Sunday, 22/10/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame
Tirana
0C

Jeta pas pendimit

Jeta pas pendimit

Me emrin e Allahut të Gjithëmëshirshmit. Elhamdulilah, Allahun e falënderoj që na njoftoi nëpërmjet Vulës së Profecisë, se një nga emrat e Tij është Tevab (Pranuesi i pendimit), që mbi të gjitha të inspiron faktin, se kemi të bëjmë me një atribut të Zotit, me të cilin kanë të bëjnë besimtarët muslimanë, Një Zot, i cili është Pranim-pendues, që do të thotë se vazhdimisht do të kemi të bëjmë me fajtorë, gjynahqarë, mëkatarë dhe se vazhdimisht do ta gjejmë Zotin, i Cili na fal, na mëshiron dhe pendimin e pranon përherë.

pse nuk pendohesh

Herët, shumë herët në kohë kur Zoti e krijoi nga balta njeriun e parë Ademin në nderim të Tij, dhe si adhurim ndaj Krijuesit për këtë krijesë të bukur, të veçantë dhe të ekuilibruar u urdhëruan krijesa më të mira t’i përulen. Të gjithë u përulën përveç njërit, që ishte vetë Djalli/Shejtani dhe që të gjithë sjellim ndërmend përbetimin e tij, se “Pasha Zotin s’do t’i ndahem “këtij” sa të ketë shpirt në trup”. I Gjithëpushtetshmi, i Gjithëmëshirshmi betohet në Madhërinë tij duke thënë, se do t’i fal derisa më kërkojnë falje derisa tek unë Zoti i tyre, pendohen.

Zoti në konceptin e doktrinës Islame është një Zot me të Cilin mund të komunikosh direkt dhe t’i flasësh pa pasur nevojën e dikujt, “oborrtari” apo ndërmjetësi që të të fusë tek Ai e t’i rrëfehesh. Jo, jo dera e Tij është e hapur dhe Ai në çdo moment ty po të pret, dhe të jesh i sigurt, se do ta gëzosh Atë jashtë mase, dhe do të jetë më se i kënaqur me këtë ndërmarrje tënden. Në Kuran Ai neve na drejtohet kur thotë: “Nëse të pyesin ty, o Muhamed, për Mua, Unë jam afër jush, pranë jush”. Gjithashtu kur thotë: “O robërit e mi, ju që i keni humbur shpresat nga mëshira e Allahut, mos i hiqni shpresat nga mëshira e Allahut”, po pse? Sepse “Allahu nuk le gjynah pa falur”.

Diku na njofton, se fal edhe politeizmin, paganizmin, idhujtarinë, që janë dhe mëkatet më të rënda, po kështu na njofton se fal imoralitetin, zullumin, dhe… dhe… dhe… dhe pafundësisht, sado që të jenë të shumta dhe të mëdha gjynahet, ato nuk mund të barazohen me këtë cilësi dhe atribut të të madhit Zot, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit, që është Pranuesi i pendimit. Mendoj se një fakt është shumë i rëndësishëm për t’u ditur, sepse njerëzit në institucionin e pendimit janë dy ekstreme dhe të mesmit. Ekstremi i parë, janë ata që nuk pendohen dhe vazhdojnë të mëkatojnë, se Zoti fal dhe është i mëshirshëm, dhe harrojnë se që Zoti të të falë duhet t’ia kërkosh këtë dhe të ndjesh keqardhje, jo të kënaqesh e të ndjehesh mirë dhe të shpresosh tek mëshira dhe falja pa e kërkuar mëshirën dhe faljen. Ekstremi dytë, janë ata që thanë: po Zoti s’të fal po e dite… Zoti të fal atëherë kur ti nuk e di, ose që thonë Zoti ta fal një herë po jo përherë e si pasojë s’kthehen më te Zoti që t’i pendohen Atij me sinqeritet.

Te të dy ekstremet vërejmë mos-pendimin dhe mos-kthimin tek Allahu dhe mos-njohjen ashtu siç duhet të Zotit, apo të doktrinës Islame në përgjithësi dhe institucionit të pendimit në veçanti, të cilin po e trajtojmë në këtë shkrim të shkurtër. Prandaj me të drejtë thuhet në Suren Bekare, se mëkatarët janë injorantë që të mos tingëllojë keq të paditur, të panjohur me të drejtën dhe të vërtetën dhe të Vërtetin në momentin kur mëkatojnë dhe super-injorantë kur s’dinë që t’i thonë Zotit: na fal dhe na mëshiro.

