Thursday, 20/9/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame
Tirana
0C

Indikatori i Tipave të Personalitetit sipas Myers dhe Briggs (MBTI®) dhe roli i tij në avancimin e efektshmërisë njerëzore nën dritën e objektivave të Ligjit Islam



Indikatori i Tipave të Personalitetit sipas Myers dhe Briggs (MBTI®) dhe roli i tij në avancimin e efektshmërisë njerëzore nën dritën e objektivave të Ligjit Islam

Abstract

The Myers & Brigss Type Indicator (MBTI®) and its role in the advance of human effectiveness in the light of the Objectives of Islamic Law

The Myers-Briggs Type Indicator Instrument (MBTI) is the most-widely used instrument in the world for the understanding normal personality differences. The essence of the theory is that much seemingly random variation in behavior is actually quite orderly and consistent, being due to basic differences in the way individuals prefer to use their perception and judgment. This article documents the existence of a close relation between MBTI® and Objectives of Islamic Law, based on applicative studies of the Indicator in various human activities, because Islamic Law promotes even necessarily obliges any treatment, method and approach that preserves and boost trust, lives, minds, property and human health. The main Objective of Islamic Law is to realize and provide general good humanbeings, promoting their welfare as individuals and as a collective society, and avoiding damages from them.

Fjalët kyçe: MBTI, Tipi psikologjik i personalitetit (shkurt: tipi), Objektivat e Ligjit Islam.

Në vija të përgjithshme, personaliteti pasqyron një grup karakteristik sjelljesh, qëndrimesh, interesash, motivesh dhe ndjenjash në lidhje me botën. Ai përfshin mënyrën se si njerëzit krijojnë marrëdhënie me të tjerët dhe mendohet se është relativisht i qëndrueshëm gjatë gjithë jetës. Një nga motivet që i shtynë psikologët të përpiqen të identifikojnë dhe vlerësojnë mënyrat se si ndryshon personaliteti i njerëzve është mundësia për të parashikuar sjelljen e tyre të ardhshme, për t’i paraprirë asaj, për ta modifikuar ose kontrolluar atë.([1]) Në mesin e shumë teorive që shpjegojnë personalitetin, Indikatori i Tipave të Myers dhe Briggs-it (shkurt: MBTI® = Myers & Brigss Type Indicator) është bërë instrumenti më i besuar psikometrik dhe me përdorim mjaft të gjerë global për vlerësimin e karakteristikave të personalitetit në popullatën jopsikiatrike. Për më shumë se pesëdhjetë vite të përdorimit të tij, deri një milion e gjysmë vlerësime jepen ndërkombëtarisht për çdo vit, përfshirë këtu edhe punonjësit e 500 kompanive më të pasura në botë.([2]) Aplikimet e tij janë zbatuar në një spektër të gjerë të përvojës njerëzore, duke përfshirë konsultimet, psikiatrinë, edukimin, metodikat e mësimit, stilet konjitive, konsultimet e karrierës, administrimin dhe udhëheqjen, në organizatat e biznesit, shërbimet ushtarake, si dhe në çështjet e lidhura me shëndetësi. Që nga fillimet e tij, bazuar në studimet empirike, MBTI® ka prodhuar shërbimin e tij vetanak, laboratorin kërkimor, qendrën për aplikimet e tipit psikologjik (CAPT) dhe revistën e tipit psikologjik. Në literaturën e aplikimeve të MBTI®-së (1996), libraria e qendrës për aplikimet e tipit psikologjik (CAPT), zotëron mbi 1100 disertacione universitare, 2000 artikuj dhe prezantime, 800 libra, qindra konferenca anembanë botës dhe mijëra video dhe audio materiale.([3])

Në anën tjetër të diskutimit shkencor, gjejmë se si Kurani Fisnik dhe tradita e profetit Muhamed (paqja e Allahut qoftë mbi të) kanë bërë thirrje të qartë për studim të personalitetit, duke nxitur mendësinë empirike drejt inicimit të studimeve mbi psikologjinë e personalitetit.

Kurani Fisnik fton njerëzit në vazhdimësi që të hulumtojnë natyrën dhe tek ajo të vërejnë argumentet e Allahut Fuqiplotë. Të gjitha qeniet e gjalla në univers janë përplot shenja të cilat demonstrojnë fuqinë, diturinë dhe urtinë e Krijuesit. Ja disa vargje që dokumentojnë këtë: “Edhe në vetet tuaja (ka përplot argumente), a nuk po i shihni?” (51:21); “A nuk e studiojnë me vëmendje Kuranin? A thua vallë, zemrat e tyre janë të mbyllura me dry?” (47:24) “Nga argumentet e Tij është krijimi i qiejve e i tokës, ndryshimi i gjuhëve dhe i ngjyrave tuaja. Vërtet në këto fakte ka argumente për dijetarët.” (30:22), “Në ndërrimin e natës e të ditës dhe në çka krijoi Allahu në qiej e në tokë, vërtet ka fakte për njerëzit që ia kanë dronë Atij.” (10:6), “Sikur të dëshironte Zoti yt, do t’i bënte njerëzit të një besimi (por nuk dëshiroi; Ai e di urtinë). Ata vazhdimisht janë në kundërshtime (mes vete).” (11:118).

