Tuesday, 23/5/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Fenomeni i vdekjes së befasishme ndërmjet shkencës dhe besimit


Fenomeni i vdekjes së befasishme ndërmjet shkencës dhe besimit


vdekja besimi

I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, thotë:“Prej shenjave të kiametit është që të shfaqet vdekja e papritur.” Shënon Taberani.
Në këtë hadith paraqitet një mrekulli shkencore, të cilën do ta vërtetojmë me fakte mjekësore të cilat nuk pranojnë polemikë. Kjo mrekulli dëshmon për të Dërguarin, paqja e Zotit qoftë mbi të, se ai është i Dërguar nga ana e Allahut Fuqiplotë, i cili nuk flet nga hamendja, por çdo fjalë të cilën e ka thënë është shpallje nga Allahu i Lartësuar.
Organizata e Kombeve të Bashkuara çdo vit na sjell statistika të reja rreth numrit të atyre që vdesin si rezultat i goditjeve të zemrës. Këto shifra gjithnjë janë në rritje e sipër. Gjithashtu këto statistika na bëjnë me dije se sëmundjet e zemrës konsiderohen shkaku i parë për rastet e vdekjes në botë këto ditë. Gjatë këtij studimi do të vërejmë se nuk ka qenë e mundur në kohën e të Dërguarit, paqja e Zotit qoftë mbi të, të imagjinohej se do të vijë një kohë kur do të paraqitet, madje të shpeshtohet vdekja e papritur, vetëm nëse ka qenë i lidhur me shpalljen hyjnore, e cila do ta mësonte lidhur më këto.

I pari që e ka studiuar këtë fenomen nga aspekti shkencor

Fenomeni i shfaqjes së vdekjes së papritur konsiderohet një dukuri relativisht e re. Studimi i parë rreth vdekjes së befasishme konsiderohet studimi i Framingham Heart, i cili ka filluar në vitin 1948. Gjysma e numrit të atyre të cilët morën pjesë në këtë studim, tashmë kanë vdekur. Studimi i rasteve të vdekjes së tyre është bërë në një formë shumë të përpiktë. Framingham e përkufizon vdekjen e papritur se është vdekje e cila realizohet brenda një periudhe e cila nuk kalon një orë pas paraqitjes së simptomave. Shumica e rasteve të vdekjes së papritur janë si rrjedhim i sëmundjeve të arterieve koronare të zemrës. Kjo vdekje quhet Sudden Cardiac Death (Vdekje e Papritur e Zemrës), shkurtimisht SCD. Studimi i tij ka sqaruar se burrat në moshën 45-75 vjeçare, të cilët kanë vdekur për shkak të sëmundjeve të zemrës, 60 % e tyre kanë vdekur me vdekjen e papritur pa paralajmërim!

Studimi ka shpjeguar gjithashtu se shkaku i vdekjes së papritur është çrregullimi i papritur, i cili lind si rrjedhojë e mosnormalizimit psikologjik dhe sado të jetë kujdesi i shtuar, edhe nëse i sëmuri ndihmohet me të gjitha format e mundshme, kjo lloj vdekjeje arrin suksesin e saj.

Ç’është vdekja e papritur?

Në të kaluarën është thënë se shkaqet janë të shumta, kurse vdekja një. Nga kjo thënie mund të kuptojmë bindjen mbizotëruese në të kaluarën rreth vdekjes se ajo e ka shkakun ashtu siç e ka sëmundja, aksidenti, vetëvrasja etj. Por të flitet rreth vdekjes pa shkak, kjo është vdekje e befasishme, e cila si e tillë në të kaluarën nuk ka qenë e njohur.

Me zhvillimin e mekanizmave të mjekësisë moderne dhe aparateve të saj, njeriu ka mundur të zbulojë shkaqet e vdekjes, p.sh, kancerin, sëmundjet epidemike, ato të stomakut etj. Këto sëmundje paraqiten dhe konsiderohen sinjale për afrimin e vdekjes, mirëpo shkaku kryesor i vdekjes në këtë shekull është goditja e befasishme e zemrës, e cila vjen pa paralajmërim.

