Friday, 24/3/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Kur populli e thotë fjalën e vet


Kur populli e thotë fjalën e vet


shefqet krasniqi

Dr. Shefqet Krasniqi

Një ndër ngjarjet më të rëndësishme të ditëve që lamë pas padyshim është edhe fitorja bindëse e AKP-së në Turqi, kryetar i të cilës është Kryeministri Rexhep Tajip Erdogan. E tërë bota ishte fokusuar në këto zgjedhje. Ishin një lloj “testi” për liderin karizmatik, Erdoganin, të cilin ai dhe partia e tij e kaluan me sukses edhe më të madh sesa që kishin parashikuar. Natyrisht, krahu laik u ndie mjaft i shqetësuar ngase krahut me orientim islam po rritet gjithnjë e më tepër dhe natyrisht laicizmit po i humbet fuqia përherë e më shumë.

Çudia më e madhe e tërë kësaj gare ishte pakënaqësia e disa të ashtuquajturve hoxhallarë me politikat e Erdoganit, ku kohëve të fundit përplasja nga oaza politike u kthye në atë ideologjike në mes të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (e njohur si AK Parti) dhe xhematit, respektivisht ndjekësve fanatikë të ‘liderit shpirtëror’ në fjalë. Kryeministrit Erdogan dhe disa anëtarëve të partisë së tij iu veshën shumë akuza, shkak i të cilave disa ministra u dashtë të jepnin dorëheqje. Qëllimi kryesor, siç duket, ishte që në këto zgjedhje Erdogan dhe partia e tij të pësonin humbje, por ndodhi e kundërta. Islamikët shënuan rritje të madhe, me mbi pesë milion vota më shumë sesa në zgjedhjet e kaluara. Shumë kush u gëzua, por pati edhe të atillë të cilët u pikëlluan thellë. Edhe shqiptarët tanë u ndanë në dysh, disa festuan e disa vajtuan. Këta të fundit , vajtuan dhe vazhdojnë të vajtojnë jo pse u dhimbset laicizmi turk, i cili dita ditës po dobësohet, por se fitimtarë janë islamikët dhe se Turqia, sipas tyre, ka qenë “armik” i popullit tonë, për faktin se ajo na shpëtoi nga asimilimi sllavo ortodoks. Dikujt i “dhimbset” ky popull se ka marrë “fenë e turkut”, dhe se ndoshta ma mirë do të ishte sikur ta merrnin “fenë e shkjaut”. Këta sikur i kanë harruar tendencat e ortodoksëve serbë, malazezë e grekë për asimilim të plotë të këtij populli të vogël, ashtu siç ndodhi me ortodoksët shqiptarë të mbetur brenda territoreve të Serbisë, Malit të zi dhe Greqisë. Pra, kësaj i thonë “për inati të resë më vdektë djali.” Megjithatë, kështu e ka jeta diçka tjetër mendon dhe shpreson por krejt diçka tjetër ndodhë në realitet, sepse në jetë nuk bëhet gjithherë siç donë njerëzit, por si do Zoti. Dhe pikërisht Zoti ka dashur që ne edhe sot e kësaj dite të vazhdojmë të jemi shqiptarë dhe po ashtu edhe muslimanë, e kjo është pasuria më e madhe që e posedojmë, Allahu na e ruajt këtë pasuri dhe këtë begati.

Për sa u përket zgjedhjeve në Turqi, mendoj se mund të nxirren mësime madhore dhe ndër më kryesoret prej tyre është se fuqia që buron nga populli është e pamposhtur. Nëse populli do, ndryshimet ndodhin. Nëse populli vetëdijesohet, shkatarraqët katandisen në humnerë. Për muaj të tërë u munduan ta zbehin imazhin e liderit ndërsa nuk munguan as përpjekjet e dhunshme, por, populli tashmë është kthjellë. Grupe banditësh u panë gjithandej Stambollit tek ulërinin, thyenin, digjnin, shkatërronin e besa edhe vrisnin njerëz. Nuk kursyen as xhamitë. Kujt do t’i shkonte ndërmend se deri në atë masë do të ndodhte vandalizmi i xhamive nga ‘bijtë dhe bijat’ e muslimanëve. Përpjekjet dështuan. E tërë bota fliste se si prapa liderit qëndron populli dhe se besimi që kishte fituar tek ata e bënte të pamposhtur. Mbeti vetëm një zgjidhje. Votimet. U munduan të bëjnë çmos por nuk mund të mashtrohen 77 milionë njerëz. Turqia i dha mbështetje edhe më të madhe Erdoganit. Ky është shpërblimi i sinqeritetit dhe korrektësisë në raport me popullin.

Një shkrim tjetër i dobishëm  HALLOWEENI – NGA MITI NE FESTE E TRADITE

Personalisht, kam bindjen se jo të gjithë ata që ia dhanë votën Erdoganit janë islamik të mirë, respektivisht praktikues të fesë, por me siguri pati edhe të atillë të cilët janë laik, respektivisht edhe të feve a besimeve tjera, por me gjithë atë ia dhanë votën, sepse po e çon vendin përpara, po punon me drejtësi dhe sinqeritet. E njerëzit për nga natyra, e donë drejtësinë dhe punën, pavarësisht se çfarë feje ka punëtori. Andaj unë mendoj se edhe tek ne partia e cila është në pushtet, apo cila do parti tjetër, e cila do ta udhëheq vendin, po të qeveriste drejt, pastër dhe tu jepte njerëzve të drejtat e tyre, respektivisht neve muslimanëve , kohë të gjatë do të qëndronte në pushtet. Nuk ka njeri i cili flet drejtë dhe pranon realitetin e që mundë ta mohoj zhvillimin e hovshëm të Turqisë në të gjitha fushat, ashtu siç nuk mund ta mohoj askush fukarallëkun e madh që po përjeton populli ynë për ditë e më shumë. Ndaj, dallimi është shumë i madh mes atyre që punojnë për shtet dhe e çojnë përpara atë dhe mes atyre që punojnë për xhepa dhe interesa të ngushta partiake. Andaj siç thotë populli “rri shtrembët e fol drejtë”, qeveria turke dhe partia në pushtet, janë njerëzit më të nevojshëm për Turqinë, më të suksesshmit në politik dhe zhvillim, e populli ka sy e sheh.

Ky përparim i madh dhe kjo fitore bindëse e Erdoganit na kujton atë që kemi thënë edhe më herët se muslimanët dinë të udhëheqin e të mbajnë shtet, por duhet dhënë mundësinë.

Allahu e ndihmoftë Erdoganin, të cilin aq shumë e do populli i vet, e duan edhe mbarë muslimanët, e duan edhe të gjithë ata që nuk kanë paragjykime dhe që ua donë të mirën mbarë njerëzimit. U ndihmoftë edhe të gjithë atyre që punojnë për shtetin e vet, popullin e vet, së pari, e pastaj edhe për mbarë njerëzimin. Amin!

Për fund, nuk na mbetet tjetër vetëm se ti urojmë këto zgjedhje të suksesshme. Urime Kryeministër Erdogan fitorja bindëse, urime populli vëlla, e mik turk, urime dashamirë të paqes e mirësisë. Deri në javën e ardhshme, esselamu alejkum.

Categories

Archives