Tuesday, 28/3/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Gjumi dhe enderrat nga kendveshtrimi kuranor dhe shkencor pj1


Gjumi dhe enderrat nga kendveshtrimi kuranor dhe shkencor pj1


GJUMI DHE ËNDËRRAT NGA KËNDVËSHTIMI KURANOR DHE SHKENCOR

Allahu i madhërishëm në Kuran thotë:

“Nga argumentet e Tij është edhe gjumi juaj natën dhe ditën, edhe përpjekja juaj për të fituar nga të mirat e Tij. Në këtë ka argumente për popullin që dëgjon”.
(Er Rum, 23)“All-llahu është Ai, që juve ua bëri natën të pushoni në të, e ditën të ndritshme. All-llahu është dhurues ndaj njerëzve, por shumica e njerëzve nuk e falënderojnë”.
(Gafir, 61)“Ne i bëmë natën dhe ditën dy fakte (që dokumentojnë për fuqinë Tonë), e shenjën e natës e shlyem (e errësuam), e shenjën e ditës e bëmë të ndritshme që të mund të angazhoheni për shfrytëzimin e begative të dhuruara nga Zoti juaj, dhe që ta mësoni njehsimin e vjetëve dhe llogaritjen (e kohës). Ne kemi sqaruar çdo send në mënyrë të hollësishme”.
(El Isra, 12)“Dhe gjumin tuaj ua bëmë për pushim. Dhe natën ua bëmë mbulesë (si rrobat)”.
(En Nebe, 9 – 10)“Pasha natën që me errësirë mbulon gjithësinë”!
(El Lejl, 1)

“Pasha natën kur ajo e mbulon atë (dritën e diellit)!”
(Esh Shems, 4)

“All-llahu i merr shpirtrat kur është momenti i vdekjes së tyre (i vdekjes së trupave të tyre), e edhe atë që është në gjumë e nuk ka vdekur, e atij që i është caktuar vdekja e mban (nuk e kthen), e atë tjetrin (që nuk i është caktuar vdekja, por është në gjumë), e lëshon (të kthehet) deri në afatin e caktuar. Vërtet, në këto ka argumente për një popull që mendon”.
(Ez Zumer, 42)

