Sunday, 18/11/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Kohët e përgjigjes së lutjes (duasë)



Kohët e përgjigjes së lutjes (duasë)

 

Nëse dua’ja shoqërohet me praninë e zemrës, me përqendrimin e saj për të realizuar kërkesën si dhe nëse kjo dua’ bëhet në kohët e përshtatshme, atëherë ajo nuk kthehet asnjëherë mbrapsht. Kohët e përgjigjes së dua’së janë: 1/3 e fundit të natës, gjatë thirrjes së ezanit, koha midis ezanit dhe ikametit, koha pas namazeve farz, gjatë ngjitjes së imamit në hytbe në ditën e Xhuma, deri sa të mbarojë namazi i asaj dite[1] dhe ora e fundit pas namazit të ikindisë. Personi që bën dua’ duhet të ketë frikë në zemrën e tij dhe të jetë i përulur dhe i nënshtruar përpara Allahut. Për kryerjen e dua’së në mënyrën e duhur, duhen plotësuar këto kushte:

– Drejtimi nga Kibla.

– Pastërtia trupore.

– Ngritja e duarve.

– Të filluarit me falënderimin e Allahut dhe madhërimin e Tij.

– Dërgimi i salavateve (në namaz) për Muhamedin, robin dhe të dërguarin e Allahut.

– Pendimi dhe të kërkuarit e faljes.

– Lidhja me Allahun dhe këmbëngulja në dua’.

– Përmendja e emrave dhe e cilësive të Allahut si dhe njësimi i Tij.

– Shoqërimi i dua’së me lëmoshë (sadaka) etj..

Përveç gjërave që u përmendën më sipër, personi që bën dua’ duhet të jetë i sigurtë se Allahu do t’i përgjigjet atij, për më tepër kur dua’ja bëhet duke iu drejtuar Allahut me emrin e tij më të madh[2] (El-Ismul A’adhem). Për këtë, në një hadith të Abdullah Ibn Burejdes (nga babai i tij) transmetohet se Profeti (a.s) ka dëgjuar një njeri duke thënë: “O Allah, të lutem ma mundëso që të dëshmoj se nuk meriton të adhurohet kush tjetër veç Teje. Ti je i Vetmi, të Cilit i drejtohen të gjitha krijesat për ndihmë, që nuk ka lindur dhe nuk është i lindur dhe që nuk ka askënd ortak.” Më pas, Profeti (a.s) tha: “Me të vërtetë, ai i është lutur Allahut me emrin e Tij më të madh. Nëse i kërkohet diçka me anën e këtij emri, Allahu e jep, e nëse i lutet dikush me të, Ai i përgjigjet.” [3] 

Në një transmetim tjetër, thuhet: “Me të vërtetë, ai i është lutur Allahut me emrin e Tij më të madh.”

Ndërsa, Enes Bin Maliku transmeton se bashkë me të Dërguarin e Allahut ishin dy burra. Njëri prej tyre qëndronte i ulur, kurse tjetri po falej. Pas namazit, burri bëri këtë dua’: “O Allah! Unë të lutem Ty të të përkasë falenderimi. Nuk meriton të adhurohet kush tjetër përveç Teje, sepse Ti je Dhuruesi i mirësive, Krijuesi i qiejve dhe i tokës. O Ti, që të përket krenaria dhe bujaria! O Ti, që je i Gjallë dhe Mbikëqyrës!

Atëherë, i Dërguari i Allahut tha: “Vërtet, ai i është lutur Allahut me emrin e Tij më të madh, emër me të cilin nëse i bëhet lutje, Allahu përgjigjet, e nëse i kërkohet diçka, e jep atë.” [4]

Të dy hadithet transmetohen nga imam Ahmedi në “El-Musned.”

Kurse, në librin “Xhamiu Et-Tirmidhi”[5] transmetohet nga Esma Bint Jezidi, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Emri më i madh i Allahut (El-Ismul A’adhem) ndodhet te këto dy ajete kuranore: “Zoti juaj është Një! Nuk ka Zot tjetër përveç Tij! Ai është Mëshiruesi, Mëshirëbërësi”[6] dhe “Elif, Lam, Mim. Allahu është Një dhe nuk ka të adhuruar tjetër përveç Tij. Ai është i Gjallë dhe Mbikëqyrës.[7]

Et-Tirmidhi thotë: “Ky hadith është i saktë dhe i mirë.”

Në një hadith të transmetuar nga Ebu Hurejre (r.a), Enes Bin Maliku dhe Rebia Bin Amiri, Profeti (a.s) ka thënë: “Mbahuni fort pas fjalës ‘O Ti që të përket krenaria dhe bujaria” (d.m.th. lidhuni me këtë fjalë dhe përdoreni gjithmonë atë)[8].

Në librin “Xhamiu Et-Tirmidhi”[9] përmendet një hadith i Ebu Hurejrës (r.a), i cili ka thënë:  “Nëse të Dërguarin e Allahut (a.s) e shqetësonte diçka, ai ngrinte kokën drejt qiellit dhe kur përqendrohej te dua’ja, thoshte: “O i Gjallë! O Mbikëqyrës!”

