Friday, 17/8/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

HISTORIA E IBRAHIMIT ME NEMRUDIN (MBRETIN ZULLUMQAR)



HISTORIA E IBRAHIMIT ME NEMRUDIN (MBRETIN ZULLUMQAR)

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

“A nuk ke dëgjuar ti (Muhamed) për atë që bëri fjalë me Ibrahimin për Zotin e tij, sepse Allahu i kishte dhënë pushtet? Kur Ibrahimi i tha: ‘Zoti im është Ai që jep jetë dhe shkakton vdekje’. Ai u përgjigj: ‘Edhe unë mund të jap jetë e të shkaktoj vdekje.’ Ibrahimi pastaj i tha: ‘Allahu e sjell Diellin nga Lindja, sille ti nga Perëndimi!’ Atëherë, ai (mohuesi) mbeti me gojën hapur. Allahu nuk i udhëzon ata që janë keqbërës.” El Bekare, 158.

Nemrudi ka qenë mbreti i Babilonisë. Ai ka qenë kryeneç dhe mohues i njëshmërisë së Allahut të Lartësuar. Në atë kohë, Nemrudi, sipas disa rrëfimeve, sundonte të gjithë botën dhe botën e kanë sunduar të tërën vetëm katër veta. Dy prej tyre kanë qenë besimtarë dhe dy jobesimtarë. Besimtarë kanë qënë Sulejmani dhe Dhulkarnejni, ndërsa jobesimtarë kanë qenë Nemrudi dhe Buhtenaser. Këtë e ka përcjellë Ibën Kethiri nga Muxhahidi dhe Allahu e di më mirë.

A nuk ke dëgjuar ti (Muhamed) për atë që bëri fjalë me Ibrahimin për Zotin e tij? A nuk të ka ardhur ty o Muhamed lajmi i këtij njeriu? Kjo është një pyetje e cila mban në vetvete habi nga sjellja e këtij njeriu të padrejtë. Ai bëri fjalë me Ibrahimin për Zotin e tij. Pra, mohoi që të kishte Zot. Shembulli i këtij njeriu është sikurse shembulli i faraonit të mallkuar cili tha:

“Dhe Faraoni tha: ‘O pari! Unë nuk di që për ju ka tjetër zot përveç meje!’” El Kasas, 38. Çfarë i shtyu këta njerëz deri në këtë pikë? Nuk ka dyshim se ajo ishte mendjemadhësia dhe qenia e tyre mbretër për një kohë të gjatë. Prandaj dhe Allahu e përmend këtë fakt në këtë ajet: “sepse Allahu i kishte dhënë pushtet”. Pra kush ishte shtysa që ta bënte këtë njeri mendjemadh dhe mohues të Allahut? Ai arriti këtu, sepse Allahu i kishte dhënë pushtet. I lartësuar është Allahu! Ky njeri në vend që ta falënderonte Allahun për këtë mirësi të madhe që i kishte dhuruar, ai bën fjalë dhe debaton në lidhje me ekzistencën e Allahut, mohon Allahun dhe i tejkalon kufijtë e Tij. Madje ai thotë se vetë ai është zot. I lartësuar është Allahu prej asaj që thonë mohuesit dhe keqbërësit.

Ky mbret jobesimtar, kërkoi nga Ibrahimi argument për ekzistencën e Allahut, ndaj dhe Ibrahimi i thotë duke u argumentuar për ekzistencën e Allahut dhe zotërimin e Tij: “Zoti im është Ai që jep jetë dhe shkakton vdekje”. Pra, Zoti im është Ai i cili vepron në këtë gjithësi dhe ndër të tjera është se Ai e ka ekskluzivitetin të japë jetë dhe vdekje, sikurse zbret shiun dhe ngjall tokën. Dhe ky është një argument i qartë i cili tregon bindshëm për ekzistencën e Allahut të Lartësuar. Por, ky tagut (i cili kishte kaluar kufijtë) tha: “Edhe unë mund të jap jetë e të shkaktoj vdekje”. Sikur ai do të thotë se: të dhënit jetë dhe vdekje nuk është veçori vetëm e Allahut dhe se një gjë të tillë mund ta bëj edhe unë. Kanë thënë se ai mori dy njerëz të cilët meritonin vdekjen dhe njërin e vrau, ndërsa tjetrit ia fali jetën e më pas tha: “Edhe unë ngjall dhe vdes”.

Por, kjo është veçse një maskim dhe mashtrim, madje që nuk mund të ketë asnjë lloj ngjasimi me çështjen për të cilën ata po debatonin.





Atëherë Ibrahimi e ktheu debatin me këtë mbret të padrejtë duke u mbështetur në argumentin që përdori ky mohues. Ibrahimi pastaj i tha: “Allahu e sjell Diellin nga Lindja, sille ti nga Perëndimi!” Pra, meqenëse ti ke mundësi të sjellësh jetë dhe vdekje dhe pretendon se ky demonstrim që na tregove mund të të bëjë zot, sille Diellin i cili lind nga Lindja që të lindë tashmë nga e kundërta e tij, nga Perëndimi. Ibrahimi sikur i thotë: meqë qenke i zoti të japësh jetë e vdekje bëje edhe këtë, sepse ai që bën të parën ka mundësi të bëjë edhe të dytën. Ky, sigurisht ishte një argument i pakundërshtueshëm. Mreti tashmë s’kishte nga të lëvizte e as nga të shkonte. “Atëherë, ai (mohuesi) mbeti me gojën hapur”. Ai e kuptoi se ishte bllof dhe i pamundur, madje ai as që e priste një ndërhyrje të tillë dhe kaq të mençur nga Ibrahimi alejhi selam dhe se këtë radhë e ka të vështirë, madje të pamundur, që të bëjë inat. Ai nuk mund ta çojë dot deri në fund idiotësinë e tij ndaj dhe shtangu e ngeli gojëhapur. Argumentet e tij mbaruan dhe dyshimet e tij u rrëzuan përpara njerëzve. Dhe kjo është gjendja e çdo kujt i cili bën inat ndaj së vërtetës, përpara dijetarit njësues. Në momentet që ata dialogojnë, kryeneçi mohues nuk mund të vazhdojë gjatë në debat me dijetarin njësues.

Kjo është gjendja dhe përfundimi i të gjithë atyre të cilët duan ta mbulojnë të vërtetën. Çdokush që i kundërvihet së vërtetës ai është i mundur dhe i poshtëruar, ndaj dhe Allahu thotë: “Allahu nuk i udhëzon ata që janë keqbërës.” Pra, i poshtëron ata dhe nuk mund të gjejnë argument për të vazhduar në arrogancën e tyre, por nga ana tjetër as nuk udhëzohen dhe mohimi i tyre i bën ata që të poshtërohen përballë miqve të Allahut. Ndaj dhe kanë thënë se një njeri i thjesht Njësues, ka mundësi të mundë 1000 dijetarë idhujtarë.

Bledar Haxhiu

Burimijetes.com

 





Categories

Archives