Friday, 20/4/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Kujdesi nga ftohja e dashurisë mes bashkëshortëve

Kujdesi nga ftohja e dashurisë mes bashkëshortëve

Kujdesi nga ftohja e dashurisë mes bashkëshortëve

Nëse pyet cilindo çift dhjetë vite pas martesës për ndjenjat ndaj njëri-tjetrit pas kësaj kohe të gjatë, se a i kanë të njëjtat ndjenja siç i kishin kohën e fejesës, përgjigjja pa dyshim është jo. Shkaku i kësaj është zbehja e dashurisë, ndërsa shkak i zbehjes së dashurisë është angazhimi i përhershëm në punë, në kujdesin ndaj fëmijëve, mosveçimi i tyre pasional jashtë shtëpisë e ndoshta edhe brenda saj, mosshfaqja e asaj që kanë në zemër, neglizhimi i rasteve gazmore mes tyre, neglizhenca ndaj zbukurimit etj.

Në vend të ndjenjës së dashurisë shohim ndjenjën e mëshirës, të dhembshurisë, e cila mbretëron në veprimet e bashkëshortëve. Mirëpo vetëm mëshira, dhembshuria e ndjenja e sigurisë ndaj shokut të jetës ndodh të mos u rezistojnë sprovave, të cilat janë shtuar, përzierjes mes gjinive pa ndonjë faktor ndalues, si feja apo turpi, përzierje që ka kapluar të gjitha poret e jetës bashkëkohore.

Zhveshja dhe banaliteti i gruas është ndër sprovat më të rrezikshme, e cila është përhapur si zjarri në lëndën djegëse dhe shumë sprova të tjera. Të gjitha këto kanë bërë që të dy bashkëshortët kanë nevojë për ndjenja pasionale të forta që e lidhin me njëri-tjetrin, në mënyrë që të mos shkatërrohet ndonjëri prej tyre e të zhytet në grupin me të cilin nuk di si ta kundërshtojë e ta refuzojë. Për këtë arsye është e kërkuar që bashkëshortët të ngjallin shpirtin e rinisë dhe kthimin e lidhjeve pasionale mes tyre, në mënyrë që lidhja e tyre bashkëshortore të burojë nga kjo lidhje dhe të ngrihet në piedestalet më të larta shpirtërore e pasionale, larg sprovave që kanë zbehur lidhjen e tyre shpirtërore me angazhimet dhe brengat e tepërta.

Për këtë arsye i këshilloj bashkëshortët së paku me këto dy çështje:
E para: Zbukurimi dhe rregullimi për njëri-tjetrin
Prej gjërave që e lumturon zemrën e burrit është që kur të kthehet në shtëpi ta gjejë gruan e tij në formën më të mirë, me aromën më të mirë, duke i uruar mirëseardhje me fjalë të mira e guximtare që e bën t’i harrojë brengat dhe problemet e tij ditore. Shumë prej problemeve që lindin janë si rezultat i mospërfilljes së kësaj pike gjallëruese nën pretekstin se ka shkuar rinia dhe ka përfunduar.

Assesi oj grua dashamirëse, jeta bashkëshortore dhe vazhdimësia e saj kërkon flijime të shumta. Duhet ta paramendosh burrin tënd të gjorë të cilit ende i rreh zemra dhe ka nevojë për një afrim dashuror nga ti, e jo sa herë që kthehet të gjejë tek ti mospërfillje e injorim, me rroba jo të bukura, e zënë gjithmonë me punët e kuzhinës dhe të pastrimit. Atij ka mundësi i ikën syri me qëllim apo jo te shoqet e tij në punë apo gratë e tjera që e tërheqin atë dhe më pas vazhdon të bëjë krahasimin mes teje dhe tyre. Dhe të jesh e bindur se ato do ta mundin dhe do të jenë më të rrezikshme, vetëm nëse burri yt i frikësohet Allahut dhe e ul shikimin e nuk të tradhton, ngase frikësohet nga e ndaluara. Kjo çështje llogaritet e mirë e tij dhe jo e jotja, mirëpo ajo çfarë fsheh ai në zemër është se ka nevojë për ushqim pasional për të cilin është i etur dhe nuk e gjen tek ti, prandaj dije se kjo do ta bëjë atë të dalë nga natyrshmëria e tij si reagim ndaj mospërfilljes tënde karshi tij.

