Wednesday, 22/11/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Lidhja farefisnore, urë mes familjeve

Lidhja farefisnore, urë mes familjeve

familja

Allahu i Madhëruar ka thënë: “O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një vete (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqen) e saj, e prej atyre dyve u shtuan burra shumë e gra. Dhe kini frikë Allahun, që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin (akraballëkun), se Allahu është mbikëqyrës mbi ju.” Nisa 1

“O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar” këto fjalë u drejtohen të gjithë njerëzve për t’i orientuar nga Krijuesi i tyre, i Cili i “ka krijuar prej një vete (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqen) e saj, e prej atyre dyve u shtuan burra shumë e gra”. Kjo është një përgjigje për ata që u qarkullon vazhdimisht dilema në kokë për prejardhjen e tyre. Njëkohësisht ua bën me dije, se ky njerëzim që buron nga prindër të përbashkët dhe ka një lidhje farefisnore, ka origjinë të njëjtë. Po ashtu ajeti e bën të qartë, se familja është bazamenti i njerëzimit.
Ka filluar nga një familje, e pastaj janë shpërndarë nëpër botë. Mirëpo ajo që kërkohet për të qenë familje, e pastaj shoqëri shembullore është devotshmëria ndaj Allahut të Madhëruar, të jetojmë nën urdhrat e Tij, nën një sistem dhe rregull që është i evidentuar me ligjin e Allahut të Gjithëdijshëm, në fenë e Tij të vetme të pranuar, fenë islame. Kjo shihet tek urdhri i përsëritur i Allahut në vetë ajetin “Dhe kini frikë Allahun që me emrin e Tij përbetoheni” e me këtë devocion “ruajeni farefisin (akraballëkun)”, dhe të gjithë këtë Allahu e përfundon me kujdesin ndaj mbikëqyrjes së Tij “se Allahu është mbikëqyrës mbi ju”[1]

Allahu i Madhëruar u thotë krijesave të Tij, duke i urdhëruar të jenë të devotshëm, që vetëm Atij t’i nënshtrohen dhe mos t’i shoqërojnë Atij askënd. Pastaj ua tërheq vërejtjen për fuqinë e Tij, me të cilën i ka krijuar prej një vetes, e ai është Ademi alejhi selam “…dhe nga ajo krijoi palën (shoqen) e saj”, e ajo është Hava alejha selam, e cila është e krijuar nga brinja e majtë nga mbrapa gjersa ai flinte. Kur është zgjuar ka shikuar kah ajo dhe i ka pëlqyer. Ai ishte i kënaqur me te dhe po ashtu ajo ishte e kënaqur me të.
Në hadithin e vërtetë qëndron: “Gruaja është krijuar nga brinja, a pjesa më e shtrembët e brinjës është pjesa më e lartë. Nëse tenton ta drejtosh, do ta thyesh, e nëse dëshiron të kesh dobi nga ajo, do të kesh edhe duke qenë ajo e shtrembët.”

“…e prej atyre dyve u shtuan burra shumë e gra…”, d.m.th., nga ata të dy Ademi dhe Havaja ka krijuar shumë burra dhe gra dhe i ka shpërndarë nëpër vende të ndryshme të botës, me lloje të ndryshme, me cilësi të ndryshme, me raca dhe gjuhë të ndryshme, që pastaj Atij t’i kthehen me ringjallje.

Pastaj thotë: “Dhe kini frikë Allahun, që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin (akraballëkun)”. Dahaku ka thënë: Kini frikë Allahun ndaj të Cilit keni detyrim dhe ruani lidhjet farefisnore dhe mos i këputni, por përforcojini dhe mirëmbajini.

“se Allahu është mbikëqyrës mbi ju.” Ai i mbikëqyr të gjitha krijesat dhe i përcjell hollësisht gjendjet e tyre, ashtu siç ka thënë në ajetin tjetër: “…e Allahu është dëshmitar i çdo sendi.” Buruxh 9. Në hadithin sahih qëndron: “Adhuroje Allahun ashtu sikurse e sheh Atë, edhe pse ti nuk e sheh, Ai të sheh ty.” Mutefekun alejhi.

Ky është urdhër për t’u përkujdesur ndaj mbikëqyrjes së Mbikëqyrësit. Për këtë edhe Allahu i Madhëruar e ka përmendur se origjina e krijimit prej një babai dhe një nëne është në atë për të qenë i butë njëri ndaj tjetrit, të mirëtrajtohen mes veti, i forti ta ndihmojë të dobëtin etj. Në Sahihun e Muslimit qëndron nga Xherir ibën Abdullah El Bexheli, se i Dërguari i Allahut sal-lallahu alejhi ue selem, kur kanë ardhur një grup nga Madari me rroba të grisura lakuriq, u drejtohet sahabëve me një fjalim pas namazit të drekës dhe u tha: “O ju njerëz!
Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një vete (njeriu)” deri në fund të ajetit, e pastaj tha: “O ju që besuat, kini parasysh frikën ndaj Allahut dhe le të shikojë njeriu, se çka ka bërë për nesër, dhe kini frikë Allahun, e s’ka dyshim se Allahu është që e di në detaje atë që ju punoni!” Hashër 18. Pastaj i inkurajoi në lëmoshë dhe tha (përcjellësi i hadithit): Njëri dha lëmoshë nga dinarët e tij, ndërsa tjetri nga dërhemët, tjetri një okë me drith, e tjetri një okë me hurma.[2]

Kurtubiu, në tefsirin e tij në lidhje me ajetin “…ruajeni farefisin (akraballëkun)”, thotë: Dijetarët janë në konsensus, se mbajtja e lidhjes farefisnore është vaxhib (detyrim) dhe shkëputja e asaj lidhje është haram (e ndaluar).
Është i verifikuar hadithi, se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem i ka thënë Esmasë radijallahu anha e cila e kishte pyetur: A të mbaj lidhje me nënën time?- Po mbaji lidhjet me nënën tënde.- E ka urdhëruar t’i mbajë lidhjet me nënën e saj, duke qenë ajo jobesimtare. (Ebu Davudi 2/127 dhe Ahmedi në Musned 6/344, 347)[3].

Shtojcë: Një sociolog gjerman ka bërë një evidencë të një statistike sociale dhe vjen në përfundimin, se ardhmëria i takon Islamit. Edhe pasi i është bërë shantazh nga bashkëpunëtorët e tij, ai vazhdoi të pohojë atë që e ka studiuar me vite.
Ajo ishte se ai kishte bërë krahasimin e shoqërisë islame me atë krishtere dhe duke parë se familjet në shoqërinë islame janë më të suksesshme, i kushtojnë rëndësi lidhjes farefisnore, ndërsa në shoqërinë e krishtere janë të dështuara dhe nuk i kushtojnë rëndësi lidhjes farefisnore, por edhe prejardhjen e tyre nuk e dinë të saktë. E lusim Allahun Fuqiplotë të na i mbrojë nderin dhe familjen, Ai i dëgjon lutjet e robërve të Tij. Amin

Shkruan: Ali Shabani

[1] Fi Dhilalil-Kuran të Sejid Kutubit, v. I, fq. 573.

Categories

Archives