Friday, 24/3/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Esh Shafi (Shëruesi),El Muxhib (Lutjepranuesi),El Mu’min (Siguruesi)El Muhejmin (Mbizotëruesi)El Mexhid (I Nderuari),El Mutekebir (I Madhërishmi)


Esh Shafi (Shëruesi),El Muxhib (Lutjepranuesi),El Mu’min (Siguruesi)El Muhejmin (Mbizotëruesi)El Mexhid (I Nderuari),El Mutekebir (I Madhërishmi)


emrat e Allahut

El Muxhib (Lutjepranuesi)

Allahu i Lartësuar thotë: “S’ka dyshim, Zoti im është afër (me mëshirë), Ai u përgjigjet (lutjeve)!” (Hud, 61). Ndër emrat e bukur të Allahut është edhe El Muxhib (Lutjepranuesi), Lutjepranuesi i lutjeve të lutësve, i thirrjeve të thirrësve. Pranimi i lutjeve nga ana e Tij është dy llojesh: i përgjithshëm për këdo që e lut, lutje adhurimi dhe lutje kërkesë. Allahu thotë: “Zoti juaj ka thënë: “Më thirrni Mua, Unë ju përgjigjem…”(Gafir, 60)
Lutje (dua mes’eleh) është kur robi thotë: “O Zot, më jep këtë, ma largo nga unë këtë!” Kjo lloj lutjeje ndodh me këdo, të mirin dhe të keqin. Allahu i përgjigjet kujtdo që i bën lutje varësisht nga gjendja dhe varësisht nga urtësia e Vet. Kjo na bën me dije dhe na jep të kuptojmë bujarinë e madhe të Allahut të Lartësuar, bamirësinë e Tij të madhe ndaj të mirit dhe të keqit. Kjo nuk na jep të kuptojmë gjendjen e mirë të lutësit (thirrësit) nëse Allahu ia pranon lutjen, nëse nuk shoqërohet me atë që tregon për të, si sinqeriteti i lutësit ose se e vërteta qëndron me të, si lutjet e të Dërguarve për popujt e tyre ose kundër tyre, e Allahu u përgjigjet në lutjet e tyre. Kjo na jep të kuptojmë sinqeritetin e tyre në atë që komunikojnë dhe nderin e tyre te Zoti i tyre. Pikërisht për këtë arsye, i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, shpesh bënte lutje në mënyrë që ta shohin muslimanët dhe të tjerët pranimin e lutjes nga ana e Allahut të Lartësuar. E gjithë kjo është dëshmi dhe argument i profetësisë së tij dhe shenjë e sinqeritetit të tij. Gjithashtu ajo që përmendet për pranimin e lutjeve të robërve të afërt me Allahun e Lartësuar, që dëshmon për kerametet (nderin dhe pozitat e larta) që kanë tek Allahu i Lartësuar.
Ndërsa lutjepranimi i veçantë ka shkaqe të shumta, ndër të cilat mund të përmendim lutjen e nevojtarit të cilin e ka goditur ndonjë vështirësi e madhe. Allahu e pranon lutjen e tij. Allahu thotë: “A është Ai që i përgjigjet nevojtarit (të mjerit) kur ai e thërret, duke ia larguar të keqen e juve ju bën mbizotërues të tokës.” (Neml, 62)
Shkak i kësaj është nevoja e madhe për Allahun, thyerja e madhe e zemrës para Tij dhe ndërprerja e lidhjes me krijesat për shkak të mëshirës së madhe të Allahut, e cila ka përfshirë të gjitha krijesat varësisht nga nevoja e tyre për to. E, si është puna pra me atë që ka nevojë të madhe?! Gjithashtu, ndër shkaqet e pranimit të lutjeve është edhe udhëtimi i gjatë, ndërmjetësimi tek Allahu me ndërmjetësimet më të dashura, me emrat dhe cilësitë e Tij, me begatitë e Tij. Gjithashtu lutja e të sëmurit, e atij që i është bërë padrejtësi, lutja e agjëruesit, lutja e prindit për fëmijën ose kundër tij në kohë dhe çaste të ndershme, kur pranohen lutjet.

El Mexhid (I Nderuari)

Allahu i Lartësuar thotë: “Mëshira e Allahut dhe bekimi i Tij qoftë me ju o familje e shtëpisë (së Ibrahimit)! Vërtet, Ai është meritues për falënderim është bamirës i madh.” (Hud, 73)
El Mexhid (I Nderuari), të Cilit i përket nderi i madh. Nderi është madhështia e cilësive. Çdo atribut prej atributeve të Tij është madhështor. Ai është i Gjithëdijshmi, i Përsosuri në diturinë e Vet, i Gjithëmëshirshmi, mëshira e të Cilit ka përfshirë çdo gjë. I Plotfuqishmi, fuqia e të Cilit përfshin çdo gjë. I Buti, i Përsosur në butësinë e Vet. I Urti, i Përsosur në urtësinë e Vet e kështu me radhë në të gjitha emrat dhe cilësitë e Veta.

