Friday, 20/1/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Katërvjeçares i harrohet fasha në trup!


Katërvjeçares i harrohet fasha në trup!


vajza 4 vjecare

Vajza e vogël, K. Gashi, e lindur më 24.11.2009 në Prishtinë, në korrik të këtij viti ka kërkuar ndihmë pranë spitalit “Acibadem Sistina” në Shkup, për t’u operuar dhe për t’i larguar bajamet.

Pas trajtimit të marrë, vajza e kthyer në shtëpi ka ndjerë dhimbje dhe erë të keqe. Pasi është operuar në këtë spital, me datë 13.06.2013, vajza ka vazhduar trajtimin spitalor edhe për dy ditë e tri net të tjera, derisa është lëshuar për të vazhduar regjimin në shtëpi.

E tërë drama ka filluar ditën e nesërme, kur vajza e vogël nuk ka mundur të marrë as një lugë ushqim. Vajza ka pasur dhimbje dhe prindërit kanë insistuar për një kontroll tjetër në të njëjtin spital.

Ka qenë pikërisht kirurgu Aleksandar M. Lazarevski ai që ka kontrolluar pacienten dhe ka ardhur në përfundim se dhimbjet e tilla janë normale dhe se vajza duhet të vazhdojë me ushqim të tillë në mënyrë që t’i largojë dhimbjet. Në kushte të tilla, stafi i “Acibadem Sistina” ka nënshkruar fletëlëshimin për K. Gashi, duke e cilësuar operacionin si të përfunduar me sukses.

L. Gashi, nëna e vajzës, ka qenë personi i parë që nuk ka vërejtur përmirësim të gjendjes te pacientja K. Gashi, vajza e saj, prandaj ka kërkuar një tjetër kontroll nga mjekët e spitalit.

Pas spitalit, gjendja iu keqësua

“Prej ditës së nesërme kur ka ndodhur operacioni, filloi të keqësohet gjendja dhe vajza ka reaguar me mosngrënie ndërsa disponimi i saj ka filluar të bjerë i tëri. Gjatë gjithë kohës ajo ka dhënë shenjë për dhimbjet në fyt dhe përreth veshëve në momentin kur ne provonim ta ushqenim”, thotë për “Zërin” L. Gashi, nëna e pacientes.

Edhe pse ajo e ka raportuar rastin te doktori i operimit, ka qenë Lazarevski ai i cili ka insistuar se nuk ka asgjë jo të rregullt me vajzën dhe se ajo duhet të ushqehet edhe në mënyrë të dhunshme, për t’iu përmirësuar shëndeti. Dy prindërit e pacientes, L. Gashi dhe E. Gashi, janë kthyer në shtëpi dhe për dy javë të tëra kanë vazhduar të mos shohin rezultat përmirësimi te vajza e tyre.

Nëna e pacientes tregon se me t’u rikthyer në kontroll ka qenë Lazarevski personi i cili është parë me disponim jo të mirë, ka harruar se i ka caktuar kontroll palës dhe ka gjykuar dyshen se nuk janë përkujdesur sa duhet për fëmijën, prandaj edhe vajza ka vazhduar të ankohet.

Lazarevski ka provuar të eksperimentojë me shëndetin e vajzës kur ka marrë një gotë me ujë dhe e ka detyruar vajzën ta pijë, duke e frikësuar se në të kundërtën do ta ndalë në spital. Në të njëjtën kohë, përgjatë 15 ditëve të qëndrimit në shtëpi, vajza ka përjetuar tmerrin dhe ka marrë infuzion me rekomandimin e mjekut. “Kur u kthyem në shtëpi vajzës prapë i keqësohej gjendja.

Ajo nuk hante dhe dikur filloi t’i ndryshonte edhe ngjyra e lëkurës, filloi t’i zbehej dhe u detyruam që prej gjendjes së lodhshme që kishte t’i jepnim infuzion çdo ditë. Derisa ka marrë infuzion, vajza ka provuar të ushqehet por edhe është frikësuar prej kanillës, ndërsa ne kemi marrë “mësim” prej Lazarevskit duke provuar taktikën e ushqyeshmërisë përmes frikës.