Ndodh të hidhërohet për shkaqe të paarsyeshme apo ta shprehë fjalën shkurorëzim vend e pa vend, ndërsa nga ana jote fillon dyshimi për sjelljet e tij dhe në këtë ndryshim të tij shejtani luan lojën e vet në ndezjen e zjarrit, të fut dyshime se mos ka ndonjë lidhje me ndonjë grua tjetër dhe kështu fillojnë problemet.

Nga krejt kjo të mjafton vetëm të kujdesesh pak për veten tënde, ngase burri yt ka të drejtë këtu, pra le të jetë shtëpia jote, parajsa jote dhe baza e lumturisë sate, dil para tij në formën më të mirë dhe me aromën më të mirë e më pas do të shohësh çudira!

Imam Sujutiu thotë: “Juristët kanë shpeshtuar këshillimin e tyre ndaj grave që të zbukurohen brenda shtëpive, duke i lëshuar flokët dhe duke i zbukuruar ato, duke u parfumuar me parfumet më të mira para burrit në mënyrë që atij t’i kënaqet zemra.”[1]

Gjithashtu edhe burri duhet t’i kushtojë rëndësi kësaj çështjeje, ngase gruaja bëhet e lumtur kur e gjen burrin e saj në formë të mirë dhe me aromë të këndshme, siç tregohet në hadithin e njohur se i Dërguari paqja qofte mbi te, gjithmonë kishte me vete krehrin dhe pasqyrën si në udhëtim ashtu edhe në shtëpi.

Burri duhet ta kuptojë se ai është njësoj si gruaja e tij dhe të ketë për model Ibën Abbasin radijAllahu anhuma, i cili thotë: “Unë zbukurohem për gruan time ashtu si zbukurohet ajo për mua dhe nuk kam dëshirë të marr tërë të drejtën time që ka ndaj meje e të më obligojë të drejtën e saj, që kam unë ndaj saj, ngase Allahu thotë: “Gratë kanë aq të drejta sa kanë edhe detyra.” (El-Bekare: 228)

Ibën Xhevziu thotë: “I mençuri duhet të gjejë kohën e duhur që ta urdhërojë gruan e tij të rregullohet për të e më pas të mos gjurmojë çdo send, në mënyrë që t’u rregullohet jeta. Edhe gruaja duhet vetë të ketë kujdes rreth kësaj, të mos e takojë vetëm se në formën më të mirë dhe në këtë mënyrë jeta vazhdon.”[2]

E dyta: Vendosja e urave për mirëkuptim e konsultim
Pengesa psikologjike e cila ekziston si rrjedhojë e mospërfilljes nga të dy bashkëshortët ndaj njëri tjetrit për shkak të problemeve me fëmijët, me edukimin dhe kujdesin ndaj tyre, brengat e shqetësimet të cilat e rrethojnë një familje për shkak të kalimit të viteve dhe ftohjes së pasionit etj, kjo pengesë duhet patjetër të zhduket dhe të ndërtohet në vend të saj ura e mirëkuptimit dhe
bashkëjetesës mes tyre. Boshti i kësaj ure duhet të jetë ruajtja e të drejtave të të dy palëve, në mënyrë që lidhja dhe ndihmesa të ekzistojë mes tyre në baza të njohura e të shëndosha.

Burri assesi të mos i nëpërkëmbë të drejtat e gruas për shkak të një gabimi apo një gjëje që urren tek ajo, por edhe gruaja të mos jetë neglizhente ndaj të drejtave të burrit për shkak të koprracisë së tij apo të ndonjë keqtrajtimi të tij si rezultat i keqkuptimit apo hidhërimit të shpejtë etj..

Bashkëshortët duhet të tejkalojnë çdo gabim apo lëshim nga pala tjetër. Nuk është e kërkuar që shoku të jetë shembull dhe pa të meta. Për këtë shkak edhe i Dërguari paqja qofte mbi te, e ka këshilluar burrin që të mos i marrë parasysh disa gabime të gruas për shkak të dobësisë së saj kur ka thënë: “Nuk e urren besimtari (burri) besimtaren (gruan), nëse e urren nga ajo një sjellje është i kënaqur me një sjellje tjetër të saj.”[3]

Po mjaftohemi me këto këshilla që përmendëm për zgjidhjen e problemeve bashkëshortore. Allahu qëndron pas qëllimit dhe vetëm Ai udhëzon në rrugën e drejtë.

Nga SEJID MUBAREK EBU BILAL
Revista “Këshilla”, nr. 35.

[1] “El-Ijdah fi ilmin-nikah”.
[2] “Sajdul-Hatir” (1/201).
[3] Transmeton Muslimi (1469).

 

Categories

Archives