Saturday, 22/7/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

“Kujdesu për shëndetin mental – stresi nuk është mbi shëndetin tuaj!” nga mr. Muhamed Jonuzi

Shumica prej nesh në rastin kur dëshiron të tregojë ndonjë ndjesi tendosjeje psiko-emocionale rëndom përdor termin stres. Si i tillë ky nocion përdorët në mënyrë joadekuate (vend e pa vend), edhe në momentin kur dëshirojmë të tregojmë gjendje shumë të vështira psiko-emocionale apo edhe në rastin kur kemi ndonjë shqetësim shumë fillestar të momentit, saqë është krijuar bindja se stresi paraqet ndjesi, fenomen, dukuri a gjendje e cila është shkatërruese për organizmin e njeriut në të gjitha pikëpamjet.
Duke e shndërruar kështu stresin në “viktimë të popullaritetit të tij”, shpeshherë autorë të disa librave bestsellerë, suksesin e shitjes së tyre ia kanë atribuar pikërisht përdorimit të fjalës “stres” në titujt e librave të tyre.
Pavarësisht faktit se stresi përkufizohet si ndjenjë e të qenët nën presion, psikologjikisht stresi është reagim i trupit ndaj një situate me kërkesa për të ndryshuar. Si i tillë, ai paraqet përgjigje fiziologjike e psikologjike ndaj ekspozimit të faktorëve që shtyejnë personin të përshtatet.
Shpeshehrë njerëzit priren nga një pozitë shoqërore të kalojnë në një pozitë tjetër më të avancuar se ekzistuesja, të tillët ka gjasa të ankohen se stresi është në rritje. Ndaj, shkencërisht është e vërtetuar se sa më i lartë të jetë motivi, admirimi, vetëbesimi e prestigji, aq më i lartë mund të jetë edhe stresi. Përkitazi me këtë, jo çdo herë një ngjarje e përjetuar si stres duhet të jetë vetëm vuajtje, por shumë herë ajo paraqet satisfaksion të veçantë.
Stresi e njeriu paraqesin një binom të pandarë, e ne nuk duhet qenë me prirje vetëshkatëruese për të menduar se stresi gjithnjë shkatëron organizmin tonë, sepse është me rëndësi të veçantë të përmendet fakti se psikologjia njeh së ekzistuari dy lloj stresesh: stresi pozitiv apo i dobishëm (eustresi) – fitimi i një grade shkencore, fejesa e martesa dhe stresi negativ apo stresi i dëmshëm (distresi) – divorci, shkarkimi nga puna, problemet me ligjet dhe të tjera.
Çdo gjë e cila në organizmin e njeriut shkakton stres është stresor. Ka stresorë të cilët mund të jenë burime stresi për të gjithë ne, si p.sh.: tërmetet, vdekja e një anëtari të afërt të familjes, ngjarjet e ndryshme socio-politike, ankthi para provimeve, problemet financiare dhe të ngjashme, ndërkohë që llogaritet se numri më i madh i burimeve të stresit janë individuale, gjithnjë duke i kategorizuar si brenga të jetës së përditshme konform halleve e derteve të njeriut.
Kategorizimin e stresorëve mund ta ndajnë në disa tipe, edhe atë: stresorë emocionalë, siç mund të jetë frika e ankthi; stresorë socialë, (mos)bashkëpunimi me njerëz; stresorë familjarë, hierarkia vs. anarkia në familje, rivaliteti mes anëtarëve të familjes; stresorë kimikë, përdorimi i alkoolit dhe mjeteve narkotike; stresorë të vendimeve, konfuziteti i cili ka të bëjë me marrjen e vendimeve në sfera të ndryshme jetësore; stresorë fizikë, në të cilët mund të llogariten dietat e papërshtatshme, aktiviteti i pamjaftueshëm fizik etj.