Përse flemë?
Përse ëndërrojmë?
Janë dy pyetje që gjithmonë u kanë interesuar njerëzve që t’i zbulojnë.
Filozofi i njohur francez Ipolit Ten ka kërkuar nga shërbëtori i tij që ta zgjojë disa herë natën, për të parë ëndërron apo nuk ëndërron.
Që nga viti 1920, kur ra epidemia e encerfalitit letargjik, gjatë së cilës sëmundje të sëmurët kanë rënë në gjumë të thellë, është konstatuar se me të vërtetë gjumi është fenomen organic: ekziston një shkaktar (më vonë u zbulua virusi) që dëmton sfera të caktuara në cipën e trurit.
Hulumtimet e fiziologjisë së gjumit filluan nga vitet 1914 – 1918, kur shkencëtari R. Hes, duke ngacmuar qelizat nervore të shtazëve, arriti të shkaktojë tek ato gjumin në mënyrë artificiale. Zbulimi i parë më i rëndësishëm për ta kuptuar fenomenin e gjumit ishte se në tru nuk ekziston «qendra për gjumë», siç besohej deri atëherë, por vetëm «qendra për zgjim dhe vëmendje» dhe se aktiviteti i zvogëluar i saj shkakton gjumin (Magun dhe Moruci). Zbulimet e mëvonshme treguan se gjumi nuk është fenomen pasiv. U zbulua po ashtu se gjumi nuk është fenomen i thjeshtë, por është i përbërë prej shumë valëve (Klane, Fimejn, Klajtmen). Paralelisht me këtë u vërtetua se gjumi është nën ndikimin e substancave kimike – neuromediatore, që bëjnë të mundur bartjen e impulseve nervore, përkatësisht punën e harmonizuar të miliona neuroneve.
Gjumi, si fenomen me rëndësi për jetën e njeriut, përkufizohet si gjendje e pavetëdijshme e njeriut, nga e cila gjendje mund të zgjohet me ndihmën e ngacmimeve adekuate senzorike apo me anë të ngacmimeve të tjera.
Deri vonë mendohej se gjumi është ndërprerje e aktivitetit të sistemit nervor qendror, mirëpo hulumtimet në të reja tregojnë se gjatë gjumit janë në gjendje active një numër gati i njejtë qelizash nervore (neurone) si edhe kur njeriu është zgjuar.
Mundësia e regjistrimit të valëve elektrike, të cilat truri i përcjellë në elektroencefalograf (EEG), dhe mundësia e matjes së lëvizjes së trupit me akinograf, kanë treguar imazhin e qartë të incizuar të gjumit me saktësi matematikore të përafërt.
Çdo natë, pothuaj në të njejtën kohë, ju shihni orën, gogësini dhe përgatiteni për të fjetur. Ju shtriheni në shtrat me dritat e fikura dhe sytë e mbyllur, duke pritur që ndjenja e përgjumjes t’u çojë në atë gjendje në të cilën ju do t’i kaloni rreth 8 orër e ardhshme.
Ju kaloni afërsisht një të tretën e jetës suaj në gjumë. Për shumë njerëz kjo do të thotë rreth 25 vjet. Përderisa ju flini pak a shumë rregullisht çdo ditë, ju e konsideroni gjumin vetëm si një të vërtetë të pashmangshme. Pikërisht tani shkencëtarët po mësojnë disa nga misteret e shumta të gjumit dhe ëndërrimit.
Dy tipat e gjumit u emërtuan për herë të parë më 1953. Ky ishte viti kur Juxhir Azerinski (Eugene Aserinsky) dhe Netheniell Kllaitmen (Nathanail Kleitman) të Universitetit të Çikagos, njoftuan se gjatë gjumit sytë lëvizin periodikisht dhe shumë shpejtë, lartë e poshtë, nën kapakë.
Ky aktivitet i quajtur LSHS (lëvizje e shpejtë e syve), tregonte një tip gjumi që ishte shumë aktiv, në krahasim me etapat e tjera më passive të gjumit, të quajtura LJSHS (lëvizje jo e shpejtë e syve).
Etapat e gjumit LJSHS. EEG – të e trurit tregojnë se ka katër etapa të veçanta të gjumit LJSHS. Nganjëherë këto etapa quhen në mënyrë përmbledhëse «gjumë me valë të ngadalshme» ose «gjumë klasik», meqë kjo është ideja klasike për atë çka është gjumi. Çdo natë kur biem të flemë, para se të kalojmë në gjumin LSHS, ne kalojmë nëpër secilën nga të katër etapat e gjumit LJSHS.
Etapa e parë është kalimi nga shtendosja në gjumë të plotë.
EEG – ja karakterizohet nga aktiviteti «theta» dhe ka një frekuencë prej 4 – 6 Hc. Personi që është i përgjumur mund të ketë imazhe që ngjajnë më tepër me halucinacionet se sa me ëndërra me sy hapur.
Ai mund të zgjohet me lehtësi dhe mund të ndikohet nga nxitës të jashtëm si, p.sh., kur bie telefoni.