Në traditën e profetit Muhamed (paqja e Allahut qoftë mbi të) hasim një rast autentik, ku Profeti zbulon personalitetin e një ithtari të tij të çmuar, Ebu Dherit, të cilin e paralajmëron të mos merret me gjëra të caktuara, duke u nisur nga pikat e dobëta të personalitetit të tij. Profeti i tha: “O Ebu Dher!. Unë po të shoh që je i dobët, dhe unë ta dua të mirën ashtu siç e dua për veten time; kurrsesi mos u bëj udhëheqës i dy vetave dhe assesi mos administro pasuritë e bonjakëve!.”([4]) Edhe pse Ebu Dheri ishte ithtar i devotshëm dhe me virtyte të larta, Profeti i mëshirës dhe vetëdijes e diagnostikoi si individ me disa pika të dobëta në personalitetin e tij. I tregoi se nuk ishte i përshtatshëm për udhëheqjen e burimeve njerëzore, as për administrim me pasuritë e bonjakëve, ndërkohë që në esencë profeti nxitte njerëzit përgjithësisht të merren me këto përgjegjësi madhore, për shkak të nevojës së madhe gjithmbarësisht për këto poste, por, vetëm për ata që mund t’i ekzekutojnë me përpikëri ato!

Qasja e Ligjit Islam sa i përket interesave njerëzore ka të bëjë me dy  grupe të tyre:

Grupi i parë: Interesat e botës së përtej varrit (=Ahiretit) dhe shkaqet e tyre, dëmet e botës se përtej varrit (=Ahiretit) dhe shkaqet e tyre. Këto interesa dhe dëme bashkë me shkaqet e tyre nuk mund t’i njohim përveç përmes Kuranit dhe Sunetit (= traditës së profetit).

Grupi i dytë: Interesat e kësaj bote dhe shkaqet e tyre, dëmet e kësaj bote dhe shkaqet e tyre. Këto dëme, bashkë me shkaqet e tyre mund t’i njohim në bazë të përvojave, zakoneve, domosdoshmërive të jetës, si dhe kërkimeve në fushën e ligjeve në natyrë dhe sjelljeve njerëzore.([5]) Nga kjo pikënisje gjejmë se indikatori i tipave të personalitetit MBTI® hyn në kategorinë e interesave të kësaj bote dhe është një prej produkteve të përbashkëta njerëzore, nismën e të cilës e morri Karl Jungu dhe e avancuan e ëma dhe e bija, Myers dhe Briggs, duke qenë se jeta e tij daton qysh 70 vjet, indikator ky, i cili është i bazuar kryekëput në përvojat dhe sjelljet e miliona njerëzve anembanë botës, pa dallim race a feje. Dhe, edhe me tej avancohet nga ekspertët e tij, dhe sot konsiderohet testi më i besueshëm i personalitetit në botë, me ç’rast përqindja e besueshmërisë së tij ka arritur deri në 85% (Briggs, Myers dhe të tjerë, 1998), përqindje kjo mjaft e kënaqshme në shkencat humane.

Indikatori i MBTI®-së është i disanjuar për klasifikimin e njerëzve në grupe të tipave të personalitetit. Teoria Jungiane (Karl Jung, 1971) supozon se ndryshimet midis sjelljeve njerëzore nuk janë të rastësishme, por, kanë të bëjnë me dallime bazike që mund të maten, dhe janë të dallueshme në mënyrat se si njerëzit preferojnë –të shtyrë nga prirjet gjenetike- për t’i përdorur mendjet e tyre për mbledhjen dhe përpunimin e informatave.

Në teorinë e tipave të personalitetit, ka katër funksione mendore ose ‘muskuj mentalë’ të nivelit të lartë që korrespondojnë me rajone të ndryshme të trurit. Formula themelore e MBTI®-së ka të bëjë me dyzimin e këtyre katër preferencave themelore gjenetike, të cilat janë të specifikuara dhe të nënkuptuara në teorinë e Karl Jungut. Ato dyzime janë siç vijon:

1) Bota favorite dhe burimi i mbushjes me energji: Prirja gjenetike e fokusimit në botën e jashtme, gjërat, vendet, njerëzit, ose në të kundërtën, preferenca e fokusimit në botën e brendshme të mendimeve, përshtypjeve dhe emocioneve. Kjo preferencë quhet: “Kontakti me botën e jashtme” (shkurtesa në anglisht: Extraversion [E]). E kundërta e saj quhet: “Kontakti me botën e brendshme” (shkurtesa në anglisht: Introversion [I]). (MBTI® Basics). Shkronja e parë e kodit katër shkronjësh të secilit personalitet (p.sh. ISTJ ose ENFP) tregon se cilin prej këtyre dy ‘muskujve mendorë’ preferojmë ta përdorim më shpesh dhe më mirë. Ata që preferojnë introversionin, marrin energjinë e tyre kryesore nga bota e brendshme e informatave, mendimeve, ideve dhe reflektimeve të tjera. Kur rrethanat kërkojnë harxhim të sasive të tepruara të vëmendjes ‘jashtë’ botës, preferuesit e introversionit gjejnë nevojën që të tërhiqen në një mjedis privat, si nevojë për të mbushur ‘bateritë’ e tyre të harxhuara. Në anën e kundërt, ata që preferojnë ekstraversionin janë të tërhequr në botën e jashtme si burim thelbësor i mbushjes me energji. Rrallëherë njerëzit që preferojnë ekstraversionin ndiejnë se ‘bateritë’ e tyre të energjisë janë ‘shterur’ nga sasitë e tepruara të ndërveprimit me botën e jashtme. Ata, në vazhdim e sipër duhet të angazhohen me gjërat, njerëzit, vendet dhe aktivitetet në botën e jashtme, për forcën e tyre të jetës. (Reinhold, 2014). Introvertët vazhdojnë të jenë qenie sociale, dhe në fakt, mirëqenia e tyre është më e ndikuar nga marrëdhëniet e tyre shoqërore, se që është mirëqenia e ekstrovertëve. Thjesht, introvertët fokusohen në cilësinë e shoqërimit dhe jo sasinë e saj.([6])

