Burgun Qëndror” (në CZ-në famëkeq) në Beograd, ku pas sa vitesh u dënuan me mbi 100 vite burg.

INA: Janë këto arrestimet e vetme apo…?

Ragmi Mustafa: Jo. Në ndërkohë, vitin e kaluar, para zgjedhjeve forcat e xhandarmerisë arrestuan shqiptarët në Bujanoc për të krijuar situatën e pasigurisë në saje të vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale për të krijuar pasiguri.

INA-Në kuadër të Marrëveshjes në përfundim të Luftës, ka pasë një pjesë ku parashihet se shqiptarët duhet të përfshihen në kuadër të policisë lokale këtu. A ka shqiptar në kuadër të policisë dhe xhandarmerisë, gjegjësisht në strukturat e tyre?

Ragmi Mustafa: Kjo është e vërtetë se në “Marrëveshjen e Konçulit” kanë qënë të specifikuara këto dhe të kryehet demilitarizimi i tërë i rajonit si nga forcat militare dhe paramilitare serbe por edhe të pjestarëve të UÇPMB-së. Shqiptarët, duke i besuar Komunitetit ndërkombëtar i dorëzuan armët dhe të gjithë ushtarët e UÇPMB-së janë avitur dhe sistemuar në subject të veçantë politik apo janë radhitur në masë të konsiderueshme në subjektet politike që ishin dhe vepronin deri atëhere.

INA: Po forcat paramilitare dhe militare serbe a janë çarmatosur e çmilitarizuar?

Ragmi Mustafa: Megjithate, forcat militare dhe paramilitare të Serbisë nuk u çmilitarizuan, por përkundër asaj në mënyrë intensive gjatë tërë kësaj kohe janë militarizuar në forcat speciale të xhandarmerisë, në të cilën strukturë nuk ka asnjë shqiptar, në të cilën strukturë ka ish polic që kanë punuar dhe vepruar në Kosovë gjatë periudhës deri në vitin 1999, dhe në këtë kontekst duhet të theksoj se nuk kanë asnjë lidhje me policinë lokale dhe me pushtetet lokale, por komandohen drejtëpërsëdrejti nga ministri i brëndshëm.

INA: Po si qëndron puna me policinë lokale, a ushtroni pushtet?

Ragmi Mustafa: Në policinë lokale të komunave Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, ka një numër të caktuar të policëve multietnik, ka edhe polic që ishin ish ushtar të UÇPMB-së, por megjithate të xhveshur nga të gjitha kompetencat. Janë të xhveshur nga të gjitha kompetencat sepse të gjitha aktivitetet që ndërmarrin Qeveria e Serbisë për të frikësuar e trishtuar shqiptarët, ato i kryejnë me forcat e xhandarmerisë. Megjithate, edhe këtu ka pasë një marrëveshje për proporcionin e numrit të policëve shqiptar në policinë lokale, varësisht prej numrit, respektivisht në bazë të përbërjes së popullsisë, që është në komuna, e po aq duhet të jetë edhe numri i policëve në policinë lokale.

INA: Si është struktura-përbërja e popullsisë dhe e policisë lokale?

Ragmi Mustafa: Në Preshevë, për shembull kemi 98% të përbërjes së popullsisë shqiptare, atëhere po ai proporcion duhet të jetë edhe në polici, por megjithate ai proporcion nuk arrinë as 50% të policëve shqiptar në polici.

INA: Pse Serbia nuk respekton këto parime në territorin administrativë të vetin?

Ragmi Mustafa: Serbia ka qënë gjithmonë dhe është që ti bishtërojë të gjitha marrëveshjet që i ka arritur qoftë me palët tjera, sipas përvojës n ëish Jugosllavi por fatkeqësisht edhe tani me Kosovën dhe mos  të flasim bile tani për  Luginën e Preshevës (Kosovën lindore).

Problemet e shumta shoqërore, sociale-ekonomike, në komunën e Preshevës, kur dihet se komuna e Preshevës është një ndër komunat më të pazhvilluara në Serbi, ku mbi 70 % të popullatës së aftë për punë janë të papunësuar, qoftë në sektorin publik që përfshinë pushtetin lokal qoftë në sektore apo dikastere të ministrive që janë të shpërndara në nivel të dytë në komunën e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës.

INA: Me çfarë problemesh tjera ballafaqohet pushteti vendor dhe popullata këtu?

