Saturday, 16/12/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Kirurgjia kozmetike

Kirurgjia kozmetike

agklinik-16Akademia Ndërkombëtare e Fikhut Islam

Vendimi nr. 173, 18/11

Asambleja e Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam, e dalë nga Organizata e Konferencës Islamike, e mbledhur në sesionin e saj të tetëmbëdhjetë në Buterxhaja (Malejzi), në datat 24-29/06/ 1428 h. 9-14 Korrik 2007, pasi mori në shqyrtim studimet e paraqitura në Akademi rreth kirurgjisë kozmetike dhe dispozitat që lidhen me të dhe dëgjoi diskutimet që bënë rreth temës, mori këtë vendim:

Së pari, përkufizimi i kirurgjisë kozmetike:

Kirurgji kozmetike (plastike, estetike) quhet kirurgjia që përdoret për zbukurimin (rregullimin) (e pamjes) e pjesëve të dukshme të trupit ose rikthimin e funksionit të tyre nëse ato dëmtohen.

Së dyti, rregullat dhe kriteret e përgjithshme që duhet të zbatohen gjatë operacioneve kozmetike:

  1. Duhet që operacioni të përmbushë një interes të pranuar nga këndvështrimi islam, siç është rikthimi i funksionit organik, rregullimi i defekteve dhe rikthimi i krijimit në gjendjen e tij normale.
  2. Operacioni nuk duhet të shkaktojë si pasojë një dëm më të madh sesa dobia që ai kërkon të përmbushë. Gjykim ky që jepet nga specialistët e besuar të fushës.
  3. Operacioni duhet të kryhet nga mjekë (mjeke) të specializuar dhe përgatitur në këtë fushë, në mos ata mbajnë përgjegjësi (siç është sqaruar kjo në vendimin 142, 8/15 të Akademisë).
  4. Operacioni duhet të kryhet me lejen e të sëmurit.
  5. Mjeku specialist duhet të ndërgjegjësoj pacientin, tek i cili do kryejë operacionin, për rreziqet dhe pasojat e sigurta dhe të mundshme, që vijnë nga ky operacion.
  6. Të mos ketë tjetër mënyrë për mjekim, që të jetë më pak e ndjeshme dhe e dhimbshme për trupin sesa operacioni.
  7. Të mos bihet ndesh me tekstet islame, siç është p.sh. fjala e Profetit (alejhi salatu ue selam): “Allahu e ka mallkuar atë që bën tatuazhe dhe atë që ia bënë, atë që heq vetullat dhe atë që ia heq, atë që i hap dhëmbët për zbukurim; ato që ndryshojnë krijimin e Allahut.” (Buhariu) dhe “Profeti mallkoi atë që vendos flokë (të huaja) dhe atë që ia bën këtë, atë që heq vetullat dhe atë që ia heq, atë që bën tatuazhe dhe atë që ia bënë; pa pasur ndonjë sëmundje.” (Ebu Daudi) Këtu përfshihen edhe ndalesa që Profeti (alejhi salatu ue selam) ka bërë që gratë të mos u ngjajnë burrave dhe as burrat grave, si dhe ndalesa për të mos ngjarë me popujt e tjerë dhe mëkatarët dhe njerëzit e pamorashëm.
  8. Të respektohen gjatë operacionit rregullat e mjekimit, siç është mos veçimi me seksin tjetër, rregullat e zbulimit të vendeve intime, etj. me përjashtim të rasteve të domosdoshme ose nevojave të mëdha.

Së treti: Dispozitat fetare:

  1. Lejohet sipas këndvështrimit islam të kryhen operacionet kozmetike të domosdoshme dhe të nevojshme, kur ato përfshijnë këto raste:

a)     Rikthim të pamjes së organit të trupit, në gjendjen në të cilën është krijuar, nisur nga fjala e Allahut të Lartësuar: “Në të vërtetë, Ne e krijuam njeriun në trajtën më të përkryer.” (Et-tin: 4)

b)     Rikthim të funksionit fillestar që ka pasur organi i dëmtuar i trupit.

c)     Rregullim të defekteve të lindura si p.sh.: çarje e buzës, shtrembërim i theksuar i hundës, nishane të stërmëdha, gishta ose dhëmbë të tepërt, gishta të bashkëngjitur; nëse ekzistenca e tyre ka pasoja të ndjeshme fizike ose jetësore.

d)     Rregullimi i defekteve të shkaktuara nga pasojat e djegieve, aksidenteve, sëmundjeve… etj, defekte këto që ndreqen nëpërmjet transplantimit të lëkurës, qepjes, rikthim të gjinjve në rastet kur janë hequr tërësisht ose pjesërisht, kur masa e tyre e madhe ose e vogël ka qenë në gjendje të sëmurë, transplantimi i flokëve kur kanë rënë, sidomos te gratë.

e)     Largimi i shëmtimit, nëse kjo bëhet shkak për vuajte fizike ose shpirtërore për personin.

  1. Nuk lejohen operacionet kozmetike zbukuruese, të cilat nuk hyjnë te trajtimet mjekësore dhe kanë si qëllim ndryshimin e krijesës normale të njeriut, duke u shkuar pas dëshirave ose imituar të tjerët, si p.sh. operacionet për ndryshimin e formës së fytyrës, për të pasur një pamje të caktuar, apo me qëllim fshehje të identitetit, për t’i ikur drejtësisë, ndryshimi i formës së hundës, zmadhimi apo zvogëlimi i buzëve, ndryshimi i modelit të syve, zmadhimi i faqeve…
  2. Lejohet pakësimi i peshës (dobësimi) me anë të mjeteve mjekësore të besueshme, mes tyre edhe operacioni (Liposuction, largimi i dhjamit), nëse mbipesha shkakton sëmundje dhe nuk ka mënyrë tjetër në këtë rast vetëm se nëpërmjet operacionit, me kusht që të ketë siguri mosdëmtimi.
  3. Nuk lejohet të zhduken rrudhat me anë të operacioneve apo injeksioneve, përderisa kjo nuk shkakton sëmundje, si dhe me kushtin që të ketë siguri nga pasojat dëmshme.
  4. Lejohet qepja e himenit (cipa e virgjërisë), nëse ajo është dëmtuar aksidentalisht, nga përdhunimi apo dhuna. Por, nuk lejohet fetarisht, që të qepet himeni që është hapur nga një marrëdhënie imoraliteti, sepse kjo i hap rrugën mashtrimit dhe prishjes morale. Përparësi në kryerjen e trajtimeve të lejuara më sipër u jepen grave mjeke.
  5. Mjeku specialist duhet t’i përmbahet rregullave morale fetare në praktikën e tij mjekësore dhe të jetë konsulent i sinqertë me ata që kërkojnë operacione kozmetike, sepse feja është sinqeritet.

Akademia sugjeron:

  1. Spitalet dhe klinikat e specializuara dhe mjekët që punojnë në to, duhet t’i përmbahen devocionit ndaj Zotit dhe të mos kryejnë operacione që nuk lejohen fetarisht.
  2. Mjekët dhe kirurgët duhet të informohen me dispozitat fetare, që kanë të bëjnë me praktikën mjekësore dhe në veçanti me kirurgjinë kozmetike dhe të mos bëhen peng vetëm e përfitimit material, pa u siguruar më parë për gjykimin fetar rreth rastit konkret, si dhe të mos reklamojnë praktika mjekësore që përmbajnë gjëra të pavërteta.

Allahu e di më së miri!

Burimi: lidhjahoxhallareve.com/l/kirurgjia-kozmetike/

Categories

Archives