Thursday, 30/3/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame
Tirana
0C

Ku është lumturia


Ku është lumturia


lumturia

Njeriu e kërkon lumturinë me të gjithë fuqinë e tij që i është dhënë, por ç’është lumturia dhe ku gjendet ajo?

A është lumturia në grumbullimin e pasurisë prej ari e argjendi, në vozitjen e makinave luksoze, në ushqime e pije të ndryshme?

A është lumturia pozitë që njeriu të udhëheqë të tjerët e ata të bëhen shërbëtorët e tij?

A është lumturia në trupin e shëndoshë, i cili nuk sëmuret, nuk është i uritur e nuk dëshpërohet?

A është lumturia duke ikur prej njerëzve dhe problemeve të tyre?

A është lumturia në jetën e shfrenuar, duke ndërruar femra dhe meshkuj?

A është lumturia duke qëndruar në lokalet e natës?

A është lumturia duke e kaluar jetën me narkomani e bixhoz?

A është lumturia duke bërë krime, vjedhje e korrupsion?

A është lumturia kur njerëzit i lëndon?

Ku është lumturia në jetën tonë?

Popujt e ndryshëm e kërkuan lumturinë përmes rrugëve të devijuara dhe ai devijim u bë shkak që ata të shkatërrohen dhe të largohen nga mëshira e Allahut.

Faraoni dhe pasuesit e tij e kërkuan lumturinë në pasuri dhe pushtet, por kjo pasuri dhe pushtet ishte pabesim në Allahun dhe Faraoni kaloi në ekstremitet duke thënë: “A nuk është i imi sundimi i Egjiptit dhe i këtyre lumenjve që rrjedhin nën pallatin tim?” (Zuhruf, 51) Ai harroi se Ai që e ka pushtetin dhe pasurinë është Allahu dhe ai i Cili i dha pushtet, pasuri e pozitë është Allahu, gjithashtu, Ai i Cili e ushqeu dhe i dha për të pirë është Allahu. Me gjithë këto të mira, Faraoni i inatosur i mohoi këto dhe tha: “O ju pari! Unë nuk di se ju keni ndonjë zot tjetër përveç meje.” (Kasas, 38)

Për këtë mendjemadhësi, mburrje e urrejtje që pat ndaj Allahut, Faraoni nuk e shikoi lumturinë të cilën e kërkoi, përkundrazi, shikoi mallkimin, shkatërrimin dhe dënimin e Allahut,e Allahu “E dënoi për këtë të fundit dhe atë të parën.” (Naziat, 25)

Allahu për Faraonin dhe pasuesit e tij thotë: “Zjarrit i nënshtrohen mëngjes e mbrëmje e Ditën e Kiametit (u thuhet engjëjve) futini pasuesit e Faraonit në dënimin më të rëndë.” (Gafir, 46)

Allahu i dhuroi Karunit pasuri me të cilën i mbushi depot, edhe pse Karuni këto të mira nuk i arriti me punën, zgjuarsinë apo mençurinë e tij dhe ai mendoi se është i vetmi i lumtur dhe i mohoi begatitë e Allahut. Për këtë Allahu ia tërhoqi vërejtjen për sjelljet e tij dhe mohimin e begative, por ai vazhdoi në mohimin e Allahut dhe bëri çrregullime e ngatërresa në tokë, e për këtë mori shpërblimin e merituar. Allahu i Lartësuar për të thotë: “Ne atë dhe pallatin e tij e shafuam në tokë.” (Kasas, 81)

Lumturinë e kërkoi edhe Velid bin Mugire e Allahu i dha atij dhjetë djem. Ai shkonte me ta nëpër solemnitete e kuvende të ndryshme e kur ecte pesë djem i rrinin në krahun e djathtë e pesë në të majtin dhe ai harroi se Allahu e krijoi atë të vetëm, pa djem dhe pa pasuri. Për të Allahu thotë: “Më lër Mua (të merrem) me atë që Unë e krijova të vetmuar dhe pastaj i dhurova atij pasuri të bollshme edhe djem për t’i qëndruar pranë, pastaj ia bëra jetën të qetë e të rehatshme. Pas gjithë asaj ai lakmon që t’ia shtojë edhe më tepër. E jo, kurrë, se ai vërtet ishte mohues i fakteve Tona.” (Mudethir, 11-16)

Por, çfarë bëri ai dhe si u soll me Allahun? I mori fëmijët që i dha Allahu dhe i bëri që të luftojnë Allahun, ndërsa Allahu i përgjigjet duke thënë: “E unë do ta hedh atë në Sekar (zjarr i xhehenemit). E ku e di ti se çka është Sekar? Ai nuk le send të mbetet pa e djegur. Ai është që ua prish (nxin) lëkurat. Mbikëqyrës mbi të janë nëntëmbëdhjetë (engjëj)” (Mudethir, 26-30)

Ky pra, e mendoi lumturinë në autoritet, duke i bërë njerëzit që ta shikojnë atë dhe duke e vënë veten në qendër të vëmendjes, mirëpo Allahu ia humbi atij autoritetin, sikur që e humb shkumën e detit. Allahu thotë: “Për sa i përket shkumës (së ujit) ajo hidhet si mbeturinë, ndërsa ajo qe u sjell dobi njerëzve ajo mbetet në tokë.” (Rrad, 17)

Disa mendojnë se lumturia është në artin i cili i prekë ndjenjat e njerëzve dhe i mahnit ata duke ua ndryshuar zemrat dhe duke harruar Allahun, mirëpo Allahu ia humb lumturinë atij që nuk e njeh Krijuesin, Furnizuesin, Gjykuesin e gjithësisë dhe e le pa udhëzim. Allahu i Madhëruar thotë: “E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në Ditën e Kiametit do ta ringjallim të verbër. Ai do të thotë: ‘Zoti im, përse më ngrite të verbër kur unë kam pasur shikim më parë?’ Allahu do t’i thotë: ‘Ashtu si i harrove ti argumentet Tona që ti ofruam, ashtu je i harruar (edhe ti) sot.” (Taha, 124-126)

Një shkrim tjetër i dobishëm  I mençuri dhe i mërzituri

Pra, ku është lumturia? Ku ta gjejë atë ai i cili e kërkon? Ku është vendi i saj? Kush e solli atë dhe e futi në zemrat tona? Vërtet, atë e fut në zemrat tona i dërguari i Allahut Muhamedi (Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të!). E lumturia është në besimin e vërtet dhe të sinqertë, duke e pasuar me vepra të mira.

Ja disa raste ku mund të shohim se ku e gjetën lumturinë njerëzit e dalluar.

1. I dërguari i Allahut Junusi (alejhi selam) e gjeti lumturinë e vërtetë kur e përpiu balena në barkun e saj dhe ishte nën tri errësira; në errësirën e barkut të balenës, në errësirën e detit dhe në errësirën e natës. Atëherë kur iu këputën të gjithë litarët përveç litarit të Allahut, i humbën të gjitha shpresat përveç shpresës në Allahun, i humbën të gjitha ndihmat përveç ndihmës së Allahut, ai me gjuhë përulur e të pikëlluar tha: “Nuk ka tjetër që meriton të adhurohet përveç Teje, o Allah! I Lartësuar dhe i pa të meta je Ti! Vërtet unë i bëra padrejtë vetes.” (Enbija, 87) Ishte i kënaqur me Allahun dhe e gjeti aty lumturinë e vërtetë.