Gjatë kësaj kohe, ne i kemi treguar me mesazhe telefonike doktorit për gjendjen e vajzës, ndërsa dy herë kemi provuar edhe ta kontaktojmë. Herën e parë ai ka qenë me pushime, ndërsa herën e dytë ai ka kthyer mesazh duke na rekomanduar që të vazhdojmë me infuzion.

Mesazhin për fat të keq nuk e posedojmë, por ka qenë mjaft i çuditshëm dhe kur të njëjtin ua kemi treguar mjekëve në Kosovë na kanë thënë se është kombinim totalisht i pavlerë sepse nuk përmban asnjë lloj vitamine, e cila do të shtonte oreksin e vajzës”, vazhdon L. Gashi.

Vajza filloi ta humbasë frymëmarrjen

Në mesnatën e 28 dhe 29 qershorit, K. Gashi ka pasur kollitje dhe më pas ka pasur të vjella. Prindërit kanë parë se vajza për disa çaste po e humb frymëmarrjen dhe babai i vajzës e ka ndihmuar vajzën duke e shtypur në bark për ta lehtësuar vjelljen. Pacientja e vogël ka vjellë diçka për të cilën fillimisht prindërit mendonin se është patate.

Ajo çka ka rezultuar ka qenë një vijë e kaltër e fashës të cilën ekipi i spitalit “Acibadem Sistina” e ka harruar në bajamen e tretë të vajzës. Këtu edhe është kuptuar se vajzës i është lënë mangë fasha në ditën e operimit, pasi i është vënë për të ndaluar gjakderdhjen në dy bajamet e para.

Për këto 15 ditë sa vajza ka pasur një fashë brenda trupit të saj, gjegjësisht hundës, pos dhimbjeve dhe erës së tmerrshme të fashës ajo ka humbur edhe disa kilogramë. E. Gashi, babai i saj, tregon se vajza para se të operohej kishte 16.5 kg, ndërsa kur e ka vjellë fashën ka mbetur në 14.300 kg.

Familja atë natë ka qenë shumë e shqetësuar, por pasi E. Gashi ka kontaktuar një prej shokëve të tij që punon në sektorin e otorinolaringologjisë, është qetësuar kur ka marrë vesh se problemi i vetëm ka qenë fasha dhe me vajzën çdo gjë do të jetë në rregull. Po atë natë, K. Gashi ka fjetur për herë të parë në mënyrë të rregullt dhe me gojë të mbyllur, për shkak të çlirimit të hundëve dhe organeve të frymëmarrjes.

Dy ditë më pas, babai i vajzës ka provuar të gjejë një e-mail elektronik kontaktues me stafin menaxhues të “Acibadem Sistina”, por kjo ka qenë e pamundur. Numri nuk i është dhënë as nga administrata e po ashtu ka munguar edhe në ueb-faqen e këtij spitali.

E-maili i parë i dërguar nga E. Gashi ka qenë me datë 2 korrik 2013 drejtuar një e-maili gjithëpërfshirës për stafin e këtij spitali ku është treguar për gjendjen e vajzës dhe hapat tjerë që familja ka dashur të ndërmarrë në lidhje me operimin e gabuar.

“Sa për t’iu informuar, fasha që vajza ka vjellë është me gjak dhe mban erën e një kafshe të vdekur. Ne jemi shumë të shqetësuar sepse ajo ka humbur 3 kilogramë. Bazuar në këtë, kërkoj takim me personat përgjegjës për të diskutuar rreth dëmeve që i janë shkaktuar vajzës sime dhe po ashtu jam i detyruar ta njoftoj edhe median”.

Kjo është vetëm një pjesë e letrës së parë që E. Gashi i ka dërguar spitalit në Maqedoni. Të njëjtën ditë pasi letra është pranuar nga spitali, E. Gashi ka marrë thirrje telefonike nga ndihmësdrejtori i spitalit, si dhe nga doktori i cili e ka kryer operimin.

Biseda, sipas Gashit, ka qenë normale, sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Nga ndihmësdrejtori Ljupco Stojkovski familjes i është kërkuar që të nesërmen ta vizitojnë spitalin dhe të bisedojnë më gjerësisht për rastin.

Gjatë takimit, Stojkovski ka marrë fashën dhe e ka fotografuar, më pas ka dashur të bindet nëse fasha i takon spitalit e madje edhe ka provuar ta asgjësojë duke e marrë për vete. E. Gashi thotë se këtë nuk e ka lejuar dhe ka dëshiruar që fashën ta mbajë si dëshmi.