2) Procesi mental i pranimit të informatave: Preferenca gjenetike e fokusimit në informatat themelore të cilat pranohen me anë të shqisave të ndijimit, ose, në të kundërtën, prirja për t’i interpretuar ato dhe për t’u shtuar kuptime me intuitë. Ndijimi percepton faktet dhe realitetin konkret, kurse intuita percepton mundësitë dhe alternativat, dhe zhytet në qasje më abstrakte dhe konceptuale. Në kontekst të preferencave psikologjike, një analogji shpesh e përdorur është prirja për të përdorur dorën e majtë a të djathtë me lehtë se tjetrën. Shumica e njerëzve preferojnë të shkruajnë me dorën e tyre të djathtë. Janë minoritet ata që preferojnë të përdorin dorën e tyre të majtë, dhe grup edhe më i vogël ata që përdorin dy duart njëlloj. Megjithatë, të gjithë përdorin të dy duart (p.sh. kur ngasin makinën, duke hapur sirtarin, etj.) Shkronja e dytë e kodit katër shkronjësh të secilit personalitet (p.sh. ISTJ ose ENFP) tregon se cilin prej këtyre dy ‘muskujve mendorë’ preferojmë ta përdorim më shpesh dhe më mirë. Kjo preferencë quhet: “Perceptimi ndijimor (= shkurtesa në anglisht: Sensing [S]) E kundërta e saj quhet: “Perceptimi intuitiv” (shkurtesa në anglisht: Intuite [N]).

3) Prapavija e vendimmarrjes: Gjatë marrjes së vendimeve, a preferojmë që së pari të shikojmë në lidhjen logjike të fakteve dhe të jemi objektivë, ose jemi të prirë që së pari t’i kemi në konsideratë njerëzit dhe rrethanat e veçanta? Racionalja merr vendime mbi bazë të logjikës objektive dhe kërkon të provojë dhe vërtetojë se çfarë është e vërtetë ose e saktë. Në anën e kundërt, ndjeshmëria emocionale merr vendime mbi bazën e vlerave subjektive dhe kërkon të provojë dhe vërtetojë se çfarë është e rëndësishme ose e denjë për vëmendje. Ne përdorim të dy ‘muskujt mendorë’, por shkronja e tretë e kodit katërshkronjësh (p.sh. ISTJ ose ENFP) tregon se cilin preferojmë ta përdorim kur marrim vendime. Kjo preferencë quhet “Gjykimi racional dhe objektiv” (shkurtesa në anglisht: Thinking [T]) E kundërta e saj quhet:  “Gjykimi sensitiv” (shkurtesa në anglisht: Feeling [F]) = ‘Ndjeshmëria’). Në një studim të kryer në tremijë individë të moshave të ndryshme, Elaine Aron (1998) ka gjetur se diku rreth 20 për qind prej tyre ishin tejet emocional (= me ndjeshmëri të lartë të sistemit nervor); diku rreth 22 për qind ishin mesatarisht të ndjeshëm, dhe diku rreth 42 për qind të të anketuarve deklaruan se aspak nuk janë të ndjeshëm.([7])

4) Struktura e orientimit në botën e jashtme: Në kontakt me botën e jashtme, a jemi të prirë që gjërat të jenë të prera, pa shtyrje të vendimmarrjes, ose jemi të prirë të qëndrojmë të hapur për informata dhe alternativa të reja, dhe rrjedhimisht, ta shtyjmë vendimmarrjen? Kjo preferencë quhet: Organizimi vendimmarrës (shkurtesa në anglisht: Judging [J]), ose, në anën e kundërt, spontaniteti faktmbledhës (organizimi i stilit jetësor me mbledhje të zgjatur informacionesh dhe shtyrje vendimmarrjesh. Shkurtesa në anglisht: Perceiving [P]). (MBTI® Basics). Ne përdorim të dy ‘muskujt mendorë’, por shkronja e katërt e kodit katërshkronjësh (p.sh. ISTJ ose ENFP) tregon se cilin preferojmë ta përdorim kur marrim vendime.

Me qasjen ndërlidhëse të tetë preferencave të lartpërmendura kombinohen dyzime që rezultojnë nga tetë shkronjat e dala nga ato. Të gjitha kombinimet e mundshme të këtyre tetë shkronjave rezultojnë në kodin e 16 tipave të personalitetit, secili me një profil të veçantë përshkrues të mënyrave karakteristike të sjelljeve që shkaktohen nga ndërveprimi dinamik i proceseve psikike individuale. Të kuptuarit e këtyre ndërveprimeve është esencial në kuptimin e tipit si tërësi, e që gjithherë është më i madh dhe më kompleks se sa thjeshtë shuma e pjesëve të saj veç e veç. Ne të gjithë përdorim të gjitha preferencat dhe proceset psikike të tipave të ndryshëm pa dallim, në kohë të ndryshme, dhe secila është e përshtatshme në situata të caktuara. Megjithatë, preferencat natyrore të lindura të secilit janë determinuesi më i rëndësishëm i asaj se cilat janë më të përdorura, dhe për këtë arsye do të zhvillohen më mirë. Kjo prodhon ndryshime të pafundme sjelljesh e reflektimesh, madje edhe në mesin e njerëzve të të njëjtit lloj.([8])

