Sunday, 22/1/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Kur do të ndodhë Kijameti?


Kur do të ndodhë Kijameti?


kijameti
Bismil-lahi rrahmani rrahim
Elhamdu lil -lah ves salatu ves-selamu ala resulina Muhamed.

Në fytyrë të tokës nuk ka libër më të vërtetë se sa Kur’ani (Fjala e Allahut xh.sh.). Zoti i Madhëruar në Kur’an thotë:
“Shpallja e këtij libri, pa asnjë dyshim, është nga Zoti i botëve.” (Es-Sexhde, 2)
Gjithashtu, nuk ka udhëzim më të mirë se sa udhëzimi i Muhamedit a.s.
Zoti i Madhëruar për Muhamedin a.s. thotë: “Dhe ai (Muhamedi) nuk flet nga mendja e tij. Ai (Kur’ani) nuk është tjetër pos shpallje që i shpallet.” (En-Nexhm: 3-4)
Prandaj, për çdo paqartësi, dyshim, apo mendim i pabazuar që lansohet në popull, besimtari duhet të kthehet dhe të konsultohet tek Kur’ani dhe thëniet e Pejgamberit – Muhamedit a.s., dhe në të do ta gjejë të vërtetën e kulluar.
Përhapja këto ditë e thënies se me 21 dhjetor, 2012, do të ndodhë Kijameti, ka preokupuar një pjesë të konsiderueshme të njerëzve në mbarë botën, por jo edhe besimtarët që janë të bindur në atë që e thotë Allahu në Kur’an:
“Të pyesin ty (Muhamed) për Kijametin se kur do të ndodhë ai. Thuaj: Atë e di vetëm Zoti im, kohën e tij nuk e zbulon kush përveç Tij (e sjell Kijametin pa e hetuar asnjë nga krijesat). Ai (Kijameti) është shumë i rëndë për qiejt e për Tokën! Ai Kijameti nuk vjen ndryshe vetëm befas. Ata të pyesin ty sikur ti di për të (për kohën e tij). Thuaj: Me të vërtetë, dituria e tij është vetëm tek Allahu, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” (El-Earafë, 187)

