Friday, 15/12/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Ekulibri delikat

Ekulibri delikat

Ne e kemi përshkruar diku zinxhirin e mrekullive hyjnore në ndërtimin e strukturës së Tokës. Pjerrtësia 23.5 gradë e boshtit të saj është çështje njëhsimi aq delikate, sa nuk mund të parallogaritet as nga fizika, as nga filozofia.

Për shëmbull, në qoftë se kjo pjerrtësi do të ishte 25 gradë, vetëm në pak qindra vjet akulli i poleve do të shkrinte dhe oqeanet do të mbuloheshin prej tij. Nga ana tjetër, në qoftë se pjerrtësia do të ishte 22 gradë akulli arktik do të pushtonte të gjithë Europën dhe jeta do të ishte e mundur vetëm në zonat ekuatoriale të Tokës. I Gjithëpushtetshmi e thekson këtë zbulim të rëndësishëm, në fillim të vargut të shenjtë, ku përshkruan shtrirjen kudo të një regullsie të përkryer.

Kjo rregullsi e përgjithshme është e lidhur ngushtë edhe me rrotullimin e Tokës  rreth boshtit të saj çdo 24 orë. Në qoftë se ky rrotullim do të kryhej në 30 orë, do  të fryenin erëra kaq të fuqishme, sa Toka do të ishte bërë një shkretëstirë e pabanueshme. Në të kundërtën, në qoftë se Toka do ta kryente rrotullimin e saj çdo 20 orë, shumë bimë nuk do të ishin në gjendje të kryenin veprimtarinë e tyre biologjike dhe do të bëheshin fli të thatësirës.

Shtrirja kudo e rregullit të përmendur në pjesën e parë të vargut të shenjtë  është e vlefshme edhe për rrotullimin e Tokës rreth boshtit të saj me një pjerrtësi harmonike. Ky rezultat  nëse ndonjëhere do t’i lihej rastësisë, do të mund të përftohej pas miliona provash.

Meqë zinxhiri i jetës është i lidhur në këtë mënyrë, është e domosdoshme që përmbajtja e oksigjenit në ajër të mbetet afërsisht 20%. Ky është momenti më delikat. I gjithë tymi dhe dioksidi i karbonit që çlirohet, kthehet nga bimët në oksigjen. Do të duhej një kompjuter për të llogaritur numrin e bimëve që duhen për të mbajtur masën e oksigjenit në ajër në sasinë 20%.

Duhej të ekzistonte një “kompjuter hyjnor” që të mund të përcaktonte sasinë e bimëve të nevojshme për thithjen e tymrave të oxhaqeve dhe prodhimin e oksigjenit që konsumojnë njerëzit dhe për sigurimin e oksigjenit të nevojshëm në ajër. Kjo llogaritje e pabesueshme mund të quhet vetëm si një llogari hyjnore.

Kurani deklaron se çka është krijuar në Tokë, i është nënshtuar një ekuilibri të saktë. Ky mesazh diturie  na vjen që para më shumë shumë se 14 shekujsh, në një kohë kur asnjë prej këtyre fakteve nuk ishte i njohur.

Miliona vjet më parë një bimësi e madhe mbuloi Tokën. Qëllimi i saj ishte rritja e sasisë së oksigjenit në atmosferë. Dinosaurët, kafshët që përfitonin nga kjo bimësi, endeshin në Tokë. Më në fund raporti i oksigjenit filloi të kapërcente 20%. Konsumi i bimëve prej dinosaurëve dhe nxjerrja e dioksidit të karbonit prej tyre, nuk ishte më në gjendje të balanconte  prodhimin e madh të oksigjenit nga bimët. Në këtë kohë ndodhi një ndryshim dhe i menjëhershëm gjeologjik, si pasojë e të cilit flora dhe dinosaurët u zhdukën nga faqja e dheut. Më pas Zoti krijoi peshqit, zogjtë dhe gjitarët në të njëjtën kohë, (kjo është hipoteza që tashmë është në fuqi tek evolucionistët më këmbëngulës).

Ashtu siç na e bën të qartë ajeti apo vargu hyjnor se sasia e bimëve në Tokë është në një ekuilibër kaq harmonik sa që një pemë është caktuar për pastrimin e  atyre ç’ka nxjerr një oxhak tymi. Njeriu, duke përfshirë edhe ata të cilët mendojnë se besojnë, është kaq i pavëmendshëm sa ai kurrë nuk mund t’i kuptojë këto llogaritje delikate të të Gjithëmëshirshmit, ndaj s’mund ta kuptojë menjëhërë sekretin e Krijuesit të botëve.

Respekti, që tregohet për pemët në Islam dhe rëndësia që i kushtohet mbjelljes së pemëve të reja, përforcon faktet e mësipërme. Pothuajse në çdo sëmundje Zoti ka krijuar një bimë ose mikrob, (Apo produkte të aktivitetit të tij biologjik), si mjekim. Si mundet një i paditur, pa patur asnjë provë, ta quaj këtë sistem një rastësi? Pasi krijoi Tokën dhe vendosi në të qëniet njerëzore, Zoti krijoi në “laboratorët e natyrës”  ilaçet botanike dhe bakteriale për të gjitha sëmundjet.

