Friday, 20/4/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

KODI I SJELLJES BASHKËSHORTORE NË ISLAM 

KODI I SJELLJES BASHKËSHORTORE NË ISLAM 

KODI I SJELLJES BASHKËSHORTORE NË ISLAM 

Shkruar nga Mr. Avni Tafili

FORMULA HYJNORE – “Ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për ato.” (Bekare, 187)

POROSIA PEJGAMBERIKE – “Kini frikë Allahun në trajtimin e grave.” (Hadith)

Burri mburojë për gruan e tij, dhe gruaja mburojë për burrin e saj.
Islami, një sistem i kompletuar vlerash në çdo aspekt, duke plotësuar njëra-tjetrën, i rezistoi çdo sfide nëpër kohë të ndryshme, kështu, duke ruajtur vlerën dhe pozitën e çdo gjëje me ngulm dhe pa kompromis. Ideja për superioritetin mashkullor në raport me atë femëror, në Islam nuk qëndron. Kodi islam ka rregulluar mjaft mirë raportet midis burrit dhe gruas, e secilin e ngarkoi me përgjegjësi të ndara; jo për të ulur a ngritur tjetrin, por për t’u realizuar formula hyjnore “gjetja e prehjes midis njëri-tjetrit”.

Islami insiston të ndërtojë jetën martesore në kuadër të mëshirës, prehjes së ndërsjellë dhe tolerancës, jo vetëm duke nxitur mirëkuptimin, por edhe duke ua tërhequr vëmendjen se njeri pa tjetrin nuk mund të jetojë. Ky është Kur’ani, Fjala e Atij që krijoi dhe përsosi, mëshira e të Cilit përshkoi çdo krijesë të Tij, jo vetëm që ofronte zgjidhjet, por edhe sjellë argumente logjike për t’u bindur, që të mos humbet kohë në kërkimin e zgjidhjeve tjera, pasi që në fund nuk do të gjejë tjetër pos dështimit dhe dëshpërimit. Ndër argumentet bindëse, të cilat dëshmojnë mëshirën dhe fuqinë e Allahut ndaj krijesave të Tij, është se për çdo lloj krijoi çiftin, ashtu që, në varësi të ndërsjellë, të gjejnë prehje, e ne anën tjetër, prirja e të jetuarit në harmoni brenda llojit, është manifestim i vullnetit hyjnor, nëpërmjet të cilës mbillet dashuria dhe mëshira po brenda llojit.

“Dhe nga faktet e (madhërisë së) Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë”. (Rrum, 21)

Për të vënë në theks më të dukshëm rëndësinë e llojit brenda llojit “njeri” e shohim në një citat kur’anor, ku është përdorur shprehja “libas”, e cila në gjuhën shqipe mund të jep disa kuptime:

të gjeturit prehje;

mburojë për njëri-tjetrin;

po ashtu mund të ngërthejnë me dhjetëra nënkuptime si: ndihmë, përkrahje etj.

Këtë shprehje kaq të qëlluar e të mahnitshme e gjejmë në këtë citat: “Ato janë ‘prehje’ për ju dhe ju jeni ‘prehje’ për ato.” (Bekare, 187)

Pra, në Islam, burri për gruan e tij dhe gruaja për burrin e saj janë sikurse një pëlhurë, e cila mbron njëri-tjetrin nga çdo gjë jashtë tyre. Thënë ndryshe, mbulesë nën të cilën gjejnë qetësinë, mbrojtjen dhe lumturinë. E kjo mbulesë e mbrojtje përfshinë të gjitha aspektet, qofshin shpirtërore apo materiale.

Burri të jetë iniciator

Në kuadër të kodit islam të mirësjelljes, kërkohet që burri të ndërmarr i pari iniciativën e nxitjes së mirëkuptimit dhe respektit në jetën martesore: “Çoni jetë të mirë me to.” (Nisaë, 19)

Urtësia qëndron në atë se në shumë raste gratë janë ato që pësojnë nga superioriteti mashkullor, prandaj kërkohet, madje urdhërohet që të tregohen të mëshirshëm, të durueshëm e të jenë sa më të mirësjellshëm. Pra, bëhet fjalë që nëpërmjet mirësjelljeve të tij, të shuhet edhe ideja se burri duhet të sundojë, dhe fjala e tij të jetë ligj për gruan e vet.

Duke konsideruar se sot, gruaja po bën të pamundurën, madje po sakrifikon edhe dinjitetin e saj që ta gjejë vetveten në shoqëri, Islami jo vetëm që i siguroi pozitën e saj, por edhe e ngriti në një nivel me të lartë, duke e urdhëruar burrin të tregojë respekt dhe mirësjellje doemos.

