Saturday, 22/9/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame
Tirana
0C

El-Fatiha dhe urtësia që gjëndet në të – Ibn el-Kajjim el-Xheuzije



El-Fatiha dhe urtësia që gjëndet në të – Ibn el-Kajjim el-Xheuzije

Përpjekjet e njeriut në jetë bazohen në dy forca: forcën teorike të dijes dhe forcën e vullnetit për të vepruar.

Lumturia e plotë e njeriut varet nga këto dyja.

Sa i përket kompletimit të forcës teorike të dijes, kjo arrihet duke e njohur:

  • Krijuesin me emrat e cilësitë e Tij
  • Rrugën që çon për tek Ai dhe pengesat në këtë rrugë,
  • Vetveten, të metat personale.

Nëpërmjet këtyre gjërave, njeriu arrin kompletimin e forcës teorike të dijes. Dhe njerëzit më të mençur janë ata, që i dinë dhe i kuptojnë këto pika më së miri.

Kompletimi i forcës së vullnetit për të vepruar nuk ndodh, përveç nëse zbatohen të drejtat e Allahut të plotfuqishëm nga ana e robit. Të drejtat e Allahut përmbushen duke kryer obligimet me sinqeritet, me nder, me këshillim, me butësi, dhe duke pranuar favoret e Allahut ndaj tij.

Prandaj, robi i Allahut turpërohet të qëndrojë para Tij me punët e pakta që ka bërë për Të, sepse ai e di që kjo është shumë më pak sesa që meriton Ai.

Robi, po ashtu, e di që s’mund t’i kompletojë këto dy forca, nëse Allahu nuk i ndihmon.

Kështu, ai dëshiron të udhëzohet kah Rruga e Drejtë për tek e cila Ai i udhëzon robërit e sinqertë dhe u ndihmon t’u shmangen gjërave që do t’i devijonin nga kjo Rrugë, qoftë nga mangësia në forcën e dijes, qoftë nga mangësia në forcën e veprimit. Dhe devijimi tërheq hidhërimin e Allahut fuqiplotë.

Pra, kompletimi i njeriut dhe lumturia nuk mund të arrihen pa këto gjëra.

Surja el-Fatiha i përmend këto dhe i rendit në mënyrë të përkryer.

I Plotfuqishmi thotë:

“Lavdi Allahut, Zotit të çdo gjëje që ekziston. Mëshiruesi, Ai që vazhdimisht mëshiron. Gjykatësi/Sunduesi i vetëm i Ditës së Gjykimit.” (el-Fatiha, 1-4)

Këto ajete Kuranore përmbajnë parimin e parë: dijen rreth Zotit të lartësuar, rreth emrave, cilësive e veprimeve të Tij. Emrat që përmenden në këtë sure janë baza e emrave të bukur të Allahut, domethënë, er-Rabb dhe e-Rrahmaan.

Emri Allah u përket cilësive të adhurimit. Emri e-Rabb u përket cilësive të zotërimit. Dhe emri e-Rrahmaan u përket cilësive të dashamirësisë dhe të bujarisë.





“Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm nga Ti ndihmë kërkojmë (për gjithçka).” (el-Fatiha, 5)

Ky ajet përmban dijen rreth rrugës që çon për tek Ai, të cilën mund ta gjesh vetëm duke e adhuruar vetëm Atë nëpërmjet asaj që Ai do dhe pëlqen, si dhe duke i kërkuar Atij ndihmë për ta adhuruar Atë si duhet.

“Na udhëzo në Rrugën e Drejtë.” (el-Fatiha, 6)

Ky ajet njofton që robi s’ka mënyrë tjetër për të arritur lumturinë përveçse duke qëndruar në Rrugën e Drejtë, dhe s’ka mënyrë për arritur Rrugën e Drejtë pa udhëzim nga Allahu. Ashtu siç s’mund ta adhurojë Atë pa ndihmën e Tij, ashtu ai s’mund të qëndrojë në Rrugë pa udhëzimin e Tij.

“Jo në të atyre që merituan hidhërimin Tënd (si çifutët), as në të atyre që humbën rrugën (si të Krishterët).” (el-Fatiha, 7)

Ky ajet Kuranor njofton që ka dy mënyra për të devijuar nga Rruga e Drejtë; njëra është prishja e dijes dhe e besimit, tjetra është prishja e qëllimit dhe e veprimit.

Kështu, fillimi i sures flet për mëshirën, mesi i sures flet për udhëzimin, dhe fundi flet për favore e bekime.

Robi merr bekime sipas nivelit të udhëzimit që ka, ndërsa udhëzim merr sipas sasisë së mëshirës që pranon nga Allahu. Pra, e tërë çështja kthehet te bekimi dhe mëshira e Tij, që janë cilësi të zotërimit.

Prandaj, Ai është i mëshirshëm dhe dashamirës, që është nga cilësitë e hyjnizimit. Ai është Zoti i vërtetë, ndonëse mosmirënjohësit zgjedhin që ta mohojnë Atë dhe idhujtarët sillen karshi tjerëve ashtu siç duhet të sillen karshi Tij.

Kushdo që pajtohet me domethënien e Fatihasë sa i përket dijes, veprimit dhe mënyrës së jetesës, do ta kompletojë suksesshëm veten e tij, dhe nënshtrimi i tij do të jetë si i atyre që janë ngritur mbi nivelin e adhuruesve të rëndomtë.

Dhe nga Allahu kërkohet ndihma.

el-Fuaid, 115-118

Ibn el-Kajjim el-Xheuzijeh