Shkencëtarët vdekjen e befasishme e përkufizojnë si vdekje e papritur që ndodh gjatë një periudhe të shkurtër, e cila nuk e kalon orën. Është bërë e ditur se gjysma e të goditurve nga sëmundjet e zemrës do të vdesin me vdekjen e papritur! Shumica e rasteve të sëmundjes së zemrës shfaqen për shkak të çrregullimeve të arterieve koronare të zemrës. Vdekja e papritur e sulmon njeriun e sëmurë madje edhe duke qenë në spital. Studimet tregojnë se 10% e tyre vdesin brenda spitalit, ndërsa 90% e tyre jashtë spitalit.

Statistikat

Shkaku i parë i vdekjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsiderohen sëmundjet e zemrës, gjegjësisht goditjet e saj. Raporte të hollësishme statistikore vërtetojnë se në vitin 2001, vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vdekur rreth 700 mijë njerëz për shkak të kësaj sëmundjeje.

Sa është numri i atyre të cilët vdesin çdo vit për shkak të kësaj sëmundjeje?

Në Shtetet e Bashkuara çdo vit vdesin më tepër se 300 mijë njerëz me vdekje të befasishme për shkak të sëmundjeve të zemrës. Statistikat vërtetojnë se përqindja e kësaj vdekjeje përgjithësisht rritet çdo vit në nivel botëror, kurse meshkujt i ekspozohen kësaj sëmundje trefish më tepër sesa femrat.

Kjo vdekje vjen pa paralajmërim, madje ndonjëherë edhe pa shenja rreth sëmundjes së zemrës. Megjithëse shpenzohen miliona dollarë për hulumtimin e sëmundjeve të zemrës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pavarësisht se ata arritën reduktimin e vdekshmërive si rrjedhojë e sëmundjeve të zemrës, të cilat shkaktojnë vdekjen jo të befasishme, përqindja e vdekjes së papritur mbetet konstante.

Duhani dhe presionet psikologjike

Duhani rrit mundësinë e vdekjes së befasishme trefish për shkak se duhani është shkaktar i 1/4 të sëmundjeve koronare të zemrës në botë dhe shumica e këtyre sëmundjeve përfundojnë me vdekje. Presionet psikologjike ndikojnë në rritjen e mundësisë së shfaqjes së vdekjes së papritur, por ndikon edhe mosha. Studimet bëjnë të ditur se mosha e cila i ekspozohet më së shumti kësaj vdekjeje është 40 deri në 50 vjeç. Kjo konsiderohet mosha kur njeriu arrin pjekurinë e vet. Gjithashtu edhe te të sëmurët nga diabeti ekziston një mundësi e madhe për të vdekur nga ky shkak.

A ekziston ilaçi mjekësor për këtë fenomen?

Shumica e mjekëve flasin rreth ilaçit pas ndodhjes së goditjes, për faktin se deri më tani nuk ekziston ndonjë ilaç për këto goditje të rrezikshme. Përkundër kësaj, mundësitë e shpëtimit nga kjo vdekje janë shumë të vogla. Mjekët konfirmojnë se metoda ideale për parandalimin e këtij lloji të vdekjes është sigurimi në një shkallë të lartë të stabilitetit të punës së zemrës.

Ilaçi ekzistues sot është që i sëmuri të gjendet nën kujdesin e plotë dhe më pas të ndërhyhet me operacion të shpejtë. Madje edhe këto metoda nuk japin rezultate, përveç rasteve të rralla. Mjekët gjithashtu këshillojnë për zvogëlimin e sasisë së sheqerit dhe të kolesterolit në ushqimin e atyre të sëmurëve, madje edhe kjo nuk bën dobi në këto situata. Cili është ilaçi sa u përket atyre të cilët nuk e dinë gjendjen e tyre dhe nuk supozojnë se vdekja e papritur mund t’u vijë pa paralajmërim? Mjekësia deri më sot ka dështuar të parashikojë rastet e tyre, por a thua i ka lënë i Dërguari i mëshirës, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, apo u ka përshkruar atyre ilaçin?

