Monday, 22/10/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Formula si të bëhesh i pasur



Formula si të bëhesh i pasur

Dikur një pasanik lakmitar e kishte punësuar një matematikan.

Pasaniku kërkoi nga matematikani që ta gjejë formulën për arritjen e profitit më të madh të mundshëm në të gjitha punët që udhëhiqte. Ëndrra e pasanikut ishte që me flori dhe margaritarë të mbush arkën e madh që e kishin ndërtuar sipas instruksioneve të tij. Matematikanin e mbante të mbyllur në dhomën e punës derisa të bindej se e ka gjetur zgjidhjen.
Një natë u paraqit para pasanikut me buzëqeshje në fytyrë: “E kam gjetur formulën. Llogaritjet e mia janë të përkryera.”
Mirëpo, pasaniku duhej që ditën e nesërme të udhëtonte për një kohë të gjatë dhe se nuk kishte kohë ta dëgjonte deri në fund. I premtoi matematikanit se do ta paguajë dyfish më shumë, nëse pranonte t’i udhëheq punët në mungesë të tij, duke aplikuar formulën e re. Matematikani me entuziazëm e pranoi ofertën.
Kur pas disa muajve pasaniku u kthye nga rruga, kuptoi se tërë pasuria e tij ishte zhdukur. I tërbuar, menjëherë shkoi te matematikani për shpjegim. Matematikani me gjakftohtësi u përgjigj se tërë pasurinë e tij u ka ndarë njerëzve. Pasaniku nuk mund t’u besonte veshëve të vet, por matematikani vazhdoi shpjegimin: “Me muaj kam analizuar sesi njeriu i pasur mundet maksimalisht të fitojë, por çdo gjë që bëja ishte e kufizuar. Ekziston kufiri sa një njeri mundet të fitojë vetë. Atëherë kuptova që çelësi qëndron në atë që shumë njerëz mund të na ndihmojnë t’i realizojmë qëllimin tonë. Andaj, konkludimi është që duke ndihmuar tjerët është mënyra më e mirë që të realizojmë sa më shumë profit.”
Pasaniku u tërbua me vetveten kur kuptoi që çdo gjë që ka arritur, e ka humbur duke iu falënderuar skemës së marrë të matematikanit të çmendur. Mirëpo, duke ecur përreth si miza pa krye, disa fqinjë duke treguar brengosje iu afruan për të ndihmuar. Të gjithë kishin marrë ndihmë derisa matematikani bënte eksperimente me pasurinë e njeriut të dëshpëruar. Ndienin mirënjohje të veçantë ndaj pasanikut duke i ofruar mikpritje të ngrohtë në shtëpitë e tyre dhe çdo gjë tjetër që i nevojitej këtij njeriu të veçantë. Fqinjët filluan të zihen se kush i pari do t’i ndihmojë gjatë ditëve në vijim. Pasaniku vërejti diapazonin e asaj që matematikani kishte menduar. Kudo që shkonte e pritnin me nderime të veçanta dhe të gjithë ishin të disponuar t’i ndihmojnë me gjitha mënyrat. Kuptoi që duke iu falënderuar asaj që sa më shumë nuk ka, ka fituar shumë, shumë më tepër.
Duke iu falënderuar situatës së re, arriti shpejtë që të ketë punë të suksesshme, por tani këtë radhë duke përcjell sugjestionet e matematikanit të jashtëzakonshëm. Tani pasurinë e tij nuk e mbante të mbyllur dhe larg njerëzve.
Në vend të kësaj, jepte çdo gjë që kishte të tjerëve, zemrat e të cilëve i transformoi në arkën më të sigurt, më falënderuese dhe më frytdhënëse në botë.
Mos harroni, çdo gjë që u japim tjerëve, kurdoherë do të kthehet në formën që ndoshta kurrsesi nuk e kemi pritur.





Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi