Monday, 25/9/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Kush është Muhamedi ?

Kush është Muhamedi ?

Muhamedi

Kush është Muhamedi ? 
(Paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të!)

”Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.” (Kurani 33:21)

Muslimanët besojnë se Muhamedi (Paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të!) është Pejgamberi i fundit në një zinxhir të gjatë të Pejgamberëve, të dërguar që t`i thërrasin njerëzit për bindje dhe adhurim ndaj Zotit të vetëm (në arabisht: Allah). Disa prej këtyre Pejgamberëve janë: Ademi, Nuhu, Ibrahimi, Ismaili, Isaku, Jakubi, Jusufi, Musai, Davudi, Sulejmani, Isai etj. (Paqja qoftë mbi ta!).

Njëjtë si Musai (Paqja qoftë mbi të!), që u dërgua me Teuratin (shpallja origjinale e pakorruptuar që iu dërgua Musait) dhe Isai (Jezusi) (Paqja qoftë mbi të!) me Inxhilin (shpallja origjinale e pakorruptuar – jo versionet e ditëve të sotme), muslimanët besojnë se Muhamedi (Paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të!) u dërgua me Kuranin, për të shpjeguar se si duhet të zbatohen mësimet e tij.

Gruas së Pejgamberit (Paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të!), Aishes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!), iu kërkua një herë që të përshkruajë Pejgamberin (Paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të!), dhe ajo u përgjigj se ai ishte ‘Kuran që ecte’, që nënkupton se ai zbatoi në përpikmëri mësimet fisnike të Kuranit në jetën e tij të përditshme. Ne do të tregojmë se si ai i kishte jetësuar këto mësime fisnike në veprime fisnike.

Mision i mëshirës

“Dhe Ne (Zoti) nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët.” (Kurani 21:107)

Përveç që i thërriste njerëzit për t’u falur (namazin), për të agjëruar e për të dhënë lëmoshë, Pejgamberi (Paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të!) mësonte se besimi i njeriut në Zot duhet të ndikojë në mënyrën e trajtimit të të tjerëve. Ai tha: “Më i miri prej jush është ai që ka karakter (moral, etikë) më të mirë.”

Shumë thënie të Pejgamberit (Paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të!) theksojnë marrëdhëniet në mes të besimit dhe veprimit, për shembull: ”Kush beson Allahun dhe Ditën e Fundit, le të thotë fjalë të mira ose të heshtë. Kush beson Allahun dhe Ditën e Fundit, le ta nderojë fqinjin. Kush beson Allahun dhe Ditën e Fundit, le ta nderojë mysafirin.”

I Dërguari i fundit (Paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të!), njerëzit i mësoi që të tregojnë mëshirë dhe të respektojnë njëri-tjetrin: “Ai që nuk mëshiron, nuk mëshirohet.”

Në një transmetim tjetër, disa njerëz kërkuan nga Pejgamberi (Paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të!), që të luste Zotin për t’i ndëshkuar jobesimtarët, por ai u përgjigj: “Unë nuk jam dërguar mallkues, por unë jam dërguar si mëshirë.”

Falja e gabimeve

“…le t’i falin ata dhe të mos ua marrin për keq! Vallë, a nuk doni ju që t’ju falë Allahu? Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” (Kurani 24:22)

Pejgamberi (Paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të!) i falte gabimet më së shumti prej të gjithë njerëzve dhe ishte më shpirtgjeri. Nëse dikush e keqtrajtonte, ai e falte; sa më i ashpër bëhej dikush, Pejgamberi (Paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të!) bëhej aq më i durueshëm. Ai ishte shumë i butë dhe falës, sidomos kur kishte pushtet dhe fuqi për t’u hakmarrë.