Lumturinë e gjeti edhe Musa (alejhi sselam) kur ishte nën valët e detit, duke u larguar nga Faraoni dhe presioni i tij, ndaj kur ishte në momentet më kritike tha: “Kurrsesi, me mua është Zoti im, Ai do të më udhëzojë.” (Shuara, 62)

Lumturinë e gjeti edhe Muhamedi (alejhi selam) kur ishte në shpellë, i rrethuar me shpatat e jobesimtarëve dhe e shihte vdekjen me sy, por i bindur në ndihmën e Allahut i kthehet shoqëruesit të tij në shpellë Ebu Bekrit me një gjuhë të qetë, duke i thënë: “Mos u pikëllo (mërzit) se me të vërtetë Allahu është me ne.” (Enbija, 40)

E, lumturinë e gjeti në burg imami Ebu Hanife, të cilin e burgosën të pafajshëm e faji i tij ishte se ai nuk e pranoi detyrën e gjykatësit kryesor, ndaj e rrahën, e torturuan aq shumë, sa që vështirë njeriu sot do ta duronte atë dhunë, mirëpo kur e pyetën në burg si po e kalon, ai tha: “Unë jam i lumtur që jam vetmuar me Allahun.”

Lumturinë e gjeti edhe imam Ahmed bin Hanbeli prapa grilave të burgut duke e rrahur në mënyrë shtazarake, saqë xhelati i tij thotë: “Sikur ta kisha rrahur devenë aq fortë, do të kishte ngordhur”. E, pse e gjithë kjo dhunë ndaj tij? Vetëm pse mbajti qëndrimin e ehli sunetit se Kurani është i zbritur e jo i krijuar, siç mendonte kalifi Mutesim.

Ndërsa, ai i cili e dënoi imam Ahmedin, kur i erdhi momenti i vdekjes, tha: “Ah sikur ta kisha ditur se do të vdes kaq i ri nuk do të kisha bërë kaq mëkate!” pastaj ra me fytyrë në tokë duke qarë dhe tha: “O Ti që nuk të humb kurrë pushteti, mëshiroje robin tënd të cilit i humbi pushteti!”

Lumturinë e gjeti edhe dijetari i madh Ibn Tejmije kur e lidhën tatarët me pranga të hekurit dhe e futën në burg, në një dhomë të ngushtë që mezi e zinte atë dhe në një errësirë të madhe, atëherë Ibn Tejmije lexoi fjalët e Allahut të Madhëruar: “Kështu do të vendoset ndërmjet tyre një mur me një derë në të brenda do të jetë mëshirë e jashtë do të jetë ndëshkim.” (Hadid, 13)

Ibn Tejmije i shikonte ata që janë jashtë burgut dhe ju dërgon atyre lajme duke u thënë: “Çka po bëjnë armiqtë e mi me mua? Për mua ky është kopshti dhe xheneti im, kur të eci ai është me mua, nëse më vrasin unë bie shehid (dëshmor) dhe nëse më largojnë nga vendi im ajo për mua është turizëm dhe burgosja në këtë burg është vetmi me Allahun.” Pra, të nderuar besimtarë, kjo është lumturia, këto ishin rastet kur njeriu ndjehet i lumtur dhe kjo lumturi nuk arrihet me diçka tjetër, përveç me besim të vërtetë dhe punë të mira.

Mos harro, se kushdo që jeton në pallate pa besim, Allahu ka caktuar për të se: “Ai do të ketë jetë të vështirë.” (Taha, 124)

Kushdo që mbledh pasurinë pa besim, Allahu ka vulosur në zemrën e tij se: “Ai do të ketë jetë të vështirë.” (Taha, 124)

Kushdo që ka arritur pozitë e autoritet pa besim, Allahu i ka bërë përfundimin e tij: “Ai do të ketë jetë të vështirë.” (Taha, 124)

O ju të cilët e kërkoni lumturinë! O ju të cilët e dëshironi lumturinë! O ju të cilët hulumtoni lumturinë! O ju të cilët kërkoni ahiretin dhe xhenetin me lumenjtë të cilët rrjedhin në të, nuk do t’i arrini të gjitha këto, përveç nëse e pasoni rrugën e të dërguarit të Allahut, Muhamedit (alejhi selam).

Fadil Musliu

Tags:

Categories

Archives