Tuesday, 22/8/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Inteligjenca emocionale

Inteligjenca emocionale

Inteligjenca emocionale

Kohët e fundit, janë publikuar një sërë librash dhe studimesh që flasin për një lloj tjetër inteligjence, e cila njihet me emrin “Inteligjenca emocionale”.

Besohet se kjo inteligjencë, është përcaktuese e 80% të mundësisë së suksesit apo dështimit të njeriut në jetë, ndërkohë që inteligjencës tradicionale i mbetet më pak se 20%.
Por çfarë është inteligjenca emocionale?
Kjo inteligjencë mund të përkufizohet dhe kuptohet nëpërmjet pesë aftësive të ndryshme:
1. Aftësia e personit për të njohur dhe kuptuar emocionet e veta gjatë aktivizimit të tyre, perceptimin e shkaqeve dhe kuptimin e dimensioneve të tyre kur janë të qeta dhe të luhatura. Njerëzit që i kuptojnë më shumë emocionet e tyre dhe që janë të bindur se i kanë kuptuar në mënyrën e shëndetshme, kanë më shumë mundësi për ta menaxhuar jetën e tyre dhe kanë më shumë besim në vendimet e tyre personale.
2. Aftësia për të kontrolluar emocionet e veta. Kjo aftësi nuk fitohet, veçse pasi të jetë përmbushur aftësia e sipërpërmendur. Njerëzit që janë më të aftë ti kontrollojnë emocionet e tyre, janë më të aftë edhe në aftësinë për tu ngritur pas rrëzimit, si dhe kapërcimit të elementëve demoralizues dhe dekurajues.
3. Aftësia për tu vetë-motivuar për punë për arritjen e suksesit, kontrollit të instinkteve dhe pasioneve, preferencës së punës ndaj rehatisë, aftësia për tu integruar në punë dhe për tu shkrirë me punën me të gjithë emocionet dhe ndjenjat.
4. Aftësia për të vërejtur, kuptuar dhe perceptuar ndjenjat dhe emocionet tek të tjerët. Njerëzit me aftësi të larta në këtë fushë, janë në gjendje ti vënë re dhe ti kapin ndryshimet sociale të njerëzve që i rrethojnë, shto dhe kuptimin e nevojave të tyre psikologjike. Për këtë, ata janë më të aftë sesa shumë të tjerë në komunikimin dhe kontaktin me njerëzit.
5. Aftësia për ti ruajtur dhe kontrolluar marrëdhëniet personale. Kjo aftësi përcakton popullaritetin e njeriut dhe nivelin e pranimit nga njerëzit, si dhe aftësinë për të qenë lidership dhe udhëheqës.
Ajo që është shumë e rrezikshme, është se shumë prindër nuk e dinë se këto pesë aftësi që lartpërmendëm, formohen në vitet e para të jetës së fëmijës. Aftësitë që nuk fitohen gjatë këtyre viteve, është vështirë të fitohen më vonë.
Sipas mjedisit që rrethon fëmijën dhe sipas komunikimit me të gjatë viteve të para të jetës, aktivizohen vatra të caktuara në trurin e tij dhe përcillen ngarkesa nervore të cilat çojnë në formimin e pjesës përgjegjëse të trurit rreth inteligjencës emocionale.
Sipas studimeve shkencore, tërësia e reaksioneve dhe emocioneve që përjeton fëmija në vitet e tij të para, hedhin bazat e një sërë mësimesh dhe përvojash emocionale të cilat mbeten në referencë stabile gjatë gjithë jetës për komunikimin me mjedisin dhe njerëzit përreth. Kur njeriu merr një ngacmim të caktuar, reagimi i tij është pasqyrim i këtyre përvojave të regjistruara, reagim i cili e lë pa fjalë dhe vetë personin. Kjo, në psikologji quhet rrëmbim i mendjes.
Truri, nuk bën vetëm ruajtjen e informacionit dhe përcaktimin e aftësisë analitike të fëmijës në të ardhmen, por ruan edhe ndjenjat dhe emocionet në një pjesë të tij që quhet Amygdala.
Xhozef Ledoks ka qenë ndër të parët që zbuloi rolin e madh të Amygdala në formimin e sjelljeve të trurit. Ai thotë se kjo gjëndër kontrollon sjelljet tona ndërkohë që vetëdija jonë mendon rreth vendimit të duhur. Gjëndra në fjalë formohet gjatë fazave të hershme të zhvillimit të embrionit. Aktiviteti i saj është më shumë i ngjashëm me kamerën e cila regjistron gjithçka që shohin sytë, duke e ruajtur për të formuar referencën psikologjike të foshnjës.
Psikologët thonë se vëmendja dhe kujdesi në pesë vitet e para të jetës, formon një fëmijë të pjekur në pjesën tjetër në të ardhmen.
Shoqëritë e privuara nga shkenca dhe dijet, e shohin fëmijën si një injorant që s’kupton dhe nuk ia ka haberin për asgjë, ndërkohë që fëmija kupton me mijëra fjalë para se të mbushë pesë vjeç.
Njerëzit që kanë ndikimin më të madh tek fëmija janë pikërisht dy prindërit e tij. Ata përbëjnë pasqyrën dhe dritaren e fëmijës për të parë dhe njohur botën. Nëse prindërit ia mbyllin dritaren, fëmija nuk sheh nga kjo botë përveç mureve dhe errësirës, e cila mund të vazhdojë gjithë jetën.
Në Amerikë dhe në shumë vende të tjera, janë hartuar programe specifike për fëmijët nga gjashtë muaj gjer pesë vjeç. Këto programe përfshijnë aktivitete nga më të ndryshmet të mirë studiuara, për zhvillimin e shqisave të fëmijës, aftësive të tyre emocionale, psikologjike dhe sociale. Pjesëmarrja e prindit në lojërat dhe aktivitetet e fëmijës, i forcon marrëdhëniet mes dy palëve.
Është për të ardhur keq që ta imitojmë perëndimin në shumicën e gjërave negative, duke lënë mënjanë gjërat pozitive. Është shumë e rëndësishme të kuptojmë se dija dhe urtësia, janë “malli” i humbur i besimtarit, kudo që ta gjejë, ai është më i meritueshëm për të.
Kemi shumë nevojë të ndërtojmë koncept të saktë për familjen, ku fëmijëve tu ofrohet komunikimi optimal nga ana e prindërve, sidomos në vitet e para të jetës, të cilat janë vite të çmuara dhe që nuk kompensohen.
Fëmijët tanë, i përngjajnë tokës pjellore që kemi në pronësi, atë që mbjellim sot, do e korrim ne dhe shoqëria jonë nesër. Ne jemi përgjegjës për atë që mbjellim dhe kultivojmë tek fëmijët tanë, prandaj duhet të kemi frikë Zotin në këtë çështje.

Një shkrim tjetër i dobishëm  PLANIFIKIMET E NJERËZVE DHE CAKTIMET E ALLAHUT

Dr Velid Fetihij

Përktheu: Elmaz Fida

Tags:

Categories

Archives