Ragmi Mustafa: Janë probleme të shumta në fushën e shëndetësisë  e për fushën e arsimit të mos flasim kur ne si shqiptar, plot 30 vite po bëhen jemi pa tekste mësimor, duke përcjell nga brezi në brez tekstet mësimore ato që janë botuar mbase para 30 apo 40 viteve në Entin e botimeve të teksteve mësimore në Prishtinë. Janë akoma alergjik në prurjen e librit shqip qoftë nga Tirana apo nga Prishtina zyrtare. Në këtë drejtim konsiderojmë se është pjesa më e rëndë, pjesa më shqetësuese e gjithë popullit shqiptar në Luginën e Preshevës dhe të gjithë nxënësve shqiptar kur dihet se tani në fillim të këtij viti shkollor në bankat e nxënësve fillestar të klasës së parë akoma nuk ka abetare, e të mos flasim për gjeneratat e tjera dhe  nuk mund ta paragjykojmë  se si mund të jetë libri shqip për nxënësit e shkollave të mesme. Për këto, Serbia asnjëher nuk merr për sipër si obligim që të botojë tekste të mirfillta mësimore për shqiptarët këtu, asnjëherë nuk është e gatshme që të krijojë mundësi për prurjen e librit së paku nga Prishtina apo Tirana, por gjithmonë duke e prolonguar në kohë sikur do të ketë marrëveshje, do të ketë një zgjidhje, por ato neve na duhen sepse nuk kemi zgjidhje e jo vetëm që kanë kaluar 12 vite nga lufta e UÇPMB-së, kur shqiptarët kapën armët jo vetëm jo vetëm për çështjen e të fituarit të drejtave të tyre, e mbase ishte edhe për teritore. Megjithate, ndërhyrja e bashkësisë ndërkombëtare, reagimet e tyre, pa dyshim se u besuan shqiptarët se problemet do të zgjidhen në tavoline e jo me armë dhe me konflikte të armatosura.

INA- Zotëri Kryetar,vitin e kaluar  i gjithë opinioni shqiptar dhe ai ndërkombëtar i kishte sytë dhe veshët kah Presheva, në momentin e një provokimi lapidari i vendosur me emrat e të rënëvë në luftë nën emblemën e UÇPMB-së në oborrin e komunës së Preshevës, kur ai lapidar u hoq dhe sot e asaj dite nuk është këthye në vendin e mëparshëm. Cili është mendimi juaj dhe si keni arritur ta menaxhoni situatën me familjet dhe familjarët e të rënëve gjatë atij provokimi, që ishte vrasje e dytë e atyre luftëtarëve. Cili ka qënë bashkëpunimi juaj  me familjarët, Këshillin koordinues  dhe shoqatat e luftëtarëve?

Ragmi Mustafa:  Në saje të shënimit të një shekulli të Pavarësisë së Shqipërisë-për 100 vjetorin e Pavarësisë, ka patur ngjarje të panumërta në të gjitha trojet shqiptare. Në të gjitha trojet shqiptare janë vënë gurthemelet e busteve të heronjve të kombit që për 100 vite të tëra kanë dhënë kontribut dhe kanë rënë për ndërtimin e shtetit Shqiptar. Kanë rënë edhe për ndërtimin e pjesës së mbetur të Shqipërisë para se të pavarësohet më 1912, të pjesës së Kosovës dhe pjesëve tjera, përfshirë edhe përpjekjet e luftërave që ishin në Luginën e Preshevës. Pa dyshim se  edhe politika shqiptare edhe institucioni i komunës së  Preshevës, në pajtim me familjet e dëshmorëve të kombit të rënë në luftën e  UÇPMB-së, të kenë një lapidari, në të cilin janë skalitur në një gurë të mermerit emrat e 28 dëshmorëve të rënë në teritorin e komunave Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.

INA: Cili ishte pra motivi kryesor i largimit të lapidarit?

Ragmi Mustafa: Një monument i tillë, pa dyshim se bënte një histori të lavdishme, qoftë të familjeve më fisnike të kombit për ata të rënë, por edhe për popullin shqiptar fisnik dhe i persekutuar gjatë tërë kohës prej Beogradit zyrtar etj. Atëhere, ka qënë shumë e arsyeshme sepse Kuvendi komunal i komunës së Preshevës, ka shpallur pjesën teritoriale të oborrit të komunës, si “Sheshi i dëshmorëve”, të cilin shesh nuk e kanë pranuar Ministria e pushtetit vendor në Beograd edhe atëhere kur nuk ka pasë asnjë symbol të dëshmorëve të kombit këtu. Në momentin kur ata kanë qënë alergjik në emërtimin e sheshit si “Sheshi i dëshmorëve”, pa dyshim se nuk është pritur një leje për vendosjen ë një monumenti të tillë. Por, megjithate, sipas të gjitha konventave ndërkombëtare është e drejtë e pushtetit lokal të vendosë në lidhje me monumentet historike të cilat do ti vendosë në oborrin e sajë ose në pjesën teritoriale të komunës së Preshevës.