Gjithashtu, transmetohet se Enes Bin Maliku ka thënë: “Nëse të Dërguarin e Allahut e shqetësonte diçka, ai thoshte: ‘O i Gjallë, o Mbikëqyrës, me mëshirën Tënde kërkojmë ndihmë!’”[10]

Kurse, Ebu Umame transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Emri më i madh i Allahut ndodhet te tri sure kuranore: El Bekare, Al Imran dhe Ta’ha.” [11]

El-Kasemi ka thënë: “E kam kërkuar këtë emër dhe ai është “I Gjallë dhe Mbikqyrës (El-Haj-ju El Kaj-jum).”

Po në lidhje me këtë çështje, Sa’d Bin Uekasi transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Allahu i përgjigjet atij njeriu që i drejtohet me dua’në e bërë nga Dhin-Nuni, kur ishte në barkun e peshkut. Kjo dua’ është: “Nuk meriton të adhurohet kush tjetër veç Teje! Ti je larg të metave! Vërtet, unë jam prej mëkatarëve.”[12] [13]

Et-Tirmidhiu thotë se hadithi është i saktë dhe i mirë.

Gjithashtu, Sa’di transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “A t’ju tregoj një dua’, me anën e së cilës, nëse robit i ndodh diçka, Allahu e shpëton?” E kishte fjalën për dua’në e Dhin-Nunit (Junusit).”[14]

Po në librin e saktë të El-Hakimit transmetohet se Sa’di e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) duke thënë: “A t’ju udhëzoj drejt emrit të madh të Allahut? Ai është te dua’ja e Junusit.” Një burrë i pranishëm e pyeti: “O i Dërguar i Allahut, a kishte ndonjë gjë të veçantë Junusi?” Profeti (a.s) u përgjigj: “A nuk e ke dëgjuar thënien e Allahut të Lartësuar ‘E Ne iu përgjigjëm Atij dhe e shpëtuam prej tmerrit. Kështu i shpëtojmë besimtarët’? Muslimanit që lutet me këtë dua’ dyzet herë kur është i sëmurë, e vdes pas kësaj sëmundjeje, do t’i jepet shpërblimi i shehidit. Nëse shërohet, mëkatet e tij janë të falura.”[15]

Në të dy “librat e saktë” transmetohet nga Ibn Abasi se kur kishte ndonjë problem, Profeti (a.s) thoshte:“S’ka të adhuruar tjetër përveç Allahut! Ai është i Madhi, i Urti! S’ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Zotit të Arshit të madh. S’ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Zotit të shtatë qiejve dhe të tokës, Zotit të Arshit Bujar.”[16]

Në një hadith të Ali Bin Ebi Talibit thuhet: “Më ka mësuar i Dërguari i Allahut që nëse kisha ndonjë problem, të thoja: ‘S’ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, të Përmbajturit, Bujarit. Larg të metave është Allahu! I lavdëruar qoftë Allahu, Zoti i Arshit të madh. Falënderimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve.”[17]

Në një hadith tjetër të transmetuar nga Abdullah Ibn Mesudi, Profeti (a.s) ka thënë: “Nuk e zë as shqetësimi dhe as dëshpërimi atë njeri, i cili thotë ‘O Allah! Unë jam robi Yt, i biri i robit Tënd dhe i robëreshës Tënde. Udhëzimi im është në dorën Tënde, mbi mua zbatohet vendimi Yt dhe Ti je i drejtë në gjykimin Tënd. O Allah, të lutem me çdo emër Tëndin, që e ke quajtur Veten, që ia ke mësuar ndokujt prej krijesave të Tua, që e ke zbritur në librin Tënd apo që e ke mbajtur të fshehur në diturinë Tënde, bëje Kuranin pranverë të zemrës sime dhe dritë të shpirtit tim! Bëje atë largues të dëshpërimit dhe të stresit tim!”

Dikush e pyeti: “O i Dërguari i Allahut, a ta mësojmë këtë dua’?”

Profeti (a.s) u përgjigj: “Po, ai që e dëgjon, duhet ta mësojë atë.” [18] 





Ibn Mes’udi thotë: “Nuk ka pasur ndonjë të dërguar të Zotit, i cili, sa herë që ka hasur në ndonjë problem, të mos ketë kërkuar ndihmë me tesbih.”

Në librin e tij “Njerëzve që u pranohet dua’ja” [19], Ibn Ebu Ed-Dunja përmend një hadith të transmetuar nga Enes Bin Maliku, i cili tregon: “Një tregtar prej ensarëve, i quajtur Aba Mi’lak, blinte dhe shiste mallra duke përdorur paratë e tij dhe të njerëzve të tjerë. Ai ishte njeri i mirë dhe i frikësohej Allahut. Njëherë, kur po merrej me punën e tij të zakonshme, përpara i doli një hajdut i armatosur, që i tha ‘Lëre këtu gjithçka që ke me vete, sepse do të të vras!’ Aba Mi’laku i tha: ‘Me paratë bëj ç’të duash, por me jetën time çfarë kërkon?”

