Tuesday, 21/11/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Gjumë të ëmbël

Gjumë të ëmbël

Gjumë të ëmbël – Selman Aude

Ndoshta, është qesharake të flasësh për gjumin… Mos vallë u konsumuam saqë tani nuk na mbeti gjë tjetër, por të flasim për gjumin dhe ëndrrat? Apo na duhet më shumë gjumë dhe mungesë ndjeshmërie?

I pa të meta je o Zot! Sa orë kalon njeriu në gjumë?

Sipas një raporti të publikuar nga studiuesit, njeriu kalon nga gjashtë deri tetë orë në gjumë, pra një të tretën e jetës së tij. Sakaq, fëmijët kalojnë shumë më tepër kohë në gjumë. Ka njerëz që u duhen dhjetë orë gjumë për ta rimarrë veten, ashtu siç ka të tjerë që u mjaftojnë tre orë në ditë. Gjithçka sipas orës biologjike të secilit, por edhe vullnetit të secilit.

Në Kuran, Zoti e përmend gjumin në kontekstin e dhuntisë dhe begatisë:” dhe gjumin jua kemi bërë për prehje.” (Nebe, 9)

“Ai bëri që ju të koteni në gjumë të lehtë si shenjë sigurie nga ana e Tij” (Enfal, 11)

“Allahu e ka bërë natën që ju të pushoni, ndërsa ditën e ka bërë të ndritshme për të parë. Vërtet, Allahu është Dhurues i madh ndaj njerëzve” (Gafir, 61)

“Ai jua merr shpirtrat (ju vë në gjumë) natën” (En’am, 60)

“Allahu ua merr shpirtrat atyre që u ka ardhur çasti i vdekjes dhe atyre që nuk kanë vdekur, por që janë në gjumë.” (Zumer, 42)

Në shumë pasazhe, siç dhe shihet, gjumi përmendet në kontekstit e mirësisë dhe begatisë, ose në kontekstin e argumentit dhe pushtetit të Zotit, në krijimin e gjumit si fenomen i cili na mbyll sytë bashkë me arsyen. Ai, gjumi, ia humb njeriut vetëdijen dhe aftësinë perceptuese. Pas gjumit, njeriu ngrihet i lehtë, pasi e ka shkarkuar lodhjen dhe i janë ripërtërirë forcat dhe energjitë.

Në gjumë, njeriu mund të shohë ëndrra nga më të çuditshmet, të cilat nuk i sheh kur është zgjuar. Vetë ëndrra është një mësim tjetër, një argument, i cili na afron me Krijuesin dhe të Gjithëditurin.

I pa të meta je o Zot! Vetë i dërguari i Zotit a.s, ka vendosur një etikë të caktuar për gjumin dhe pastërtinë para gjumit. Ai na mëson të flemë në krahun e djathtë dhe të lexojmë lutjet e duhura para gjumit. Vetë Profeti a.s e mësonte vajzën e tij Fatimen dhe dhëndrin Alin, që para gjumit, të thonë 33 herë subhanalla, 33 herë elhamdulilah, 34 herë Allahu ekber, dhe se kjo u largonte lodhjen dhe u ripërtërinte energjitë. “Kjo është më e mirë për ju, sesa një shërbëtor” u pati thënë Profeti a.s.

Nga vetë përvoja ime, kam parë që madhërimi i Zotit me tesbih, është ilaç shumë i efektshëm ndaj pagjumësisë. Tesbihu është më i dobishëm dhe i efektshëm sesa këshillat e mjekut për të numëruar mbrapsht nga 100.99.98…

Po, ndonjëherë mund të na emërtojnë si bota e gjumit dhe të them të drejtën, nuk na duhet më shumë gjumë. Por lipset që të mësojmë etikën e gjumit, përse ka këtë ndikim çudibërës. Gjumi është një shpërblim për mundin dhe lodhjen që kemi bërë, për djersën e derdhur dhe për presionin që përballuam.

Të orvatesh të mohosh fenomenet e natyrshme, është një problem i madh. Ne të gjithë flemë dhe e shijojmë këtë, edhe kur na ndodhin ngjarje të rënda.

Poeti arab, Elmutenebi thoshte:

Unë jam ai që vargjet e mia

I verbëri i lexon, shurdhi i dëgjon

Gjumë të paqtë bëj me gjithë hallet që qaj

Kurse mileti që i lexon, gjumin ia largon

Ndonjëherë, ne na vjen zor të lexojmë rreth gjumit, të flasim për gjumin dhe ta përmendim atë. Kjo hyn tek kureshtja, të cilës nuk i shmangemi dot.

Disa çaste qetësie dhe relaksi, na mundësojnë të shkarkojmë energjitë negative, hallet, telashet dhe presionet e ditës. Ato na mundësojnë të rimarrim veten, të ndihemi më të lehtë dhe më të komunikueshëm. Por, kjo mund të bëhet edhe nëpërmjet disa momenteve të bukura të kaluara me bashkëshortin/ten, një lojë me fëmijët, një bisedë e këndshme me një mik të ngushtë. Kjo, e rrethuar me përmendje të shpeshtë të Zotit dhe kërkim falje (istigfar), gjë e cila është një shans për katarsis të brendshëm, pastrim të zemrës me ujin e transparencës dhe tolerancës, në vend të sjelljes ndërmend të kushedi sa lëngimeve, qedereve, qëndrimeve të dhimbshme që tregojnë agresivitetin e të tjerëve dhe ligësinë e tyre, se ata thonë atë që se veprojnë. S’kam përse të fle në spinën e urrejtjes, neverisë dhe mllefit, për tu zgjuar në të njëjtën gjendje.

Para se të mbyll sytë për t’iu dorëzuar gjumit, sjell ndërmend suksesin dhe arritjet e ditës, qëndrimet pozitive, të bukurat e ditës, premtimet e mbajtura, shpresën për një të ardhme më të bukur, sjell ndërmend nevojën që të më falin të tjerët për gabimet e bëra, por dhe nevojën e tyre për ti falur. Kjo më frymëzon që të ngjitem lart me lutje për miqtë e mi, të njohurit dhe të afërmit, por edhe për kundërshtarët dhe armiqtë të cilët më kanë shpallur luftë. Unë lutem edhe për ta, që Zoti ti shpëtojë nga e liga e veteve të tyre, ti udhëzojë tek ajo që është më e mira për ta… Në çaste të tilla, të bën shoqëri një engjëll i ngarkuar nga vetë Zoti, i cili gjendet aty ku përmendet emri i Zotit. Ai, pas çdo lutjeje tënde, bën “Amin” dhe thotë:”Edhe për ty e njëjta gjë!”

U zgjova nga gjumi dhe renda si zakonisht tek sënduku i dashur, për të gjetur këtë mesazh nga njëra prej bijave të mia:

Dielli në penxhere do të të zgjojë

Por gjumi, sytë e tu nuk do ti lëshojë

Ngriu dhe dëgjo zemrën si djalë i ri

Sa i ftohtë është mëngjesi, o baba, pa ty

 

Gjumë të ëmbël, ëndrra plot trëndafila dhe zgjim plot shpresë e mirësi!

 

Përktheu: Elmaz Fida

Categories

Archives