INA: Si u procedua dhe u veprua më tutje me lapidarin?

Ragmi Mustafa: Duke u nisur nga kjo, duke sjellur Vendimin e Kuvendit komunal të komunës së Preshevës, në lidhje me këtë monument, duke pasur edhe dy heronjtë kushtimisht  të Luftës së Dytë Nacional Çlirimtare, Abdulla Krashnica dhe Dushan Tojaga, po në oborrin e komunës, por e kemi karshi edhe monumentin tjetër të Luftës së Dytë Botërore por nuk dihen emrat e dëshmorëve por është monument që flet për të rënët  dëshmorë në Luftën e Dytë Botërore dhe në këtë drejtim, duke bashkëpunuar me Shoqatën e Veteranëve të Luftës së UÇPMB-së, dhe shoqatat tjera e asociacione që tubojnë shqiptarët edhe në perëndim, më 16 nëntor të vitit të kaluar 2012, është vendosur ai monument historik e kulturor por edhe kombëtar ku pa dyshim se ka qënë i mbështetur nga të gjithë qytetarët shqiptar ku sërbët kanë mundë të konsiderohen të irituar  por lufta e  UÇPMB-së ka qënë publike, nuk ka qënë luftë komitësh, nuk ka qënë luftë e grupeve, nuk ka qënë luftë e cila ka luftuar popullatën civile që banojnë në komunat Preshevë, Bujanoc apo Medvegjë, asnjë nga ata nuk janë prekur, asnjë nga ata nuk janë persekutuar , kanë pasë kujdes dhe mund të thuhet se ka qënë lufta më e pastër në të gjitha trojet e ish Jugosllavisë.  Në momentin kur asnjë krim e as individual  i UÇPMB-së nuk është kryer ndaj popullatës joshqiptare, atëherë jo që nuk duhet irituar por janë shumë të dashur jo vetëm për ne shqiptarët por për të gjithë duhet të jenë të dashur sepse ka qënë një luftë e pastër kundër forcave militare e paramilitare të Millosheviqit, forca të cilat kanë qënë të luftuara edhe me bombat e NATO-së, kanë qënë të luftuara edhe nga 50 shtete anëtare dhe aleate të NATO-së dhe në këtë drejtim edhe shqiptarët dhanë kontributin e tyre që ti japin grushtin e fundit forcave paramilitare të Millosheviqit dhe natyrisht edhe NATO-ja edhe KFOR-i e kanë mbështetur luftën e  UÇPMB-së dhe ne shqiptarët këtë nuk mund ta fshehim.

Një shkrim tjetër i dobishëm  Ka ndërruar jetë Reshat Bajrami, i arrestuari me rastin e aksidentit të policit në Tërrnoc

INA: Mendoni se vendimi është më shumë me karakter politik?

Ragmi Mustafa: Politika serbe gjithmonë është në drejtim që të mbulojë gjurmët e lavdishme të shqiptarëve, për të mos lënë histori shqiptarët pas vete, për të mos I ëmsuar pasardhësit e tyre se ka pasë një luftë dhe në këtë luftë kanë rënë këta dëshmorë. Pa dyshim se gjeneratat e reja do të pyesin për këtë histori dhe cili ishte motive i tyre. Le të dihet e vërteta, për të inkurajuar gjeneratat për të qenurit shqiptar i vërtetë dhe për të ruajtur identitetin e tyre kombëtar gjatë historisë në të ardhmen.

Atëhere forcat e xhandarmerisë sërbe, një muaj kërcënimesh që vishin prej krerëve më të lartë shtetëror, herë prej kryeministrit Daçiq e herë prej zëvëndës-kryeministrit sërb Vuçiq, e herë prej presidentit të Republikës Nikoliq, ku unë parimisht nuk mbaj mend që në botën demokratike ku një kryetar komunë, një kryetar Republike apo një kryetar Qeverie ti kërcënohet popullit të tij. Kjo është çmenduria e llojit më të përsosur. Megjithate, ata i bënë ato kërcënime gjatë tërë muajit, dhe një të diele, në orët e hershme të mëngjesit kur xhandarmeria sërbe me eskavator largojnë lapidarin dhe ate e dërgojnë diku në Beograd.