Herë pas here Allahu na jep shembuj të pendimit në Kuran që të mësojmë të pendohemi dhe se s’ka mëkat të pafalshëm përderisa je gjallë. Ekstremi i rasteve, ose shembujve, nëse do të na lejohej ta quanim kështu ishte mëkati i babait të njerëzimit Ademit bashkë me nënën e njerëzimit Havanë, që mëkatuan në parajsë pasi u mashtruan prej Shejtanit/Djallit e megjithatë Zoti në momentin që u penduan na njofton, se ua pranoi pendimin dhe i fali pasi i zbriti në tokë dhe nuk ua la njollën e mëkatit mbi shpinë, që ta mbartnin më vonë pasuesit e tyre e që si pasojë të vinte një qengj i jashtëzakonshëm e të bëhej kurban për të gjithë mëkatet e njerëzve, lexo gjithmonë sipas besimit Islam. Interesant është fakti që Zoti ynë Allahu zgjodhi për hallkën e fundit të profecisë në tokë Muhamedin sal-lallahu alejhi ue selem, një titull shumë interesant, Nebiju teubeh-Profeti i pendimit, titull ky që në vetvete mbart disa kuptime, nëse e pason atë automatikisht konsiderohesh i penduar, me pasimin e tij mëson sesi të pendohesh, se pendimi është virtyt specifik i vulës së profetëve në tokë dhe i pasuesve te tij. Ibën Kajimi thotë: “Pendimi është fillimi i rrugës për te Zoti, mesi dhe fundi, mbyllja. Diku tjetër shkencëtarët muslimanë i kanë vënë një titull tjetër uadhifetul-umur, detyra e jetës. Kjo do të thotë pra, se jeta sikur s’ka kuptim, nëse nuk ka në të edhe pendim të vazhdueshëm, të përhershëm, ashtu siç është dhe vetë natyra e njeriut faji i përhershëm.

Teologët e mëdhenj muslimanë i rendisin bukur të ashtuquajturat kriteret e një pendimi të pranuar, që janë: 1. Sinqeriteti, 2. Keqardhja, 3. heqja dorë, 4. Dëshira për të mos iu kthyer, 5. në afatin e duhur, 6. (dhe kjo ka të bëjë me njerëzit) të kthesh të drejtat e tyre nëse është e mundur.

Një shkrim tjetër i dobishëm  Pesë zbukurohen me pesë

Pas pendimit.

Jeta pas pendimit ecën mes dy koncepteve, ai i frikërespektit dhe shpresës të udhëhequra nga dashuria për Atë, që të orientoi deri në këtë hap, sa të duhur po edhe me vend. I penduari duhet t’i përjetojë patjetër këto momente dhe se sa më shumë t’i përjetojë, aq edhe më shumë do të ketë efekt pendimi i tij për të ndryshuar jetën në një jetë më të mirë.

1. Falënderues ndaj Allahut për këtë mirësi, sepse premtimi është: “Nëse falënderoni Unë, Zoti do t’jua shtoj mirësitë e mia ndaj jush”, dhe më pas të lutet që t’i japë Zoti qëndrueshmëri në të. Meditimi i përhershëm në gjendjen e atyre që janë të privuar nga ky hap i rëndësishëm i suksesit në jetë.

2. Sinqeriteti me Allahun, si mënyra më e mirë për t’i ruajtur dhe vazhduar marrëdhëniet me Krijuesin dhe mos të harrojë së sjelli ndërmend, se pak me sinqeritet është shumë, ndërsa shumë pa sinqeritet është pak.

3. Sill në mendje vazhdimisht se përsëri me të njëjtin Zot ke të bësh, me Atë që kishe të bëje para se të pendoheshe.

4. Lutjet duhet të jenë të pandërprera, sepse është pikërisht energjia me të cilën furnizohet dhe ndriçohet shpirti dhe zemra.

5. Dhikri, përmendja e Allahut është ushqimi pa të cilin shpirti vyshket dhe shpresa thahet.

6. Kujdesi ndaj namazit, sepse ai në natyrën e vet është një lloj pendimi dhe fshirës i mëkateve, lidhje direkt me Zotin, që të bën më të ndjeshëm dhe sensibël ndaj ambientit që të rrethon.