Burri duhet të mos nxitojë

Po ashtu, kërkohet nga burri që të mos nxitojë në vendime, të jetë i durueshëm dhe të tregojë maturi. Në qoftë se ndodh ndonjë pakënaqësi (nëse arsye nuk është imoraliteti) burri duhet të mos thyejë zemrën e gruas se vet, por të hesht, sepse Krijuesi i zemrave mund të rimbjellë sërish dashuri në zemrat e tyre.

“Nëse i urreni ato, bëni durim pse ndodh që Allahu të japë shumë të mira në një send që ju e urreni.” (Nisaë, 4:19)

Ndërsa, kërkohet që burri të mos nxitojë, por të jetë i durueshëm, rekomandohet se durimi i tij shpërblehet me dhënien e shumë të mirave. Ky kod i mirësjelljes, mosnxitimi, i siguron gruas paqe nga zemërimi, për shkak të ndonjë pakënaqësie rasti nga burri.

Të çojë jetë të mirë me gruan e tij

T’i kthehemi sërish kodit kur’anor për mirësjelljen e burrit ndaj gruas. Po ta meditonim me vëmendje këtë porosi hyjnore: “Çoni jetë të mirë me to” do ta kuptonim se çdo përpjekje njerëzore për t’i siguruar gruas te drejta, do t’i nënshtrohej këtij citati i magjepsur.

Porosia “Çoni jetë të mirë me to” përfshinë çdo fushë që do të ndërlidhej me mbarëvajtjen e raportit të burrit me gruan e vet. Me fjalë të tjera, “Të çosh jetë të mirë me gruan” nënkuptohet mëshira, butësia, respekti, angazhim dhe vullnet të fuqishëm për te nxitur mirëkuptim, për të mënjanuar mosmarrëveshjet, e mbi të gjitha për të siguruar arritjen e qëllimeve të larta të jetës martesore.

Pra, burri u urdhërua i pari që të tregojë gatishmëri për të iniciuar jetë të mirë dhe të harmonizojë marrëdhëniet bashkëshortore me gruan e tij. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që gruaja gjithnjë duhet të pres iniciativa të tilla nga burri. Qëllimi i iniciativës nga burri ndaj gruas është që jeta martesore të mos jetë thjeshtë lidhje biologjike, por të arrihen qëllimet fisnike nga ajo lidhje. Po, edhe duke pasur parasysh natyrën e brishtë (më të dobët) të gruas, më së shumti kërkohet që burri të tregohet më i kujdesshëm dhe më punëtor në realizimin e harmonisë dhe të paqes brenda lidhjeve bashkëshortore.

Familja është zemra e shoqërisë, e nëse zemra është e sëmurë, rrjedhimisht tërë shoqëria infektohet me atë sëmundje. Kështu që kodi islam i mirësjelljes, për të parandaluar shembjen e lidhjeve midis çifteve, nxiti burrin, i cili edhe konsiderohet bërthama e familjes, që të marrë rolin e një kundërinfektuesit. Si më poshtë, kemi vënë në spikatje rekomandimet ndaj burrit në raport me gruan e tij për t’u bërë e arrirë harmonia dhe suksesi në jetën martesore:

Durim, butësi dhe përmbajtje

Sjellja e mirë dhe përmbajtja në hidhërim, në keqkuptim dhe në mosmarrëveshje është shprehje e mëshirës dhe cilësi e lartë prej besimtari, cilësi e pejgamberëve të Allahut xh.sh..

Në porosinë pejgamberike si më poshtë, do të shohim se si nxiten burri po edhe gruaja që të tregohen të përmbajtur e të durueshëm ndaj njëri-tjetrit:
“Kush i duron ndonjë sjelljeje jo të mirë të gruas së tij, ka për t’i dhuruar Allahu shpërblim sa i dha Ejubit pasi që e sprovoi.”

Po ashtu, në të njëjtën porosi, nxitet që edhe gruaja të tregohet e përmbajtur ndaj burrit të saj në raste zemërimi si shkak i ndonjë sjelljeje jo të mirë të burrit të saj:
“Dhe, kush i duron ndonjë sjelljeje jo të mirë të burrit të saj, ka për t’i dhuruar Allahu shpërblim sa i është dhënë Asijes, gruas së faraonit.”

Shpeshherë në Kur’an besimtaret janë të nxitur të durojnë dhe se durimi i tyre ka për t’u shpërblyer nga Allahu xh.sh..

