Thursday, 25/5/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Kush e ndërtoi Jerusalemin dhe kush e bën historinë?


Kush e ndërtoi Jerusalemin dhe kush e bën historinë?


jerusalemi aksa shqip

Gjatë një vizite që e bëri kryeministri aktual izraelit në Washington para disa viteve, ai u kritikua nga sekretarja e shtetit amerikan, Hillari Klinton, pse ai po ndërton vendbanime në pjesën Lindore të Jerusalemit. Natanjahu tha se ka të drejtë në atë, ngase izraelitët e kanë ndërtuar Jerusalemin katërmijë (4000) vite p.e.r. Këtë deklaratë të pavërtetë e përsëriti edhe vitin e kaluar në Jerusalem gjatë një vizite që i bëri sekretari aktual i Amerikës, Xhon Keri.

Deklarata e Natanjahut është e paqëndrueshme, ngase Jerusalemin e kanë ndërtuar jebusët arabë. Fiset Jebus dhe Kenane, që ishin banorët e parë të Xhezirës arabe, në vitin 2500 p.e.r. dolën nga xhezira arabe dhe u vendosën në një pjesë të ngritur në Palestinë. Atë e bënë që të mbroheshin më lehtë nga egjiptianët e vjetër, ndërsa në anën jugore ngritën fortifikata.

Këto masa për fortifikimin dhe mbrojtjen e qytetit të tyre, arabët i morën të udhëhequr nga mbreti i tyre, Salim El-Jebusi. Ky ishte mbreti i parë nga jebusët, që u quajt Melik Sadik (Mbreti besnik). Pikërisht, Jebuso-Kenanasit e ndërtuan Jerusalemin dhe ia vunë emrin sipas mbretit të tyre, Ursalim – Urshalim, (qyteti i Salimit), sot Jerusalem.

Ishte ky mbret që i kishte bërë pritje madhështore babait të pejgambereve, Ibrahimit a.s. Pasi Ibrahimin a.s. nuk e besuan populli i tij, vendosi të largohej nga Iraku dhe shkoi në Palestinë.

Deklarata e kryeministrit aktual izraelit Benjamin Natanjahu, i cili deklaron se Jerusalemin e kanë ndërtuar izraelitët 4000 vite p.e.r. është e pa vërtetë edhe për faktin tjetër se nga bijtë e Ibrahimit a.s. rrjedhin arabët dhe izraelitët: Prej Ismailit a.s. janë arabët e arabizuar, kurse prej Is’hakut a.s. janë izraelitët. Kurse, njeriu i parë që është quajtur Israil është Jakubi a.s. djali i Is’hakut a.s. Israil d.m.th. Abdullah – rob i Allahut. E vetë Jakubi-Israili a.s. u lind në vitin 2407 p.e.r., keshtu qe Natanjahu ka nxituar për 1693 vite.

Jakubi a.s. ka jetuar një kohë në Palestinë, pastaj është shpërngulur në Egjipt dhe atje ka vdekur në moshën 147 vjeçare. Është varrosur në Palestinë, afër varrit të babait të tij Is’hakut dhe gjyshit të tij Ibrahimit a.s. Ndërsa, pasardhësit e tij jetuan në Egjipt deri kur i dëboi Faraoni i 18 (Remzisi i Dytë).

Nga faraonët më të njohur të Egjiptit, vlen të përmendën Menhutibi i Tretë ( 1413 p.e.r) dhe Remzisi i Dytë, i cili i futi jebusët brenda kufijve të Egjiptit pas marrëveshjes Kadish në vitin 1292 p.e.r.
Pasardhësit e Jakubit a.s. – Israilit, pasi dolën nga Egjipti qëndruan në Sinai për dyzet vite. Pas dyzet viteve ata shkuan dhe u vendosën në Kuds – Jerusalem, ku nga popullata që gjetën aty, shumica e tyre ishin arabë kenanas dhe jebusë. Vendasit përdornin gjuhën arabe, kurse gjuhë zyrtare dhe e diplomacisë ishte gjuha babilonase, e cila përdorej gjithandej aso kohe në Lindjen e Mesme.

Me gjithë këtë hebrenjtë nuk ia dolën të ruanin edhe më tutje bashkimin e tyre kombëtar dhe të jetonin të bashkuar nën hijen e një shteti hebraik. Për pasojë, pas vdekjes së Sylejmanit a.s., që ishte edhe mbret, shteti i tyre u nda në dy pjesë, të cilat nuk u quajtën me të njëjtin emër. Njëri u quajt Israil (Izrael), kurse tjetri Jehud, me qendër në Urshalim (Jerusalem).