7. Marrja e abdesit mirë dhe rregullisht, sepse ai është pastrues fizik dhe metafizik.

8. Sadakaja, lëmosha e cila shuan hidhërimin e të Gjithëmëshirshmit, siç shuan uji prushin e zjarrit.

9. Shoqëria e mirë dhe e përzgjedhur, edhe nga mesi i besimtarëve me përzgjedhje punohet.

Nëse pas pendimit…

Nëse mëkatoj pasi jam penduar d.m.th., se unë “s’bëhem më”. Pendimi dhe procedura islame e të penduarit nuk do të thotë domosdoshmërisht i pamëkate pas saj, jo. Atëherë cili është pendimi i suksesshëm? Është ai lloj pendimi që të bën të ndjeshëm. Kur e pyetën njërin prej burrave të moçëm, si i bëhet me njeriun që mëkaton dhe pendohet përsëri, mëkaton dhe pendohet, a i pranohet atij kjo gjë, ose më mirë kjo sjellje; ai u përgjigj duke thënë me këtë deshi Shejtani që t’ju bëjë pesimistë. I dashuri i Allahut Muhamedi alejhi salatu ue selam na njofton se: “Nëse njeriu e bën një gjynah dhe ndjen keqardhje për këtë, dhe i drejtohet Allahut duke u lutur dhe i thotë: “O Allah, o Zoti im, unë mëkatova dhe jam i ndërgjegjshëm, që s’më fal askush tjetër përveç Teje: “O Zoti im, më fal Ti mua.” Zoti në atë moment flet dhe thotë: “Robi im e di se s’ka Zot që mund ta falë përveç meje, kështu që do ta fal robin Tim. Nëse njeriu e përsërit përsëri, Zoti e përsërit e nëse ai e përsërit përsëri dhe Zoti e përsërit përsëri dhe nëse e përsërit e kështu me radhë derisa Zoti të thotë: “Robi im le të bëjë ç’të dojë, se unë prapë do ta fal.”

Logjikisht kjo është më se e pranueshme, se sado që të mëkatojë njeriu mëshira e Allahut është më e madhe se mëkatet e tij. Fëmija e pyet të atin:

– Babë, a ka diçka që është më e madhe shumë, se rëra e shkretëtirës?

– Po, uji i detit.

– Diçka më shumë se uji i detit?

– Yjet në qiell.

– Më shumë se kaq?

– Bota e engjëjve.

– Më shumë se kaq?

– Gjynahet e babait tënd.

– Po më shumë se kaq?

– Eh, more bir, mëshira e Zotit tënd…- dhe lotët i rridhnin nga sytë e tij të lodhur dhe të strukur në guaskën e mendimeve dhe të meditimit.

Allahu kur flet për trashëgimtarët e Tokës së premtuar (Xhenetit), asnjëherë s’ka thënë se është kusht i domosdoshëm të qenit pa mëkate, ose mos-rënia në gjynahe ka thënë: “Ata që vazhdimisht pendohen te Zoti”, nëse do të ishin të pamëkate s’kishin pse të pendoheshin kaq shumë. Madje Zoti kështu e bëri njeriun mëkatar dhe fajtor, dhe do që ai të pendohet vazhdimisht. Profeti i Islamit, alejhi salatu ue selam thotë: “Të gjithë bijtë e Ademit (njerëzit) janë të fajshëm dhe më i miri ndër të fajshmit është ai që pendohet”.

Do të doja ta mbyllja këtë temë me dy gjëra të rëndësishme, e para ka të bëjë me faktin se s’ka mëkat të pafalshëm sa je gjallë; e dyta, se çdo vepër e mirë fshin mëkatet dhe gjynahet, duke e ilustruar me dy shembuj, i pari, rasti i Ebu Sufjanit radijAllahu anhu, i cili dy-tre herë tentoi dhe ishte shkaku që të ndizeshin luftërat mes muslimanëve dhe paganëve mekas, megjithatë kur u pendua, atij iu pranua pendimi. Rasti i dytë, një djalosh vjen pasi ishte falur namazi i mbrëmjes te Profeti i Zotit dhe i turpëruar i drejtohet: “Unë kam mëkatuar!”. Përgjigja e Profetit të pendimit siç e thamë më lart ishte: “A nuk u fale me ne?”, dhe e përforcoi fjalën e tij me ajetin kuranor: “Inel hasenati judhibnesejjiati- Veprat e mira i fshijnë gjynahet”.

O Allah, o Zot i gjithësisë, o i Gjithëmëshirshëm Mëshirues, o Ti që je Pendim-pranues, të lutemi Ty të jemi të suksesshëm e që përherë te Ti të përgjërohemi me pendim e Ti siç e ke zakon të na japësh me bujarinë Tënde Pranimin e pendimit, O Më i miri që mund t’i lutemi dhe më i Merituari. AMIN

Përshtati: Ahmed Kalaja.

Tags:

Categories

Archives