Saturday, 27/5/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Koha e ndodhjes së Kijametit është afër


Koha e ndodhjes së Kijametit është afër


 

Ajetet kur`anore dhe hadithet e sakta tregojnë se Kijameti është afër. Shfaqja e shumicës së Shenjave të Kijametit tregon se ai është afër dhe se ne jemi në ditët e fundit të kësaj bote.

 

Allahu xh.sh. thotë: “Njerëzve u është afruar koha e llogarisë së tyre dhe ata të hutuar në pakujdesi nuk përgatiten fare për të”[1]; “E ku mund ta dish ti, ai ndoshta është afër!”[2]; “Ai u duket larg atyre, ndërsa neve na duket afër”[3] dhe “Kijameti është afruar dhe hëna u nda më dysh.”[4]

 

 Këto ajete e shumë të tjerë të ngjashëm me to tregojnë se kësaj jete i është afruar fundi dhe është afruar koha, kur njerëzit kanë për tu transferuar në një banesë tjetër, ku cilido prej tyre do të marrë atë që meriton; nëse ka punuar mirë do të meritojë të mirën dhe nëse ka punuar keq, ka për të merituar të keqen.

 

I Dërguari i Allahut alejhis selam thotë: “Unë jam dërguar dhe Ora e Kijametit është larg meje aq sa këta të dy (gishtërinj).” Ai bashkë me këto fjalë tregonte dy gishtat e dorës.[5]

 

Ai gjithashtu thotë: “Unë jam dërguar në prag të Kijametit.”[6]

 

I Dërguari i Allahut alejhis selam thotë: “Afati juaj në krahasim me afatin e popujve të mëparshëm është sa koha midis namazit të ikindisë dhe perëndimit të diellit.”[7]

 

Nga Ibn Omeri na përcillet se ka thënë: “Ne ishim ulur me të Dërguarin e Allahut alejhis selam në një pasdite dhe dielli ishte mbi Kuajki`an[8]. I Dërguari i Allahut alejhis selam tha: “Mosha juaj në krahasim me moshën e popujve të kaluar është si koha e mbetur prej kësaj dite në krahasim me atë që ka kaluar prej saj.”[9]

 

Kjo që thamë tregon se ajo që ka mbetur në krahasim me atë që ka kaluar është shumë e pakët. Mirëpo sasinë e asaj që ka kaluar nuk e di askush përveç Allahut të Madhëruar. Asnjë hadith me zinxhir të saktë nga i Dërguari i Allahut a.s. nuk ekziston në lidhje me përcaktimin e moshës së kaluar të kësaj bote. Kështu që nuk mund të përcaktohet mosha e mbetur, duke e krahasuar me moshën e kaluar të kësaj bote. Megjithatë, mund të themi se ajo që ka mbetur në krahasim me atë që ka kaluar është shumë pak.[10] Gjithësesi, në lidhje me afërsinë e Kijametit shprehje më të qartë se vetë fjala e të Dërguarit të Allahut a.s. nuk ka. I Dërguari i Allahut a.s. thotë: “Unë jam dërguar dhe bashkë me mua vjen edhe Kijameti, i cili për pak sa nuk më parakaloi.”[11]

 

Një shkrim tjetër i dobishëm  Zoologjia

Kjo tregon se Kijameti është shumë afër me dërgimin e Muhamedit a.s. si profet, saqë vetë i Dërguari i Allahut a.s. druhej se mos e parakalonte.

 

 


[1] Enbija; 1.

[2] Ahzab; 63.

[3] Mearixh; 6,7.

[4] Kamer; 1.

[5] Sahihul Buhari 11/ 347 bashkë me “Çeljen e Krijuesit”.

[6] Shejh Albani ka thënë: “Këtë hadith e ka transmetuar Ed Dulabi në librin e tij “Nofkat” 1/23. Gjithashtu, e ka transmetuar Ibn Mendeh në librin e tij “Njohuria” 2/234 prej Ebu Hazimit, e ky prej Ebu Xhebiras merfuan (që do të thotë se zinxhiri i transmetimit arrin deri tek i Dërguari i Allahut a.s. pa shkëputje). Ky zinxhir është i saktë dhe të gjithë transmetuesit e hadithit në të janë të besueshëm. Në lidhje me të qenurit e Ebi Xhebiras sahabi ka mendime të ndryshme midis dijetarëve. Hafidh ibn Haxheri, në librin e tij “Afruesi”, ka zgjedhur si më të saktë të qenurit e Ebi Xhebiras sahabi.” Shih: “Zinxhiri i haditheve të sakta” 2/467, hadithi nr; 808.

[7] Sahihul Buhari, Kreu i Ngjarjeve të Profetëve, tema: “Tregime rreth bijve të Izraelit.” 6/495 bashkë me shpjegimin e Ibn Haxherit.

[8] Ai është një mal në Mekë rreth dymbëdhjetë milje në jug të saj. Ky mal është quajtur Kuajki`an për shkak të tringëllimave të armëve gjatë luftës midis fisit Xhurhum në këtë vend. Këto fjalë i Dërguari i Allahut a.s. mendohet t’i ketë thënë gjatë haxhit të lamtumirës ose gjatë çlirimit të Mekës. Ibn Omer ka qenë pjesmarrës në këto dy ngjarje bashkë me shokë të tjerë të Profetit. Shih: “Përfundimin e Ibn Ethirit” 4/88, Shpjegimi i Musnedit të Ahmedit 8/176, të Ahmed Shakir.

[9] Musnedi i Ahmedit 8/176, nr. hadithit 5966 me shpjegim të Ahmed Shakirit, i cili ka thënë se zinxhiri i transmetimit të këtij hadithi është i saktë. Ibn Kethiri ka thënë se ky zinxhir është i mirë dhe pa probleme (“Përfundimi”-sprovat dhe trazirat 1/194.). Gjithashtu, Ibn Haxheri ka thënë se ky zinxhir është i mirë. “Çelja e Krijuesit” 11/350.

[10] “Përfundimi” -sprovat dhe trazirat” 1/195.

[11] Musnedi i Ahmedit 5/348, “Historia e popujve dhe e mbretërve”, 1/8 e Taberiut. Ibn Haxheri ka thënë se këtë hadith e ka transmetuar Ahmedi dhe Taberiu dhe se zinxhiri i tij është i mirë. “Çelja e Krijuesit” 11/348.

SHKEPUTUR NGA LIBRI “SHENJAT  E KIAMETIT”
AUTOR JUSUF EL UALID
PERKTHEU GENC PLUMBI

Categories

Archives