Wednesday, 18/10/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Kush ishin muslimanët e parë qe pranuan Islamin?

Kush ishin muslimanët e parë qe pranuan Islamin?

islami

Kush ishin muslimanët e parë qe pranuan Islamin?

Pas ftesës dhe qartësimit që Profeti i Allahut u bëri njerëzve për të ndjekur udhën e drejtë të adhurimit të Allahut Krenar dhe të Lartësuar, nuk vonoi të vinte përgjigjja e njerëzve nga çdo fis.

Hadixheja e madhe

Thirrjes së Pejgamberit (a.s.) nuk vonoi t’i përgjigjej edhe e sinqerta e grave: Hadixhe Bintu Huejlidi, e cila, me të vërtetë i plotësoi si duhej detyrat dhe kërkesat e gradës së njerëzve të sinqertë dhe të çiltër. Kur Profeti alejhi selam u kthye i tronditur nga shpella Hira, pasi ishte takuar me Xhibrilin dhe pasi kishte dëgjuar për herë të parë fjalën e Allahut, ai i tha Hadixhes: “U tremba.”. Ajo i foli ëmbëlsisht duke e përgëzuar: “Betohem në Allahun e Lartësuar, se Ai kurrë nuk ka për të të poshtëruar.” E si e argumentoi ajo qëndrimin e saj? Duke parë se Profeti alejhi selam gëzonte cilësi të shkëlqyera dhe moral të lartë, kjo i shërbeu si argument për faktin se një njeri i tillë, kurrë nuk mund të poshtërohet. Ajo e kuptoi me mendjen e saj të madhe dhe me natyrën e saj të pastër e të papërlyer, se cilësitë e shkëlqyera, morali i lartë dhe vlerat e vyera, nuk mund të kenë fryte të tjera përveç nderimit dhe shpërblimit të madh nga Allahu i Madhëruar; ato meritojnë veç ndihmën, bamirësinë dhe suksesin e dhënë prej Tij. Këto veçori qëndrojnë shumë larg poshtërimit dhe humbjes. Poshtërimi dhe humbja janë rrjedhojë e cilësive të poshtra, e moralit të ulët dhe pasioneve të shfrenuara. Atij, të cilin Allahu i Madhëruar e ka brymosur me cilësitë dhe veprat më të mira, Ai ka për t’ia përsosur këto dhunti. Ndërsa ai që mësohet me cilësitë dhe veprat më të këqija dhe më të poshtra, do të gëzojë veçse atë që i shkon për shtat natyrës së tij.

Ky sinqeritet dhe kjo mendje e stërhollë e saj, e bëri plotësisht të meritueshëm selamin që Allahu i Madhëruar, Zoti i saj, i dërgoi asaj me anë të Xhibrilit dhe Muhamedit (a.s.)

Ebu Bekri

Ebu Bekri, i sinqerti i këtij umeti, ndër përqafuesit e parë të Islamit, u shfaq si luftëtar dhe ndihmues i kësaj feje. Ftesa në udhën e lumturisë që ai u bëri njerëzve, ishte e qartë dhe e çiltër. Dhe ja, frytet e sinqeritetit nuk vonojnë. Nën ndikimin e tij, Islamin e pranuan Uthman Ibn Afani, Talha Ibn Ubejdilahu dhe Sad Ibn Uekasi.

Ali Ibn Ebu Talibi

Për të pranuar Islamin nxitoi gjithashtu edhe Ali Ibn Ebu Talibi, i cili ishte vetëm 8 vjeç, megjithëse thuhet se ka qenë më i rritur. Ai kishte qenë nën kujdestarinë e Profetit alejhi selam, i cili e mori nga xhaxhai i tij, Ebu Talibi, për ta ndihmuar gjatë një viti vështirësie.

