Monday, 22/10/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Fëmija i ndrojtur



Fëmija i ndrojtur

Disa prindër mburren me sjelljen e fëmijëve të tyre të mbyllur – fëmijë që u  vjen turp, e ulin kokën dhe ngurrojnë të flasin, veçanërisht kur të huajt janë të pranishëm.
Ka prindër të atillë që shqetësohen nga gjëra të tilla, që i konsiderojnë këto si simptome që kanë lidhje me sëmundjet mendore dhe i dërgojnë fëmijët e tyre tek psikologët ose pediatri. Një përqindje e madhe e fëmijëve në tërë botën vuajnë nga gjendja e ndrojtjes. Është interesante të theksojmë se Abraham Linkolni kishte një natyrë jashtëzakonisht të ndrojtur. Natyrë të tillë kishte edhe Mohandas (Mahatma) Gandi.

Ndrojtja ka dallim të madh nga turpi.

Turpi si një tipar i karakterit është diçka e pëlqyeshme. Kjo bëhet shkak që një person të qëndrojë i përmbajtur. Nëse një person ballafaqohet me diçka të paligjshme, turpi bëhet i obligueshëm. Kur ky person përballet me diçka të papëlqyer në Islam, turpi paraqitet vetvetiu. Nëse çështja është diçka e lejuar në Islam atëherë turpi vepron sipas zakonit. Domethënia e hadithit të të Dërguarit të Zotit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të: “Turpi nuk sjell tjetër përveç asaj që është e mirë” është: Turpi i vërtetë për një musliman nuk paraqitet ndryshe vetëm se në përputhje me Islamin duke shkaktuar që ai të bëjë vetëm atë që është e mirë dhe të përmbahet nga ajo që është e keqe. Ndrojtja është një thyerje e shpirtit, një ndjenjë e çrregullimit dhe hutimit. Një person i ndrojtur nuk mund ta përcaktojë veten mirë që ta zgjidhë ndonjë situatë, kështu që ai tërhiqet përbrenda vetes. Kjo nuk duhet të jetë e ngatërruar me turpin. Imran bin Husejn r.a. tregon se ka thënë i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë për të: “Turpi sjell vetëm mirësi” (Mutefekun Alejhi)

Ibn Rexhebi, duke komentuar këtë ndodhi, shkruan: “Çështja është se Imrani kishte thënë: ‘Turpi për t’u lavdëruar, për të cilin foli i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, nuk është asgjë tjetër vetëm se natyrë e karakterit e cila nxit veprime të mira dhe që kundërshton të këqijat. Sa për dobësinë dhe paaftësinë që sjell pamjaftueshmëria në respektimin e të drejtave ndaj Allahut ose të krijesave të Tij, kjo nuk është asgjë tjetër vetëm se dobësi, paaftësi dhe humbje e nderit (turpërim).’
Ndryshimi mund të shihet tek një fëmijë i cili i përshëndet mysafirët e shtëpisë pa vështirësi me një tjetër i cili skuqet dhe tërhiqet në vete kur një i huaj e pyet për emrin e tij. Ne hasim në traditën e të Dërguarit të Zotit, lëvdata të pakushtëzuara për turpin i cili është një aspekt i besimit. Sa për dobësinë dhe ndrojtjen, këto aspak nuk kanë të bëjnë me turpin, edhe pse disa njerëz mund t’i përshkruajnë këto cilësi me këto nocione.