Këto dy shtete nuk ushtronin kontrollin e plotë mbi tërë Palestinën. Pushteti i tyre kufizohej vetëm mbi nga një qytet dhe fshatrat përreth tyre. Këto dy shtete nganjëherë binin nën pushtetin e forcave egjiptiane dhe nganjëherë të atyre asiriane. Këto dy shtete as në mes vete nuk kishin harmoni, prandaj u bë luftë ndërmjet dy shteteve.

Invazionet e njëpasnjëshme mbi Palestinë, nuk do të pushojnë kurrë deri me çlirimin e saj përfundimtar që e bënë myslimanët. Para se të binte përfundimisht në duar të myslimanëve, Palestina do të ndodhej e pushtuar nga babilonasit, pastaj asirianët, bizantinët dhe nga romakët. Në kohën kur e pushtoi Nabuhadh Nasri (Buhta Nasri – mbret i Babilonisë), ai hyri në Ursalim (Jerusalem) dhe të gjithë robërit e luftës i dërgoi në Babiloni.

Ndërkohë persianët ngadhënjyen kundër babilonasve dhe filluan përgatitjet për të sulmuar Egjiptin. Për këtë sulm ata kërkuan ndihmë nga robërit hebrenj që ndodheshin në Babiloni. Mbreti persian i lejonte robërit që të kthehen në Urshalim dhe të ndërtonin murin e rrënuar që e kishte rrënuar Buhta Nasri.

Pas kësaj, pasoi invazioni i Lekës së Madh në vitin 332 p.e.r. Ai hebrenjtë i la ashtu si i gjeti. Leka nuk u ndal gjatë aty, por shkoi për në Egjipt ku e ndërtoi qytetin Aleksandri sipas emrit të tij. Këtë emër e bartë edhe sot e kësaj dite. Më vonë në vitin 63 p.e.r., Jerusalemin e pushtuan romakët. Ata rrënuan murin e qytetit dhe i detyruan hebrenjtë që të prenin për çdo ditë nga një kurban para bustit të Cezarit. Kjo zgjati deri në kohën e Heder Janus në viti 138 të erës re. Ai vërejti se hebrenjtë nuk ishin luajalë dhe besnikë ndaj tij, kështu që vendosi të rrënonte qytetin nga themeli dhe përzuri hebrenjtë prej andej.

Mbi gërmadhat e qytetit të vjetër, romakët do të ndërtonin më vonë një qytet të ri, të cilin e quajtën Ilia, sipas emrit të perandorit të tyre. Duhet theksuar se gjatë tërë kësaj periudhe të gjatë, duke nisur që nga koha e Buhta Nasrit, hebrenjtë nuk luajtën ndonjë rol të rëndësishëm as në Palestinë dhe as në qytetin e shenjtë Jerusalem. Arabët, përkundrazi, me gjithë jetën e tyre të vështirë gjatë gjithë pushtimeve të shumta të Palestinës e të qytetit të shenjtë nga mbretëri të ndryshme, qëndruan gjithmonë të paluhatshëm në vatrat e tyre.

Një shkrim tjetër i dobishëm  SHENJAT E FYTYRËS

Myslimanët që në shekullin e Vll-të menduan të çlironin Jerusalemin (nga romakët). Arsyet për këtë ishin të shumta: ajo ishte tokë arabe, fetare, ekonomike dhe strategjike. Pas fitores që shënuan myslimanët në betejën e Jermukut, iu lehtësua rruga që të çlironin edhe Shamin dhe të nxirrnin tërë Palestinën nga kontrolli i romakëve okupator.

Në një gjendje të tillë, kryeshefi i shtatmadhorisë së forcave myslimane, Ebu Ubejde bin Xherrehu r.a., rrethoi Ilian (Jerusalemin). Populli i Jerusalemit u detyruan të dorëzohej patjetër e të kërkonin paqe, por kishin edhe një kërkesë të veçantë: nënshkrues i marrëveshjes së paqes të ishte vetë Halifi Umer bin Hatabi r.a. Udhëheqja ushtarake e myslimanëve u pajtua me atë dhe i bënë ftesë Halifit dhe ai iu përgjigj asaj ftese dhe erdhi në Jerusalem. Atje u takua me patriarkun romak. Në këtë takim Halifi mysliman shfaqi respekt për patriarkun romak. Ata nënshkruan marrëveshjen e njohur të paqes, me të cilën Omeri r.a. u jepte popullit të Jerusalemit të drejta të plota qytetare, u garantonte siguri për pasurinë e tyre dhe për objektet fetare: Kishat, kryqin, etj.

