Monday, 11/12/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

A lejohet dhurimi i organeve pas vdekjes?

A lejohet dhurimi i organeve pas vdekjes?

Pyetja: Dua të di se çfarë thotë feja Islame për dhurimin e organeve pas vdekjes?

organet transplanti

Përgjigje:

Lavd-falënderimi i takon vetëm Allahut…

Kjo temë ishte një ndër temat që Asambleja e Jurisprudencës Islame (Mexhma al Fikh al Islami) e mori për sipër ta studiojë dhe shpalli fetvanë në vazhdim:

1. Lejohet transplantimi i organit nga një vend i trupit në vend tjetër të të njëjtit trup, duke treguar kujdes që dobia e këtij operacioni të jetë më e madhe sesa dëmtimi i mundshëm. Dhe me kusht, që ky operacion të kryhet me qëllim të vendosjes së një organi të humbur, kthimit të formës normale, për ta vënë në funksionin përkatës, për ta larguar një të metë apo një gjymtim që shkakton dëmtim fizik apo kokëçarje psikike.

2. Lejohet transplantimi i organit nga një trup në trup tjetër, nëse ai organ ripërtërihet, sikurse lëkura dhe gjaku. Këtu duhet të kihet parasysh kushti që dhuruesi të jetë kompetent që të vendosë për veten.

3. Lejohet përfitimi nga pjesa e një organi që është nxjerrë nga një njeri tjetër për shkak të sëmundjes së tij, sikurse marrja e korneasë së syrit nga një njeri, të cilit ia kanë nxjerrë syrin për shkak të ndonjë sëmundje.

4. Ndalohet transplantimi i një organi që është kyç për jetën e njeriut, sikurse bartja e zemrës nga një njeri i gjallë te një njeri tjetër.

5. Ndalohet transplantimi i një organi nga një i gjallë që do i humbiste një funksion të rëndësishëm të jetës së tij edhe pse nuk shkakton humbjen e jetës në thelb, sikurse transplantimi i të dy korneave të syrit. Mirëpo, nëse nuk i humb funksionin 100%, kjo mbetet të hulumtohet më tutje.

6. Lejohet transplantimi i një organi nga një i vdekur për një të gjallë i cili organ është kyç për jetën e njeriut apo është kyç për funksionimin e shëndoshë të një roli të rëndësishëm. Por, me kusht që këtë ta lejojë i vdekuri apo trashëguesit e tij ose me pajtimin e udhëheqësit të myslimanëve, nëse i vdekuri është i panjohur apo nuk ka trashëgues.

7. Duhet theksuar se lejimi i transplantimit në rastet e sipërpërmendura kushtëzohet që të mos bëhen me shitje, sepse shitja e organeve të njeriut nuk është e lejuar në asnjë mënyrë.

Kurse, dhënia pasuri për të gjetur organin e duhur, për të shpërblyet apo për ta nderuar dhuruesin, kjo mbetet të hulumtohet më tutje.

8. Çdo gjë tjetër përveç rasteve dhe formave që përmendëm, që ka lidhje me temën, mbeten të hulumtohen më tutje në bazë të informatave mjekësore dhe dispozitave fetare.

solli në shqip: Omer BERISHA

Tags:

Categories

Archives