Saturday, 17/11/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Lehtësimi i dhimbjes sipas sunetit të Pejgamberit



Lehtësimi i dhimbjes sipas sunetit të Pejgamberit

Prej një kohe të gjatë te muslimanët ekziston tradita, që fëmijës së porsalindur t’i vendosin në gojë një copëz hurme të përtypur mirë.

Muslimanët e bëjnë këtë në bazë të praktikës së Pejgamberit sal-lallahu alejhi ue selem, i cili sipas Kuranit është dërguar si mëshirë për mbarë njerëzimin. Meqë kjo traditë është praktikë e Muhamedit sal-lallahu alejhi ue selem padyshim tek ajo ekziston një urtësi e madhe. Por përveç urtësisë dhe kënaqësisë në pasimin e Sunetit të Pejgamberit dhënia e “gjërave të ëmbla” fëmijës së porsalindur në mënyrë dramatike ia zvogëlon dhembjen dhe të rrahurat e zemrës së fëmijës.

Një hulumtim shkencor interesant që u publikua në “British Medical Journal” më 10 qershor 1995 tregoi se padyshim është e dobishme t‘i japësh fëmijës së porsalindur sheqer për të zvogëluar ndjenjën e procedurave të dhembshme, sikurse shpimi e shputës gjatë marrjes së kampioneve të gjakut ose para synetisë.

Hulumtimi me titull “Efekti analgjetik i sakarozës tek të porsalindurit” e kanë kryer Nora Haouari, Christopher Wood, Gillian Griffiths dhe Malcolm Levene në repartin post-natal të spitalit në Leeds të Anglisë, ku në këtë hulumtim kanë marrë pjesë 60 fëmijë të shëndoshë të moshës 1-6 ditë pas lindjes, duke marrë 2ml të këtyre tretjeve: 12.5% sakarozë, 25% sakarozë, 50% sakarozë dhe ujë të sterilizuar.

Grupi i parë prej 30 bebeve kanë marrë shurup sheqeri para testit rutinor (marrje gjaku nga shputa që zakonisht është e dhembshme) për të zbuluar verdhëzën. Grupi tjetër i bebeve kanë marrë ujë të distiluar. Dhënia e 2ml të tretjes 25% dhe 50% sakarozë në gjuhë të fëmijëve të porsalindur para shpimit në shputë e ka zvogëluar dukshëm kohën e qarjes në krahasim me bebet që kanë marrë vetëm ujë.

Gjithashtu të rrahurat e zemrës së tyre me shpejtësi i janë kthyer normales. Tretësira e sheqerit më e fortë ka pasur efekt më të fuqishëm, koha e qarjes është zvogëluar me rritjen e koncentrimit të sakarozës. Nga kjo mund të konkludojmë se sakaroza mund të jetë analgjetik i dobishëm dhe i sigurt tek të porsalindurit. Blass dhe Hoffmeyer gjithashtu kanë treguar që dhënia e 12% të tretjes së sakarozës e ka zvogëluar dukshëm kohën e qarjes tek të porsalindurit gjatë marrjes së gjakut nga shputa dhe gjatë synetisë. Ky hulumtim është publikuar në revistën “Independent”, më 1995, si dhe në “British Medical Journal”.

Praktika e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ue selem është shënuar në përmbledhjet e haditheve, por shumica gjenden në dy përmbledhjet e sakta-sahih të Buhariut dhe Muslimit: Ebu Budrah transmeton nga Ebu Musai, i cili ka thënë: “Më lindi fëmija, e dërgova te Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem dhe ai e emërtoi Ibrahim. Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem e përtypi hurmën dhe fërkoi gojën e fëmijës me këtë.” Ekzistojnë edhe transmetime të tjera të ngjashme.





Hurma përmban sasi të mëdha sheqeri (70-80%), gjithashtu përmban edhe fruktozë që ka vlerë kalorike të lartë, treten lehtë dhe janë të dobishme për trurin. Hurma përmban 2.2% proteinë, vitaminë A, B1, B2 dhe PPF – i rëndësishëm te pelagra. Përmban gjithashtu minerale të nevojshme për organizmin si kalium, natrium, kalcium, hekur, mangan dhe bakër. Kalciumi përqindja e të cilit është e lartë është i rëndësishëm në parandalimin e gjakderdhjes në rastet e lindjes ose synetisë. Kemi vërejtur sipas sunetit gjithashtu, që agjërimi gjatë Ramazanit preferohet të ndërpritet me hurma. Vlera e madhe e hurmës gjithashtu është përmendur në ajetet e Kuranit Fisnik në kaptinën Merjem:

“E ti shkunde trupin e hurmës se do të bien ty hurma të freskëta. Ti pra, ha, pi e qetësohu…” (Merjem, 25-26).

Kjo është recetë e Allahut, Krijuesit për Merjemen gjatë lindjes së Isait alejhi selam. Kjo është recetë, e cila lehtëson dhembjet e lindjes dhe parapengon gjakderdhjen e madhe. Mesazhi i Kuranit Fisnik është i qartë për çdo kohë dhe vend:

“Ne do t’ua bëjmë atyre të mundshme që t’i shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre deri sa t’u bëhet e qartë se ai (Kurani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë?” (Fussilet, 53).

Shkruar nga Prim. Dr. Med. Sc. Ali Iljazi