INA: A keni marrë ndonjë njoftim zyrtar dhe keni informacion se ku ndodhet lapidari?

Ragmi Mustafa: Ne akoma nuk kemi një përgjigje zyrtare se ku ndodhet lapidari, ne faktikisht akoma nuk dijmë se çfar do të ndodhë me atë lapidar dhe gjoja me një vendim të Ministrisë së drejtësisë se po largohet ky lapidar dhe kemi vetëm një dokument se ky lapidary po largohet i ngarkuar në autokamionë dhe kryeshefit të administratës komunale i kanë përcjellë një letër me shkrim se lapidari po hiqet, por pasi e kanë kryer akcionin.

Në ndërkohë, përpjekjet tona kanë qënë të vazhdueshme që të kthehet lapidari aty ku ka qënë. Akoma nuk ka ndonjë përgjigje serioze, por ka një përgjigje shumë joserioze e Ministrisë së drejtësisë ku thuhet se është e drejtë e pushtetit lokal të kërkojë pronën e cila i është konfiskuar, por akoma nuk janë krijuar kushtet që ta kthejnë lapidarin që  e kanë marrë në oborrin e komunës së Preshevës.

Megjithate qytetarët shqiptar janë të vetëdijshëm për vendin ku ishte lapidari se ai është shënuar dhe është vend i shenjtë dhe për këtë e kemi rrethuar me tufa lulesh dhe gjithmonë me lule të freskëta do ta mbajmë derisa të krijohen kushtet për kthimin e këtij lapidari ose vendosjen e një lapidari edhe më të madh se ai që kishte qënë në oborrin e komunës së Preshevës. Shqiptarët nuk do të heqin dorë kurrë nga identiteti jonë kombëtar.

INA- I nderuar kryetar, kohëve të fundit flitet për një inisiative me siguri e dalur nga kuloaret sërbe, si ide që shqiptarëve të Preshevës do tu ofrohet një flamur ndryshe nga flamuri kombëtar. Cili është vlerësimi dhe mendimi juaj lidhur me këtë inisiativë?

Ragmi Mustafa: Për ne shqiptarët në rajon, qoftë në Luginë të Preshevës, qoftë në Kosovë, Maqedoni apo në Mal të Zi që kemi pasë moshën relativisht madhore për të kuptuar politikën millosheviqiane dhe para-millosheviqiane, gjithmonë Serbia ka qënë e interesuar që të ndajë identitetin kombëtar të shqiptarëve, sikur “Albanci” në Shqipëri, “Shiptari” në Kosovë, “Shiptari: në Maqedoni apo gjithmonë kanë vendosë bisht ndaj identitetit të shqiptarëve. Ajo politikë natyrisht dhe pa dyshim nuk i ka shkuar Serbisë, e cila sot nuk menaxhon pjesën teritoriale të Maqedonisë e as pjesën teritoriale të Republikës së Kosovës dhe tani ka fuqi të menaxhojë vetëm pjesën teritoriale të Luginës së Preshevës-komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, por përpiqet që faktikisht të vazhdojë akomë me një politikë dhe retorikë të ndryshimit të identitetit  të shqiptarëve. Të përdoret një flamur kombëtar në komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegjë nga ai i Skëndërbeut është e pa-justifikueshme, është e papranueshme, apsolutisht për ne e papranueshme.

Sërbia është gjithmonë e interesuar që para ndërkombëtarëve të sillet se gjoja këta nuk janë si shqiptarët e tjerë dhe këtyre nuk u duhet bashkangjitja me Kosovën. Shqiptarët e Luginës së Preshevës e kanë dhënë verdiktin e tyre në vitin 1992 nën një regjim më të egër të mundshëm të Millosheviqit për një Autonomi politico-teritoriale me të drejtë bashkim me Kosovën. Këtë të drejtë nuk mund tua mohojë askush. Asnjëherë nuk ka një forcë që të bëjë një shkëputje të dhunshme të Luginës së Preshevës, por Lugina e Preshevës, asnjëhere nuk do të pajtohet me ndryshimin e identitetit të tyre.

INA: Ekziston vetëm një flamur  kombëtar dhe ai përdoret gjithëkund ku ka shqiptar?