Muhamedi, paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të, ishte pro faljes dhe asnjë sasi e krimit ose agresionit kundër tij nuk ishte shumë e madhe për t’u falur nga ai. Ai ishte shembulli më i mirë i faljes dhe shpirtgjerësisë, siç përmendet në ajetin vijues të Kuranit:

“Trego mëshirë, urdhëro vepra të mira dhe shmangu nga të paditurit!” (Kurani 7:199)

Barazia

“Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij.” (Kurani 49:13)

Në thëniet e mëposhtme të Pejgamberit (Paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të!), ai mësoi se të gjithë njerëzit janë të barabartë përpara Zotit: “I gjithë njerëzimi është nga Ademi, dhe Ademi është nga balta. Nuk ka asnjë epërsi arabi mbi jo-arabin, as i ziu mbi të bardhin; përveçse në devotshmëri.” “Allahu nuk shikon në fizionomitë tuaja e as në pasuritë tuaja, por Ai shikon në zemrat dhe veprat tuaja.”

Është transmetuar se një herë, një shok i Pejgamberit (Paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të!), e thirri një shok tjetër në mënyrë fyese, “O biri i nënës së zezë!” Pejgamberi(Paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të!) u zemërua dhe tha: “A po e zhvlerëson atë për shkak të nënës së tij të zezë? Ju ende keni gjurmë të injorancës nga periudha para-islamike.”

Toleranca

“Nuk barazohet e mira me të keqen! Të keqen ktheje me të mirë e atëherë armiku yt do të të bëhet menjëherë mik i ngushtë.” (Kurani 41:34)

“Nuk duhet t’i bëni keq atyre që ju bëjnë keq juve, por duhet t’ia ktheni atyre me falje dhe mirësi.”

Në këtë mënyrë reagonte i Dërguari i fundit i Zotit (Paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të!) ndaj sulmeve dhe abuzimeve që i drejtoheshin.

Burimet islame përfshijnë një numër rastesh kur Pejgamberi (Paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të!) kishte mundësinë të hakmerrej ndaj atyre që e dëmtonin atë, por e përmbante veten.

Ai i mësoi burrat që të durojnë në raste fatkeqësie: “I fortë nuk është ai që i mund njerëzit me forcën e tij, por i fortë është ai që kontrollon veten e tij gjatë zemërimit.”

Një shkrim tjetër i dobishëm  O TI ZILIQAR

Të durosh dhe të jesh tolerant, nuk do të thotë që muslimani të qëndrojë pasiv dhe të mos e mbrojë veten e tij kur sulmohet. Pejgamberi (Paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Mos u lutni që të përballeni me armikun, por kur të përballeni me të, jini të durueshëm (dmth. të qëndroni të vendosur kur përballeni me armikun).”

Butësia

“Në sajë të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje.” (Kurani 3:159)

Enes ibn Malik (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), i cili kishte shërbyer Muhamedit (Paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të!) për dhjetë vjet, ka thënë se Muhamedi (Paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të!) gjithmonë sillej butë me të: “Kur bëja diçka, ai kurrë nuk më pyeste për mënyrën se si e kisha bëra atë; dhe kur nuk bëja diçka, ai kurrë nuk më pyeste për dështimin tim në të. Ai ishte më i miri i të gjithë njerëzve.”

Në një rast, gruaja e Pejgamberit (Paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të!) reagoi me zemërim, pasi një person e ofendoi Pejgamberin (Paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të!). Pejgamberi (Paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të!) e këshilloi atë: “Bëhu e butë dhe e qetë o Aishe, sepse Allahu e pëlqen butësinë në të gjitha çështjet.”

Ai gjithashtu i tha: “Trego butësi! Sepse, në qoftë se butësia gjendet në diçka, ajo veçse e zbukuron atë, dhe kur mungon në diçka, ajo veçse e bën të mangët.”

Përulësia

“Robërit e të Gjithëmëshirshmit janë ata që ecin thjesht nëpër Tokë dhe, kur të paditurit i sulmojnë me fjalë, ata përgjigjen: ‘Paqe qoftë!’” (Kuran 25:63)

Pejgamberi (Paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të!) i ndalonte njerëzit nga qëndrimi në këmbë për të për respekt. Nëpër vendtakime, ai ulej në vendin që ishte i lirë dhe kurrë nuk kërkonte një vend të shquar apo të ngritur. Ai kurrë nuk vishte ndonjë gjë që të dallohej nga shokët e tij ose të dukej në gradë më të lartë se ta. Ai rrinte me të varfërit dhe nevojtarët; ai ulej me të moshuarit dhe i ndihmonte gratë e veja. Njerëzit që nuk e njihnin, nuk mund ta dallonin në mesin e njerëzve të tjerë.

