Tuesday, 23/10/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Ja frytet e respektimit të prindërve



Ja frytet e respektimit të prindërve

Ngjarje e vërtetë lidhur me frytet e respektit ndaj prindërve.

Një burrë trokiti në derën e një njeriu të shtyrë në moshë. Me të dëgjuar trokitjen, doli djali i të moshuarit, një djalë njëzet vjeç, për të parë se kush ishte. E hapi derën dhe njeriu pa e përshëndetur fare u drejtua drejt burrit të shtyrë në moshë, e kapi për jake dhe i tha: “Kije frikë Allahun dhe ma kthe borxhin. Të kam pritur shumë dhe durimi më ka humbur. ǒmendon, si do të veproj me ty?”

Në këtë rast ndërhyri djali, kurse në sytë e tij rridhnin lotët kur e pa prindin në këtë situatë. Iu drejtua njeriut: -Sa është borxhi i babait tim? Njeriu iu përgjigj: -Më tepër se nëntëdhjetë mijë rialë. Djali i tha: -Lëre prindin tim dhe prit një moment. Djali shkoi në dhomën e tij për të marrë të hollat, vlera e të cilave arrinte në njëzet e shtatë mijë rialë, të holla të cilat djali i kursente nga rroga e tij. Këto të holla ai i kishte mbledhur dhe pritur shumë gjatë për ditën e martesës së tij. Mirëpo djali deshi që prindi të dilte nga kjo vështirësi dhe nga ky borxh. Shkoi në dollapin e rrobave, i mori të hollat dhe i tha burrit: -Kjo është një pjesë e borxhit të babait tim, njëzet e shtatë mijë rialë, ndërsa pjesën tjetër do ta kthej në një të ardhme të afërt. Me këtë rast, prindi i djalit filloi të qajë dhe kërkoi nga njeriu që ato të holla t’i kthejë djalit, ngase ai ka nevojë për to dhe se djali nuk ka kurrfarë mëkati në këtë.

Burri refuzoi t’ia kthejë të hollat djalit, edhe pse djali me këmbëngulje insistoi që burri t’i merrte të hollat. E përcolli njeriun dhe i tha që tani nuk kishte punë me prindin, por me të. Djali u kthye te prindi, e puthi në ballë dhe i tha: “O babai im, autoriteti yt dhe pozita jote është shumë më e lartë sesa kjo vlerë të hollash. Unë nuk mund ta përballoj këtë situatë. Nuk dua të shoh asnjë pikë loti të derdhet në mjekrën tënde të pastër. Babai e përqafoi fort djalin dhe filluan t’i dalin lotët duke u lutur për të: “O biri im, Allahu qoftë i kënaqur me ty! Allahu të dhëntë sukses dhe të realizoftë ambiciet e tua!

Të nesërmen derisa djali ishte i zënë me punën e tij, kur i erdhi për vizitë një shok, me të cilin nuk ishte takuar për një kohë të gjatë. Pas një bisede të rëndomtë, shoku i tha se dje kishte qenë me një afarist të madh, i cili i kishte kërkuar që t’i gjente një njeri besnik, të sinqertë, të moralshëm, ambicioz dhe që është i aftë të menaxhojë me sukses punën. Unë nuk kam gjetur person që e njoh e që i plotëson këto kushte përveç teje. Si thua, të japësh dorëheqje nga kjo punë e të pranosh punën e re menjëherë e të shkojmë të takohemi me të këtë mbrëmje?
Shenjat e gëzimit vëreheshin në fytyrën e djalit dhe tha me vete se kjo ishte lutja e prindit për mua dhe Allahu e pranoi atë. E falënderoi Allahun shumë dhe në mbrëmje u takuan me tregtarin. Sapo e pa djalin, u gëzua dhe tha se po kërkonte një njeri si ai.





E pyeti sa e kishte rrogën dhe djaloshi i tha se merrte 4970 rialë. Tregtari i tha: -Që nesër shko dhe kërko dorëheqje nga puna e vjetër, ndërsa rroga do të jetë 15000 rialë, përqindja e fitimit 10%, tri rroga do t’i kesh në vend të banesës, një makinë të re, rrogë për gjashtë muaj në mënyrë që t’i rregullosh gjendjen dhe punët e tua. Djali me të dëgjuar këtë lajm nisi të qajë me të madhe duke i thënë se e pranonte punën. Tregtari e pyeti për shkakun e të qarit dhe djaloshi i rrëfeu çka i ndodhi para dy ditësh. Atëherë, tregtari urdhëroi menjëherë që borxhi i prindit t’i shlyhet.

Kjo pa dyshim që është fryt dhe rezultat i respektit të prindërve, zgjidhje e telasheve të muslimanëve dhe shlyerje e borxheve të tyre. Respektimi i prindërve konsiderohet prej veprave më të vlefshme. Allahu i Lartësuar, kënaqësinë e Tij e ka shoqëruar me kënaqësinë e tyre. Ai thotë: “Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti.” (Isra, 23)

Allahun e lus të na mundësojë respektimin e prindërve dhe të na përforcojë në këtë. O Allahu im! Mëshiroji ata të dy, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!”