Friday, 19/10/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Gjysma e hënës!



Gjysma e hënës!
Autor: Agron Islami
Ky është njeriu që në moshën pesë vjeçare e humbi të ëmën, kurse babai i kishte vdekur akoma ai pa ardhur në jetë. Në përkujdesje e morri gjyshi i tij Abdulmutalibi. Më vonë, jo shumë larg vdiq edhe ai. Dhe e morri më pas në përkujdesje xhaxhai Ebu Talibi. Kurse ky i fundit do ta linte këtë botë, m’u atëherë kur nipit të tij qielli i ra përmbi kokë.
Paqja qoftë mbi të!
Profetin Muhamed (bekimet qofshin mbi të) e kujton ky nënqiell si njeriun më të tronditur nga jeta, nga netët dhe ditët e saj, më i përvuajturi në të. U gjakos dhe u torturua nga populli i tij. U mohua nga më të afërmit e tij. U godit fytyra e tij e ndershme, fisnike dhe e bukur!
Armiqtë e tij ishin me numër të madh, kurse ziliqarët i rrinin në pritë. Spekulonin dhe shpifnin për të; kur argument kundër gjenialitetit dhe superioritetit të tij nuk gjenin dot. E urrenin, sepse buzëqeshja e tij ishte si hëna, si dielli, kurse dhëmbët e tij të bardhë si inxhi!
Jetoi në mes njerëzve që nuk kuptonin thuajse asgjë, e atë më hiç! Në mes njerëzve që kishin vrarë kulturën, që kishin frenuar emancipimin, civilizimin, zhvillimin, që nuk e njihnin Zotin dhe besimin, që kishin varrosur dhembshurinë dhe njerëzoren, që i kishin këputur lidhjen me zemrën dhe Hyjnoren.
Ai ishte trashëguesi i Ibrahimit, që u hodh në zjarr, për t’u djeg i gjallë, ishte trashëguesi i Nuhut që me djalin u sprovua rëndë, ishte trashëguesi i Jusufit që ia zgjatën dorën ata, që vite më parë lumturinë fëmijërore ia morrën, ishte trashëguesi i Musaut që me Faraonin egocentrik ballafaqohej, dhe ai atë rrugë e shkeli dhe e përmbylli për të mos patur më te ajo ftues tjetër pas tij. E dha shembullin dhe fjalën që do t’i duhej njerëzimit deri në fund.
Lindi dhe jetoi aty ku vajzat e gjalla varroseshin dhe robërit keqtrajtoheshin. Jetoi dhe pranë s’kishte vëlla e as motër, as nënë e as baba! Jetoi aty ku adhuroheshin putat nga guri dhe balta. Xhaxhai i tij Ebu Lehebi së bashku me gruan e vetë investonin në keqtrajtimet që i bëheshin nipit të tyre zemërbardhë dhe jetim, – Muhammed o shpirti im! Para derës së shtëpisë së tij bujare vëndonin therra, që të përgjakeshin ato këmbë që ënjteshin natën duke lutur e adhuruar Zotin plotë dritë e nur.
Iu përplasë dera në fytyrë, iu rrah trupi pa mëshirë, dhepse për të tjerët ai ishte pasqyrë, por ja, nuk u vlerësua, nuk u çmua, u gurëzua, u përgënjeshtrua, u tradhëtua, ndjeu frikën dhe u përballë me tatëpjeta të mëdha, u gjend në mes sfidash të trishta, mbante barrë të madhe, i bëhej fytyra shtrat i lotëve, se ky ishte ai që ishte dërguar Mëshirë e botëve, i pastri në mes të të kotëve, i afërt pranë të dobtëve, dhepse vetë s’sishte prej të fortëve.
“Pa dyshim se Ne të mjaftojmë ty kundër tallësve!” (Hixhër 95)
Ishte ky ai që do të takohej me ëngjëllin Xhibril, fliste dhe dialogonte me të saherë Zoti donte.
U ngjitë në Qiell dhe bëri udhëtimin fiziko-shpirtëror në botën e paqtë metafizike, i pa dhe përjetoi ato që kurrë s’i harroi, e besoi kush e besoi.
U tallë nga fëmija, u ofendua nga i madhi, u prek dhe u lëndua në nderin e vetë, ishte i varfër, i pandihmuar, i refuzuar, i urrejtur, dikur më vonë e ndoqën për ta vrarë, tentuan ta helmonin, i përgatisnin komplote nga jeta për ta ndarë, i bënë magji, rrethohej me smirëzi, kalonin tri ditë nga jeta e tij e bekuar pa futur gjë në gojë, me bark të uritur falej natën dhe lutej ditën, mendonte dhe meditonte thellë.
Ai ngjitej në piedestalin e lartë,
ndaj dhe armiqësia e armikut ndaj tij ishte e zjarrtë, flakë!