Etapa e dytë është etapë me të cilën EEG – ja përmbanë poashtu aktivitet «theta» dhe karakterizohet nga «boshte gjumi», që janë shpërthime të shkurta valësh prej 12 – 14 Hc. Kjo etapë përmbanë gjithashtu «komplekse K», që janë ngritje dhe rënie të forta në EEG. Ne kalojmë rreth 50% të gjumit tonë në këtë etapë.
Etapa e tretë është një etapë kalimtare, në të cilën kalojmë rreth 10% të gjumit tonë. EEG – ja e kësaj etape mund të përmbajë ende «boshte gjumi», por gjithashtu fillon të shfaqet aktivitet delta, që ka një frekuencë prej 1 – 3 Hc.
Etapa e katër është quajtur shpesh «gjumi i thellë». EEG – ja e kësaj etape përbëhet më se 50% nga aktiviteti delta. Në etapën e katërt ne kalojmë afërsisht 15% të gjumit tonë dhe është tejet vështirë të zgjosh dikë nga kjo etapë. Por, kur e bëjmë këtë, personi ka prirje të jetë si i këputur dhe nuk funksionon plotësisht. Të folurit në gjumë, trembja natën, urinimi në shtrat, të gjitha ndodhin kryesisht gjatë gjumit në këtë etapë.
Karakteristika të caktuara janë të zakonshme në gjumin LJSHS. Sytë mund të lëvizin ngadal nga njëra anë te tjetra. Ritmi i zemrës ngadalësohet dhe tensioni i gjakut ulet pak.
Frymëmarrja është e ngadaltë dhe e rregullt (dhe në këtë kohë njeriu gërhet). Në përgjithësi mungon tensioni muskulor dhe njeriu që fle është i palëvizshëm. Po ta shihnim njeriun në gjumin LJSHS, do të arrinim në përfundim se ai po pushon në qetësi.
Gjumi LSHS. Gjumi me lëvizje të shpejtë të syve (LSHS) quhet shpesh «gjumë i ëndërrave, gjumë aktiv» ose «gjumë paradoksal», sepse këtu ndodh ëndërrimi dhe karakteristikat e gjumit LSHS janë të ngjashme me ato të gjendjes zgjuar. Sytë lëvizin me shpejtësi lart e poshtë. Ritmi i zemrës përshpejtohet, tensioni i gjakut ngritet, frymëmarrja bëhet e ndryshueshme dhe ndodh ndezja seksuale në të dy sekset (Kiester, 1980). Ka lëvizje periferike të fytyrës dhe të gishtave, por muskujt e mëdhenj të trupit janë plotësisht të paralizuar nga sistemi nervor dhe si rrjedhim nuk mund të ndodhë asnjë lëvizje e tërë trupit. Në përgjithësi aktiviteti i EEG – së është i ngjashëm me gjendjen kur njeriu është zgjuar me sy të hapur, por përmban valë karakteristike «dhëmbësharrë» të modeleve të EEG – së së gjumit. Duke i riparë këto karakteristika, ne nxjerrim përfundim se gjumi LSHS është vërtetë një gjendje aktive e të fjeturit.
Gjumi LSHS kosiderohet si gjumi i ëndërrave, meqë pjesa më e madhe e ëndërrimit ndodh në këtë etapë. Dimenti (Uiliam C. Dement) i mblodhi rezultatet e një numri studimesh më 1976 dhe njoftoi se personat e eksperimentuar kur zgjohen nga gjumi LSHS mund t’i rikujtonin ëndërrat deri në 83% të rasteve, ndërsa kur zgjoheshin nga gjumi LJSHS ata mund t’i tregonin ëndrrat vetëm në rreth 14% të rasteve. Ëndrrat në etapën LSHS shpesh mbahen në mend të freskëta, ndërsa ato pak ëndrra që shihen në etapat LJSHS janë shpesh të turbullta dhe të paqarta.
Ndonëse ekzistojnë ndryshime të mëdha, shkencëtarët kanë zbuluar se shumica e ëndrrave paraqesin një model të përbashkët të fjetjes gjatë jetës së tyre (Roffëorg, Muzio dhe Dement, 1996). I porsalinduri fle deri 16 orë në ditë, zakonisht në séance relativisht të shkurtra, të shpërndara në 24 orë. Në vitin e parë gjumi i natës, me disa dremitje gjatë ditës, bëhet normë. Në moshën 2 deri 5 vjeçare fëmijët flenë rreth 11 orë në ditë, duke përfshirë edhe një dremitje prej një ore gjatë ditës. Gjatë moshës 6 deri 16 vjeçare koha e përgjithshme e gjumit lëvizë mesatarisht nga 11 orë në rreth 8 orë përnatë, dhe vazhdon në rreth 8 orë gjatë pjesës më të madhe të moshës së rritur.
Kur njerëzit mplaken ekziston tendenca që të kenë vështirësi të mëdha me gjumin. Më 1975 Uills Ueb (Wilse Webb) njoftonte se te një grup 60 vjeçarësh numri i zgjimeve gjatë natës ishte mjaftë më i madh se te një grup 30 vjeçarësh. Grupit të 60 vjeçarëve i duhej më shumë kohë që ta zinte gjumi. Ata zgjoheshin natën më shpesh dhe spontanisht dhe në tërësi bënin më pak gjumë cilësor. Gjithashtu shumica e të moshuarve dremiste gjatë natës. Gratë kanë tendencë që të jenë më rezistente ndaj ndryshimeve të moshës se sa burrat.

