Tuesday, 23/10/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Kur zemërohet zemra! – Profesor Omer Xhemali



Kur zemërohet zemra! – Profesor Omer Xhemali

Doktor Omer Xhemali i shërben komunitetit në mënyra të ndryshme. Specialisti i sëmundjeve të zemrës në Spitalin e Cyrihut dhe ligjërues në universitete të botës, para dy ditësh ishte i ftuar nga xhamia «Hëna e Re» në Kreuzlingen.

Një komunitet i vogël e ka një privilegj të madh: Profesor Omer Xhemali e mban një ligjëratë për sëmundjet e zemrës para një xhemati prej rreth 50 vetash në xhaminë e Kreuzlingenit. Doktori referon për më gjatë se një orë – sikurse e ka hak një auditor universitar, duke ilustruar pohimet e tij me shifra, tabela dhe animime në një projektor. Ai paraqitet me kravatë dhe një shami që flakëron në xhepin e zemrës së xhaketës. Me durim u përgjigjet pyetjeve të të pranishmëve në gjuhën që ata e kuptojnë më mirë.

«Doktor Xhemali vjen nga Tetova, ku e ka kryer shkollën e mesme të mjekësisë. Studimet, doktoraturën dhe habilitacionin i ka mbaruar në Gjermani. Ai ligjëron në universitete të njohura nëpër botë dhe është anëtar i shoqatave të ndryshme të kardiokirurgjisë. Ka botuar mbi 100 artikuj shkencorë nga fusha e tij. Nga viti 2009, ai është i angazhuar si kryemjek dhe zëvendës-shef i Repartit të Kardiokirurgjisë në Spitalin Triemli në Cyrih. Doktori është shqiptari i parë që ka kryer transplantimin e zemrës», e prezantoi kështu në fillim imami i xhamisë, Rejhan efendi Neziri, mikun e tij, Omer Xhemalin. Kjo ligjëratë ishte në vazhdën e referateve që organizon çdo dy javë xhamia «Hëna e Re» me specialistë të ndryshëm.

Për një kualitet jete më të mirë

Kush priste ta merrte recetën e pavdekshmërisë, ishte në vendin e gabuar. Aq më tepër në një xhami. Por, midis një jete me zemër të sëmurë dhe asaj të shëndoshë ka një dallim të madh, ishte pothuajse mesazhi kryesor i ligjëratës së profesor Omer Xhemalit.

Për ta ofruar një përfytyrim më të qartë për organin zemër, Profesori ofroi ca të dhëna domethënëse për të: Zemra pompon 7’500 litra gjak në ditë dhe realizon 40 milionë rrahje në vit. «Megjithatë, nuk është puna e pandërprerë ajo që e sëmurë zemrën, por sjellja e njeriut», nënvizon doktori. Krahas faktorëve të painfluencueshëm, si mosha, gjinia, trashëgimia dhe prejardhja etnike që e përcaktojnë shëndetin e zemrës, janë edhe faktorët që – më shumë ose më pakë – i kemi vetë në dorë: pirja e duhanit, stresi, yndyra, mbipesha etj. «Çdo ditë pa duhan është një ditë e fituar!», siguron doktori.

Problemet më të shpeshta, me të cilat konfrontohet Xhemali në punën e tij, janë ato me qarkullimin e gjakut. Ai e tregon të vizualizuar rolin që luajnë valvulet e zemrës, të cilat shërbejnë si ventil, i cili e parandalon gjakun e dalë nga zemra të devijojë dhe të kthejë mbrapsht. Ajo është preja e parë e punës së pandërprerë të zemrës, gjë që sjell te kalcifikimi, gëlqerosja e saj. Dhe, kjo gjendje nuk përbën një ogur të këndshëm për pacientin: valvuli duhet të ndërrohet në rrugë kirurgjikale.heart-shaped-stethoscope-400x400

Fati i atyre që janë të prekur nga kjo fatkeqësi është se sot ky zëvendësim bëhet me një prerje prej pesë centimetrash në anën e djathtë të kraharorit. Operacioni zgjat tri deri në pesë orë. Problemi qëndron te lloji i protezës së valvulit. Varësisht nga rasti, në dispozicion janë protezat mekanike ose biologjike. «Shpeshherë rastet sugjerojnë një protezë valvule nga derri, e kjo i shqetëson pacientët myslimanë», rrëfen mjeku, duke e ftuar imamin ta japë opinionin e tij kompetent teologjik për këtë dilemë të pacientëve myslimanë.

Kur nuk ka alternativë tjetër, shëndeti i mirë dhe jeta vjen përpara respektimit të urdhrit që ua ndalon myslimanëve përdorimin e mishit të derrit, shpjegon imami pa mëdyshje. «Njëlloj sikur edhe me përdorimin e alkoolit dhe mishit të derrit, kur vjen puna për mbijetesë ose shërim», pohon Rejhan Neziri.