Zejd Ibn Harithe

Ndër të parët që pranuan Islamin ishte edhe Zejd Ibn Harithe, shërbëtori i dashur dhe i përkushtuar i Profetit alejhi selam Ai fillimisht ishte skllav në shërbim të Hadixhes, e cila, pasi u martua me Profetin, ia dhuroi atij alejhi selam. Tregohet se te shtëpia e Profetit alejhi selam mbërritën një ditë babai dhe xhaxhai i Zejdit, për të kërkuar lirimin dhe kompensimin e djalit të tyre. Atje u thanë se Profeti alejhi selam ishte në xhami. Shkuan tek ai dhe i thanë: “O biri i Abdul-Mutalibit, i rrethit të Benu Hashimëve! O djalë i zotërisë së fisit të tij! Ju jeni banorë të Vendit të Shenjtë të Allahut dhe fqinjë të kësaj Shtëpie të lashtë. Ju lironi robërit dhe ushqeni skllevërit. Ne kemi ardhur për çështjen e djalit tonë, që ndodhet te ju. Tregohu bamirës me ne dhe na ndero duke na mundësuar të shpaguajmë marrjen e tij!” “E kush është ai?” “Zejd Ibn Harithi.” “Po nëse ju propozoj diçka tjetër?” “E çfarë është ajo?” “Unë do ta ftoj këtu para jush dhe do ta lëmë të zgjedhë vetë. Nëse zgjedh të vijë me ju, atëherë është i juaji. Por nëse zgjedh të vijë me mua, betohem në Allahun e Madhëruar se nuk kam për ta lëshuar kurrë atë që më përzgjedh mua.” “Të lumtë, sepse ky propozim është drejtësi.” ­– thanë ata.

Një shkrim tjetër i dobishëm  Edhe në ëndrrat që ti sheh dikush ka hased (smirë)

Profeti (a.s.) e ftoi Zejdin aty dhe e pyeti: “A i njeh këta?” “Po.” – u përgjigj ai. “Kush është ky?” “Ky është im atë, e ky tjetri është xhaxhai im.” “Atëherë, unë jam ai që ti më njeh shumë mirë. Ti e di tani se si jam sjellë dhe se çfarë qëndrimi kam mbajtur ndaj teje. Tani mund të zgjedhësh: ose rri me mua, ose shko me ata!” Zejdi tha: “Betohem në Allahun e Madhëruar, se kurrë nuk kam për të zgjedhur tjetërkënd para teje. Ty të kam si babanë dhe xhaxhanë tim.” “Mblidh mendjen, o Zejd!” – i tha babai bashkë me xhaxhain. “A po zgjedh robërinë kundrejt lirisë dhe po vlerëson të tjerët kundrejt babait, xhaxhait dhe farefisit tënd?!” Zejdi u kthehet duke u përgjigjur i sigurt: “Po! Sepse kam parë mjaftueshëm te ky burrë, sa për të më bërë që mbi të, të mos vë askënd.”

Kur i Dërguari i Allahut alejhi selam e pa këtë skenë, shkoi në hixhr (pranë Kabes) bashkë me Zejdin për dore, dhe deklaroi: “Dëshmoni se Zejdi është im bir! Më trashëgon dhe e trashëgoj!” Në këtë moment, babai dhe xhaxhai i Zejdit u kënaqën, u qetësuan dhe u larguan. Për një kohë të gjatë Zejdi u quajt i Biri i Muhamedit alejhi selam, deri në çastin kur Allahu i Madhëruar urdhëroi që fëmijët të thirren dhe emërtohen sipas atësisë biologjike të tyre, sikurse thuhet në ajetin kuranor: “Thirrini të birësuarit sipas etërve të tyre! Kjo është më e drejtë në sytë e Allahut. Në qoftë se nuk e dini emrin e etërve të tyre, konsiderojini ata si vëllezërit tuaj të besimit dhe si të mitur nën tutelën tuaj. Nuk është gjynah nëse gaboni, por është gjynah kur zemrat tuaja bëjnë faj me qëllim. Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” (Ahzab 5). Vetëm pas kësaj, ai u quajt Zejd Ibn Harithe (Zejdi, i biri i Harithit).

Thotë Mameri në librin e tij El Xhamiu, duke përcjellë nga imam Zuhri: “Nuk njohim njeri tjetër që të jetë bërë musliman para Zejd Ibn Harithit. Zejdi është ai për të cilin Allahu na ka lajmëruar në Librin e Tij, se Ai dhe i Dërguari i Tij i falën mirësi, duke u përmendur madje me emër në Kuran.”

Veraka Ibn Neufeli

Në fillesat e Islamit, këtë fe e pranoi edhe prifti i quajtur Veraka Ibn Neufel. Madje, ai dëshironte fort që të ishte edhe njëherë i ri, për të qenë me Profetin alejhi selam pikërisht në momentet më të vështira që ai do të përjetonte, atëherë kur do të dëbohej prej popullit të tij.

Në librin me përmbledhje të haditheve të Tirmidhiut, të titulluar El Xhami, shënohet se Profeti alejhi selam e ka parë Verakan në ëndërr në gjendje dhe pamje të këndshme; ndërsa sipas një transmetimi tjetër, thuhet se e ka parë të veshur në të bardha.

Shkeputur nga libri “Zad el Mead”.
Autor Ibn Kajim el Xheuzije

Perktheu Ismail Bardhoshi

 

Categories

Archives