“Nuk ka dyshim se për durimtarët e durimtaret… Allahu ka përgatitur falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh.” (Ahzabë, 35)

Të dy bashkëshortët janë të ballafaquar me probleme të natyrave të ndryshme, mirëpo edhe në këtë rast, burri duhet të tregohet më i kujdesshëm dhe më i përmbajtur. Në një thënie pejgamberike porositen burrat që të kenë mëshirë ndaj grave të tyre, pastaj për të njëjtën gjë ftohen edhe gratë, duke u thënë se që të dy do të kenë shpërblime të mëdha prej Allahut të Madhërishëm.

Sjellje e mirë apo moral i mirë me bashkëshorten nuk konsiderohet vetëm t’i bësh ndonjë të mirë, por të durosh ndaj të keqes apo të ndonjë gjëje të padëshirueshme. Shembull më i mirë për sjellje të mirë, vetëpërmbajtje dhe durim ndaj gruas kemi Muhammedin (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), ku transmetohet se i është drejtuar me fjalët e tij të buta gruas së tij Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Unë e di kur je e zemëruar dhe se kur je e lumtur.” Aishja ia kthen: Si e paske kuptuar? I përgjigjet Muhammedi (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!): “Kur je e lumtur, thua: Jo pasha Zotin e Muhammedit, ndërkaq kur je e zemëruar thua: Jo pasha Zotin e Ibrahimit.” Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ia kthen: Të vërtetën e the. Them ashtu (kur jam e zemëruar) se nuk dua ta them emrin tënd.” (Shënon Buhariu, 8/497)

Nga ky rast, shohim qartë butësinë dhe durimin e shembullit më të lart njerëzore, Muhammedin (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) si bashkëshort, ndaj gruas së tij.

Maturi dhe ekuilibrim

Që të dy bashkëshortët duhet të tregojnë maturi dhe ekuilibër në çdo gjë. Por, burri duhet të jetë ai që toleron më shumë, dhe që duhet të ndërtojë maturi dhe ekuilibër në familje. Maturia dhe ekuilibri duhet të manifestohen në shumë aspekte; qoftë në shpenzime, xhelozi po edhe në dashuri. Në shpenzime, si burri po ashtu edhe gruaja duhet të shpenzojnë me maturi dhe kujdes. Problemet materiale shpeshherë bëhen shkak për pakënaqësitë. Financat duhet ndrequr mirë. Për çdo gjë duhet konsultim dhe mirëkuptim. Në Islam çdo gjë e tepërt, ose stërngarkim, është e urryer, qoftë në punë apo në shpenzime etj.

“Pse Ai (Allahu) nuk i do ata që e teprojnë (shkapërderdhin).” (A’rafë, 31)

Pra, maturi dhe ekuilibër për çdo gjë. S’duhet ngurruar në pranimin e mendimit të njërit bashkëshort, qoftë në këtë rast burri apo gruaja. Në çdo rast, edhe në këso rastesh burri duhet treguar maturi dhe ekuilibër në shpenzime. Nëse gruaja kërkon të shpenzojë apo të blejë diçka, s’duhet pritur apo kthyer kjo me nervozizëm apo me mospërfillje. Duhet përdorur gjuhën e arsyes dhe butësinë.

Pse burri duhet të tregojë më shumë maturi dhe kujdes, po spikasim disa arsye:

Me gjithë përgjegjësitë që ka burri ndaj familjes, gruaja për nga natyra e saj është më e ngarkuar emocionalisht se sa burri;

Gruaja qoftë e integruar në shoqëri apo jo (amvise), më shpejt pushtohet nga lodhja dhe stresi;

Burri është në gjendje të përballojë çdo sfidë në çdo kohë, ndërsa gruas i duhet kohë të ambientohet me problemin;

Gruaja konsiderohet të jetë epiqendra e familjes, çdo parregullsi që mund t’i paraqitet, mund të çrregullohet e tërë familja;

Burri duke qenë se bartë përgjegjësinë më të madhe të përkujdesjes ndaj familjes, në sytë e gruas së tij është shtylla e shtëpisë, e në qoftë se kjo shtyllë lëkundet, e bën gruan të ndihet e pasigurt.

Këshillim dhe përkujdesje morale e fetare

“Feja është këshillë.”, kështu jemi porositur nga Muhammedi (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!). Në një thënie tjetër thotë: “S’ka turp (të pyesësh) në fe.”

Kjo s’do me thënë se të jesh i turpshëm, është karakter i keq, por do të thotë se nëse ke për qëllim të mësosh diçka, apo të sqarohesh për ndonjë gjë, në fe, s’është turp. Sepse, te jesh i turpshëm në Islam, është një ndër cilësitë e larta të një besimtari: “Turpi është gjysma e besimit.”