Ndër më të shpeshtat janë sëmundjet e enëve të gjakut, të ashtuquajtura koronare, të cilat e furnizojnë zemrën me gjak. Ato janë viktimat e një raporti të shkujdesur me gjërat, si duhani, ushqimi etj. «Mbyllja e ndonjërës së këtyre enëve shpie në infarkt», shpjegon doktor Xhemali. Zgjidhja: Kardiologët sugjerojnë stendat, kurse kardiokirurgët – urat (‹bajpaset›). E para ka vetëm një shpim, por është e rekomandueshme nëse problemi nuk ka rrezik të përsëritet. E dyta, së pari kërkon marrjen e enëve nga këmba ose gjoksi, dhe me të e ndërton një ‹urë› në zemër nëpërmjet hapjes së gjoksit me një prerje prej 15 deri 20 centimetrash. Por: është më e sigurt dhe afatgjatë, shpjegon në detaje profesor Omer Xhemali për xhematin kureshtar.





Pyetje dhe përgjigje praktike

Privilegjin që ta shtronte pyetjen e parë e kishte imami i xhamisë. Atë e interesoi nëse një person që ka pasur një operacion të zemrës është në gjendje të falet dhe të agjërojë. Sipas doktorit, pacienti ka gjithsej gjashtë javë pushim pas operacionit. Brenda kësaj kohe ai nuk bën të ngarkohet, «sepse zemra është e ‹hidhëruar› nga intervenimi»… Më pas, ai normalisht është i aftë për obligimet e tij. Në rast të marrjes së medikamenteve për hollimin e gjakut, që pacientit i rekomandohen për një vit pas ‹bajpasit›, brenda një muaji, gjashtë javë pas intervenimit kirurgjik, mund të zvogëlohet intensiteti i tyre. Nëse personi merr medikamente kundër shtypjes së lartë të gjakut, ai mund ta analizojë me mjekun e tij mundësinë që të marrë medikamente me efekt më të gjatë, në syfyr dhe iftar. «Në përgjithësi, personat me sëmundje kardiovaskulare, pa trajtim, që janë të varur nga barnat, në sytë e mi bëjnë gabim nëse agjërojnë, sikur e bëjmë ne këtë», shprehet profesori.

Nuk dihet për ndonjë alternativë, përveç medikamenteve, për hollimin e gjakut – e shoi doktori shkurt merakun e një qytetari. Në raportin diabet-agjërim, Xhemali pohon se ka diabet që luftohet me dietë. «Nëse dikush është mësuar që dietën ta bëjë në mënyrë që të mos hajë asgjë, atëherë agjërimi nuk paraqet ndonjë problem», përvijoi doktori, duke paralajmëruar se rritja e thartirës në gjak te diabetikët vjen nga mosushqimi dhe se ajo mund të çojë deri humbja e vetëdijes. «Në këtë rast nuk rekomandohet agjërimi», porositi Xhemali.

«Varësisht se çka nuk shkon mirë në zemër», i përgjigjet doktor Omer Xhemali kureshtjes për simptomat e para të sëmundjeve të zemrës një burri. Në përgjithësi, në fillim vjen plogështia – vazhdon ai, pastaj vështirësitë me frymëmarrje. Më pas paraqiten dhimbjet në krahë, shpinë…

Puna më e parë që duhet të bëjmë në një rast urgjence, derisa të vijë ndihma e shpejtë është: ta thërrasim ndihmën e shpejtë. Njerëzit në këso rastesh harrojnë ta bëjnë një gjë të tillë. Pastaj, varësisht nga rasti. Nëse i sëmuri ka dhimbje – duhet qetësuar, «lëvizjet i rritin dhimbjet». Nëse personi e ka humbur vetëdijen, duhet reanimuar me shtypje në zemër dhe frymëmarrje artificiale. «Duhet bërë aq sa di», është deviza e doktorit.

Nëse një person ka vetëm sigurim bazë, nuk mund të zgjedhë ku do të trajtohet në mënyrë stacionare. Këtë të drejtë mund ta fitojë me një shtesë prej disa frangave më shumë në sigurimin shëndetësor, duke lidhur një mbulim për gjithë Zvicrën. Nëse një rajon nuk ka repart të kardiokirurgjisë, ai mund të vizitohet diku në afërsi. Nuk është problem edhe trajtimi në Triemli në Cyrih, i cili, si një spital publik, i ka të arsyeshme tarifat. «Me një konsultim me sigurimin, trajtimi aty rregullohet lehtë», garanton Omer Xhemali.

Mbi 700 operacione zemre janë kryer vitin e kaluar në Spitalin Triemli në Cyrih. «Me një sukses të madh», siguron kirurgu. Gjithsesi do të ishte shumë më mirë, porosit doktori, sikur njerëzit të përshëndeteshin me cigaren dhe të hiqnin dorë nga yndyrnat. Mjekësia e ka të njëjtën moto, sikurse amvisëritë e mira: «Kripa me karar!» Edhe sheqeri duhet përdorur me kursim. Njerëzit mund të jenë zemërgjerë me pemët dhe me perimet.

Doktori qëndroi në dispozicion të vizitorëve të ligjëratës së tij që problemet e tyre t’i bisedojë konfidencialisht, vetëm për vetëm. Kështu, specialisti i zemrës në Cyrih i flijoi tri orë të vikendit për njerëzit e prejardhjes së tij në një strehë modeste – me gjithë zemër.

burimi: dialogplus.ch