Marrëveshjen në mes të Omerit r.a., Halif i myslimanëve dhe popullit të Jerusalemit në pika të shkurtra kishte këtë përmbajtje: ”Bismil-lahi… Këto janë gjërat elementare që i jep halifi Omer popullit të Ilias (Jerusalemit) – liri, siguri personale dhe pronësore. Liri fetare që nënkupton objektet fetare, kishat nuk mund të shndërrohen në shtëpi banimi, as të rrënohen kurrsesi. Nuk do të ketë urrejtje fetare dhe nuk do të dëmtohet asnjë i fesë jo islame. Me kërkesën e patrikut u dakordua që në Jerusalem të mos banonte as një hebre. Romakët ardhacakë dhe huliganët do të dilnin nga qyteti. Ata që dalin e kanë të sigurt jetën dhe pasurinë e tyre të luajtshme. Gjithashtu me ta mund të shkonte kushdo që dëshiron edhe nga krishterët vendas. E kush do të rrijë aty, mund të kthehej në pronën e tij dhe atij nuk do t’i merrej asgjë nga tatimet përderisa ta punoi tokën. Të drejtat qytetare do të jenë të barabarta për të gjithë banorët…”!

Ato që përmban kjo marrëveshje, janë në pajtim me dispozitat e Kur’anit dhe me hdithet e Muhamedit a.s. Dëshmitar të marrëveshjes ishin: Halid bin Velidi, Abdurraman bin Avfi dhe Muavi bin Ebi Sufjani.

Vlen të përmendet se vet populli i Jerusalemit kishte kërkuar që të mos banonin hebrenjtë aty dhe këtë dëshirë ua plotësoi Halifi Omer r. a. Ky është një fakt, se as Jerusalemi dhe as Palestina e asaj kohe nuk kanë qenë në tërësi hebraike (çifute). Do të thotë se hebrenjtë aty nuk kanë qenë kurrë një tërësi, po vetëm grupe në formë pakice kombëtare.

Që nga koha e çlirimit nga romakët, myslimanët e quajtën Jerusalemin Kuds (qytet i shenjtë, shtëpi e pastër), për arsye se në të ndodhet Mesxhidu-l-Aksaja, xhamia e tretë në botë për nga rëndësia për myslimanët. Kësodore Jerusalemi dhe tërë Palestina ranë nën sundimin e drejtë të myslimanëve, në kohën e Hulefai Rrashidinëve dhe vazhdon në sundimin e emevitëve, abasitëve. Ky sundim i drejtë dhe i qetë zgjati deri në kohën e kryqëzatave të krishterëve, të cilat u zhvilluan që nga viti 1096 deri në vitin 1291. Gjatë tërë kësaj periudhe të luftërave kryqtare, Palestinën e sunduan të krishterët e Perëndimit. Ndonëse të okupuar dhe në kushte tepër të vështira, myslimanët arabë megjithatë qëndruan aty, në vatrat e tyre shekullore.

Me shfaqjen në skenë të trimit dhe strategut të madh mysliman, Salahudin Ejubi, me origjinë kurde, do të çlirohej e tërë Palestina bashkë me disa pjesë të Shamit, që kishin rënë nënë sundimin e kryqtarëve. Salahudini pasi i çliroi këto pjesë, ia bashkoi shtetit të vet Ejubi me qendër në Kajro të Egjiptit.

Në vitin 1517, Jerusalemin dhe tërë Palestinën e nënshtruan turqit osmanlinjë nën udhëheqjen e Sulltan Selimit, pas betejës në Merxhdabek kundër forcave të memalikëve çerkezë, të cilët pas vdekjes së Salahudin Ejubit e kishin zhdukur shtetin Ejubi. Edhe gjatë sundimit osman, Palestina ka qenë vazhdimisht e banuar me arabë.

Krejt vonë Palestinën do ta pushtonin francezët, pas të cilëve do të vinin forcat britanike, të cilat do ta kolonizonin atë për t’ua dhuruar më në fund atyre që nuk kishin as një të drejtë për të – hebrenjve. Pra, Britania e dha atë që nuk e posedonte, atyre që nuk iu takonte.

Kjo pasqyrë, sado e shkurtër e historisë së qytetit të shenjtë, Jerusalemit, që është një histori e dhembshme e me plot plagë, dëshmon se ai gjithmonë ka qenë një qytet i arabëve. Prandaj, me plot besim, priten kohë më të mira, që aty të kthehen banorët e tij origjinalë. Jerusalemi ka qenë qytet i arabëve që nga themelimi, e jo i hebrenjve si propagandojnë ata.

(Autori është ish-profesor i Historisë Islame në Medresen e Mesme Alaudin në Prishtinë, 1972-2005)

Categories

Archives