Ragmi Mustafa: Përderisa flamuri kombëtar përdoret në Shqipëri, përdoret edhe në Maqedoni, edhe në Mal të Zi edhe në Kosovë, i njëjti duhet të përdoret edhe në Luginë të Preshevës. Politika zyrtare në Luginë të Preshevës këtë nuk do ta pranojë kurrë edhe përkundër përpjekjeve të vazhdueshme të Qeverisë sërbe në Beograd për të ndryshuar identitetin e shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Megjithate, në këtë moment vlen të potencohet se inisiativat gjithmonë nisin nga Beogradi, duke u përpjekur që të bindin autoritetet në Shqipëri apo në Kosovë, se këta duhet të marrin një symbol tjetër nga ai që të dallohet nga simboli shtetëror i Shqipërisë. Ne këtë ia kemi shpjeguar autoriteteve në Beograd se Shqipëria për simbol shtetëror ka simbolin kombëtar dhe përfundimisht e kemi të drejtën e plotë edhe net a përdorim simbolin kombëtar.

INA: Pse Beogradi është i interesuar për ta përdhosë simbolin tonë kombëtar?

Ragmi Mustafa: Në këtë drejtim, nëse Beogradi është i interesuar për një simbol të pakicave kombëtare le të interesohet të gjeje  simbolin e pakicës kombëtare sërbe në Republikën e Kosovës e nuk duhet të mirret me simbolin e pakicës kombëtare shqiptare në Luginën e Preshevës, sepse shqiptarët kudo që jetojnë në botë sot, ata  kanë një identitet. Ata meritojnë të gëzojnë dhe të përdorin simbolin e tyre kombëtar-Flamurin e Skëndërbeut. Në këtë drejtim jemi vigjilent dhe të vetëdijshëm dhe më 28 nëntor, me mijëra flamuj valojnë në Luginë të Preshevës, mbase më shumë se kudo tjetër në trojet shqiptare, sepse e kemi mungesë për 365 ditë të tjera gjatë vitit simbolin kombëtar dhe atë ditë-28 Nëntor, nuk pyesim askend, sepse një ditë së paku kemi të drejtë të festojmë identitetin kombëtar apo siç ishte festa e 100 Vjetorit apo edhe përvjetor të tjerë, sepse 28 nëntori ishte meritë e patriotëve shqiptar.

INA- Në Tiranë kemi Qeveri të re, të drejtuar nga kryeministri Edi Rama. Çka pritni ju nga Qeveria e re e Tiranës? 

Ragmi Mustafa: Kryeministri i tanishëm i Shqipërisë, gjatë vitit të kaluar dy herë ka qëndruar për vizitë në Preshevë dhe mund të shprehem dhe të konsideroj  se së paku e ka prekur këtë sipërfaqe tokësore, e ka prekur popullin. Nuk do të donim që të presim më shumë se ta respektojë Kushtetunë e Shqipërisë. Ta ketë kujdesin maksimal ndaj shqiptarëve jashtë pjesës teritoriale të Shqipërisë së tanishme të njohur ndërkombëtarisht. Në këtë drejtim presim që të shkojë edhe përtej Kushtetutës që të ketë një kujdes më të veçantë për të krijuar kushte sigurie më të mëdha qoftë ato ekonomike, qoftë politike, qoftë në fushën e arsimit, shëndetësisë e në të gjitha sferat, që shqiptarët e Luginës së Preshevës të jetojnë mbase edhe më mirë se ata në Shqipëri.

INA: Pse mendoni se shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet të jetojnë më mirë se të tjerët?

Ragmi Mustafa: Sepse të krijuarit e kushteve më të mira parandalojnë eksodin e shqiptarëve. Le të jetë Presheva, Bujanoci e Medvegja një regjion i vogël ku jetojnë më së miri shqiptarët për të qënë joshës dhe inkurajues për shqiptarët që të kemi të interesuar edhe shqiptar nga Maqedonia, nga Shqipëria, nga Mali i Zi apo nga Kosova që të vijnë e të bëjnë jetë këtu. Përndryshe, nëqoftëse shqiptarët lihen pas dore dhe nuk kanë ndonjë kujdes të veçantë e sidomos nga Shqipëria zyrtare dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, normalisht mund të vije deri te zbrazja e popullsisë dhe ky vend ti mbetet Serbisë një pjesë teritoriale ashtu siç i ka mbetë disa rajone. Prandaj është koha e fundit që Republika e Shqipërisë e Republika e Kosovës të kenë një kujdes më të veçantë për Luginën e Preshevës. Kjo është shumë e evitueshme për ti ruajtur tokat autoktone të stërgjyshërve tanë.

