Wednesday, 29/3/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Kosova e pasluftës: Pikëtakim për kontrabandën me “mishin e bardhë”


Kosova e pasluftës: Pikëtakim për kontrabandën me “mishin e bardhë”


mjerim

Sipas një raporti të Amnesty International, në 13 vitet e pasluftës Kosova është kthyer në qendër të trafikimit dhe prostitucionit të detyruar.

Qoftë në Tiranë, Prishtinë, Beograd, Shkup… apo në qytetet e tjera të Ballkanit, patjetër mund të hasësh në ndonjë hotel, restorant, bar apo kafe të emërtuar “Evropa”. Evropa si destinacion për shumëkënd ngjall shpresë për një vend pune, mundësi shkollimi, një të ardhme më të mirë, apo konsiderohet si “toka e premtuar”. Por, për shumë gra e vajza nga vendet më të varfra në Lindje të kontinentit, lokalet me emërtimin “Evropa” kthehen në ferr, pasi ato bien pre e kësaj ëndrre.

Të nisura drejt Evropës me shpresa e premtime për një jetë më të mirë, ato përfundojnë të mashtruara dhe të abuzuara në ndonjërin prej qyteteve të Ballkanit. Ato lihen pas dore, duke u cilësuar si një “mall”. Vetëm mbishkrimi i lokacioneve, ku ato “punojnë”, ua përkujton atyre ëndrrën që kanë pasur dikur, shkruan Deutsche Welle.

Sipas burimeve të Amnesty International, vetëm në Kosovë numri i lokaleve, në të cilat femrat detyrohen me dhunë të ushtrojnë profesionin e prostitutës, është mbi 200. Këtë shifër e konfirmon edhe policia e Kosovës. Gjithsesi, ka dyshime se numri real mund të jetë edhe më i lartë.

Sipas raportit të Amnesty International, në këto 13 vitet e pasluftës Kosova është shndërruar në qendër të trafikimit dhe prostitucionit të detyruar. Femra nga Moldavia, Rumania, Bullgaria dhe Ukraina trafikohen në Kosovë. Ato përjetojnë keqtrajtime të rënda fizike dhe psikike. Shumë nga këto femra vijnë nga kushtet e vështira ekonomike dhe sociale. Duke u besuar premtimeve të rreme për një jetë më të mirë “në Perëndim”, ato përfundojnë nëpër shtëpitë e varfra të Kosovës.

Shumica e këtyre femrave futen, me apo pa vetëdijen e tyre të plotë, në këtë “biznes”. Një vajzë nga Bullgaria, e cila tani ndodhet nën përkujdesje në një qendër strehimore për femrat e abuzuara në Prishtinë, tregon për DW odisenë e saj: “Unë, që në fillim e kam ditur së çfarë do të punoja aty. Këtë e bëra për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike, që kisha në familjen time. ‘Ata’ më premtuan para, çdo muaj 300 euro, por nuk ndodhi kështu”.

Një shkrim tjetër i dobishëm  Kosova në fundin e listës kundër LGBt-së

E pyetur se kush ishin ata që e frekuentonin më shpesh vendin, ku ajo dhe vajza të tjera punonin, ajo përgjigjet: “Ata nuk ishin shqiptarë. Ishin të huaj. Ne e kishim të ndaluar që të flisnim me njerëzit që vinin. Por, as ata nuk flisnin me ne. Vetëm vinin, zgjidhnin njërën prej vajzave dhe shkonin”.

Por, a e dinin këta klientë të huaj dhe në përgjithësi meshkujt që vinin aty, se ajo dhe vajzat e tjera ishin prostituta, që mbaheshin me dhunë, kësaj pyetjeje ajo i përgjigjet kështu: “Mendoj që po, sepse ata njiheshin mirë me tutorët tanë”.

Që nga prezenca e faktorit ndërkombëtar në Kosovë, trafikimi i qenieve njerëzore është kthyer në një problem shumë të madh për vendin. Numri i klubeve të natës, në të cilat “mbahen” femrat dhe detyrohen të ushtrojnë profesionin e prostitutës, është rritur. Ulrike Maiwald, nga zyra për Informim e Amnesty International, i thotë DW-së se “faktori ndërkombëtar mban përgjegjësi që kjo dukuri ka marrë përmasa shqetësuese në Kosovë. Por, gjithashtu edhe sistemi gjyqësor i Kosovës ka dështuar në këtë drejtim, duke u treguar mjaft i papërgjegjshëm në zbulimin e rasteve të tilla. Për policinë e Kosovës, hetimi i rasteve që kanë të bëjnë me trafikimin e qenieve njerëzore nuk është i lehtë, sidomos kur në krim janë të involvuar edhe ndërkombëtarët, pasi këta të fundit gëzojnë imunitet politik”.

Trafikimi i qenieve njerëzore është një shkelje e të drejtave të njeriut. Në Nenin e katërt, të Kartës së Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut, thuhet: “Askush nuk ka të drejtë të mbajë dikë në skllavëri, apo në pronësi. Çfarëdolloj mbajtjeje në skllavëri apo pronësi është e ndaluar”.

Se ky nen shkelet çdo ditë, nuk është diçka e re. Sipas të dhënave të Komisionit Evropian, vetëm në Evropë “shkëmbehen” çdo vit nga Lindja për në Perëndim, dhe anasjelltas, nga 120.000 deri në 500.000 femra. Qytetet e Ballkanit janë “qendra tregtare” e kësaj kontrabande. /Telegrafi/

Categories

Archives