Një shkrim tjetër i dobishëm  Të rinjtë dhe seksi

Cili është ilaçi kuranor dhe ai profetik?

Allahu i Lartësuar në shumë ajete të Kuranit Fisnik ka përmendur zemrën. Zemrat sëmuren, ngurtësohen. Zemrat hutohen, frikësohen, qetësohen, devijohen, bëhen të ndyra. Ato kuptojnë dhe logjikojnë. Ndaj zemra nuk është thjesht vetëm një pompë, por aparat i përsosur i cili kontrollon stabilitetin psikologjik tek njeriu.

Në të vërtetë, përmendja e Allahut konsiderohet prej metodave më të mira për qetësimin e zemrave, për faktin se Allahu i Lartësuar thotë: “Ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!”(Ra’d, 28)

Kur e përmend Zotin e vet, pa dyshim se zemra e besimtarit stabilizohet dhe nuk përjeton asnjë lloj çrregullimi. Lexues i nderuar, mund t’i mbyllësh sytë dhe ta bësh zemrën tënde t’i nënshtrohet dhe ta kujtojë madhështinë e Allahut të Lartësuar dhe të shqiptosh p.sh fjalën “La ilahe il Allah” dhe shiko se çfarë ndjenjash ndien. A nuk ndien se ti je i qetësuar, i stabilizuar dhe i siguruar?

Më lart vërejtëm se shkaku i vdekjes së papritur është çrregullimi i befasishëm në sistemin e veprimit të zemrës. Kësisoj, mjekët deri më tani kanë dështuar në gjetjen e ilaçit për këtë dukuri, mirëpo Kurani e ka shëruar me këtë ajet kuranor. Imagjino lexues i nderuar se ti e ke nxënë përmendësh Librin e Allahut në zemrën tënde, a nuk mendon se do të jesh prej njerëzve më të qetësuar?

I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, na ka mësuar një lutje madhështore, me të cilën lutej çdo ditë, kurse ne e marrim model këtë të Dërguar të mëshirshëm dhe e mësojmë këtë lutje me të cilën gjithashtu do të lutemi. Ai, paqja e Allahut qoftë mbi të, thotë:“Çdo rob i cili në mëngjes dhe në mbrëmje thotë: “Me emrin e Allahut, me të Cilin nuk të dëmton asgjë në tokë e në qiell, e Ai është Dëgjues i Dijshëm”, nuk e godet befasisht fatkeqësia.” Shënon Ebu Davudi.

Gjithashtu i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, lutej me këtë lutje: “O Allah! Të lutem të më ruash nga të këqijat që mund të më vijnë nga përpara a nga prapa, nga e djathta e nga e majta e nga lart. Të lutem që të më ruash nga çdo e keqe, që mund të më vijë nga poshtë.” Shënon Tirmidhiu.

Mrekullia shkencore në Sunetin e të Dërguarit

Mrekullinë në këtë hadith mund ta përmbledhim në pikat vijuese:

1- Askush nuk mund të parashikojë se vdekja e befasishme mund të shpeshtohet, për faktin se askush nuk ka pasur mundësi ta njohë këtë çështje në atë kohë. Vetëm para disa vitesh shkencëtarët arritën të bëjnë statistika të hollësishme dhe befasia ishte se numrat të cilat dolën nuk ishin të pritshmet. Përqindja e atyre që vdesin papritur ishte tepër e lartë.

