Saturday, 22/7/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Kurbani dhe dita botërore e ushqimit

Kurbani dhe dita botërore e ushqimit

shefqet

Dr. Shefqet Krasniqi

Jemi në ditët e festës së Kurban Bajramit, ku gjithandej nëpër botë muslimanët po e festojnë këtë festë madhështore. Po e festojnë ata, të cilët kanë shkuar në Mekë për ta kryer haxhin, shtyllën e pestë të Islamit, për ta pastruar shpirtin nga ndryshku i mëkateve. Për ta përtërirë besën me Zotin se, përkundër të gjitha sfidave të mëdha që po përjetojnë muslimanët në këtë zaman, do të qëndrojnë të fortë e të qëndrueshëm në rrugën e Zotit të tyre.

Do të vazhdojnë të jenë qirinj që ndriçojnë rrugën e së vërtetës, përhapin vlera dhe mundohen që ta shpëtojnë anijen ashtu që të mos fundoset. Për të dëshmuar këtë, ata pandërprerë përsëritin thënien:Të përgjigjemi ty o Zot, të përgjigjemi, Ti je Një, nuk zot tjetër pos Teje, Ti nuk ke rival e as ortak, duke iu bindur e përkushtuar Zotit Fuqiplotë me tërë qenien e tyre. Zaten nuk ka fe tjetër të vërtetë pos Islamit, dhe nuk ka libër të shenjtë, të pa ndryshuar, pa ndërhyrje të dorës se njeriut, përpos Kur’anit.

Në anën tjetër, Kurban Bajramin po e festojmë edhe ne, të cilët nuk jemi në haxh dhe atë në forma e mënyra të ndryshme, duke ia shtrirë dorën njëri-tjetrit, duke u munduar t’i tejkalojmë mosmarrëveshjet, të cilat jo rrallë ndodhin në mes nesh, duke vizituar të afërm, miq e dashamirë, për të manifestuar, kështu, miqësinë, dashurinë, unitetin dhe respektin që kemi ndaj të tjerëve. Jam i bindur se po të mos ishte Bajrami dhe shkëmbimi tradicional i vizitave gjatë kësaj feste, do të ishte e mundur që disa prej nesh të mos vizitojnë njëri-tjetrin, e të mos takohen në mes vete me vite. Por ja që Zoti i Mëshirshëm e sjellë këtë festë dy herë në vit, ashtu që së paku gjatë kësaj feste të vizitojmë të afërmit tanë e të njihemi për së afërmi me gjendjen e tyre.

Madhështia e kësaj feste kurorëzohet me therjen e kurbanit, i cili në vete ngërthen domethënie të mëdha, duke filluar nga rikujtimi i asaj sakrifice të pashoqe që bëri i Dashuri i Zotit Ibrahimi alejhi selam kur deshi ta therte djalin e vet, Ismailin a.s., kurban për hir të Zotit, ndërsa Allahu ia zëvendësoi të birin e tij me një kurban të madh. Së këndejmi, njeriu nuk mund të ketë vlera, të jetë i dobishëm dhe frytdhënës, pa bërë sakrifica, apo pa pasur shpirt sakrifikues në jetë. Ndaj përfillja e urdhrit të Zotit që të therim kurban vetëm për Të, të falemi e të agjërojmë, të shpërndajmë mishin e kurbaneve, të ndihmojmë fukaranë, t’i ushqejmë ata me mish, madje së paku gjatë këtyre ditëve të festes, na kalit neve që ta kalojmë tërë jetën në rrugën e të Madhit Zot.

Një shkrim tjetër i dobishëm  DHEU NGA XHENETI !

E kur jemi tek ushqimi, vlen të ceket se ky Kurban Bajram po përkon me Ditën Ndërkombëtare të Ushqimit. Ku mbi 150 shtete të botës e kremtojnë këtë ditë të 16 Tetorit, e njohur si Dita Botërore e Ushqimit. Mendohet se vetëm këtë vit kanë vdekur rreth 6 milionë njerëz nga uria dhe sëmundjet që lidhen me mungesën e ushqimit, dhe se më shumë se 850 milionë vetë në botë nuk kanë ushqim të mjaftueshëm.[1]

Ndaj shtrohet pyetja: A thua vallë, a nuk kemi obligim ndaj atyre njerëzve, a thua vërtet nuk mjafton ushqimi që ofron ambienti bujqësor i planetit tonë për tërë njerëzimin, apo politikat ndërkombëtare janë të tilla që duhet të ketë njerëz shumë të pasur dhe të tjerë të varfër deri në atë shkallë sa të vdesin urie? A thua më me rëndësi është përkujdesja ndaj shtazëve, qenve e maceve, sesa ndaj njerëzve, vetëm për faktin se janë të ndonjë race, gjuhe apo feje tjetër? A thua pajtohet Zoti që qindra mijëra tonelata grurë të hidhen në det për të ‘kultivuar peshqit’, gjersa miliona fëmijë nëpër botë vdesin urie?

Këto janë vetëm disa pyetje, të cilat vetvetiu parashtrohen në këtë ditë “të madhe botërore të ushqimit”. Gjersa përgjigjen po ia lë në duar lexuesit të nderuar, me duhet në këtë rast t’ua rikujtojë se sipas Islamit tonë fisniknuk mund të jetë musliman i mirë ai që barkun e ka plot, ndërsa fqinji i tij fle me bark të zbrazur. Gjithashtu,nuk ka besim të plotë e të sinqertë askush prej njerëzve derisa të mos ua do të tjerëve të mirën ashtu siç ia dëshiron vetes së tij.

Për fund, të gjithë duhet ta kuptojmë se atë që ua japim të tjerëve është më e mirë dhe më e dashur te Zoti sesa atë që lëmë për vete, në veçanti kur është rasti tek Kurbani. Ndaj ky kurban sikur po na sjellë ndërmend të mirat që na i ka dhënë Zoti, kurbani sikur na flet duke thënë: Kujtoni edhe ata që nuk kanë, kujtoni edhe ata që kanë mall për ta pasur sofrën plot. Kujtoni të varfrit e skamnorët gjithandej nëpër botë, ashtu që t’iu kujtojë juve Zoti, mendoni për të tjerët dhe ndihmojini atyre ashtu që ta meritoni ndihmën e Zotit.

Duke ju uruar të gjithëve këtë festë të madhe të Kurban Bajramit, lutem që Allahu i Madhërishëm të na përmirësojë gjendjen, të na bëjë të jemi më të mirë, më të dobishëm dhe më humanë, qoftë ndaj familjes po ashtu edhe ndaj të tjerëve. Amin, dhe deri në javën e ardhshme me një temë tjetër, es-selam alejkum.

 

Categories

Archives