Monday, 24/7/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Laicizmi në peshojë – Kush thotë se perëndimorët nuk kanë fe?

Laicizmi në peshojë – Kush thotë se perëndimorët nuk kanë fe?

shefqet krasniqi libri

Dr. Shefqet Krasniqi

Shenjtërimi i dy papëve në Vatikan mblodhi liderë dhe politikanë nga e tërë bota. Në mesin e tyre, padyshim, ishin edhe liderët tanë të cilët mezi s’presin t’i thërrasë dikush nga Perëndimi, pavarësisht rastit apo shkasit. Pra vetëm të numërojnë se kemi qenë këtu e atje ani pse nganjëherë nuk bëjnë asgjë.

Në këtë ceremoni rasti kishte edhe përfaqësues nga shumë vende të botës, pavarësisht asaj se a ka përfunduar epoka e njerëzve të shenjtë apo a kanë të drejtë njerëzit ta shenjtërojnë njëri-tjetrin. Për sa i përket asaj se sa ka mbështetje fetare, logjike e filozofike një gjë e tillë, mendoj se jo vetëm ne, muslimanët, që e dimë shumë mirë përgjigjen, por edhe ata vet besoj se e dinë.

Por pyetja që medoemos kërkon përgjigje dhe shkakton huti në mesin e masave është përse gjithë kjo pjesëmarrje në një manifestim ekskluziv fetar kur shumica e politikanëve pretendojnë të jenë laikë dhe se vijnë nga vende laike? A mos vallë ende nuk e kemi kuptuar laicizmin dhe domethënien e tij? Apo mos laicizmi, sikurse edhe demokracia, ka kuptim të njëanshëm që nënkupton se laik do të thotë të mos shprehesh identitetin tënd si musliman ndërsa të shfaqësh përkatësi tjetër fetare nuk ka problem.

Andaj, siç e kemi potencuar shumë herë, liderët perëndimorë duke filluar nga Italia deri në Kanada e Amerikë janë fetarë dhe fenë e kanë pjesë të identitetit të tyre. Kjo është një e vërtetë e pamohueshme sikur që është e vërtetë po ashtu se Evropa dhe Perëndimi janë fetarë dhe fenë e kanë pjesë të shtetit të tyre. Realitetin e tyre fetar perëndimorët jo vetëm që e shprehin apo deklarojnë publikisht por madje edhe e zbatojnë në praktikë pa ndonjë kompleks e as vesvese. Të gjithë jemi dëshmitarë të asaj se liderët perëndimorë betohen në Bibël me rastin e inaugurimit të tyre, vizitojnë kishat, shprehin botërisht përkatësinë e tyre fetare, siç ndodhi vetëm para pak ditësh kur kryeministri anglez pa ndonjë kompleks promovoi vendin e tij si të krishterë.

Pyetje tjetër që shton edhe më shumë habinë është se si gjejnë kohë, hapësirë dhe mundësi liderët tanë të shkojnë gjer në Vatikan kurse këtu, në Prishtinë, xhamitë nuk i kanë as 100 metra larg zyrave dhe nuk gjejnë ‘kohë’ as vullnet të vijnë madje qoftë edhe një herë të vetme? A mos vallë kaq shumë ka domethënie për liderët tanë pjesëmarrja në një shënim të një shteti që vazhdon të mos na pranojë me arsyetime tepër fyese? E lexoja me habi një lajm, në një gazetë të krishterë në Kosovë, ndërsa qeshja me gojën plot, se si përshkruhej gëzimi i liderëve tanë për shkak të takimit me Papën: “Jahjaga e Thaçi ia prekin dorën Atit të Shenjtë”?! A thua vallë aq domethënëse qenka një prekje e atillë sa që ia vlejtka barra qiranë të shkohet gjer në Vatikan vetëm për t’i prek dorën ‘Atit të Shenjtë’!

Një shkrim tjetër i dobishëm  Femra, të drejtat e saj dhe aktualiteti

A thua vallë kush e bëri Atin të ‘Shenjtë’ dhe për kë vlen kjo shenjtëri. A mos vallë kjo shenjtëri vlen edhe për liderët tanë, të cilët nuk besojnë dhe nuk respektojnë as fenë e vet e lëre më të tjetrit, apo mos kjo është edhe një diplomaci tjetër, në raport me Zotin, ashtu që përgëzimi për falje mëkatesh dhe fitim parajse të merret nga gjithkush tjetër përpos Atij.

Të supozojmë se, për shkaqe diplomatike, liderët tanë duhet të shkojnë nëpër tubime të këtilla, ani pse janë tipike fetare, por pse kur është në pyetje feja e popullit të tyre, të cilës edhe ata vet i përkasin, këta liderë mundohen t’i ikin realitetit e të bëhen kinse ne nuk kemi fe dhe se feja e shteti nuk kanë asgjë të përbashkët. Pse shtetet tjera laike bën ta kenë fenë e tyre, herë-herë ta predikojnë atë, të krenohen me të, të betohen në librin e tyre të shenjtë e shumë gjëra të tjera.

Ndërsa në Kosovë nuk bën as të përmendet feja, lëre më të betohen liderët në Kur’an apo të marrin pjesë në ceremoni fetare siç është Xhumaja dhe Bajrami. Nuk ka dyshim se kjo është një diplomaci e brishtë, një papjekuri politike e cila tregon se liderëve tanë u ka humbur rrugën në mes të oborrit, as vet nuk po e dinë se kush janë dhe çka janë, e kjo është më e keqja. Populli në thëniet e tij të famshme ka treguar qartë ‘Kur tandes nuk ia din vleften dhe e huaja nuk te do, atehere mbetesh as me Sheher e as me Barileve’.

Allahu i drejtoftë këta njerëz, po edhe neve të gjithëve. Amin dhe deri në javën e ardhshme me një temë tjetër, selam alejkum.

Categories

Archives