Zbulimi i personalitetit dhe gjetja e preferencave tona mund të jetë proces i shpejtë dhe i lehtë ose mund të marrë kohë të gjatë. Pritjet kulturore, pritjet e prindërve dhe të punësimit ndikojnë në sjelljet tona po aq sa edhe preferencat tona, dhe si rrjedhojë, nganjëherë mund të jetë e vështirë të veçohen ato. Për këtë arsye, duhet më shumë përpjekje për të kuptuar personalitetin tonë se sa përfundimi i një pyetësori të vetëm. Personaliteti është kompleks dhe i vështirë për ta matur, dhe për shkak të kësaj, pyetësorët e personalitetit jo gjithmonë prodhojnë rezultate të sakta. Në fakt, pyetësorët janë vetëm pika e fillimit të udhëtimit për të kuptuar më mirë veten.([9])

Objektivi i njohjes se tipit psikologjik të personalitetit është kuptimi dhe vlerësimi i dallimeve midis njerëzve. Të gjithë tipat janë të barabartë për nga rëndësia dhe të gjitha preferencat janë njëlloj të çmuara. Kombinimi i tipave të ndryshëm është strategji tejet e çmuar për grupet punuese, ngaqë shumë këndvështrime janë të përfaqësuara.

Objektivat e Ligjit Islam dhe ndërveprimi i tyre me objektivat e MBTI®-së

Sa i përket relacionit të MBTI®-së me objektivat e Ligjit Islam, do të gjejmë se, bazuar në dobitë e shumta të indikatorit, të bazuara në studime të shumta të kryera në fusha të ndryshme të aktivitetit njerëzor, ekziston lidhshmëri tejet e ngushtë midis tyre. Këtë lidhshmëri mund ta dokumentojmë me qasjen studimore në vijim, duke trajtuar aplikimet e indikatorit në fushat e ndryshme, e më pastaj, duke e ndërlidhur me qasjen e Ligjit Islam kundrejt tij.

Implementimi i MBTI®-së në konsultime dhe psikoterapi

Bazuar në studimin e Quenk & Quenk (1986), në një shqyrtim kërkimor të përdorimit të MBTI®-së në konsultime dhe psikoterapi, një anketë kombëtare e këshilltarëve në mjediset e trajtimit ka vlerësuar MBTI®-në si testin e katërt të standardizuar, me përdorim më të shpeshtë pas Inventarit Multifazor të Personalitetit të Minesotës (MMPI), Inventarit të Strong-ut për Interesim, Shkallës së Wechsler-it për Inteligjencë të Adoleshentëve (WAIS-R). Raportet klinike dhe rastet studimore, konstatojnë ata, afrojnë dëshmi lidhshmërie në mes të njohjes së teorisë së tipit të personalitetit, konsultimeve dhe psikoterapisë. Përveç udhëzimeve të gjata për interpretimin e MBTI®-së për klientët si pjesë e këshillimit, manualet: (Myers & McCaulley, 1985; Myers, McCaulley, Quenk, & Hammer, 1998/2003) kushtojnë një kapitull të tërë për përdorimin e tij në konsultimet individuale, martesore dhe familjare. Myers-i dhe studiues të tjerë japin shumë parime të thukta për kuptimin e perspektivave, nevojave dhe motiveve të klientit në raport me tipin e personalitetit, duke aplikuar vetënjohjen terapeutike të tipit në procesin e këshillimit, duke modeluar dhe mësuar klientët të kuptojnë dallimet e personalitetit tek të tjerët, dhe si ata ndërveprojnë me tipat e tyre, për të pasur parasysh çështje specifike të këshillimit me çdo tip, dhe duke përdorur teorinë e tipit për komunikim efektiv. Quenk & Quenk marrin në konsideratë modele të preferuara të këshillimit dhe psikoterapisë, marrëdhënien e teorisë së tipit me mbikëqyrjen e programeve të këshillimit, karakteristikave të tipit të përdoruesve të shërbimeve psikologjike, të tipit të praktikantit me procesin terapeutik, tipit me rezultatet terapeutike, tipin me çiftet, si dhe tipin me abuzimin me  substanca.([10])