Duke iu drejtuar shokëve të tij, ai ka thënë: “Allahu më ka shpallur mua, që duhet të jeni të përulur. Askush nuk duhet të mburret ndaj tjetrit dhe askush nuk duhet ta shtypë tjetër.”

E tillë ishte përulësia e tij, saqë ai frikësohej se mos adhurohej, një privilegj që i takon vetëm Zotit. Ai ka thënë: “Mos i kaloni kufinjtë e të më lavdëroni mua sikurse bëjnë të krishterët në lavdërimin e Isait (Jezusit), birit të Merjemes (Marisë). Unë jam vetëm rob i Allahut; prandaj thuani: rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij.”

Bashkësort ideal

“Jetoni e silluni mirë me to (gratë tuaja)!” (Kurani 4:19)

Gruaja e dashur e Pejgamberit (Paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të!), Aishja, ka thënë për burrin e saj fisnik: “Ai gjithmonë ndihmonte në punët e shtëpisë dhe ndonjëherë arnonte rrobat e tij, i riparonte këpucët e tij dhe e pastronte dyshemenë. Ai i milte, ruante dhe ushqente kafshët e tij dhe bënte punët e shtëpisë.”

Jo vetëm që ishte bashkëshort i përkushtuar, por ai gjithashtu i inkurajonte shokët e tij të ndiqnin shembullin e tij: “Më të mirët e besimtarëve janë më të moralshmit. E, më të mirët prej tyre janë ata që janë më të mirët me gratë e veta.”

Shembull ideal

“Në të vërtetë ti (O Muhamed) je në një shkallë të lartë morali.” (Kurani 68:4)

Ajo çfarë parapiru më sipër, është vetëm një paraqitje e shkurtër se si Muhamedi (Paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të!) jetoi jetën e tij. Shembujt e përmendur të mirësisë dhe mëshirës, mund të jenë të papritur për disa njerëz të caktuar, të cilëve portretizimi i Islamit dhe shtrembërimi i vazhdueshëm i tij iu është dhënë në media. Është e rëndësishme që, kur dikush dëshiron ta kuptojë Islamin, të shkojë direkt në burimet e tij:

Kurani dhe thëniet e veprimet e Muhamedit (Paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të!), që të mos e gjykojë Islamin bazuar në veprimet e hallakatura të disa muslimanëve.

Komente nga jomuslimanë

Mahatma Ghandi, lider i madh politik dhe shpirtëror i lëvizjes indiane për pavarësi, është shprehur: “Ishte modestia e plotë, thjeshtësia e Pejgamberit, të qenurit rigoroz ndaj obligimeve, respekti i tij i thellë ndaj prindërve dhe miqve, guximi dhe trimëria, besimi i tij i patundur tek Zoti dhe bindja e paluhatshme ne pejgamberinë e tij. Pikërisht këto, dhe jo shpata, përvetësuan njerëzit dhe iu dhanë atyre fuqi për të kapërcyer çdo vështirësi.” George Bernard Shaw, dramaturg britanik, ka deklaruar: “Bota është në nevojë urgjente për një njeri me të menduarit e Muhamedit; teologët e Mesjetës, për shkak të injorancës së tyre dhe animit fetar, e kanë paraqitur në mënyrë krejtësisht negative dhe kanë konsideruar se ai ka ushqyer urrejtje ndaj Jezusit (Isait, paqja qoftë mbi të). Por, pasi kam shikuar në historinë e tij, mendoj se ai është njeri i mahnitshëm dhe i mrekullueshëm dhe, sipas mendimit tim, ai është larg të qenit antikrisht, por duhet të quhet shpëtimtar i njerëzimit. Një njeri i ngjashëm me të, po të merrej me problemet e kohës moderne, do t’i kishte zgjidhur me sukses ato dhe do t’i kishte sjellë njerëzimit paqen dhe lumturimë e nevojshme.”

Përktheu: Driton Ajdin Xhezairi

Categories

Archives