Për çdo gjë, bashkëshortët duhet këshilluar njëri tjetrin. Në këtë rast, burri nëse ka njohuri më shumë për fenë, duhet treguar gruas së tij, p.sh. kohën e pastrimit, rregullat dhe si duhet të veprojë. Ta mësojë në çështje të fesë. Siç thamë më sipër, gruaja është qeliza e familjes, prandaj kjo qelizë duhet edukuar sipas mësimeve të pastra islame. Por, duhet të ndodhë edhe e kundërta, nëse gruaja zotëron njohuri islame më shume, duhet këshilluar burrin e saj. Ky këshillim fetar, duhet të bëhet gradualisht, me urtësi, butësi dhe maturi.

Dhënia e dhuratave

Shkëmbimi i dhuratave ndërmjet bashkëshortëve është gjë e nevojshme dhe me rëndësi për të shprehur respektin dhe dashurinë. Këtë gjë është mirë ta bëjë i pari burri. Nuk është me rendësi vlera e dhuratës, mund të jetë një buqetë me lule, apo edhe ndonjë unazë etj. Një dhuratë modeste ndaj gruas, ia vulos buzëqeshjen në fytyrë. E gëzon. Në një mënyrë, kjo forcon edhe më shumë lidhjen martesore dhe shton më shumë ngrohtësinë mes tyre.

Një gjë të tillë duhet ta bëjë edhe gruaja ndaj burrit të saj. Dhurata më e mirë, që mund të marrë një burrë nga gruaja e tij, është që kur të kthehet në shtëpi të pritet me buzëqeshje.

Lozja dhe argëtimi

Në Islam njeriu trajtohet njeri, dhe si i tillë, ka nevoje për argëtim dhe lozje. Në veçanti, jeta bashkëshortore ka nevojë për më shumë hapësirë për argëtim dhe humor të mirë. Nëpërmjet humorit të mirë, lozjes e argëtimeve, harrohen probleme të parëndësishme e mënjanohen mosmarrëveshjet.

Kjo gjë, pra lozja e argëtimi, e bën edhe më të plotë kodin e disiplinës së jetës bashkëshortore. Një gjë të tillë e shohim edhe te jeta bashkëshortore e Muhammedit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!). Transmetohet se njëherë Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ia kishte kaluar në garë Muhammedit (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), mirëpo në një kohë tjetër, Muhammedi (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) arrin t’ia kalojë, dhe i thotë Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Të kalova (u barazuam) pasi që më kalove njëherë më parë.”

Ky ishte një shembull i hijes së lehtë që ka pasur Muhammedi (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) në raport me gruan e tij. Po ka shumë raste të tjera, që dëshmon se Islami në asnjë formë nuk lejon ashpërsinë dhe seriozitetin e tepruar e të vazhdueshëm. Për çdo gjë mesatarja.

Siç e pamë, Islami (në kohën kur femra konsiderohej e zeza e shoqërisë!) ndërtoi raportet midis burrit dhe gruas dhe çdo njërit ia dhuroi të drejtat dhe përgjegjësitë, duke mos i bërë padrejtësi asnjërës palë. Ata që bëjnë përpjekje të vazhdueshme për ta paraqitur Islamin si shtypës të gruas, ua përkujtojmë premtimin kur’anor:

“Ata duan ta shuajnë dritën e Allahut me gojët e tyre, po Allahu e plotëson (e përhap) dritën e vet, edhe pse e urrejnë jobesimtarët.” (Saff, 8)

Në Islam gjejmë një pozitë të kënaqshme të gruas, si në familje dhe në shoqëri. Atë e ngriti duke ia besuar edukimin e qenies më të ngritur, njeriun. E bëri nënë të njerëzimit. Prehje dhe epiqendër e familjes.

Në një citat kur’anor, Allahu i Madhërishëm thotë:

“O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat), e Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.” (Huxhuratë, 13)

Si burri po ashtu edhe gruaja janë të barabartë, por me detyra e përgjegjësi të ndryshme e të ndara. Përkundër kësaj barazie, burri është i thirrur që të jetë i kujdesshëm dhe i matur ndaj gruas, në të gjitha aspektet! I Dërguari (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), shembulli më i lartë i njerëzimit porosit burrat me fjalët:
“Kini frikë Allahun në trajtimin e grave.”

Po e përmbyll këtë shkrim, me një thënie, e cila dëshmon se çfarë rëndësie i është dhënë gruas, nënës, në Islam:
“Xheneti ndodhet nën këmbët e nënave.”

Categories

Archives