Menaxhimi i karrierës dhe konsultimi

Në këshillimin për karrierën, MBTI® është i dobishëm për zhvillimin e vetë-konceptit si shumë i rëndësishëm për pjekurinë e karrierës (Zunker, 1994). Manualet (Myers & McCaulley, 1985; Myers, McCaulley, Quenk, & Hammer, 1998/2003) diskutojnë mbi tipin dhe alternativat e profesioneve duke përfshirë të dhënat tabelore të ndërlidhjeve me ndryshoret e personaliteteve të tjera, opinionet, qëndrimet dhe shkallët e interesimeve. Në veçanti, temat e përgjithshme profesionale të testit të interesit Strong-Campbell (SCII) janë të lidhura me MBTI®-në kur përdoren së bashku. (SCII) thekson interesin specific të karrierave, ndërkohë që MBTI® tregon se pse ato karriera janë me interes. Meqenëse (SCII) korrespondon me tipa të personalitetit dhe mjediset e punës të Holland-it (Zunker), shumë materiale të bazuara në teorinë e Holland-it janë të qasshme, dhe mund të përdoren brenda kontekstit të MBTI®-së. Të dhëna të shumta në lidhje me përzgjedhjen e punës në raport me tipin e personalitetit janë mbledhur gjatë viteve të përdorimit të MBTI®-së, dhe statistikat janë përpiluar në listën e profesioneve dhe tipat e përfaqësuar (Myers & McCaulley; Myers dhe të tjerë). Këto janë të shifruara për të qenë të lidhura me fjalorin e titujve të profesionit (1991), duke bërë kështu që sasi të mëdha informacionesh mbi karrierën të jenë relevantë për tipat e personalitetit pranë departamentit amerikan të punës. Hyrje në tipat dhe karrierat (Hammer, 1993) është një broshurë që udhëzon në përdorimin e tipit për vendosjen e qëllimeve, mbledhjen e informacioneve, krijimin  e  kontakteve, dhe marrjen e vendimeve në procesin e eksplorimit të karrierës. Hammer (1996) konstaton se MBTI® është ndër tre instrumentet më të përdorur gjerësisht në konsultimet kolegjiale të karrierës, së bashku me testin e interesit të Strong-ut dhe hulumtimin e vetë-drejtuar (SDS®) të Holland-it.([11])

Ekipet

Ekipet janë bërë pjesë përbërëse e mjediseve më organizative. Supozimi kryesor është se shumëllojshmëria e burimeve të natyrshme njerëzore në ekipet e individëve do të rrisë zgjidhjen e problemeve organizative. (Hammer & Huszczo, 1986). Publikimi i materialeve të ndërtimit të ekipit dhe programeve të trajnimit nga Hirsh (1985) ka siguruar mjete për përdorimin e tipit që e kanë bërë MBTI®-në një mjet të përhapur me konsulentë të zhvillimit organizativ. Në përdorimin e MBTI®-së supozohet se të kuptuarit e dallimeve individuale do t’ua mundësojë ekipeve identifikimin e aftësive dhe mundësive të cilat çdo anëtar i ekipit i sjell në detyrë dhe se kjo njohuri do të ndihmojë në minimizimin e konflikteve që burojnë nga burimet potenciale të keqkuptimit si dallime që rrjedhin thjesht nga dallimet natyrore individuale.([12])

Në Kuranin Fisnik hasim shenja në rrugë gjatë meditimit mbi vargun në vijim: “(I tha Musai Zotit:) E vëllai im Haruni është më orator se unë, andaj dërgoje atë me mua ndihmëtar, që t’i vërtetojë fjalët e mia. Unë kam frikë se do të më shpallin gënjështar.” (28:34). Disa përsiatje mbi këtë varg Kuranor na shpijnë në gjetje të disa dimensioneve të pasura të diversitetit njerëzor:

1.Të gjesh dhe pranosh vlerat dhe aftësitë e të tjerëve, mu atëherë kur të njëjtat i mungojnë personalitetit tënd.

2.Kualifikimi dhe efikasiteti janë standard i besimit të roleve tek të tjerët.

3.Puna në ekip është më me rëndësi se sa puna individuale.

4.Modestia e prijësve të denjë kur të shprehen për nevojën e tyre për ndihmë dhe mbështetje nga ata që janë me gradë më të ulët.

5.Madhështorët dhe prijësit e denjë besojnë në mendësinë e ndërveprimit plotësues të roleve, e jo në mendësinë konkurruese përjashtuese. Profeti Musa ishte më i ditur se vëllai i tij, profeti Harun, por, Haruni ishte më orator se i vëllai, gjë që kërkoi ndërthurje rolesh për kumtimin e porosisë së Zotit ndër bijtë e Izraelit.([13])

Arsimi, stilet e të mësuarit dhe stilet e njohjes

MBTI® është përdorur gjerësisht në arsim. Manualet e  MBTI®-së (Myers & McCaulley, 1985; Myers, McCaulley, Quenk, & Hammer, 1998/2003) diskutojnë mbi implikimet e tipit në nivele të ndryshme të aftësive, iniciativës, interesit dhe arritjes së studentëve. Dallimet e tipit në të mësuar, mësimdhënie, si dhe në stilet administrative janë diskutuar gjithashtu me shumë tregues të dobishëm për aplikimet e njohurive mbi tipin, në mësimdhënie dhe metodat administrative, për të maksimizuar të mësuarit te studentët. People Types dhe Tiger Stripes (Lawrence, 1993) ua prezantojnë mësuesve teorinë e tipit dhe përdorimin e saj në klasë. Në një vështrim të përgjithshëm të kërkimit voluminoz mbi teorinë e tipit dhe arsimit në dekadën e fundit, DiTiberio (1996) thekson se karakteristikat e nxënësve konfirmojnë vazhdimisht parashikimet e teorisë se tipit. Studimet tregojnë se ndërveprimet optimale mësues-nxënës janë më të komplikuara se sa të përputhen me një teori të këtillë si të tipit, dhe se të mësuarit në fakt mund të ndihmohet më mirë nga tipa të ngjashëm dhe plotësues ndërmjet mësuesit dhe nxënësit. Më shumë hulumtime janë të nevojshme në këtë fushë. Kërkime të konsiderueshme kanë konfirmuar gjetje më të hershme të raportuara në manualin e vitit 1985. MBTI® gjithashtu është aplikuar në çështjet aktuale në arsim, të tilla si gjinia, kultura, arsimi profesional, arsimimi jotradicional, dhe instruksionet ndihmëse të kompjuterit (DiTiberio).([14])