INA- Lugina e Preshevës gjithmonë ka qënë nën përkujdesjen e Këshillit Shqiptaro-Amerikan. Edhe kësaj radhe, në përvjetorin e tyre ju kanë bërë ftesë për të vizituar Nju Jorkun, ku do të takoni përfaqsues të trojeve shqiptare dhe përfaqsues politik  që janë me dnikim në SHBA si p.sh. senator etj?

Ragmi Mustafa: Është një nder për mua i veçantë që më kanë resoektuar nga ana e këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, që me rstin e shënimit të 17 vjetorit, më kanë ftuar që të jem pjesë e asaj ngjarje shumë të madhe. Në përvjetor të tjerë janë dekoruar një varg autoritetesh të Presidencës së SHBA-ve, mandej edhe shumë autoriteteve në botë që kanë punuar dhe  kontribuar për lirinë e shqiptarëve në teritorin e Republikës së Kosovës. Pa dyshim se është një rast i mirë që të takohen edhe senatorë, deputet, ambasadorë, kongresmen dhe autoritete të tjera, ku do të arrijë të shprehë konsideratën time më të lartë autoriteteve që kanë ndihmuar kombin shqiptar, për të vazhduar ndihmën për shqiptarët e Luginës së Preshevës, sepse ajo është një pjesë teritoriale e cila ndërkombëtarisht është e pranuar dhe e njohur si problem.

INA: Problemi i Luginës së Preshevës ka kohë që është vlerësuar si problem që kërkon zgjidhje të pranueshme nga të gjitha palët?

Ragmi Mustafa: Po. Është e pranuar si problem sepse një javë më parë kishim 22 ambasadorët me seli në Vienë, me përfaqsues të 22 shteteve të të përfaqsive të vendeve të  Organizatës së Sigurimit dhe të Bashkëpunimit Europian, ku të gjithë liderët e politikës shqiptare në Luginën e Preshevës janë takuar me këta 22 ambasador dhe kemi paraqitur pa dyshim problemet dhe shqetësimet tona në të gjitha fushat. Ata me një kujdes të veçantë kanë qënë në gjendje të dëgjojnë dhe të pranojnë sugjerimet dhe propozimet mbase edhe të zgjidhjes së problemeve. Një grup ambasadorësh që kanë vizituar më para Beogradin, Luginën e Preshevës e mandej kanë vazhduar për vizitë Qeverinë në Prishtinë dhe veriun e Republikës së Kosovës.

INA: Ky delegacion i lartë dhe autoritativ paska vlerësuar mirë këta katër destinacione politico-problematike?

Ragmi Mustafa: Janë pikërisht këto katër destinacione që kanë probleme serioze, janë probleme të natyrshme edhe në Luginë të Preshevës, që janë identifikuar edhe nga OSBE-ja, problemet në veriun e Republikës së Kosovës dhe zgjidhja e këtyre problemeve varet nga Beogradi e Prishtina. Duke u shpjeguar të gjitha këto peripeci që përjetojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke u shpjeguar të gjitha këto probleme që nga mbarimi i Luftës UÇPMB-së dhe pagatishmërisë së Qeverisë së Sërbisë për tu ulur për ti zgjidhur këto probleme serioze. Kemi kërkuar në pjesën e ekspozesë time që  me zgjidhjen e problemit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës tani të merret Bashkimi Europian në Bruksel, sikurse që duan ta zgjidhin problemin e sërbëve në veriun e Republikës së Kosovës në Bruksel, duke ndërmjetësuar baronesha Eshton, ndërmjet dy kryeministrave. Andaj, është shumë e meritueshme që të nisë edhe një process për shqiptarët e Luginës së Preshevës, që të inkuadrohet edhe Lugina e Preshevës në zgjidhjen e problemeve aty ku janë dy qeveritë e Beogradit dhe Prishtinës. Kështu do të krijohen kushte të akomoduara dhe të kënaqshme për të gjithë popujt e rajonit për hyrjen eventuale në Bashkimin  Europian.

INA- Zotëri kryetar, ju faleminderit për kohën që ndatë dhe ju dëshirojmë shëndet dhe sukses.

Ragmi Mustafa: Ju faleminderit edhe ju, për kohën dhe mundin që keni bërë për të na vizituar në Preshevë, për shqetësimet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës përmes mediave në mbarë rruzullin tokësor. Intervistuan: Suat Saqipi dhe Mehmet Latifi/

Categories

Archives