Wednesday, 23/5/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Evolucioni i shpirtit

Evolucioni i shpirtit

Evolucioni i njerëzimit jo vetëm që mund të arrihet, por është qëllimi parësor i besimit dhe praktikimit të Islamit. Nëse vërejmë mënyrën se si Islami e ngre dhe lartëson njeriun, duke e afruar gjithmonë e më afër Krijuesit, do të shohim se ajo është reale, gjithëpërfshirëse, e arsyeshme dhe e drejtpërdrejtë.

Njeriu, përveç një mrekullie, është pjesë tepër e ndërlikuar e krijimit Hyjnor. I tepërt për t’u përmendur këtu, është fakti se vetëm Krijuesi është Ai, që di me përpikëri imtësitë e shpirtit njerëzor dhe mënyrën se si ta ngrejë atë lart e më lart. Mesazhet hyjnore sillen si manualë të këtij Krijimi. Manualë të tillë janë tepër të rëndësishëm për të kuptuar dhe ecur në rrugën e lartësimit njerëzor.

Megjithatë, ky zhvillim kufizohet nga vetë natyra njerëzore- një gërshetim sublim i intelektuales dhe shpirtërores bashkë me thelbin material, dobësitë dhe dëshirat e mishta. Historia dhe jeta njerëzore kanë qenë gjithmonë në përpjekje të vazhdueshme mes këtyre motiveve ngritës dhe rrënues. Njeriu nuk mund ta arrijë transformimin e tij të brendshëm, i pavarur nga mjedisi shoqëror, që në kthim është rezultat i përpjekjes individuale drejt përsosjes shpirtërore.

Forca dhe efektshmëria e Islamit burojnë nga përballimi i këtyre të vërtetave bazë. Vetëm udhëzimi hyjnor mund të qëllojë baraspeshën e duhur, mes së mishtës dhe shpirtërores, mes individit dhe shoqërisë. Misioni i tij i mesëm e mbron njerëzimin nga theksimet dhe rëniet e shpirtit siç ndodh me Budizmin, Jogën e monoasketizmin e krishterë apo me ideologjitë materialiste në përgjithësi si ekzistencializmi e frojdizmi, ku njeriu është dhënë krejtësisht pas dëshirave trupore. Po ashtu, Islami ndalon dhe shmang mbitheksimin e rolit të reformës individuale në kurriz të reformës shoqërore e botërore, si në rastin e krishterimit, si dhe refuzon të gjitha sistemet totalitare si marksizmi.

Islami është një manual jetësor gjithëpërfshirës, që lidh aspektet thelbësore të besimit, adhurimit, moralit dhe ligjit, për të ofruar mjetet më të shumta dhe më dobishme për të njohur Zotin dhe dashur Atë, për të pastruar shpirtin dhe përmirësuar sjelljen njerëzore, për të ndërtuar brenda vetes një ndjenjë të përbashkët dashurie, përkushtimi dhe solidariteti.

Shpirti dhe adhurimi

Leximi, këndimi dhe meditimi mbi Kuranin, krijon një vizion të qartë tek myslimanët dhe shton dashurinë ndaj Zotit dhe gjithë krijimit. Ai është çelësi i një morali të lartë. Kurani është i paimitueshëm në kuptim, strukturë, retorikë, rrimë dhe motive si për intelektualët ashtu dhe për jo intelektualët. Këndimi i Kuranit, të drejtuarit nga Zoti me frazeologjinë e tij të mrekullueshme si dhe lutje të tjera të mësuara nga profeti i Islamit (a.s), janë pasuri e patundshme në komunikimin e drejtpërdrejtë me Zotin.

Namazi fillon me pastrimin fizik duke larë fytyrën, krahët, këmbët dhe duke fshirë kokën. Ky pastrim fizik e rifreskon trupin dhe mendjen , për t’u përqendruar sa më shumë në atë takim madhështor që do pasojë. Namazet e detyruara falen pesë herë në ditë, në afate të ndryshme kohore, por përkrah tyre ka dhe namaze të tjerë, falja e të cilëve është shumë e pëlqyeshme, veçanërisht në pjesën e tretë të natës. Gjatë namazit- drejt një pike të vetme që shoqërohet pastaj me përkulje dhe gjunjëzim- e gjithë qenia- përfshirë këtu gjuhën, veshët, intelektin dhe gjymtyrët- është e përqendruar dhe përkushtuar drejt madhështisë Hyjnore. Myslimanët anë e kënd globit, qëndrojnë afër njëri-tjetrit në namaz, në rreshta të drejtë drejt një pike të përbashkët, që është Meka, gjeografikisht e pozicionuar në qendër të pjesëve tokësore kontinentale. Kjo ndërton në shpirtra ndjenjën e barazisë, solidaritetit dhe dashurisë për njëri-tjetrin, pavarësisht nga pozita shoqërore, raca, ngjyra dhe gjuha. Kësisoj, namazi i myslimanit është një formulë e pashoqe  meditimi, përkushtimi shpirtëror, ngritjeje morale dhe ushtrimi fizik, të kombinuara të gjitha së bashku.

Në arabisht, fjala zekat apo lëmosha e detyruar, fjalë për fjalë nënkupton pastrimin e parave të zotëruesit, si dhe pastrimin e zemrës së tij nga lakmia dhe egoizmi, të zëvendësuara nga kënaqësia, falënderimi, dashuria dhe vullneti për të sakrifikuar për të tjerët. Ngjashmërisht, zemra në nevojë e marrësit kënaqet tej mase dhe mbushet gjithë urime e bekime për të pasurin, në vend të një urrejtje klasore dhe zilie të ligë.