Aplikimet multikulturore

Ndërkohë që bota moderne po lëviz drejt një shoqërie më globale, interesimi në përdorimin multikulturor të MBTI®-së ka shpërthyer. Si Karl Jung, gjithashtu dhe Myers mendonin se tipi psikologjik është universal. Në këtë rast, implikimet e promovimit të mirëkuptimit mes kulturave dhe rritjes se vlerësimit të diversitetit brenda një kulture janë të rëndësishme dhe domethënëse. Kur të jetë përdorur me shpjegim të duhur të tipit psikologjik, sukses domethënës dhe i rëndësishëm është raportuar nga praktikuesit e MBTI®-së në një shumëllojshmëri të gjerë të kulturave dhe bikulturave, si në kombet e zhvilluara, gjithashtu edhe ndër shoqëritë e industrializuara. Studimet e deritanishme tregojnë vlefshmëri dhe besueshmëri statistikale domethënëse kur të përdoret me popullatën anglishtfolëse, dhe se MBTI® tregon preferencat e tipit të Jungut të të anketuarve në kulturat në të cilat ajo është duke u përdorur. Çështjet e shtruara kërkimore përfshijnë hetimin e tërë tipit në bazë multikulturale, preferencat psikologjike individuale dhe dinamikën e ndërveprimit të individëve dhe kulturave të tyre. Edhe pse këto janë sfida të vështira, shpërblimet premtojnë të jenë të mëdha. (Kirby & Barger).([15])

Shëndeti, stresi dhe ballafaqimi me të

Një ‘dekadë e hulumtimit të sofistikuar’ (Shelton, 1986) ka rezultuar në prova përfundimtare se faktorë të personalitetit si dhe faktorët biologjikë luajnë një rol të rëndësishëm në procesin e sëmundjes. MBTI® është një mjet i rëndësishëm në hetimin e shëndetit, stresit dhe përballimit të ndryshoreve, dhe si rrjedhojë, njohuritë e fituara përdoren për të adaptuar programet e parandalimit dhe trajtimit sipas tipit të individit. Shelton shqyrton kërkime duke përdorur MBTI®-në për të studiuar dallimet fiziologjike sipas tipit, për të lidhur rastet e proceseve të disa sëmundjeve me tipin, për të lidhur stresin dhe ballafaqimin me të sipas tipit, dhe për të studiuar rezultatet e një programi të trajtimit të reduktimit të stresit. Ai paraqet një diskutim interesant shpjegimesh të rezultateve duke supozuar ndërlidhje midis tipit me ndjeshmërinë ndaj sëmundjeve të lidhura me stres, si dhe reagimin ndaj stresit si një funksion i tipit. Botimi i tretë i manualit të MBTI®-së (1998/2003) përfshin një seksion mbi implikimet e hulumtimit në shëndet, stres dhe ballafaqim me të. Ky duket të jetë terren pjellor për kërkime të vazhdueshme.([16])





Bazuar në qasjet studimore paraprake në fushat dhe veprimtaritë e ndryshme njerëzore, gjejmë lidhshmëri të madhe të objektivave të Ligjit Islam me rezultatet e sipërme, ngaqë, Ligji Islam promovon, madje edhe obligon doemos çdo trajtim, metodë dhe qasje që ruan jetët, mendjet, pronën dhe shëndetin e njerëzve. Qëllimi kryesor i Ligjit Islam është të realizojë dhe sigurojë të mirat e përgjithshme ose interesat e njerëzve, duke promovuar mirëqenien e tyre si individë dhe si trup kolektiv, dhe duke larguar nga ata dëmet. Këtë ai synon ta bëjë sipas rendit të përparësisë, përmes:

A. Garantimit të nevojave të domosdoshme dhe qenësore të tyre (darurijat), pa të cilat jeta njerëzore do t’i ekspozohej rreziqeve për ekzistencë. Nevojat e domosdoshme të cilat Ligji Islam synon t’i mbrojë janë ato nga të cilat varet jeta e njeriut. Nëse ndonjë nga këto nevoja privohet ose kërcënohet, korruptohet, prishet ose i bëhet padrejtësi, atëherë kjo do të rrezikojë drejtpërsëdrejti jetën e individit si dhe të shoqërisë. Këto nevoja të domosdoshme sipas rendit të përparësisë janë pesë:

  1. Feja, ose sistemi natyral i besimit dhe mënyra islame e jetës;
  2. Jeta e qenies njerëzore;
  3. Mendja e individit;
  4. Nderi dhe dëlirësia e individit;
  5. Pasuria.([17])

Ruajtja e secilës nga këto është e domosdoshme për shëndetin e individëve dhe të shoqërisë.

Me Fe nënkuptohet tërësia e besimeve, praktikave dhe ligjeve me të cilat Islami rregullon marrëdhëniet në mes njeriut dhe Krijuesit të tij, dhe në mes njerëzve ndërmjet veti. Ruajtja e fesë nënkupton ruajtjen e tij nga devijimi dhe gabimi.

