Friday, 24/3/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Kontributi i myslimanëve në mjekësi


Kontributi i myslimanëve në mjekësi


mjekesia
Ndër mjekët më të njohur të Kalifatit Lindor nën udhëheqjen abasitëve ka qenë edhe El Razi, i cili e ka dalluar fruthin nga lia e madhe, dhe Ibn Sina (lat. Avicena). “Princi i mjekëve”, i cili u përpoq të bënte të pamundurën për të arritur kodifikimin e mjekësisë duke i harmonizuar elementet e saj me sistemet e Galenit dhe të Aristotelit. Megjithatë, veprat e tij patën ndikim me shekuj në Evropë.
Në Kalifatin Perëndimor nën sundimin e umajidëve ka jetuar kritiku më i madh Abdul-Melik ibn Zuhr (lat. Avenzoar) nga Kordoba (vdekur më 1162). Ai ka qenë një ndër mjekët që disa shekuj më herët i kanë paraprirë renesansës evropiane duke iu kundërvënë guximshëm shkrimeve dhe qëndrimeve të Galenit.
Disa skolastikë myslimanë i nxorën penat e veta dhe u radhitën pas udhëheqësit të tyre – të Dërguarit të All-llahut , s.a.v.s., dhe udhëzimeve të tij në mjekësi. Ndër ata, këtu është me rëndësi të përmendim Hunejn ibn Ishak (lat. Joannitus, 809-873), i cili ka shkruar disa trajtesa në të cilat ka komentuar udhëzimet e të Dërguarit të All-llahut. Ai ishte i njohur veçanërisht për librin e tij nga oftalmologjia (sëmundjet e syrit) me titull Al-‘Ashr makalat fi al-‘Ajn (Dhjetë trajtesa mbi syrin).
Këtu është me rëndësi gjithashtu të përmendim Muhammed ibn Zekerijja’a el-Razi (lat. Rhazes, 865-925), vepra kryesore e të cilit El-Xhudari vel hasba (Lija e madhe dhe fruthi) konsiderohet vepra më e vjetër e këtij lloji. Në këtë vepër ai e përshkruan themelin e diagnostikimit mes këtyre dy sëmundjeve. El-Raziu ka shkruar gjithashtu librin mbi sëmundjet e fëmijëve dhe, sipas mendimit të shumicës, ai konsiderohet si babai i pediatrisë. Historia ka shënuar gjithashtu veprën e Ebu el-Hasan el-Muhtar ibn Butlanit (lat. Elluchasen Elimithar, vdekur më 1065) me titull Tedhkir el-Kahhalin (Shënime për oftamologë), që është vepra më e vjetër arabe mbi oftalmologjinë.
Pastaj vjen Abdul Melik ibn Zuhr (lat. Avenzoar, 1091-1162), mjeku i parë i cila ka trajtuar dhembjet e eshtrave dhe shkaktarin e zgjebes (arab. Su’ubat el-Xhereb; lat. Acarus scabici). Ai ka qenë i njohur edhe për veprën e tij Al-Tejsir fi el-mudavah vel tadbir (Thjeshtësimi i terapeutikëve dhe dietës). Ali ibn el-Abbas (lat. Haly Abbas; vdekur më 994) ka qenë shkrimtar produktiv i njohur me librin e tij me titull El-Kitab al-Meleki, që njihet gjithashtu edhe me titullin tjetër Kamil el San’a el-tibbijjah (Libri mbretëror; lat. Liber regius). Libri përmban trajtimin e hollësishëm shkencor dhe praktik në mjekësi, në të cilin ai krahason dietetikët dhe materien mjekësore (materia medica), me të cilin dha kontributin e vet në konceptin rudimentar të qarkullimit kapilar.
Këtu duhet përmendur gjithashtu filozofin e shquar islam dhe komentuesin Ibn Rushdi (lat. Averoes, 1126-1198), në veprën kryesore enciklopedike-mjekësore të të cilit, El-Kullijat fi el-tibb (Gjërat e përgjithshme në mjekësi), e njohim funksionin e retinës dhe ndikimin e imunitetit në rastin e lisë së madhe.
Në shek. XIII ka jetuar Ali ibn el-Nafis (1210-1288), i cili ka shkruar veprën Sharh tashrih el-Kanun (Koment në analizën e Kanunit të Ibn Sinait), i cili ka mbetur i njohur për përparimin e përshkrimit të qarkullimit pulmonal të gjakut, tre shekuj para përshkrimit nga portugezi Servetus, të cilit i është përshkruar ky zbulim.
Shekulli XIII e nxjerr gjithashtu historianin më të njohur të mjekësisë M. Ibn Ebi Usajbi’u (1203-1270) për veprën e tij kapitale Ujun el-enba’ fi tabakat al-atibba’ (Burimet e të dhënave për llojet e mjekëve). Kjo vepër është përmbledhje e hershme me 400 biografi të mjekëve arabë dhe grekë.
Në fund, kjo listë e pjesërishme e mjekëve të njohur islamë dhe kontributi i tyre në fushat e mjekësisë nuk mund të mbyllet pa i përmendur disa nga veprat më të hershme të “Princit të mjekëve” Ebu Ali el-Husejn ibn Sina’a (lat. Avicena, 980-1037), i cili është cituar nga shumica e skolastikëve të hershëm të përmendur. Ibn Sina ka përmbledhur shkencën e mjekësisë të kohës së tij në një vepër enciklopedike, të cilën e ka quajtur Kanun fi el-tibb (Ligji i mjekësisë). Ky libër është përkthyer disa herë në gjuhën latine dhe ka ndikuar në shumë gjenerata të studentëve të mjekësisë në Evropë. Ibn Sina’a ka shkruar gjithashtu vepra me titull Kitabul shifa (Libri i shërimeve), El Advija el-kalbijja (Ilaçet e zemrës) dhe Kitabul-Kulanxh (Libri i dhembjeve në zorrë). Këto janë vetëm disa nga veprat e shumta që mbajnë emrin e Ibn Sinës si autor. Ai ka qenë dy herë ministër i Hamadanit, ndërsa katër muaj ka qenë i burgosur për shkak të bindjeve të tij politike. Doktori Kruger, M.D. ka thënë për Ibn Sinën: “Përvoja e tij mjekësore në pikëpamje transhendentale është më e madhe se ajo e Galenit…(ai) demonstron një mendje si të Gëtes dhe ka pasur një gjenialitet sikur të Leonardo da Vinçit”. (C.Kruger, M.D. Springfild, III. Charles C. Thomas, 1963)

Një shkrim tjetër i dobishëm  Çka e sjell shiun?
Tags:

Categories

Archives