Sunday, 18/11/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Lani duart tuaja



Lani duart tuaja

abdesi
Një studim shkencor, i publikuar nga revista mjekësore britanike, vërteton se larja e duarve konsiderohet më e mirë se çdo ilaç tjetër për shërimin e shumë sëmundjeve. Këtë e thotë shkenca, por thua ç’thotë Kurani?
Duke lexuar këto fakte, nuk na mbetet gjë tjetër vetëm se të themi: I lartësuar qoftë Allahu! Faktin që vëren çdo besimtar, dashamirës i shkencës dhe i Kuranit, është se çdo gjë me të cilën ka ardhur Kurani e vërteton shkenca bashkëkohore. Madje, nëse shikojmë me vëmendje në çdo zbulim shkencor bashkëkohor, vërejmë dy gjëra:

1- Për çdo të vërtetë shkencore për të cilën shkenca thotë se ka dobi, Kurani na ka urdhëruar për të!

2- Për çdo të vërtetë shkencore për të cilën shkenca thotë se ka dëm, Kurani na ka ndaluar nga ajo!

Të dashurit e mi për hir të Allahut! Kohë pas kohe më vinë idetë nga vëllezërit dhe motrat rreth zbulimeve shkencore bashkëkohore, në të cilat ka tipare të mrekullisë në Librin e Allahut ose në Sunetin e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ku motivet e tyre në këtë drejtim janë dashuria ndaj Kuranit dhe dashuria ndaj atij që i zbriti ky Kuran, të Dërguarit tonë Muhamed, paqja e Allahut qoftë mbi të. Vëllezërve dhe motrave gjithnjë u them: Prej veprave më të mira absolutisht është thirrja në rrugën e Allahut të Lartësuar: “E kush flet më bukur se ai që i fton njerëzit drejt Allahut, bën vepra të mira dhe thotë: “Unë, me të vërtetë jam musliman.” (Fussilet, 33)

Konsideroj se vepra më e lehtë në këtë kohë është thirrja në rrugën e Allahut. Mjafton të kontribuosh me një ide, që mund të jetë bërthamë fillestare për një studim i cili mund të jetë shkak për udhëzimin e një njeriu, kurse ty të takon shpërblimi sikurse i atyre që kontribuojnë në këtë hulumtim. Të kontribuosh në përhapjen e një mrekullie kuranore mund të jesh shkak për udhëzimin shumë njerëzve, kurse ty të takon shpërblimi i të gjithë të udhëzuarve duke mos iu pakësuar asgjë nga shpërblimi i tyre.

Në këtë kontekst kujtojmë fjalët e të dashurit tonë, paqja e Allahut qoftë mbi të, i cili thotë: “Kush bën në Islam një sunet të mirë, ka shpërblimin e tij dhe të atyre që punojnë me të pas tij, pa u pakësuar prej shpërblimeve të tyre asgjë.” Të vërtetën e ka thënë i Dërguari i Allahut. Lus të gjithë vëllezërit të kontribuojnë në përhapjen e shkrimeve të tilla të dobishme, çdokush sipas mundësisë, kohës dhe rrethanave. Mos thuaj se çfarë do të përftoj nga kjo, por kontribuo në përhapjen e një mrekullie ose ofrimin e një ideje të dobishme, ndoshta kjo vepër mund të jetë shkak për hyrjen tënde në xhenet, e Allahu e di më së miri.

Lexova një hulumtim i cili është publikuar para një periudhe të shkurtër, një përmbledhje rreth të cilit e ka bërë agjencia Reuters (2007). Studimi ka arritur në përfundimin se larja e duarve rregullisht mund të jetë më e efektshme sesa ilaçet farmaceutike në parandalimin e përhapjes së viruseve që godasin sistemin e frymëmarrjes, si gripi dhe Sarsi.

Rezultatet e këtij hulumtimi i ka publikuar gazeta mjekësore britanike British Medical Journal. Hulumtuesit kanë ardhur në përfundimin e mësipërm duke iu referuar 51 studimeve, se larja e duarve konsiderohet formë efektive në shkallë individuale në parandalimin e përhapjes së viruseve që infektojnë sistemin e frymëmarrjes, madje ato janë më efektive kur merren në të njëjtën kohë.





Në një studim tjetër, të botuar në revistën Cochrane Library, është vërejtur se larja e duarve vetëm me sapun dhe ujë është një mënyrë e thjeshtë dhe efektive për të kufizuar përhapjen e viruseve që infektojnë sistemin e frymëmarrjes, duke u nisur nga viruset e të ftohurit të përditshëm e deri tek viruset vdekjeprurëse që çojnë në përhapjen e epidemive.

Vëllezërit e mi nga këtu kujtojmë se përse Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar të fillojmë me larjen e duarve tona gjatë abdestit: “O besimtarë! Kur doni të falni namaz, lani fytyrën dhe duart deri në bërryla, kurse kokën fshijeni me dorë të lagët; lani edhe këmbët deri në nyje. Nëse jeni të papastër (si pasojë e marrëdhënieve bashkëshortore apo e derdhjes së farës), pastrohuni (duke u larë krejtësisht)! Por, në qoftë se jeni të sëmurë (që mund t’ju dëmtojë uji) ose gjendeni në udhëtim, ose ndonjëri nga ju vjen pas kryerjes së nevojës natyrore, ose nëse keni pasur marrëdhënie me bashkëshortet e nuk gjeni ujë, atëherë gjeni dhé të pastër dhe fshini fytyrat e duart me të. Allahu nuk dëshiron t’ju krijojë ndonjë vështirësi, por dëshiron t’ju pastrojë dhe t’i plotësojë dhuntitë e Tij ndaj jush, që të jeni falënderues.” (Maide, 6)

Në këtë ajet kuranor, Allahu i Madhërishëm na ka urdhëruar t’i lajmë duart deri në bërryla për të parandaluar çdo virus apo bakter të mundshme dhe na ka urdhëruar ta fshijmë kokën për të hequr çdo gjurmë të baktereve të tilla, gjithashtu na urdhëroi t’i lajmë këmbët tona.

Edhe në mungesë të ujit, Allahu i Lartësuar nuk na ka lënë të pambrojtur ndaj mikrobeve, ndyrësirave dhe baktereve të dëmshme, por na urdhëroi të marrim tejemum me dhé, “gjeni dhé të pastër dhe fshini fytyrat e duart me të”. I lartësuar qoftë Allahu! Vërejmë se në studimet e fundit shkenca zbulon se në dhé ekzistojnë antibiotikët që vrasin mikrobet më rezistuese!

Allahu i Lartësuar thotë: “dhe fshini fytyrat e duart me të”, ndërkohë vinë shkencëtarët për të konfirmuar se mënyra më e mirë për të pastruar poret e lëkurës në duar dhe fytyrë, në të cilat akumulohen yndyrat, bakteret dhe viruset, është t’i fshijmë me dhé.

Gjithashtu Allahu i Lartësuar na ka përmendur edhe urtësinë e kësaj kur thotë “dëshiron t’ju pastrojë”. A thua ekzistojnë mësimet më madhore sesa të kësaj feje të pastër? Themi vetëm: “Zoti ynë! Ne besojmë atë që na ke shpallur dhe pasojmë të Dërguarin (Isain). Na shkruaj pra, bashkë me dëshmitarët!” (Ali Imran, 53)

Përktheu: Almedin Ejupi