Me ruajtjen e jetës nënkuptohen masat për ruajtjen e gjinisë njerëzore në mënyrën më të mirë të mundshme, dhe kjo përfshin ligjet në lidhje me martesën dhe shtimin. Ajo gjithashtu përfshin sigurimin e nevojave të domosdoshme të ushqimit, pijes, veshmbathjes, strehimit dhe sigurisë. Ajo gjithashtu përfshin ligjet përkitazi me ndalimin e vetëvrasjes dhe abortit (përveçse nëse jeta e nënës është në rrezik), dhe nevojën për shpagim të drejtë kundër vrasësit.

Ruajtja e mendjes është interes i Ligjit Islam për realizimin e të cilit ai ka ndaluar konsumimin e alkoolit, dhe të gjitha substancave dehëse.

Ruajtja e nderit, dëlirësisë dhe prejardhjes është qëllimi i dispozitave të tilla të Ligjit Islam të cilat ndëshkojnë marrëdhëniet seksuale jashtë martesës dhe akuzat e rrejshme kundër njerëzve të cilët janë të dëlirë.

Me ruajtjen e pasurisë nënkuptohen dispozitat e Ligjit islam të cilat nxisin njerëzit të punojnë dhe të fitojnë jetesën në mënyrë të ligjshme, dhe të cilat ndalojnë shfrytëzimin dhe padrejtësinë.

B. Plotësimit të nevojave të kategorisë së dytë për nga rëndësia (haxhijat), pa të cilat jeta njerëzore do t’i ekspozohej dëmeve dhe vështirësive të konsiderueshme. Ilustrim i kësaj kategorie janë trajtimi i pacientëve nga mjekë të kualifikuar me terapi adekuate për t’i mbrojtur ata nga sëmundjet e ndryshme, çrregullimet e personalitetit dhe streset e jetës që rrezikojnë jetën njerëzore me ulje të potencialit dhe efektshmërisë. Këto kanë të bëjnë me rregullat e Ligjit Islam të cilat sigurojnë lehtësim në raste vështirësie dhe që largojnë ose zvogëlojnë vështirësinë nga jeta e njerëzve. Për shembull, nuk kërkohet nga një person të agjërojë gjatë Ramazanit po qe se ai është i sëmurë ose në udhëtim. Në marrëveshjet e biznesit, Ligjit Islam ka lejuar lloje të ndryshme të kontratave dhe praktikave tregtare. Ai lejon shkurorëzimin në rast nevoje. Këto lejime miratohen në vargje të shumta të Kuranit. Ja një varg ilustrues:

“Zoti dëshiron lehtësim për ju. Ai nuk dëshiron vështirësim për ju.” (2:185). Aq më tepër, Profeti fisnik ka thënë: “Jam dërguar me fenë e vërtetë dhe tolerante.”([18])

C. Përmirësimit të kualitetit të jetës së tyre (tahsinijat), si kategori e tretë për nga rëndësia, pa të cilat jeta njerëzore do të vazhdonte të jetë e qetë dhe normale, por, me realizimin e tyre do të shtohej mirëqenia dhe lumturia njerëzore. Kjo ka të bëjë me të gjitha rregullat e Ligjit Islam të cilat lidhen me përmirësimin e kualitetit të jetës, kushteve dhe moralit të njerëzve, si dhe zbukurimin e rrethanave në të cilat jetohet jeta. Ilustrim i kësaj kategorie është leximi sistematik i librave, ndjekja e programeve, kurseve dhe seminareve, etj. në psikologjinë e njohjes dhe sjelljes, për ta thelluar edhe më tej ngritjen e vetëdijes mbi veten dhe të tjerët. Një rekomandim imi për këtë kategori interesash është përvetësimi i MBTI-së dhe zbulimi i preferencave personale të tipit psikologjik. Ndërsa për individët me ndjeshmëri te lartë emocionale rekomandoj librin e mirënjohur bestseller të psikologes amerikane Elaine N. Aron: “Personi me ndjeshmëri të lartë” (The Highly Sensitive Person).

Që të tri katëgoritë e lartpërmendura ndërlidhen me qëllimet e përgjithshme të Ligjit Islam. Nga këto mund të shohim se interesat e Ligjit Islam nuk kanë të bëjnë vetëm me aspektet personale të fesë ose adhurimit, por merren me të gjitha aspektet e jetës.([19])

Përfundim

Gjetja kryesore e këtij studimi ndërthurës midis Indikatorit MBTI® dhe Objektivave të Ligjit Islam është interesi dhe rëndësia e madhe e dyzimit të metodave metafizike të njohjes të bazuara në Kuran dhe Sunet, me metodat empirike në fushën e psikologjisë së personalitetit, për të mirën e zhvillimit dhe avancimit të burimeve njerëzore. Vullneti i Krijuesit në krijimin e njerëzve është që ata të jenë të ndryshëm në aftësi, prirje, ngjyra etj. për ta ndërtuar botën nëpërmes shërbimeve të ndërsjella dhe për t’u ngritur lartë në shkallët e vetëdijes, dhe si rrethana të futjes në sprovë dhe kushte pararendëse për realizimin e adhurimit të denjë të Allahut, për të dalë në pah në sytë e botës dhe Krijuesit të saj se cili prej tyre është më shumë mirëbërës dhe më i përkushtuar për ndërtimin e botës me vlera dhe virtyte, të ngërthyera në botën materiale dhe jetën shpirtërore.([20])