TEORITË MBI GJUMIN

Një shkrim tjetër i dobishëm  Kreativiteti dhe inteligjenca emocionale

Fitimi i njohurive lidhur me mënyrën se si truri kontrollon gjumin dhe zhvillimi i teorive mbi funksionet e gjumit ka qenë një proces shumë i ngadaltë. Shkaku pjesërisht qëndron në atë se nuk është e lehtë të studiohet truri, i cili është duke funksionuar. Mekanizmat që veprojnë janë shumë më të ndërlikuar, se sa besonin shkencëtarët në fillim. Ndonës tashmë ne kemi një ide mbi funksionet e gjumit dhe mbi mënyrën e ndikimit të trurit në disa aspekte të gjumit, megjithatë ka shumë boshllëqe në fushën e gjumit, të cilat boshllëqe duhet të plotësohen nga hulumtuesit e ardhshëm.
Më 1967 Majkëll Zhuvet (Michael Jouvet) tregoi se gjumi LJSHS dukej se ndikohej nga një zonë në trungun e trurit, që njihet si bërthama e bashkimit (raphe nucleus). Nxitja elektrike e kësaj zone zakonisht sjell gjumë, ndërsa dëmtimet e saj çojnë drejtë eliminimit të gjumit.
Disa kërkime tregojnë se gjumi i etapës së katër është i rëndësishëm për ripërtëritjen fizike të trupit (Moldofsky, Scaribrick, 1976). Disa studime sugjerojnë se gjumi LSHS ka të bëjë me të mësuarit dhe kujtesën (Greises, Greenberg, Harrison, 1972).
Një teori e kohëve të fundit mbi gjumin LSHS e Frensis Krikut (Francis Crick) bashkëzbulues i strukturës së ADN, shkon në drejtim të kundërt. Kriku dhe Miçiseni (Mitchison, 1983) mendonin se funksioni i gjumit LSHS është që të pastrojë trurin nga kujtimet që mund të ndërhyjnë në mendimin normal dhe në kujtesë. Kjo është arsyeja pse ne nuk i mbajmë në mend shumë nga ëndrrat tona.
Aktualisht nuk mund të nxjerrim ndonjë përfundim të përcaktuar prej këtyre hipotezave. Vetëm mund të themi se duket qartë se gjumi LSHS e ka rëndësinë e nevojshme «për të kërkuar» nga ne që të shohim ëndrra çdo natë.
Pra, pas tërë këtyre hulumtimeve mund të konkludojmë se e njohim fare pak fenomenin e gjumit. Shkaku i kësaj është se gjumi është mister i Allahut të madhërishëm, i cili na rikujton versetin e Kur’anit fisnik:
“Allahu i merr shpirtrat kur është momenti i vdekjes së tyre (i vdekjes së trupave të tyre), e edhe atë që është në gjumë e nuk ka vdekur, e atij që i është caktuar vdekja e mban (nuk e kthen), e atë tjetrin (që nuk i është caktuar vdekja, por është në gjumë), e lëshon (të kthehet) deri në një afat të caktuar. Vërtet, në këto ka argumente për një popull që mendon”
(Ez Zumer, 42)
Nga ky verset kuranor kuptojmë se Allahu i gjithëmëshirshëm i merr shpirtat tanë në gjumë, përveç shpirtit bimor dhe shtazor, i cili i kryen funksionet elementare të organizmit tonë. Andaj është e pamundur të dimë gjithçka mbi gjumin, sepse nga trupi ynë transformohet shpirti racional. Kjo do të thotë sikur ta përshkruash kafazin pasi të ketë fluturuar bilbili. Mu për këtë cituam shumë teori dhe hipoteza mbi gjumin që janë bërë nga shkencëtarë të ndryshëm. Këtë e bëmë për të treguar boshllëqet e shumta dhe njohuritë e përcipta që kemi në shpjegimin e misterit të gjumit dhe ëndrrave.

ËNDRRAT

Njerëzit gjithmonë janë magjepsur me ëndrrat. Poetët dhe filozofët i kanë interpretuar ato si fantazi romantike ose si manifestime të anës më të errët të natyrës njerëzore. Shumë shkencëtarë kanë mbajtur një qëndrim më praktik ndaj ëndrrave dhe i kanë studiuar ato si Brenda, ashtu edhe jashtë laboratorit për të kuptuar në mënyrë më shkencore vendin që zënë ato në jetën njerëzore.

