Monday, 29/5/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Kosharja nga ditari im


Kosharja nga ditari im


shefqet krasniqi

Dr. Shefqet Krasniqi

Një nga ngjarjet historike që shënon prilli është edhe Beteja e Koshares, respektivisht thyerja e kufirit nga brigada 138 e UÇK-së, e udhëhequr nga komandant Rrustem Berisha. Ndonëse me organizime më të zbehura se vitet e kaluara, Beteja e Koshares megjithatë u përkujtua, dhe, me të drejtë u tha se ka qenë një nga betejat vendimtare të luftës sonë. Sikur këtë zbehje e shkaktuan lajmet jo të mira që na erdhën për themelimin e tribunalit për ushtrinë e cila ka luftuar në mbrojtje. Nuk munguan as zëra brenda nesh me kritika të paskrupullta për luftën, e të cilët në të vërtetë kanë ekzistuar që moti por që vetëm tani iu është dhënë rasti ta ngrijnë edhe kokën.
Unë nuk e fsheh se parimisht jam që askush të mos shfajësohet përderisa ka bërë shkelje, por që kurrë akuzimi i disa personave të interpretohet si akuzë ndaj UÇK-së. Për Zotin, ka qenë madhështore dhe madhështor vazhdon të jetë edhe kujtimi për të. Për mua personalisht, si pjesë e kësaj lufte të ndershme dhe më konkretisht si pjesëmarrës në betejën e Koshares, ato ditë janë ditët më të mira të jetës sime. Zaten, jeta nuk ka lezet dhe as kuptim nëse jeton i robëruar. Motivi për lirinë, për këtë ideal të shenjtë, na bëri që të harrojmë pabarazinë ushtarake ndërmjet nesh dhe armikut tonë. Ne e dinim mirë se me çfarë armiku kishim të bëjmë, e dinim përgatitjen e tyre, por idealet që kishim na bënin të harrojmë çdo gjë tjetër. Kështu e ka lufta. Fitorja, në fund, i takon atij që ka mobilizim shpirtëror më të madh. Kujtonim ato vuajtje të shkaktuara për dekada, ata të rënë në emër të lirisë, ata të maltretuar për hiçgjë, vetëm pse ishin shqiptarë…Këto na motivonin, i jepnin shpirtit krah aq sa të fluturojë deri në qiell dhe të merr fuqi nga Zoti për ta luftuar këta tiranë e barbarë.

Po e them me modesti se kanë qenë ditët më të lumtura të jetës sime. Kam qenë në Medinën e Ndritur atëkohë në studimet e doktoratës. Kisha gruan dhe fëmijët me vete. Nuk mund ta ndieja veten të qetë. I flisja vetes: ç’të duhet diploma nëse populli shfaroset?! Ç’të duhet grada nëse populli yt masakrohet?! Ç’rëndësi ka familja, pasuria, karriera kur populli yt nuk ekziston më. Ishte dimër. Dola dhe bleva rroba përkatëse. U ktheva u përshëndeta me gruan dhe tre fëmijët, ua kërkova hallallin dhe ua ktheva shpinën duke ia lënë gruas sime amanet fëmijët. U nisa drejt Stambollit e më pas drejt Tiranës. Nuk ishte fare e lehtë, as për mua e as për gruan time, në veçanti kur ajo ishte në vend të huaj dhe unë ka mundësi që më kurrë të mos i shihja, sepse në luftë shkohet për me vdekur. Mu kujtua Ibrahimi alejhiselam, ai burrë i madh i cili e la gruan dhe djalin e vogël Ismailin në mes të shkretëtirës së Mekës vetëm, pa askënd, dhe ua ktheu shpinën e shkoi në Palestinë, por pasi u fsheh pas një kodre i ngriti duart lartë dhe u lutë duke ia lënë amanet Zotit familjen e tij. Edhe mua mu mbushën sytë me lot, luta Zotin dhe Atij ia lash amanet familjen. Pastaj kujtova shumë luftëtarë tanë të cilët edhe ata kanë lënë gra dhe fëmijë, kanë lënë edhe pasuri dhe jetë luksoze nëpër Evropë dhe ia kanë mësyrë Kosovës, andaj pse edhe unë mos t’i lë.

Një shkrim tjetër i dobishëm  Laicizmi në peshojë – Kush thotë se perëndimorët nuk kanë fe?

Ardhja në Kosharë, takimi me Sali Çekajn, Rrustem Berishën dhe eprorë e ushtarë të tjerë ishin vetëm momentet e para të përjetimit të kënaqësisë së pjesëmarrjes në atë brigadë shumë të rëndësishme për lirinë tonë.

Ndoshta është hera e parë që po flasë për Kosharën dhe po i shpalosë disa ndjenja dhe përjetime të mia në atë luftë të bekuar, të cilës i erdhi ndihma nga qielli dhe nga toka dhe bereqeti i saj nuk mungoi. Kurrë nuk kam dashur të flas e as të ekspozohem se kam marr pjesë në luftë, sepse thjeshtë unë nuk kam luftuar për emër, por se e kam pasur obligim nga i madhi Zot, ia kemi pasur borxh vendit tonë, andaj konsideroj se nuk kemi bërë më shumë se një kryerje të një obligimi apo një detyre fetare, morale dhe kombëtare. Por meqë shumë shokë kanë qenë këmbëngulës që t’i shpalos disa momente të asaj beteje, vendosa t’iu përgjigjem kërkesës së tyre, në veçanti kur akuzat ndaj Islamit në përgjithësi, e ndaj hoxhallarëve në veçanti janë shtuar se kinse ata nuk kanë kontribuar në luftë dhe as për vatan. Nuk jam unë i vetmi hoxhë që kamë marr pjesë në luftë, falë Zotit kemi pasur shumë hoxhallarë e imamë të cilët kanë rrokë pushkën në dorë, kemi mbi njëqind hoxhallarë të tillë, ndërsa 37 nga ta janë të vrarë. Ata që kanë vdekur, hoxhallarë e të tjerë, i pastë mëshiruar Zoti, ndërsa neve që nuk kemi pasur exhel-caktim Allahu na shpërbleftë për atë mundë të vogël që kemi bërë për këtë vend, vetëm nga Ai kërkojmë shpërblim dhe na mundësoftë që edhe më tej të punojmë për vendin tonë, shoqërinë tonë, fenë tonë dhe çdo të mirë tjetër që i duhet këtij vendi dhe këtij populli. Amin dhe deri javën e ardhshme me një temë tjetër selam alejkum.

Categories

Archives