“Ne vetëmse e dimë O Muhammed se ngushtohet gjoksi yt për ato që ata thonë. Por ti madhëroje me madhërim Zotin tënd dhe ji prej sexhdelinjëve!” (Hixhër 97)
Përjetoi vitin e pikëllimit. Sepse ai ishte plotësimi i krijimtarisë njerëzore. Zemrat e nuhasnin fjalën dhe qëllimin e tij, origjinën dhe ngulmimin e tij, prejardhjen dhe ambicjen e tij. Vitin kur i vdiq bashkëshortja më e ngushtë, e cila e besoi dhe e kuptoi kur të të tjerët bënin ndaj tij si të çartët, i vdiq po në të njëjtin vit edhe xhaxhai, shpatulla e jetës ku ai mbështetej.
Nëpër të gjitha këto ai kaloi, mbi të gjitha ato ai hypi dhe triumfoi, lotin dhe gjakun e harroi, Zotin e falënderoji, sepse Atij iu besatua, se për të mbjellur Lulen e Besimit dhe të Shpresës nga Ai u dërgua, fenë e ndritshme e kumtoi, civilizim themeloi, mentalitetin e parrokur arab ai e formatoi, të kotën e rrëzoi, të pandërgjegjshmen me ndërgjegje e luftoi, vrasjen e vajzave të gjalla e ndaloi, skllevërit i liroi, prangat e injorancës dhe të prapambeturisë i theu dhe i copëtoi, dashurinë dhe paqen e shpërndau, nuk mallkoi e as nuk shau, nuk tradhëtoi dhe askë nuk e lëndoi.
“Në të vërtetë se ti je në një shkallë të lartë të moralit!” (Kalem 3)
La pas vetes dashamirë dhe të dashuruar, që për të dhe veten e kishin sakrifikuar, sepse ai ishte shpirt ëmbli, e kishte bërë Zoti si kishte dashur Vetë, ai ishte i moralshmi, durimtari dhe më i bukuri, ngushëllimtari dhe urtësia, përvoja dhe shkëlqesia, thellësia dhe thjeshtësia, plaku dhe fëmija, i buzëqeshuri dhe hëna pesëmbëdhjetëshe, ndaj dhe për të në Qiell Hëna u nda, shpallja qiellore në zemër iu dha, mbeti emër dhe personalitet që i duroi ato që askush nuk do t’i duronte kurrë, u përballë me ato që askush s’do të mund të përballej, bëri atë që askush nuk e bëri, e zhbëri atë që askush nuk e zhbëri, ai nuk shenjëzoi shekuj, por shënjëzoi botën dhe historinë e saj, mbeti personalitet më me ndikim në ndryshimin e botës për të mirë. Sepse pas vetes e kishte Dritën e Qiejve që e frymëzonte dhe e orientonte!
Ai vuajti, por fitoi, dështoi por suksesin e kapi, madje sukseset e tij, nuk shpërblehen me asnjë çmim. Armiqtë e tij të përbetuar, para tij u gjunjëzuan, me dashuri dhe logjikë ftesën e tij e pranuan, fenë e vërtetë për të cilën ai u gjakos e përqafuan, dhepse më herët si njeri e kishin ç’vlerësuar, çoban që s’dinte as të lexonte e as të shkruante.
Ai ishte vetë fjala, vetë vargu, vetë rreshti, vetë lapsi dhe vetë shkenca!
Harruan se fara që hidhet në tokë, është farë dhe sot mund ta shkelësh, por nesër bëhet dru i lartë te i cili mund të mbështetesh, të të bëjë hije dhe të të jep fryte.
Emri i tij i lavdëruar, i bukur dhe i çmuar Muhamed u tha në minare pesë herë në ditë, përditë, çdo muaj e vit, bashkë me Emrin e Atij që falë dashuri, paqë dhe bukuri, që krijoi Universin për papërshkrueshmëri.
Vallë, sa i bukur duhet të ketë qenë Muhammedi i dashur, botën për ta ngjallur?
Gëteja, filosofi i madh gjerman thotë: “Ne, mendimtarët e Europës, nuk do të arrijmë atë që e ka arritur Muhamedi. Atij, askush nuk i paraprinë. Kërkova në histori një njeri me tiparet e tija dhe ato i gjeta te Muhammedi. Kështu ka dashur që ta shfaqë të Vërtetën dhe e ka shpallur monoteizmin!”
“Bota është në nevojë që të ketë një njeri me mendjen e Muhamedit. Po ta udhëhiqte çështjen e botës ai sot, do t’i zgjidhjte të gjitha problemet e saj.” – Bernard Shou.
Gandi, Ainshtajni, Tolstoi e të tjerë filosofë dhe mendjendritur kanë thënë për të fjalë të ngjashme. Kurse Michael S. Hart ka shkruar një libër me titull: “100 personalitetet” ku në të Profetin Muhamed ai e vëndon të parin.
Paqja dhe bekimet, lutjet dhe selamet qofshin mbi të!
“Nga dhembja kanë dalë shpirtrat më të fortë, kurse karakteret më të mëdha janë djegur nga plagët”. – Halil Gibran. ???