Burri i armatosur iu përgjigj: ‘Paratë janë të miat, por dua edhe jetën tënde!’

Aba Mi’laku tha: “Nëse është kështu puna, më lër të paktën të fal katër rekate namaz!”

Burri i tha: “Falu sa të duash.”

Kështu, Aba Mi’laku mori abdes e më pas fali namazin. Në sexhden e fundit, ai bëri një dua’me këto fjalë ‘O i Dashur! O Zot i Arshit krenar! O Ti që bën atë që dëshiron! Të lutem, me krenarinë Tënde të pafund, me pronën Tënde të pashtershme, me dritën Tënde që mbush Arshin, më largo nga e keqja e këtij hajduti! O Ti, prej të Cilit kërkojmë ndihmë! Më ndihmo!’ Ai e përsëriti këtë dua’ tri herë. Papritur, aty erdhi një kalorës i cili kishte një shtizë të vendosur midis veshëve të kalit të tij. Sapo e pa, hajduti rendi në drejtim të tij, por kalorësi e vrau. Më pas, ky i fundit u drejtua drejt Aba Mi’lakut dhe i tha: “Ngrihu!”

Aba Mi’laku e pyeti: “Kush je ti, të paça në vend të nënës dhe babait?! Allahu më ka ndihmuar sot me ty!” Kalorësi u përgjigj: “Unë jam një engjëll nga qielli i katërt. Kur bëre dua’në e parë, dëgjova zhurmën e dyerve të qiellit. Pastaj, ti bëre dua’në e dytë, pas së cilës dëgjova pëshpëritjet e banorëve të qiellit. Pasi bëre dua’në e tretë, m’u tha “Kjo është dua’ja e një njeriu që është në vështirësi.” Kështu, iu luta Allahut të ma ngarkonte mua vrasjen e tij (hajdutit).”

El-Hasani thotë: “Atij që merr abdes, fal katër rekate e më pas bën këtë dua’, do t’i vijë patjetër përgjigja, qoftë hallexhi ose jo.”

 

Shkëputur nga libri “Sëmundja dhe Ilaçi” me lejen paraprake nga përkthyesi (Hoxhë Genc Plumbi).

Burimi elektronik: www.islamifejaevertete.com

 

[1] – Rreth këtij fakti ka komente të cilat nuk është vendi të përmenden këtu.

[2] – Kuptimi i tij do të sqarohet në vazhdim.

[3] –  Në “El-Sunen” dhe në sahihun e Ibn Habanit.  Transmetojnë Ebu Daudi (1493), Ibn Maxheh (38580), Et-Tirmidhiu (3475) etj.

[4] – Në “El-Sunen” dhe në sahihun e Ibn Habanit. Transmetojnë En-Nisaiu (52/30), Ebu Daudi (1495), Ibn Maxheh (3858), Et-Tirmidhi (3544), Ibn Hibani (893), Ahmedi (245, 265, 158/3), Buhariu (705) etj.

[5] – (3544)

[6] – El-Bekare 163

[7] – Al Imran 1-2

[8] – Te  “Musnedi” i Imam Ahmedit dhe sahihu i El-Hakimit.

[9] – Transmeton Et-Tirmidhiu dhe thotë se hadithi është i dobët (garib). Shkak për dobësinë e tij është prania e Ibrahim Bin El-Fadal El-Mahzumi, i cili është transmetues i braktisur.

[10] – (3522) të cilin e transmeton gjithashtu Ibn Es-Sini. Këtë e ka shoqëruar Edh-Dhebi me thënien e tij: Abdurrahmani nuk e ka dëgjuar nga babai i tij, e të gjithë që vijojnë pas tij nuk janë argument, e kështu që hadithi është hasen.

[11] – Sahihu El Hakim (505/1)

[12] – El-Enbija 87

[13] -Transmetojnë: Et-Tirmidhiu (3500), El-Hakimiu (505/1), En-Nisaiu (755), Ahmedi dhe Et-Taberaniu (124) me zinxhir të mirë transmetimi.

[14] – “El-Mustedrek” (El-Hakim). Është një transmetim i hadithit të mëparshëm.

[15] – (505, 506/1)

[16] – Trasnmetojnë Buhariu (5985) dhe Muslimi (2730).

[17] – Në librin “El-Musned” të imam Ahmedit  (701). Gjithashtu, këtë hadith e transmeton edhe El-Hakimi (509/1). Ahmed Shakiri e ka konsideruar këtë hadith të saktë.

[18] – Po aty (452, 391/1). Transmetojnë El-Hakimi (508/1), Ibn Habani (972), Ebu Ja’la (5297) dhe Et-Tabrani me zinzhir  të saktë transmetimi. Shih gjithashtu edhe “Sherh El-Mesned” (3712) të Ahmed Shakirit dhe “Silsiletul Ehadith Es-Sahiha” të Albanit.

[19] – (23). Transmeton Hasani. Zinxhiri i transmetimit të këtij hadithi është i dobët.