TEORIA E ËNDRRAVE E FROJDIT

Një teori e hershme mjaft e popullarizuar mbi ëndrrat u paraqit nga Zigmund Frojd (1900), i cili besonte se ëndrrat janë rruga drejtë mendjes së pandërgjegjshme. Ai mendonte se konfliktet që na shqetësojnë ose ngjarjet që ne nuk mund t’i trajtojmë gjatë ditë kalojnë në ëndrra, i fsheh imazhet që paraqesin dhe prandaj është e nevojshme që ato të interpretohen. Një pjesë e madhe e interpretimeve të Frojdit përqendrohej te simbolizmi seksual. Në simbolizëm përmbajtja e pashfaqur e një ëndrre konvertohet në simbole të shfaqura. P.sh. ai sugjeronte se organet gjenitale mashkullore në ëndrra përfaqësohen me simbole si shkopinj, shtylla, pemë, kama, heshta, revolver, lapsa ose çekiç, kurse organet seksuale femërore si gropa, zgavra, enë, shishe, kuti dhe xhepa. Problemi kryesor i kësaj mënyre të interpretimit është se një simbol mund të mos kishte kuptim të njejtë për çdo ëndërrues.
Shkencëtarë të tjerë konstatojnë shumë më pak ëndrra seksuale se sa Frojdi. Një mënyrë tjetër për trajtimin e ëndrrave paraqitet nga Pelambue (Palumbu, 1978), i cili sugjeronte se ëndrrat janë mënyrë e të përpunuarit e ngjarjeve të ditë.
Kelven Holl (Calvin Hall, 1966) besonte gjithashtu se ëndrrat janë thjesht paraqitje vizuele e ngjarjeve të përditshme.
Në kohë të fundit teoria e sintezës së aktivizimit të ëndërrimit u paraqit nga Makarli (Mecarleu dhe Hoffmann, 1981). Në thelb, sipas kësaj pikëpamje truri aktivizon vetvetën dhe pastaj e sintetizon në ëndrra informacionin e krijuar, përkatësisht të grumbulluar. P.sh.ata sugjerojnë se rrëzimi është interpretim i aktivit vestibular, frika ose pamundësia për t’ia mbathur e për të shpëtuar është interpretim i paralizës muskulore, ndërsa veprimtaria seksuale është interpretim i simulimit të organit seksual që ndodh gjatë gjumit LSHS.
Ndonëse teoria e sintezës së aktivizimit të ëndërrimit është interesante, ajo ende nuk është vërtetuar.
Ëndrrat dëshmojnë për aktivitetin psiqik gjatë gjumit, p.sh. ka mjaft raste ku në gjumë bëhet punë aktive krijuese. Shkencëtarët kanë zbuluar gjëra me rëndësi, poetët kanë thurur vargje, etj.
Pikërisht në gjumë herëpashere vijnë aso zgjidhjesh çfarë nuk ka qenë e mundur të zgjidhen në gjendje të zgjuar.
Se gjumi me të vërtetë është dhunti e çmuar e Allahut të madhërishëm për zhvillimin normal të aktivitetit psiqik vërtetojnë edhe eksperimentet e bëra me vullnetarë të cilëve u ishte ndërprerë gjumi disa ditë me rradhë. Pas eksperimenteve ata u bënë të ngacmueshëm, të brengosur, përjetonin çrregullime emocionale deri te halucinacionet. Të gjitha këto vinin si pasojë e çrregullimit të metabolizmit të mediatorëve të trurit, që sjell, domosdo, desinkronizimin e punës së trurit dhe çrregullimin e psikës.