Ky ajet dhe shumë të tjerë argumentojnë se ndodhia e Kijametit është “gajb – fshehtësi” e Allahut. As Muhamedi a.s. nuk e ka ditur se kur do të ndodhë kur meleku Xhibrili a.s. ia kishte bërë këtë pyetje. Muhamedi a.s. i ishte përgjigjur: “I pyeturi nuk di më tepër për këtë se pyetësi.”
Kijameti, se kur ndodhë, nuk e dinë bile as melekët. Pejgamberi a.s. në një hadith thotë:
“Si mund të jem i qetë, kur suri është përgatitur? Mbajtësi i tij i ka hapur veshët, është lakuar në një anë dhe pret se kur do t’i jepet urdhri që t’i fryjë. Kanë thënë: – Pejgamber i Allahut, çka po na urdhëron? – Thoni: “Hasbunallahu ve niëmel vekilë – Na mjafton Allahu, Ai është mbrojtësi më i miri.” (Transmeton Tirmidhiu).
Në një hadith tjetër transmetohet se Muhamedi a.s. ka thënë:
“Shikimi i fryrësit në surë (shikimi i melekut Israfil) është i drejtuar kah Arshi (Froni) i Allahut që kur është i dërguar për të, nga frika se mos urdhërohet para se të largojë shikimin, sytë e tij janë si dy yje flakëruese.” (Transmeton Hakimi)
Nga ky hadith kuptojmë se edhe meleku Israfil, i cili është i autorizuar t’i fryejë surit (bririt), nuk e di se kur bëhet Kijameti.
Andaj, besimtari nuk mashtrohet nga fjalët e ndonjë parashikuesi (fallxhori), apo ndonjë të devijuari tjetër, kinse lajmëron kohën se kur ndodhë Kijameti. Kështu që këshilloheni me rrezikun se nëse ndokush u beson atyre, ai mohon fjalët e Allahut në Kur’an.
Nëse ju kujtohet, një informatë e tillë e rrejshme ka qenë edhe për vitin 2000 kinse në këtë vit do të bëhet Kijameti. Këtë informatë e ka lansuar edhe revista “Kosovarja”, e që përfundimi ishte zhgënjimi.
– E dyta, argument tjetër se Kijameti nuk do të ndodhë më 21 dhjetor 2012, është se Kijameti nuk ndodh para se të paraqiten dhjetë shenja të mëdha të Kijametit. Transmetohet se Pejgamberi a.s. ka thënë:
“Ai (Kijameti) nuk do të ndodhë para se t’i shihni dhjetë shenja: Tymi (ed-duhan), dexhali, shtaza (debatul erdi), lindja e diellit nga perëndimi, zbritja e Isait a.s., je’xhuxhët dhe me’xhuxhët, tri shafitjet (e tokës): një në lindje, një në perëndim dhe një në gadishullin arabik, ndërsa e fundit nga ato, zjarri që del nga Jemeni, i cili i dëbon njerëzit në vendtubimin e tyre.” (Transmeton Muslimi)
Edhe pse shumica e shenjave të vogla të Kijametit ose ndoshta të gjitha janë paraqitur, shenjat e mëdha ende asnjëra prej tyre nuk është shfaqur, edhe pse pritet dita-ditës të shfaqen.
Gjithashtu Kijameti nuk ndodhë pa u ngritur Kur’ani, e që nuk do të mbetet asnjë Kur’an në fytyrë të Tokës. Dhe Allahu nuk e bën Kijametin përderisa në Tokë gjendet, së paku, edhe një njeri që thotë: Ja Allah, ja Allah (o Allah!), duke iu drejtuar Allahut me lutje.
Gënjeshtra e 21 dhjetorit nuk duhet ta luhatë besimtarin, andaj duhet ta kemi parasysh se çdo zë që do të dalë në të ardhmen se Kijameti do të ndodhë në filan vitin, apo filan ditën, të gjitha janë gënjeshtra, të cilat do të përfundojnë me zhgënjim të sigurt.
Transmetohet se Pejgamberi – Muhamedi a.s. ka thënë:
“Dita më e mirë në të cilën ka lindur dielli është dita e xhuma, në atë ditë u krijua Ademi (njeriu i parë), në atë ditë u fut në Xhenet, në atë ditë u nxor prej Xhenetit, dhe assesi nuk ndodhë Kijameti pos në ditën e xhuma.” (Transmeton Muslimi)
Kështu që, gënjeshtra e 21 dhjetorit mund të jetë lojë biznesi dhe përfitimi ekonomit, pasi që në dhjetë ditët e dhjetorit janë festat e fundvitit, kërshëndellat tek krishterët dhe viti i ri me prejardhje pagane, në të cilat festa, në mbarë botën, bëhen shpenzime të tepërta dhe marramendëse, por pasi që t’i “shpëtojnë” 21 dhjetorit”, e që në këtë lojë kanë dëshiruar që t’i fusin edhe muslimanët, pasi që me 21 dhjetor është ditë e xhuma, ditë, që sipas hadithit të lartpërmendur, do të ndodhë Kijameti.
– E treta: Nëse bëhet pyetja se a është afruar Kijameti, atëherë përgjigjen e gjejmë në Kur’an: “Momenti (i katastrofës së përgjithshme – Kijameti) është afruar, e hëna është ndarë (në dysh).” (Kamer, 1)
Gjithashtu, transmetohet se Pejgamberi a.s. ka thënë:
“Njëmend jeta e juaj (deri në fund të botës), në krahasim me popujt që kanë kaluar, është sa koha mes namazit të ikindisë dhe perëndimi të diellit.” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi).
Po ashtu transmetohet se Pejgamberi a.s. ka thënë:
“U dërguam unë dhe Kijameti sikurse këta dy (bëri shenjë me dy gishtat e parë).” Pejgamberi i parafundit ka qenë Isa a.s., nga i cili deri te pejgamber i fundit – Muhamedi a.s. kanë kaluar pesëqind vjet. Ndërsa nga koha kur ka jetuar Muhamedi a.s. e deri më sot kanë kaluar 1435 vjet. Ndër shenjat e para të mëdha të Kijametit mendohet të jetë dalja e Dexhalit, që është sprova më e madhe nga të gjitha kohërat, ndërsa Dexhali del kur njerëzit do të degjenerohen.
Zoti i Madhëruar në Kur’an thotë:
“Njerëzve u është afruar koha e llogarisë së tyre, e ata të hutuar në pakujdesi (në gaflet) nuk përgatiten fare për të.” (Enbija, 1)