Simptomet e ndrojtjes fillojnë të shfaqen vetvetiu te fëmijët zakonisht pas katër muajve të parë. Pas vitit të parë fëmija fillon të mbulojë fytyrën e tij me duar, zvarritet ose i mbyll sytë e tij shtrëngueshëm, kur një person i panjohur i flet. Në kohën kur një fëmijë është katërvjeçar, ndrojtja mund të shkaktojë që fëmija të ulet qetë afër nënës së tij, ose të qëndrojë në të njëjtën dhomë me nënën e tij dhe rrallëherë të thotë ndonjë fjalë. Ai gjithnjë dëshiron që pamja që ai sheh gjatë tërë kësaj faze të jetë vetëm nëna e tij. Nëse fëmija mbetet në këtë gjendje gjersa të arrijë të bëhet dhjetëvjeçar, atëherë ai do të ketë nevojë që ta bëjë një tretman. Studimet tregojnë se rreth 10-15 përqind e fëmijëve lindin me një prirje të heshtur të ndrojtjes. Faktorët tjerë si edukata e fëmijës, shtëpia e tij, familja dhe shoqëria mund të luajnë rol dhe të përforcojnë prirjet e tilla.

Disa simptome të ndrojtjes janë siç vijojnë: 

1. Heshtja ose përmbajtja e zakonshme, veçanërisht në praninë e të huajve;

2. Refuzimi i të shikuarit në sy kur të flet me dikë, pavarësisht prej zgjatjes së bisedës;

3. Vështirësi në të folur;

4. Konfuzitet dhe shqetësim kur i kërkohet që ta bëjë ndonjë detyrë, veçanërisht kur përzihet me të tjerët;

5. Largimi nga njerëzit jofamiljarë;

6. Largimi nga lojërat me fëmijët e tjerë duke shfaqur një përparësi që të luaj i vetëm;

7. Djersitja;





8. Shtiret sikur të jetë i sëmurë në mënyrë që të fitojë përkujdesje të posaçme nga të tjerët;

9. Egoizëm dhe këmbëngulje në mendimin e tij, pa marrë parasysh rrethanat dhe vendin;

10. Rrahje të shpejta të zemrës;

11. Çrregullim stomaku;

12. Tharja e fytit dhe e gojës;

13. Dridhje të lëkundura dhe të padëshiruara;

14. Një ndjenjë e përhershme e të qenurit i dalluar nga të tjerët;

15. Pasiguria dhe mungesa e vetëbesimit;

16. Largimi nga vendet publike dhe nga vendet e ndriçuara, veçanërisht gjatë ceremonive familjare dhe

17. Ndjenja e inferioritetit.

Disa elemente që shkaktojnë ndrojtjen janë në vijim:

  • 1. Disa studiues besojnë se predispozita gjenetike luan një rol në sjelljen e ndrojtur, megjithëse rezultatet kanë qenë jopërfundimtare;
  • 2. Vrazhdësia dhe ashpërsia prindërore;
  • 3. Përkdhelja e tepërt e fëmijës;
  • 4. Mungesa e ndërveprimit atëror me fëmijën;
  • 5. Izolimi nga shoqëria që e rrethon;
  • 6. Zënkat familjare mund ta bëjnë fëmijën të tërhiqet në vete;
  • 7. Të metat fizike, shëmtimet dhe sëmundjet kronike (të përhershme);
  • 8. Përkujdesja dhe mbrojtja e tepërt nga ana e nënës;
  • 9. Trysnia e tepërt ndaj fëmijës që ai të jetë i dalluar nga të gjithë për gjithçka;
  • 10. Përqëndrimi i madh në gabimet e fëmijës duke ia zmadhuar rëndësinë dhë dëmet e këtyre gabimeve;
  • 11. Paqëndrueshmëria e prindit dhe rënia në kundërshtim me veten e tij, dhe në këtë gjendje ai e edukon fëmijën;
  • 12. Paragjykimi dhe trajtimi i keq nga ana e mësimdhënësit në vitet e para të arsimimit të tij;
  • 13. Varfëria e dukshme që ndikon shumë tek fëmija, e cila reflektohet në veshjen e tij;
  • 14. Vdekja e njërit nga prindërit;
  • 15. Mungesa e vendbanimit të sigurtë dhe të qëndrueshëm dhe
  • 16. Fillimi i vonuar i edukimit. Kjo mund ta bëjë fëmijën të ndien mungesë force të vetëbesimit.

Selman El Aude