Një shkrim tjetër i dobishëm  MPB- për 400 vende pune, konkurrojnë 5491 persona!

Fasha, si dëshmi

“Gjatë bisedës ne i kemi kërkuar Stojkovskit që të mos ndërmarrë asnjë masë ndaj doktor Lazarevskit sepse ai nuk ka qenë i vetëm në kryerjen e këtij operimi dhe ende asgjë nuk ishte e vërtetuar. Ne shprehëm dëshirë që ta lëmë rastin në ndërgjegjen e vetë spitalit, dhe t’i lëmë ata të mendojnë vetë për formën dhe mënyrën e dëmshpërblimit. Stojkovski tha se me këso lloj sjelljesh, ne si familje do të futemi edhe në broshurën e spitalit si klientë të mirësjellshëm dhe do të marrim dëmshpërblimin e merituar prej spitalit”, tregon E. Gashi.

Stojkovski ka shprehur dëshirën që në spital atë ditë të ishte edhe vajza e vogël, por Gashi thotë se ajo ka marrë trauma të mëdha nga ai vend, e bile edhe nga vetë mbiemri i doktorit. Ai kujton telefonatën e bërë nga Lazarevski dhe momentin kur ka përmendur mbiemrin e tij, e më pas vajza ka ikur për në dhomën tjetër të banesës dhe ka filluar të qajë.

Ndihmësdrejtori është konsultuar me familjen dhe ka shprehur vullnetin e tij për dëmshpërblim. Ajo që ka pasur ka qenë një shkëmbim letrash mes babait të pacientes dhe Stojkovskit.

E para letër ka ardhur nga ana e spitalit ku edhe është paraqitur një dëmshpërblim që konsiston në zbritjen 30 për qind për shërbimet mjekësore në spital për vajzën dhe dy prindërit, si dhe futjen në listën e personave të rëndësishëm, apo VIP.

“Pasi që ju keni zgjedhur të mos e implementoni marrëveshjen sipas së cilës biseduam, e ku u tha shumë qartë se do të marr dëmshpërblimin e merituar, as unë nuk do t’u qëndroj prapa fjalëve të mia. Ne si familje ndjejmë se sjellja jonë civilizuese ndaj jush është keqpërdorur prandaj refuzoj ofertën tuaj. Në rast se oferta financiare prej 15 mijë eurosh dëmshpërblim të cilën unë e kërkoj, dhe e cila korrespondon me dëmet dhe vuajtjen e shkaktuar ndaj familjes dhe K. Gashit nuk jepet deri më 8 korrik, do të më duhet të procedoj në Gjykatë”, ka vazhduar një pjesë e letrës që është kthyer nga E. Gashi drejtuar Stojkovskit.

E. Gashi ka ardhur në këtë përfundim pasi ka pranuar një letër prej avokatit të spitalit, i cili ka kërcënuar duke treguar për “fuqinë” e spitalit në Prishtinë dhe dëmet e mëdha që kjo çështje do t’i shkaktonte familjes në rast të procedimit në Gjykatë.

Në këtë pikë është formuar një komision brenda spitalit për ta verifikuar dëmin dhe atë çka realisht ka ndodhur, ndërsa vendimi se “gjithçka është kryer me rregull dhe nuk është gjetur asnjë vërejtje apo pengesë. Kërkesa juaj është negative dhe me kaq mbyllet komunikimi ynë”, ka ardhur pas një shkëmbimi letrash, ku çdoherë ka qenë i përfshirë edhe vetë doktori i operimit, Lazarevski, edhe pse ai asnjëherë nuk është përgjigjur.

Në këtë pikë është formuar një komision brenda spitalit për ta verifikuar dëmin dhe Komisioni ka qenë në përbërje të Panchevski Nicola- gjinekolog obstetrik, Ugrinovski Jovica – neurokirurg, Jekich Vladimir- otorinolaringolog, Krstevski Aleksandar- anesteziolog dhe kirurgu Nastov Nebojsha, dhe vendimi është lëshuar me datë 19.07.2013.

E. Gashi, drejtori i përgjithshëm i spitalit, drejtori klinik-asistent i menaxherit kryesor të përgjithshëm dhe Lazarevski janë katërshja e përfshirë në këtë shkëmbim e-mail-ësh elektronikë. L. Gashi, nëna e vajzës, thotë se nga vizita që vajza ka bërë te një specialist i ORL-së në Prishtinë dhe te një pediatër, është bindur
për gabimin e madh që kanë bërë në spitalin në Shkup.

“Sipas një pediatri që e kemi vizituar, ka mjaftuar prej doktorit që ka operuar ta kuptonte se vajzës i ka mbetur diçka brenda në momentin kur ne i kemi thënë se vajza po kundërmon aromë të pazakonshme nga goja. Ky pra ka qenë gabim i madh. Aroma ka qenë aq e keqe saqë edhe vetë vajza dikur filloi ta ndjejë erën dhe kjo reflektonte në nervozizëm tek ajo. Vajza për disa ditë në shtëpi ka qenë aq keq sa që as me ujë nuk është mjaftuar”, tregon L. Gashi.

Spitali ndihet i kërcënuar nga familja, nuk ka avokat në çështje

Gazeta “Zëri” ka kontaktuar edhe vetë spitalin në lidhje me rastin. Danka Jovanovska nga Departamenti i Marrëdhënieve me Publikun në “Acibadem Sistina” thotë se krejt çka është thënë mbi rastin K. Gashi tanimë gjendet në letrën e komisionit dhe nuk ka asgjë më shumë të diskutohet.

“Komisioni është i përbërë nga profesionistë, specialistë e ekspertë në fushën e mjekësisë dhe vendimi i tij ka rezultuar me atë se asnjë gabim mjekësor nuk është gjendur në rastin në fjalë. Nuk ka bazë për kthimin e asnjë dëmshpërblimi ndaj familjes, nëse një gjë e tillë po vazhdon të kërkohet”, thotë Jovanovska.

“Ne jemi të hapur për çdo kontakt, por pa presionin dhe kërcënimet e pabaza e që ndodhin në mënyrë të shpeshtuar nga familja”, vazhdon Jovanovska. Rastin në fjalë nuk ka pranuar ta marrë në dorë asnjë prej gjykatësve shqiptarë në Maqedoni, sado që E. Gashi, babai i K. Gashit ka kërkuar një gjë të tillë.

“Një avokat maqedonas më ka kërkuar 2 mijë e 500 euro avans për ta trajtuar çështjen, e për mua kjo shumë ishte e madhe sepse ai nuk më siguronte asgjë se si do të ecte procesi. Avokatët në Kosovë po ashtu më kanë refuzuar sepse, sipas tyre, nuk ka juridiksion mes dy vendeve dhe më thoshin se prej Kosovës një qytetar nuk mund ta paditë një organizatë apo spital në Maqedoni”, vazhdon E. Gashi.

“Po ashtu e kam kontaktuar edhe një avokat shqiptar që punon në Ambasadën e Amerikës në Maqedoni, i cili më ka prezantuar dy avokatë maqedonas dhe një shqiptar të cilët kanë licencë edhe në Kosovë. Kur e kam kontaktuar njërin, më ka ofruar bashkëpunim, por më ka thënë se 99 për qind çështja del e humbur për mua, për shkak se spitali do të fitonte duke u bazuar në dokumente e jo në fakte”, shton E. Gashi.

Tre anëtarëve të familjes nuk i janë paguar as shpenzimet e vajtje-ardhjeve për në Maqedoni, edhe pse një gjë e tillë, sipas Gashit, do të duhej të ndodhte.
Aktualisht, vajza është në gjendje të mirë shëndetësore dhe ka shtuar disa kilogramë e i është rregulluar edhe metabolizmi, derisa E. Gashi thotë se rastin me spitalin “Acibadem Sistina” dëshiron ta procedojë deri në fund.

“Për neve do të ishte shumë më e favorshme të merremi vesh me spitalin dhe ta mbyllim çështjen që as mos t’i dëmtojmë ata as veten dhe në një formë të ndahemi mirë. Ata duhet të na japin dëmshpërblimin financiar të cilin e patëm biseduar, kjo do të ishte thjesht mbështetje morale dhe asgjë më shumë”, tregon Gashi.

image_pdf

Categories

Archives