Ngjyra ka një rol kyç në komunikimin e njeriut me botën e jashtme, në funksionimin normal të memories së tij dhe në mbushjen e trurit të tij me mësimin e funksioneve. Kjo është sepse njerëzit mund të zhvillojnë komunikim të përshtatshëm mes ngjarjeve dhe vendeve, njerëzve dhe objekteve vetëm me anë të ngjyrosjes së trupave. Bota e jashtme për njeriun ka kuptimin e saj vetëm si një tërësi me ngjyra.Çdo hollësi, mostër dhe ngjyrë në qiej dhe në tokë është krijuar për njerëzit që të falënderojnë dhe të çmojnë këtë renditje dhe të mendojnë për të. Ngjyrat në natyrë janë rregulluar në aso mënyre që të joshin shpirtin e njeriut.([21]) Qëkëndej, edhe diversiteti i ‘ngjyrave’ të tipave të personalitetit është edhe një shenjë tjetër në rrugë, për të shtegtuar drejt shtigjeve të vetëdijes, performancës, ekzekutimit të së bukurës dhe plotësimit të mozaikut.

Bibliografia

  • KURANI FISNIK: www.kuranifisnik.net
  • Koleksioni autentik i haditheve të Imam Muslimit. 2006: http://shamela.ws/
  • Fjalor i psikologjisë (Terma dhe Autorë). Sadik H. Lala. 2010.
  • El-Kauaid el-Kubra. (Rregullat madhore). El-Iz ibën Abdus-Selam. 2000. Dar el-Kalem, Damask.
  • MBTI®: An introduction to the Myers Briggs Type Indicator® & Myers Briggs Personality Types. Ross Reinhold: http://www.personalitypathways.com/MBTI®_intro.html
  • MBTI® Basics. The Myers & Briggs Foundation: http://www.myersbriggs.org/my-MBTI®-personality-type/MBTI® basics/
  • Mjeshtëria e Allahut në ngjyra. Harun Jahja: http://sq.harunyahya.com/list/type/1/name/Librat/
  • Myers-Briggs Type Indicator: A Research Report. Barbara P. Ring, 2008: http:/personalityinstitute.tripod.com/MBTI®researchreport.htm
  • History, Reliability and Validity of the Myers-Briggs Type Indicator (MBTI®) Instrument: https://www.cpp.com/Products/MBTI®_info.aspx
  • Psikologjia – një hyrje e shkurtër. Gillian Butler & Freda McManus. 1998. Botimet Ideart. Tiranë.
  • Qëllimet e Sheriatit. Abdul-Uahid Hamid. Përktheu: Gëzim Selaci: http://www.dritaislame.al/qëllimet-e-sheriatit
  • ‘Slides’ introduction to Myers Briggs. Steve Myers: http://www.teamtechnology.co.uk/personality/intro/
  • Tekuin meleket et-tefsir. (Krijimi i aftësisë së komentimit të Kuranit Fisnik). Hatim el-Auni. 2013. Merkez Nema.
  • Teudhif mekasid esh-Sheriah fi tedebburi ajati-l-Kuranil-adhim (Aplikimi i Objektivave të Ligjit Islam në përsiatjen mbi Kuranin Madhështor). Rijad Misini. 2013. Fakulteti i edukimit pranë Universitetit “Mbreti Saud”, Rijad, 2013.
  • The Highly Sensitive Person. Elaine N. Aron, 1998. Three Rivers Press. New York.

 

Mrs. Rijad Misini, Cand. PhD*


*Departamenti i Studimeve Islame, pranë Universitetit “Mbreti Saud”, në Rijad të Arabisë Saudite. Specializimi: Jurisprudenca Islame dhe bazat e saj.

(2) Butler, Gillian & McManus, Freda. (1998). Personaliteti, një hyrje e shkurtër. Botimet Ideart.

(3) CPP. History, Reliability and Validity of the MBTI® Instrument. (2009). 

(4) Center for Applications of Psychological Type, para. 1, “MBTI® Library”, n.d. (2008). 

(5) Transmeton Muslimi në koleksionin e tij autentik, nr.1826.

([5]) Bin Abd Es-Selam, El-Iz: El-Kauaid el-Kubra: 1/13.

(7) Aron, Elaine. The Highly Sensitive Person. fq. 98. 1998.

(8) Aron, Elaine. The Highly Sensitive Person. fq. xiv. 1998.

(9) Myers, 1980; Myers & McCaulley, 1985; Ring. 1998.

(10) Myers, Steve. ‘Slides’ introduction to Myers Briggs. 2014.

(11) Ring, P. Barbara. Myers-Briggs Type Indicator: A Research Report. 2008.

(12) Ring, P. Barbara. Myers-Briggs Type Indicator: A Research Report. 2008.

(13)Po aty.

([13]) El-Auni, Hatim.Tekuin meleket et-tefsir. 2013.

(15) Ring, P. Barbara. Myers-Briggs Type Indicator: A Research Report. 2008.

(17) Ring, P. Barbara. Myers-Briggs Type Indicator: A Research Report. 2008.

([17]) Abdul-Uahid, Hamid. Qëllimet e Sheriatit. 2012

(19) Transmeton Imam Ahmed bin Hanbeli në “Musned”-in e tij, nr. 22291.

(20)Abdul-Uahid, Hamid. Qëllimet e Sheriatit. 2012.

(21) Misini, Rijad. Teudhif mekasid esh-Sheriah fi tedebburi ajati-lKur’anil-adhim. 2013.

(22)  Jahja, Harun. Mjeshtëria e Allahut në ngjyra.