El Mutekebir (I Madhërishmi)

Allahu i Lartësuar thotë: “Ai është Allahu, që nuk ka zot tjetër përveç Tij, Sundues i Përgjithshëm, i Pastër (prej të metave që i vishen), Shpëtimtar (që i shpëton njerëzit prej ndëshkimit të padrejtë), Sigurues (që siguroi njerëzit me premtimin e vet dhe Pejgamberët me mrekulli), Mbikëqyrës (që mbikëqyr dhe përcjell çdo send), i Plotfuqishëm, Mbizotërues, i Madhërishëm. I Lartësuar është Allahu nga çka i shoqërojnë!” (Hashr, 23)
I Madhërishmi nga çdo e keqe, nga çdo mangësi dhe nga çdo e metë për shkak të Madhështisë së Tij.

Një shkrim tjetër i dobishëm  4 Mrekullitë e Kuranit për heshtjen

Esh Shafi (Shëruesi)

Në hadithin të cilin e transmeton Aishja, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, rrëfen se i Dërguari i Allahut, kur i bënte vizitë të sëmurit ose kur i vinte ndonjë i sëmurë, thoshte: “Largoje sëmundjen, o Zot i njerëzve, shëroje, Ti je Shërues, s’ka shërim pos shërimit Tënd!” (Shënon Buhariu)

El Muhejmin (Mbizotëruesi)

Argument për këtë emër kemi fjalën e Allahut të Lartësuar: “I Plotfuqishëm, Mbizotërues, i Madhërishëm. I Lartësuar është Allahu nga çka i shoqërojnë!” (Hashr, 23)
Mbizotërues i të gjitha gjërave të fshehta dhe atë që gjendet në gjokse, i Cili me diturinë e Vet ka përfshirë çdo gjë.

El Mu’min (Siguruesi)

Argument për këtë emër kemi fjalën e Allahut të Lartësuar: “Ai është Allahu, që nuk ka zot tjetër përveç tij, Sundues i përgjithshëm, i Pastër (prej të metave që i vishen), Shpëtimtar (që i shpëton njerëzit prej ndëshkimit të padrejtë), Sigurues (që siguroi njerëzit me premtimin e vet dhe Pejgamberët me mrekulli), Mbikëqyrës (që mbikëqyr dhe përcjell çdo send), i Plotfuqishëm, Mbizotërues, i Madhërishëm. I Lartësuar është Allahu nga çka i shoqërojnë!” (Hashr, 23)
El Mu’min (Siguruesi), i Cili e ka lavdëruar Veten me cilësi të përsosura, me përsosurinë e bukurisë, i Cili ka dërguar Profetë dhe ka zbritur libra me argumente, fakte dhe dëshmi, ajo që tregon për vërtetësinë e asaj që kanë ardhur: “Ai është i Cili i siguron njerëzit, që mos t’i dëmtojë asnjërin nga krijesat. I siguron nga dënimi të gjithë ata që besuan në të. Të gjithë do të arrijnë atë që e meritojnë: S’ka dyshim se Allahu nuk bën pa drejtë as sa grimca, e nëse ajo vepër është e mirë, Ai e shumëfishon atë dhe Vetë Ai i jep shpërblim të madh.”(Nisa, 40)
El Mu’min është strehuesi i Cili e strehon të dëmtuarin nga dëmtuesi, me fjalë të tjera e ruan dhe e ndihmon atë, ashtu siç thotë Ai: “Thuaj: “Në dorën e kujt është i tërë pushteti i çdo sendi dhe Ai është që mbron(kë të dojë), e që prej Atij nuk mund të ketë të mbrojtur; nëse jeni që e dini?” (Mu’minun, 88)
El Mu’min është Ai i Cili vërteton besimtarët kur e njësojnë Atë, ngase Ai dëshmon për Veten e Vet dhe thotë: “Allahu vërtetoi se nuk ka zot tjetër përveç Tij, edhe engjëjt e dijetarët, dhe se Ai është zbatues i drejtësisë. Nuk ka zot përveç Tij, Fuqiplotit, e të Urtit.” (Ali Imran, 18)
El Mu’min (Siguruesi), i Cili vërteton me robërit e Vet besimtarë premtimin e Vet: “Thuaj: “Allahu e tha të vërtetën, pra ndiqni fenë e pastër të Ibrahimit, sepse ai nuk u takonte idhujtarëve.” (Ali Imran, 95). Gjithashtu thotë: “Ne u plotësuam pastaj premtimin, i shpëtuam ata dhe kë dëshiruam Ne, ndërsa ata që kaluan çdo kufi, i zhdukëm.”(Enbija, 9)

EL VASIU

Argument për këtë emër kemi fjalën e Allahut të Lartësuar: “…e Allahu ju garanton falje (mëkatesh) e begati; Allahu është Dhurues i Madh, i Dijshëm.” (Bekare, 268)
Cilësitë dhe atributet e Tij janë të mëdha e të gjera, saqë askush nuk mund ta falënderojë Atë siç meriton, por Ai është siç e ka lavdëruar Veten. Ai është i Madhërishëm, ka pushtet të gjerë, sundim të madh, mirësi të mëdha. Ai është shumë bujar dhe fisnik.

Husejn Serraxh

Tags:

Categories

Archives