Përgjatë gjithë muajit hënor të Ramazanit, myslimanët ndalohen nga të ngrënit, të pirët dhe marrëdhëniet seksuale që nga agimi deri në perëndim. Gjithashtu ka edhe disa ditë të caktuara (apo çfarëdolloj dite) në të cilat është e pëlqyeshme të agjërohet. Agjërimi është një mundësi e shkëlqyer për të ushtruar durimin, vetëkontrollin, përkushtimin ndaj Zotit, të mesmen, qëndresën fizike dhe morale, krijimin e ndjenjave jo egoiste, vëllazërinë dhe unitetin shoqëror.

Shtylla e pestë e Islamit, haxhi, apo pelegrinazhi, po ashtu është një mundësi e shkëlqyer për lartësimin shpirtëror. Ajo vorbull e madhe njerëzish ku të gjithë mblidhen bashkërisht, veshur me rroba të thjeshta, është shenjë që shpreh njëzëri madhështinë dhe lavdinë e Zotit, si dhe një përkujtues i tubimit sublim në botën tjetër i të gjithë brezave, nga i pari deri tek i fundit.

Shpirti dhe ligji Islam

Sistemi moral islam hyn në imtësitë më të vogla të psikologjisë njerëzore. Në Islam, ato nuk janë thjeshtë komanda “bëje dhe mos e bëj”, por një udhëzim i gjerë për ngritjen morale, i pasuruar me mrekulli gjuhësore (përmendim këtu Kuranin), i lidhur dhe i gërshetuar me faktet dhe logjikën e besimit, e pasur në shembuj e krahasime figurative, dhe i mbrojtur nga një strukturë mbrojtëse e ligjit shoqëror, që bllokon të gjitha mënyrat e rrënimit të moralit njerëzor.

Ngjashmërisht, doktrinat ligjore islame nuk janë thjeshtë rregulla monolitike, por aspekt i një sistemi gjithëpërfshirës, elementët e të cilit janë: besimi se ne jetojmë në mbretërinë e Zotit, i Cili kujdeset për ne, na udhëzon dhe na mbikëqyr, për të na mbrojtur nga të këqijat morale dhe fizike; dhe një shoqëri shumë e lidhur e bazuar në dashuri, parapëlqim, solidaritet dhe përkujdesje të ndërsjellët.

Në një shoqëri të tillë, për krimin nuk ka asnjë lloj justifikimi. Mëkatarët nuk dënohen për t’u hakmarrë ndaj tyre, por për të frenuar individin dhe mbrojtur mbarë shoqërinë.

Megjithatë, mbi njeriun nuk mund të zbatohet asnjë lloj dënimi, po qe se ekziston qoftë dhe një grimcë mundësi pafajësie. “Dyshimi e largon dënimin” Po ashtu dënimet duhet të pezullohen, nëse ka ndonjë justifikim nxitës nga shoqëria a individi; për shembull, vjedhja falet në rast të varfërisë së skajshme dhe përhapjes së zisë. Shumë dinakëri falen, në sajë të pendimit dhe pasimit me vepra të mira, si dhënia e lëmoshës, agjërimi etj. Dyert e pendimit janë gjithmonë të hapura, pa nevojën e ndonjë ndërmjetësuesi, apo autoriteti të ngjashëm kishtar. Në Islam nuk ekziston një gjë e tillë. Në Kuran thuhet: “E kur robërit e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua”. 2:186

Zoti i fal të gjitha mëkatet përveç mohimit dhe të shoqëruarit dikë tjetër në adhurim dhe Ai e pranon pendimin e gjithsecilit. Et-Teuuab (Falësi) është një ndër cilësitë më të spikatura të Zotit që përmendet shpesh në Kuran. Pra kjo cilësi është përmendur në shumë ajete dhe kapituj të Kuranit. Allahu thotë në Kuran: “Thuaj, o robërit e Mi të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, pse vërtet , Allahu i falë të gjitha mëkatet. Ai është që shumë falë dhe është mëshirues!” 39:53

Shpirti dhe mendja

Në Islam, besimi mbështetet në intelekt, që dëshmon se Kurani është mesazhi i drejtpërdrejt i Zotit. Rrjedhimisht, besimit dhe praktikës nuk u nevojitet një ndërmjetësues (kisha, kleri apo shenjtorët), kështu që ndjekja e praktikës myslimane është e vetmja rrugë autentike për lartësimin e vetes dhe lidhjes së drejtpërdrejtë me Zotin. Ndryshe nga krishterimi, budizmi dhe shumë grupe të tjera mistike, besimi dhe praktika në Islam, nuk bazohen në predikime rapsodike, dogma klerikësh, seanca meditimi me ilustrime, lëvizje ritmike trupore, shprehje të vazhdueshme që arrijnë kulmin në ekstazë, apo përfytyrime dhe tinguj të imagjinuar.

Historia islame është dëshmitare për një sërë brezash individësh dhe komunitetesh, që kanë qenë shembull i gjallë. Ata ishin breza, që shpirtëroren e ngritën në shkallët më të larta nëpërmjet përkushtimit, devotshmërisë, dashurisë dhe nënshtrimin e plotë ndaj Zotit, duke dëshmuar herë pas here, se evolucioni i shpirtit njerëzor jo vetëm që mund të arrihet, por është një rrjedhë e natyrshme për njeriun.

Nabil Haroun

Categories

Archives