2- Shkencëtarët sot thonë se dukuria e vdekjes së papritur është identifikuar dhe studiuar vetëm para pesëdhjetë vitesh! Ndërsa nga aspekti mjekësor është studiuar vetëm para njëzet vitesh. Shkencëtarët sot angazhohen rreth gjetjes së mjeteve për parandalimin e këtij lloji të vdekjes për faktin se kuptuan madhësinë e problemit, por pa ndonjë rezultat që vlen të theksohet. Kjo nënkupton se kjo dukuri është në rritje të vazhdueshme dhe se shkencëtarët filluan të kuptojnë shkaqet e kësaj vdekje dhe t’i studiojnë ato. Kjo vërteton fjalët e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, i cili thotë: “Prej shenjave të kiametit është që të shfaqet vdekja e papritur.”

3- Disa prej dyshuesve mund të pretendojnë se vdekja e papritur ka qenë e njohur që nga kohët e lashta. Ne themi se vdekja e papritur nuk ka qenë e njohur në kohën e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, për faktin se ne nuk e gjejmë atë të përmendet te shkrimtarët dhe në poezitë e poetëve, çka do të sinjalizonte për ekzistimin e këtij lloji të vdekjes. Argumenti për këtë është se i Dërguari, paqja e Zotit qoftë mbi të, vdekjen e papritur e konsideron prej shenjave të kiametit dhe po të ishte e njohur kjo lloj vdekjeje në kohën e të Dërguarit, idhujtarët do ta kundërshtonin këtë hadith!

E dimë se idhujtarët nuk kanë lënë gjë pa kundërshtuar. Sikur fenomeni i vdekjes së papritur të ishte i përhapur në atë kohë dhe i Dërguari të thoshte se kjo lloj vdekje do të shfaqej në momentin e afërsisë së Ditës së Kiametit, njerëzit do të habiteshin nga ky hadith për faktin se si mund t’u fliste për një gjë ekzistuese?! Ky hadith i të Dërguarit mund të konsiderohet një mrekulli mjekësore për të Dërguarin, paqja e Zotit qoftë mbi të, përmes të cilit ka folur rreth një fenomeni të cilin shkencëtarët e Perëndimit e kanë zbuluar vetëm para disa dekadash.

Në fund, këtë hulumtim po e përmbyll me një lutje të të Dërguarit, ku secili prej nesh duhet ta mësojë dhe mos ta harrojë asnjëherë: “Allahu im, Ti je Zoti im, s’ka Zot tjetër përveç Teje. Ti më ke krijuar e unë jam robi Yt, do të jem besnik ndaj marrëveshjes dhe premtimit Tënd sa të mundem, jam mirënjohës ndaj dhuntive Tua ndaj meje dhe i pranoj gabimet e mia. Më fal, se s’ka kush që i fal mëkatet përveç Teje!” Kush e thotë këtë lutje kur ngryset e pastaj vdes, do të hyjë në xhenet dhe kush e thotë atë kur të gdhihet e pastaj vdes, do të hyjë në xhenet.” Shënon Buhariu.

Lexues i nderuar, a po bindesh me mua për ilaçin profetik, që ta mësosh këtë lutje dhe mos ta harrosh atë asnjëherë?

Abdudaim el Kehil
Përktheu: Almedin Ejupi

Disa referenca të huaja:
1- Silvia G Priori, Douglas P Zipes, Sudden Cardiac Death, Blackwell Publishing, 2005. 
2- Ben Best, Sudden Cardiovascular Death,www.emedicine.com.
3- Ben Best, Prevention of Cardiovascula Disease,www.emedicine.com.
4- Aliot, Fighting Sudden Cardiac Death, Blackwell Publishing, 2000
5- Krishna C Malineni,Sudden Cardiac Death,www.emedicine.com, November 11, 2004.
6- National Vital Statistics Reports, Vol. 53, No. 17, March 7, 2005.
7- http://www.benbest.com/health/cardio1.html

Tags:

Categories

Archives