Friday, 20/10/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

A ka pendim për vrasësin?

A ka pendim për vrasësin?

pendim

– Dijetarët kanë qëndrime të ndryshme lidhur me faktin se a i pranohet pendimi vrasësit nëse pendohet apo jo.
Ibnu Abasi, Zejd ibn Thabitim Ebu Hurejra, Ebu Selemete bin Abdurrahmani, pastaj Katade, Dahaku dhe Hasani mendojnë se nuk ka pendim për atë vret me qellim.
Buhariu shënon nga Seid bin Xhubejri , i cili thotë: E pyeta Ibn Abbasin lidhur me këtë çështje , kurse ai më tha se ajeti: ” Kush e mbyt një besimtar me qellim, dënimi i tij është Xhehnemmi, në të cilin do të jetë përgjithmonë. Allahu është i hidhëruar ndaj tij, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur dënim të madh.” (En-Nisa: 93)
– Është prej ajeteve të fundit dhe nuk është shfuqizuar , çka do të thotë se nuk i pranohet pendimi. Gjithashtu këta argumentojnë edhe me hadithin :” Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Për secilin mëkat ka shpresë se Allahu do ta falë, përveç shirkut dhe vrasjes së besimtarit me qëllim.” (Ebu Davudi)
– Ndërsa shumica absolute e dijetarëve mendojnë se nëse vrasësi me qellim pendohet sinqerisht tek Allahu, Ai ia pranon pendimin dhe ia fal mëkatin, por kjo çështje është pak më e gjërë, kështu që kanë thënë: vrasesi me qëllim ka tre haqe ose tre obligime: hakun e Allahut, sepse e ka mbytur robin e Tij pa të drejtë ; pastaj hakun e familjës së të vdekurit, sepse ua ka vrarë të dashurin e tyre; dhe hakun e të vdekurit , sepse e ka vrarë pa të drejtë. E nëse pendohet , bie haku i Allahut xh.sh., pastaj nëse i dorëzohet familjes së të vdekurit dhe ata e marrin hakun e tyre duke e vrarë atë ose ai e paguan gjakun e tij, ose ia falin krejt gjakun, bie edhe haku i tyre. E pastaj mbetet haku i të vdekurit , ku shpresohet që Allahu edhe atë ka për t’ia falë apo ka për ta bindur të vdekurin në Ditën e Gjykimit për t’ia falur duke ia kompensuar atij me ndonjë të mirë të madhe.
Prej argumenteve që përmendin dijetarët janë : Fjala e Allahut të Lartësuar : ” S’ka dyshim se veprat e mira i shlyejnë ato të këqijat.” (Hud : 114)
Gjithashtu fjala e Allahut : “Ai është që pranon pendimin e robërve të Vet dhe shlyen të këqijat dhe e di çka punoni.” (Esh-Shura: 25)
Pastaj : ” S’ka dyshim se Allahu nuk fal (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë, shirkun) , e përpos këtij (mëkati) i fal kujt d (çka të dojë).” (En-Nisa: 48)
– Gjithashtu kemi hadithe të shumta që flasin lidhur me këtë , si vijon: Ubadete bin Samit r.a. transmeton se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: ” Unë ua marr besën që të mos i shoqëroni Allahut shok, të mos vidhni, të mos bëni imoralitet, të mos i vrisni fëmijet tuaj, të mos shpifni duke trilluar me qellim gënjeshtër dhe të mos më kundërhtoni në asnjë çështje (të fesë). Kush e mban besen e tij, shpërblimi i tij është tek Allahu. Ndërsa ai që shkel ndonjë prej këtyre dhe merr dënimin e merituar në dynja, ai dënim është falje e gjynahut dhe pastrimit për të. Ndërsa atë që Allahu e mbulon (dhe nuk i zbulohet gjynahu në këtë botë), çështja e tij është tek Allahu; nëse do e dënon dhe nëse do, ia fal.” (Buhariu, Muslimi)
– Gjithashtu hadithi i Ebu Seid El-Hudriut r.a. se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë : “Ka qenë një burrë nga Beni Israilët, i cili kishte vrarë 99 vetë dhe doli të pyesë (nëse mund t’i pranohej pendimi apo jo). Ai shkoi tek një murg dhe e pyeti nëse mund t’i pranohej pendimi. Murgu i tha që jo, kështu që e vrau murgun dhe vazhdoi të pyes (nëse mund t’i pranohej pendimi apo jo), derisa dikush e udhëzon të shkonte në një fshat të caktuar (ku është një njeri i ditur dhe pyete atë). Rrugës (për tek ai fshat) e kapi vdekja. Ndërsa ishte duke dhënë shpirtë , ai e ktheu gjoksin drejt fshatit (ku shpresonte se do t’i pranohej pendimi). Atëherë melekët e mëshirës dhe melekët e ndëshkimit u grindën për të (se kush duhet t’ia merrte shpirtin). Allahu e urdhëroi fshatin e mbërritjes që të afrohej dhe e urdhëroj melekët: “Mateni lergësinë midis trupit të tij dhe dy fshatrave.” Atëherë u pa se trupi ishte një pellëmb më afër fshatit të mbërritjes , kështu që Allahu e fali atë.” (Buhariu)
– Tregohet se njëherë një njeri vjen tek Abdullah ibn Abbasi dhe e pyet: – Për vrasësin e ka pendim? – Po, përgjigjet ai. Pas një periudhe , vjen një person i dytë dhe e pyet: – A ka pendim për vrasësin? – Jo, i përgjigjet. Nxënësit të habitur nga përgjigjja e Ibn Abbasit i thonë: – Erdhen dy njerëz , të cilët të bënë të njjtën pyetje dhe njërit iu përgjigje me po dhe tjetrit me jo. Si është e mundur?- Është e vërtetë , u përgjigj.- Personi i parë që erdhi e kishte kryer krimin dhe unë prandaj i dhashë përgjigje pozitive, ndërsa personi i dytë akoma nuk e kishte kryer krimin dhe prandaj i thashë jo, që të mos shkonte dhe ta kryente krimin.”
– Derisa muslimanët ia kanë frikën Allahut, ata nuk e shtrijnë dorën për të vrarë vëllanë e tyre. Për këtë arsye Pejgamberis.a.v.s. thotë : ” Bëhu i biri i vrarë i Ademit dhe mos u bëj biri vrasës.” (Ahmedi)
– Më mirë të jesh i vrarë sesa vrasës, mos derdh gjak, mos e humb mëshirën e Allahut, mos e humb xhennetin e Tij.
– Allahu na ruajtë prej mëkateve të mëdha e të vogla. Allahu na ruajtë prej krimit më të madh ne dhe të gjithë muslimanëve..!

Një shkrim tjetër i dobishëm  Shpjegimin e ëndërave mund ta bëjnë këto njerëz

Shkëputje nga libri : Shtatë mëkatet shkatërruese
Autori : Dr. Shefqet Krasniqi
E Shkruajti : B.Hyseni – 26.02.2013

Categories

Archives