Një shkrim tjetër i dobishëm  Cilësitë e sihirbërësit apo magjistarit

Prandaj, nuk është me rëndësi të dihet se kur do të ndodh Kijameti. Kur një njeri e pyeti se kur do të ndodh Kijameti, Muhuhamedi a.s. i tha: “Çfarë ke përgatitur për të? Vallë a je duke u përgatitur përderisa e ke shpirtin në trup, ngase vdekja është “Kijameti i vogël”. Zoti i Madhëruar në Kur’an thotë:
“E kur ndonjërit prej tyre i vjen vdekja, ai thotë: “O Zoti im, më kthe, që të bëj vepra të mira e ta kompensoj atë që lëshova!” Kurrsesi, (kthim nuk ka) e kjo është vetëm fjalë që e thotë ai, e ata kanë para tyre berzahun – një perde (distancë periodike – jetën në varreza) deri në ditën kur ringjallen.” (Mu’minunë: 99-100)
Pra, nuk ke mundësi të kthehesh dhe ta falësh namazin, t’i falësh xhumatë që nuk i ke falur, të agjërosh, apo ta besosh Pejgamberin a.s., ta besosh ringjalljen nëse ke qenë nga ata që mohojnë. Për Atë Ditë përgatiten të mençurit, Allahu në Kur’an thotë:
“Ata, që pa e parë i frikësohen Zotit të vet, për ta ka falje dhe shpërblim të madh.” (Mulk, 12). Transmetohet se Muhamedi a.s. ka thën:
“Në Xhenet ka sende që nuk i ka parë asnjë sy kurrë ndonjëherë më parë, që asnjë vesh nuk i ka dëgjuar ndonjëherë, dhe për të cilat nuk ka asnjë zemër as dijeninë më të vogël.” ( Buhariu)
O populli im, ju këshilloj që t’i ktheheni Allahut, Zotit tuaj që ju krijoi dhe që përkujdeset për ju në këtë dhe botën tjetër, që ta filloni namazin të mësoni për fenë tuaj të pastër Islame, të largoheni nga serialet degjeneruese, të visheni si duhet dhe ta ruani shikimin nga harami në internet. Dita e Kijametit është Ditë Vendimtare që do të zgjasë 50 000 vjet. Zoti i Madhëruar në Kur’an thotë:
“O ju njerëz, ruajuni dënimit nga Zoti juaj, sepse dridhja pranë katastrofës së Kijametit është një llahtari e madhe. Atë ditë, kur ta përjetoni atë, secila gjidhënëse braktis atë që ka për gjiri dhe secila shtatzënë e hedh para kohe barrën e vet, ndërsa njerëzit duken të dehur, po ata nuk janë të dehur, por dënimi i All-llahut është i ashpër.”

Zoti i Madhëruar në Kur’an gjithashtu për Ditën e Kijametit thotë:
“Dhe i fryhet Surit dhe bie i vdekur çka ka në qiej dhe çka ka në tokë, përveç atyre që do All-llahu (të mos vdesin), pastaj i fryhet atij herën tjetër, kur qe, të gjithë ata të ngritur e presin (urdhrin e Zotit).
Toka është ndriçuar me dritën e Zotit të vet, libri (shënimet mbi veprat) është vënë pranë dhe sillen pejgamberët e dëshmitarët, e kryhet mes tyre gjykimi me drejtësi, e atyre nuk u bëhet padrejtë.
Dhe secili njeri shpërblehet për atë që ka vepruar, e Ai më së miri e di se ç’punuan.
E ata që nuk besuan sillen në grupe te xhehennemi, e kur arrijnë te ai, dyert e tij hapen e roja e tij u thotë atyre: “A nuk u patën ardhur juve të dërguar nga mesi juaj t’ju lexojnë shpalljet e Zotit tuaj, t’ju tërheqin vërejtjen për ballafaqimin tuaj në këtë ditë?” Po, (na kanë ardhur…) ata thonë, por fjala (vendimi) e dënimit domosdo është bërë realitet kundër jobesimtarëve!
U thuhet: “Hyni nëpër dyer të xhehennemit, aty do të jeni përgjithmonë, sa vend i keq është për kryeneçt!”
E ata që ishin të devotshëm ndaj Zotit të tyre, sillen në grupe te xhenneti, e kur arrijnë aty, dyert e tij i gjejnë të hapura dhe roja e tij u thotë atyre: “Selamun alejkum” – qofshi të shpëtuar, ishit të pastër, andaj hyni në të, aty do të jeni përgjithmonë.
E ata (të xhennetit) thanë: “Falënderuar qoftë All-llahu, i cili premtimin e Vet e bëri realitet ndaj nesh dhe na e la në disponim tokën e xhennetit që të vendosemi aty ku të duam! Sa shpërblim i mirë është i atyre që vepruan drejt”.
E do t’i shohësh engjëjt të rreshtuar përreth Arshit, e madhërojnë me falënderim Zotin e vet. E në mes tyre (njerëzve) kryhet gjykimi me drejtësi dhe thuhet: “(prej të gjithëve) Falënderuar qoftë vetëm All-llahu, Zoti i botëve!” (Zumer: 68-70)

Përgatiti: Abdurrahman ibn Hamid

 

image_pdf

Categories

Archives