Gjatë procesit të gjumit ndodhin dy veprime fiziologjike tejet të vlefshme:
1. Veprime në sistemin nervor;
2. Veprime në organe të tjera të trupit.
Siç duket, gjatë qëndrimit një kohë të gjatë në gjendje të zgjuar, gjithnjë e më tepër çrregullohen funksionet e aktivitetit mental dhe sjelljet e njeriut. Dhe nëse një gjendje e zgjuar zgjat më tepër, atëherë njeriu do të përjetonte çrregullime emocionale, halucinacione e deri te ndryshimet në sferën psikike. Andaj supozohet se gjumi, si dhunti e madhe e Allahut të madhërishëm, edhe pse si fenomen fiziologjike ende enigmatik dhe i panjohur, vendos një ekuilibër apo barazpeshë normale ndërmjet pjesëve të ndryshme me ndjeshmëri fiziologjike dhe sistemit nervor qendror. Kjo mund të krahasohe me «kthimin në start ose në zero» të llogaritësve elektronik, të cilët, pas përdorimit, kthehen në pikën start pasi më parë e kanë humbur «vijën themelore» të veprimit të tyre.
Andaj, edhe pse nuk është vërtetuar përfundimisht se ç’vlerë ka gjumi në kuptimin funksional, megjithatë, në saje të ndryshimeve të njohura që ndodhin një kohë të gjatë gjatë gjendjes së zgjuar, mund të supozohet se gjumi kryen funksionin «kthimit në start ose në zero» të sistemit nervor, në mënyrë që të vendoset baraspesha fiziologjike ndërmjet qendrave nervore.
Shkencëtarët e Universitetit të Helsinkit, duke mbajtur nën kontroll të vazhdueshëm zhvillimin e 4000 binjakëve, zbuluan se nëse njëri binjak sheh ëndrra të këqija, atëherë në afro 60% të rasteve po ato ëndrra i sheh edhe binjaku tjetër. Tek binjakët dyvezorë ky realitet zvogëlohet në 20%.
Shkencëtarët besojnë se në fenomenin e ëndrrave veprojnë gjenet, që janë identik te binjakët njëvezor.
Kur njeriun e zë gjumi atëherë ai transferohet nga një ligj në tjetrin. Derisa është në gjendje të zgjuar, njeriu i nënshtrohet ligjeve të caktuara. Ai i sheh gjërat të materializuara dhe vazhdon jetën duke logjikuar gjërat me mendjen e tij. Mirëpo gjatë gjumit ne jemi një botë tjetër, e cila nuk i nënshtrohet mendjes, logjikës apo rregullave të kësaj bote materiale. Realisht gjatë gjumit, ne dalim plotësisht nga ligjet e botës materiale.
Një gjë është shumë interesante: si sheh njeriu kur flen, kur sytë i ka të mbyllur ecën, kurse këmbët e tij nuk lëvizin? Si i përjeton gjërat, si e sheh vetën duke fluturuar nëpër hapësirën qiellore, ndonjëherë duke qeshur, ndonjëherë duke qarë? Me një fjalë, njeriu duke fjetur u nënshtrohet ligjeve të Allahut xh.sh. i cili i vendosi dhe i përsosi me mrekulli të veçantë për mirëqenien e njeriut, kurse shkenca dhe dituria njerëzore nuk arrin t’i kuptojë. Shkenca supozon se koha e angazhimit të trurit të njeriut në ëndërr zgjatë afër një orë apo edhe më shumë.
Këtë transferim nga ligji në ligj e përjeton secili prej nesh. Allahu i madhërishëm, si gjest mëshire për robët e Tij, deshi t’u tregojë se kur ata flenë Ai i transferon në botën e vdekjes. Pra ne ia dorëzojmë Atij shpirtin tonë, kurse pas zgjuarjes nga gjumi i Madhi Zot fuqiplotë na kthen përsëri shpirtin në jetë, kurse atyre që dëshiron ua ndalë e nuk ua kthen, siç bënë aluzion verseti kuranor:
“Allahu i merr shpirtrat kur është momenti i vdekjes së tyre (i vdekjes së trupave të tyre), e edhe atë që është në gjumë e nuk ka vdekur, e atij që i është caktuar vdekja e mban (nuk e kthen), e atë tjetrin (që nuk i është caktuar vdekja, por është në gjumë), e lëshon (të kthehet) deri në një afat të caktuar. Vërtet, në këto ka argumente për një popull që mendon”
(Ez Zumer, 42)
Pra, transferimi i të gjithë neve, siç thamë më lart, nga një ligj në ligjin tjetër natyror bëhet çdo natë, pa e diktuar fare me ndjenja tona, që pastaj prapë me fuqinë absolute të Allahut xh.sh. të kthehemi në ligjin e parë, të cilit i nënshtrohemi kur jemi të zgjuar. Pra, çdo qenie njerëzore i nënshtrohet ligjit të gjumit, përveç Allahut xh.sh. i cili në Kur’an thotë:

”..Atë nuk e kapë as kotje as gjumë,…..”
(El Bekare, 255)

Categories

Archives