Ka raste kur stresorët mund të eleminohen vetvetiu, mirëpo ne duhet të përshtasim reagime të atilla që ta kemi sa më të lehtë ballafaqimin me fenomenin “stres”, duke vënë kështu një qetësi të brendshme pavarësisht impenjimeve, zhgënjimeve e peripecive që sjell jeta. Stresi si i tillë nuk ndikon në mënyrë të njëjtë tek secili prej nesh, sepse natyra, karakteret e temperamentet e njerëzve dallojnë njëri nga tjetri, kështu disa njerëz priren të jenë gjithnjë ambiciozë e të zënë, ndërkohë disa të tjerë parapëlqejnë ritëm më të ngadalshëm të jetës.
Disa ndër shenjat të cilat llogariten tregues të stresit, do t’i katagorizonim si në vijim: të qarët e shpejtë, gjendje e thyeshme shpirtërore, humbje e oreksit, gjumë i çrregulluar e i parrehatshëm, shpërqendrim, dozë e theksuar demotivimi, humbje e besimit tek të tjerët, kafshim i thonjve, kërcitje e dhëmbëve dhe të tjera.
Stresi dhe shkalla e veprimit të tij mbi organizmin e njeriut varet nga shumë faktorë, duke përfshirë këtu edhe: zgjatjen e stresit, shpeshtësinë e paraqitjes së tij, kërkesat që njeriu ia parashtron vetvetes dhe të ngjashme. Në momentin kur këta faktorë ndikojnë në gjendjen e organizmit të njeriut, në atë moment jo që rritet masa e stresit ndaj nesh, mirëpo ulet fuqia jonë përballuese ndaj tij.
Stresi ka mundësinë që tek njeriu të marrë edhe përmasa kronike, me ç’rast pasojat nga i njëjti do t’i vërenim në sistemin kardiovaskular (qarkullimin e gjakut dhe zemër), sistemin nervor e atë imunitar. Ndërkohë një dozë më e vogël stresi do të bënte që jeta jonë të ishte më e këndshme e më interesante.
Për të larguar stresin, njohësit e kësaj sfere rekomandojnë që ju të jeni bashkëpunues me të tjerët, aktiv në jetën tuaj, të bashkëpunoni e të bashkëbisedoni me njerëz që lirshëm mund t’ua shprehni gjërat që “fort i mbani në zemër”, orvatuni të jeni vetëkritik duke u bërë prej tyre që të pranoni edhe humbjen, sepse jo gjithherë fitorja mund të jetë në anën tuaj; organizo e programo kohën duke ndarë prioritetet nga gjërat që do t’i kategorizoje të “dorës së dytë”, orvatuni që t’u ndihmoni të tjerëve, sepse altruizmi është mekanizëm i cili parandalon apo largon stresin, ndërkohë që edhe zbatimi i parimeve e mësimeve fetare është faktor i rëndësishëm në parandalimin dhe evitimin e stresit, e njohur shpesh në psikologji si meditim, edhe pse format e meditimit janë të bazuara në sisteme religjioze.
Stresin secili nga ne duhet llogaritur pjesë të jetës së tij. Me këtë rast do të dëshiroja të ndaja me ju një rast, kur njëri nga profesorët e mi teksa ligjëronte në amfiteatër, na pyeti: “Ka dikush prej jush që kur hyn në provim nuk ndihet i stresuar? Të gjithë heshtëm, duke qenë të druajtur se mos vallë do të na mungojë përgjigjja e duhur. Pa mos e përsëritur për së dyti herë deri në fund pyetjen profesori, u ngrit njëri nga kolegët e mi, e tha: “Unë, profesor, nuk ndiej fije stresi, hyj apo jo në provim!” U duk si e qeshur fillimisht, më pas doli një reagim për të cilin në shikim të parë secili do të thoshte nuk i ngjan një psikologu, ndërsa profesori tha: “Ti nuk qenke normal. Ke mësuar, je harxhuar, je lodhur … dhe nuk stresohesh sadopak për suksesin tënd?! – Kjo do të ishte e pakuptimtë!”
Ndaj, të gjithë ju që pandehni se stresi është vetëm atribut negativ i jetës tuaj, ndryshoni këtë mënyrë të të menduarit, sepse realisht është normale, pas asaj që “jep”, të kesh një dozë “druajtje (lexo-stres), se çka “merr”! E rëndësishme është të kujdeseni për shëndetin tuaj mendor, sepse stresi nuk është mbi shëndetin tuaj!ajoni/
Autor: mr. Muhamed JONUZI – psikolog
Një shkrim tjetër i dobishëm  Energjia që na duhet në mëngjes

Categories

Archives