Sunday, 24/6/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Kurani libër ndryshimi

Kurani libër ndryshimi

By: Dr. Selman Aude

Kurani libër ndryshimi

E lexova Kuranin fisnik duke u fokusuar kryesisht tek ndryshimi, ligjet dhe modelet, ky ishte qëllimi im. Aty gjeta shumë informacion dhe të them të drejtën më kaploi një ndjenjë krenarie, triumfi dhe entuziazmi teksa lexoja këto xhevahire dhe thesare të mrekullueshme.

Prapambetja, denigrimi dhe dobësimi i shoqërive dhe shteteve janë ligje hyjnore dhe kjo është e ngjashme me dobësinë që kap trupin e njeriut kur plaket. Edhe qeveritë e drejta edhe ato të themeluara nga profetët nuk janë të destinuara për përjetësi.

Ndryshimi pozitiv mundëson shmangien e rënies, ai merret pikërisht me këtë ligj. Shteti mund të shkatërrohet dhe bie brenda një shekulli, por mund të shtrihet edhe në pesë apo gjashtë shekuj të tjerë. Ata që dalin kundër ligjit të ndryshimit do i dorëzohen pashmangshmërisht rënies, ata thjesht përshpejtojnë procesin denigrues. Ndonjëherë, orvaten ta trajtojnë me forma që në fakt janë virusi dhe sëmundja, jo ilaçi i tyre.

Kurani përdor termin “afat”

Ashtu si njeriu ka një afat të caktuar në jetë, “exhel”, i cili as nuk shtyhet dhe as nuk shpejtohet“Por Allahu nuk ia shtyn afatin asnjë shpirti, që i vjen koha (e vdekjes); Allahu e di mirë gjithçka që bëni ju.” (Munafikun, 11) Ashtu dhe shoqëritë kanë afatin e tyre përfundimtar, exhelin e tyre, e kjo gjë ceket dhe haset më shpesh në Kuran. Ai – Kurani – flet në një sërë ajetesh mbi afatin përfundimtar të disa popujve dhe kombeve. Zoti thotë në Kuran: “Çdo popull ka afatin e vet. Kur t’i vijë koha e fundit, ata nuk mund ta shtyjnë, qoftë edhe për një çast dhe as nuk mund ta shpejtojnë.” (Araf, 34)

Ndërkohë që disa versete përmbajnë dhe faktorin e afatizimit siç ndodhi me popullin e Nuhut a.s.“Dhe, kur t’ju vijë çasti i caktuar i Allahut, askush nuk do të mund ta shtyjë atë, veç sikur ta dinit”! (Nuh, 4) Këtu, afatizimi lidhet me një popull të tërë duke ua shtyrë atyre dënimin.

Disa subjekteve që u ka ardhur exheli orvaten pa shpresë për të mbijetuar, duke menduar se janë akoma të fuqishme ushtarakisht dhe në gjendje të shtypin njerëz të pafajshëm. Ndonjëherë ata besojnë verbërisht se me mekanizmat mediatikë mund tu hedhin hi syve popujve dhe se mund të mbjellin frikë e terror kudo. Por jo, kjo nuk ndodh ngase ligjet universale thonë se kur vjen afati “exheli” i caktuar nga Zoti ai as nuk shtyhet dhe as nuk përshpejtohet. Mplakja e shteteve është e njëjtë me plakjen e individëve, dobësimin e qelizave, rënien e performancës, rënien e dëshirës, kërrusjen e pashmangshme, mosdëgjimin e mirë, dobësimin e shikimit etj.

Ligji hyjnor thotë: “Sikur banorët e atyre qyteteve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve, Ne do t’u dërgonim bekime nga qielli dhe toka, por ata mohuan, prandaj i dënuam për atë që bënë.” (Araf, 96)

Ky ligj pohon se nëse ruhet ekuilibri i besimit dhe devotshmërisë në nivelin optimal, përmbushet premtimi i Zotit të lartësuar. Dekompozimi dhe shuarja janë përfundimisht produkt njerëzor.“Shkatërrimi në tokë dhe në det është shfaqur si pasojë e punëve të këqija të njerëzve…”(Rum, 41)

Disa kriza janë të përkohshme dhe shërbejnë si sinjal alarmi. “Kështu që (Allahu) do t’i bëjë “të shijojnë” pjesë nga ajo që kanë punuar, me qëllim që ata të kthehen (në përmirësim).” (Rum, 41). Këto shërbejnë për të ripërtërirë qelizat e shtetit, për të stimuluar ndryshimin dhe groposjen e vjetërsirave, duke reformuar institucionet dhe duke instaluar rininë aktive në administratë. Por disa kriza janë rezidente dhe kolonizuese ato hedhin hapa të avashtë por të rrezikshëm, gjë të cilën e kuptojnë vetëm shtresa intelektuale, e cila ka nuhatje të mprehtë. Ligji hyjnor operon në një drejtim të sigurt. Ai operon në shoqërinë islame ashtu siç operon në shoqërinë jo islame. Ky ligj është i drejtë, prandaj rënia dhe shuarja e civilizimeve lidhet ngushtë me padrejtësinë.

