Saturday, 16/2/2019 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame
Tirana
0C

Kush është Zoti ynë dhe si mund ta njohim atë?



Kush është Zoti ynë dhe si mund ta njohim atë?

Allah

Zoti ynë është Ai i Cili na ka krijuar, është kujdesur për neve me të gjitha dhuntitë e Tij dhe na ka furnizuar me të mira.





Zotin tonë mund ta njohim nëpërmes shumë shenjave, argumenteve në këtë botë, prej tyre: Ai krijoi qiejt, tokën, natën, ditën, diellin, hënën etj.,Ai e zbret shiun dhe e furnizon cilin të dojë dhe Ai është i Plotëfuqishmi për çdo gjë.

Duke menduar njeriu rreth këtyre argumenteve me kujdes e kupton se e ka obligim që ta adhurojë Allahun, të Vetmin i Cili nuk ka ortak.

Fjala ibadet është emër përmbledhës i çdo gjëje të cilën e do Allahu subhanehu ue teala qoftë ajo fjalë apo punë, e hapët (namazi, haxhi) apo e fshehët (agjërimi, sinqeriteti).
Disa nga adhurimet ndaj Allahut janë: lutja, shpresa, frika, mbështetja në Të, betimi, zotimi, therja, kërkimi i mbrojtjes, kërkimi i ndihmës dhe shumë ibadete tjera.
Asnjëra prej këtyre ibadeteve që i përmendëm dhe ato që nuk i përmendëm nuk lejohet t’i drejtohen dikujt tjetër pos Allahut. Për të gjitha këto ibadete kemi argument nga Kur’ani Famëlartë dhe suneti i pastër i Resulullahut, sal-lallahu alejhi ue selem.
Argument për lutjen është fjala e Allahut subhanehu ue teala: ”Vërtetë xhamitë janë për Allahun, mos adhuroni në to askë tjetër pos Allahut”. (XHIN-18).;
për shpresën, fjala e Allahut subhanehu ue teala:”…e kush e shpreson takimin e vet me Zotin e tij, le të punojë punë të mirë,e në adhurimin e Zotit mos ta përziejë askë” (KEHF-110);
për therjen fjala e Allahut subhanehu ue teala: ”Thuaj: Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botërave.Ai nuk ka shok. Me këtë jam i urdhëruar dhe jam i pari i muslimanëve.” (EN’AM 162-163). ‘Kurbani im’ ka për qëllim kafshën të cilën e therë për tu afruar tek Allahu. Siç e dimë, shumë prej njerëzve të paditur therin kafshë duke përmendur emra tjerë e jo të Allahut, duke menduar të afrohen me të te ai i cili është i vdekur (nëpër turbe dhe varre), duke shpresuar ndonjë dobi prej tyre dhe mbrojtje prej të këqijave. Kjo punë e kundërshton besimin e vërtetë;
për kërkimin e mbrojtjes mësojmë prej hadithit të Havleh bintu Hakim radijAllahu anha e cila ka thënë: E kam ndëgjuar Resulullahun sal-lAllahu alejhi ue sel-lem duke thënë: Kush ndalet në ndonjë vend dhe thotë: ”Kërkoj mbrojtje me fjalët e plota të Allahut prej të keqes që ka krijuar”, nuk e godet gjë derisa të largohet nga ai vend. (MUSLIMI)
Të shohim ç’na tregon Allahu subhanehu ue teala në suren Ihlas:”Thuaj: Allahu është Një. Atij i drejtohet çdo krijesë kur ka nevojë. As s’ka lindur kë as që është i lindur. Atij askush nuk i është i barabartë”.
REZYME: E kemi obligim që ta njohim Zotin tonë i Cili na krijoi, ta adhurojmë ashtu si na ka mësuar e të mos adhurojmë tjetërkënd pos Tij. Mësuam prej sures Ihlas se Allahu është Një i Vetëm i Cili nuk ka konkurent, as të ngjashëm, as ndihmës e as fëmijë por Ai është i pasur, i panevojshëm për robërit e Tij, ndërsa ata janë të nevojshëm për Të. Allahu subhanehu ue teala është i Vetmi që meriton të adhurohet dhe shok të mos i bëhet.albislam/
shkroi: Omer Berisha