Por gjithashtu ekziston dhe një ligj njerëzor, pasi njerëzit mendojnë, planifikojnë, lidhin aleanca, komplotojnë, luftojnë, flasin, shantazhojnë etj. Çdo njeri ka vullnetin dhe kapacitetin e tij të cilat mund të përkojnë ose jo me vullnetin dhe kapacitetet e të tjerëve. Çdo popull, shtet apo qeveri, ka vullnetin dhe kapacitetet e tij, të cilat mund ose jo, të përkojnë me të tjerët. Që këtu lind konflikti mes këtyre vullneteve dhe kapaciteteve. Mes linjës së ligjit hyjnor të padukshëm dhe mes linjës së ligjit njerëzor që operon dukshëm. Njerëzit ndihen të hutuar kur mbaron njëra e pastaj fillon tjetra? Cili është mejdani i secilit prej tyre?

–         Si mund ta kuptojë besimtari atë që ndodhi në Irak, nëse përkon me ligjin hyjnor të pandryshueshëm apo me ligjin njerëzor, rajonal dhe lokal?

–         Po ashtu si mund ta kuptojë çfarë po ngjet në Palestinë apo dhe në Afganistan?

–         Si mund ta kuptojë çfarë po ngjet në Tunizi, në Egjipt, në Libi, në Siri dhe në Jemen?

 

Mos vallë gjithçka ndodhi ishte një komplot i jashtëm? A munden komplotet e jashtme të operojnë pavarësisht ligjit hyjnor historik? Kur përfundon njëri që të fillojë tjetri?

Ligjet janë produkt i veprave të njeriut, ato janë thjeshtë gjurmët që lë pas njeriu. “Zoti nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa të ndryshojnë veten e tyre.” (Rad, 11)

Ajo nuk pasqyron disa individë të caktuar por pasqyron një “referendum hyjnor”, produkt i një tërësie të tërë. Për këtë, ajo është drejtësi e rreptë, e ndërthurur me zemërbutësi, dhembshuri dhe tolerancë. Prandaj ndodh që Zoti ti përfshijë me ndëshkim popujt edhe pse mes tyre ka njerëz të mirë dhe të ndershëm; sepse e liga dhe degjenerimi janë mbizotërues.

Transmetohet nga Zejneb bintu Xhahsh, Zoti qoftë i kënaqur me të, se i dërguari i Zotit a.s doli një ditë i trembur dhe i skuqur në fytyrë nga dhoma e tij duke thënë: “Nuk ka Zot tjetër veç Allahut! Mjerë arabët nga e keqja që u është afruar! Sot është hapur një vrimë nga muri që ndan Jexhuxh Maxhuxhët!” dhe rrethoi gishtin e madh me gishtin tregues për të treguar madhësinë e vrimës. Unë e pyeta: “O i dërguar i Zotit! A mund të na përfshijë dënimi edhe pse mes nesh ka njerëz të mirë?!” Ai u përgjigj: “Nëse mbizotëron e liga, po.” (Buhariu dhe Muslimi)

Disa vepra të mira mund të bëhen shkak që për një shtet që t’i shtyhet afati i dënimit.

Ne duhet ta kuptojmë se këta njerëz të mirë e konstatonin dhe e shihnin aktualitetin. Ata i kuptonin paralajmërimet dhe sinjalet dhe ndoshta përpiqeshin. Megjithatë, ata meritonin dënimin dhe shkatërrimin. Ditën e Kiametit ata do të ringjallen sipas nijetit. Sakaq, në këtë botë, ligji hyjnor nuk bën përjashtime për askënd.

Shumë prej atyre që e kanë shqetësimin e reformimit, harrojnë se ligjet universale operojnë sipas një trajektoreje e cila nuk kthehet mbrapsht. Ashtu siç e harrojnë ose nuk e kuptojnë aftësinë dhe mundësinë që i ofron aktualiteti. Aftësitë nuk kufizohen vetëm tek vizioni dhe dëshira. Në fakt, aftësi është leximi i aktualitetit, kuptimi i tij dhe njohja e hapësirave që të ofron. Në shoqëri ekzistojnë rryma, orientime, vizione të ndryshme, kapacitete të sinqerta dhe të tjera që hiqen si të tilla si elementë, akumulime dhe kultura që vështirë të injorohen.

Individi duhet të vërë në efiçensë maksimumin e kapaciteteve mendore, institucionet duhet të organizojnë veten dhe të kryejnë misionin. Reduktimi i rolit të shtetit në administrimin e këtyre aktiviteteve për të nxjerrë një produkt të dobishëm i mundësojnë umetit të arrijë maksimumin e mundshëm.

Dialektika është një ligj funksional dhe s’ka përse të ketë frikë në një shoqëri të lirë nga konflikti i vullneteve, diversiteti i vizioneve dhe formacionet politike përderisa të gjithë besojnë tek e drejta e tjetrit për të menduar, shprehur, vepruar dhe për të udhëhequr drejtësinë në rast nevoje.

Ashtu si Hidri i cili e ngriti një mur që po shembej me një të lëvizur të duarve ashtu dhe reformatorët mund të kontribuojnë në rritjen e moshës së shoqërive dhe shteteve të tyre, duke i qëndruar besnik së shkuarës “sepse babai i tyre ka qenë njeri i mirë”, duke perceptuar drejt mundësitë dhe shanset e së tashmes “poshtë tij (murit) gjendej në thesar” dhe duke planifikuar me sukses për të ardhmen “e Zoti yt deshi që të arrijnë pjekurinë dhe ta nxjerrin thesarin e tyre. Kjo, si mëshirë prej Zotit tënd.” Në këto akte vërehet qartë dora e njeriut, ashtu siç vërehet qartë ligji dhe ndërhyrja hyjnore “këtë nuk e bëra me mendjen time” (Kehf, 82)

 

Përktheu: Elmaz Fida

Categories

Archives