Në botë gjenden mjaft bimë lulemustaku, të cilat shërbejnë për të mjekuar të gjithë njerëzit që vuajnë nga zemra. Gjithashtu, ka mjaft bimë hashashi për të lehtësuar vuajtjet e mëdha të të sëmurëve, megjithëse ilaçi i kësaj bime nën presionin e të pandërgjegjshmëve është bërë mall i tregut të zi dhe përdoret për të sjellë kënaqësi dhe fitime nga grupe të caktuara njerëzish.

Deri njëqind vjet më parë, druri si lëndë djegëse plotësonte nevojat e njeriut për ngrohje dhe energji. Në qoftë se nuk do të ishte zbuluar qymyrguri dhe nafta, pyjet  nuk do të ekzistonin në Tokë. Por në momentin e duhur “Kompjuteri hyjnor” dha qymyrgurin dhe më pas naftën, të cilat i kishte përgatitur miliona vjet më parë, në sasi të mjaftueshme për njerëzimin. Por, fatkeqësisht njeriu rob i mendjemadhësisë së tij e ka kthyer naftën në një burim konfliktesh për luftëra të përgjakshme.

Le të shohim tani ekuilibrin e saktë të metaleve që ndodhen në Tokë. Ne nuk i dimë raportet e metaleve që përbëjnë bërthamën qëndrore të Tokës dhe as përbërjen e pjesës së lëngshme që e rrethon atë. Në sipërfaqen e banuar nga njeriu, elementët janë shpërndarë në raporte të tilla, që duket sikur një komitet shkencor, pasi ka miratuar numrin, raportet e këtyre elementeve, ka bërë të mundur prodhimin e tyre në një fabrikë jashtzakonisht të fuqishme. Çdo substancë është e pranishme në koren e Tokës, në atë masë që ka nevojë niveli i jetës në Tokë. Përzierjet e silicit, hekurit e kalciumit janë lëndët bazë për ndërtimin e banesave. Sikur edhe njëra prej tyre të mungonte ne nuk do të kishim qytete.

Deri pak kohë më parë ne nuk e dinim se ç’përmbajtje kishte uji. Sot ne dimë se bikarbonati i kalciumit në ujë është organizatori më i mirë i tretjes së ushqimit. Lëndë të tilla jetësore si kripa janë përhapur në tokë në raporte të tilla që njeriu ka arritur t’i krijojë vetëm në një laborator biologjik modern.

A keni menduar ndonjëherë se procesi i avullimit të ujit të detit dhe kthimi përsësi i tij në të me anë të lumenjëve ndodh prej miliona vjetësh? Gjatë këtij procesi transportohen nga toka në det substanca të reja dhe megjithatë përbërja e ujit të detit nuk ndryshon kurrë. Vëreni madhështinë e kësaj mrekullie, ndodhin miliona procese dhe megjithatë ekuilibri harmonik, që në sajë të Zotit qëndron në themel të krijimit të gjithçkaje në Tokë, nuk ndryshon kurrë.

Emra të tillë si: berilium, uranium, kadmium, tungsten, tantalum dhe galium janë dëgjuar vetëm këto 150 vitet e fundit. Kur u zbulua fillimisht, secili i konsideroi ato thesht si një kuriozitet laboratori. Vetëm më vonë u kuptua se ato ishin blloqet e nevojshme për krijimin e një teknologjie të përparuar. Nga përdorimi i energjisë atomike të aktiviteteve teknologjike në temperatura të larta, secili prej këtyre metaleve paraqet disa veçori thelbësore. Prania e tyre në Tokë është në pajtim me rolin që ishte përcaktuar të luanin.

Një nga mrekullitë më të mëdha të planetit tonë me të cilin i Plotfuqishmi e pajisi atë përpara se të krijonte njeriun, janë substanca radioaktive që gjenden në sipërfaqen e Tokës në  raporte aq të përsosura, sa që nuk mund t’i krijojë as shkenca. Nga njëra anë gjendet uraniumi -235 që siguron energjinë bërthamore, i padëmshëm në gjendje natyrale, por i rrezikshëm kur pastrohet. Nga ana tjetër karboni -14 bën të mundur aktivitetin biologjik. Dhe sa të mrekullueshme janë llixhat, ujrat e të cilave përmbajnë sasira të lejueshme substancash radioaktive dhe kurojnë miliona njerëz në botë.

Në qoftë se uraniumi do të ishte i pranishëm në Tokë vetëm në formën e izotopit të uraniumit -235, bota do të ishte shkatërruar shumë pak kohë pas krijimit të saj. Nga ana tjetër, në qoftë se uraniumi -235 nuk do të ishte i pranishëm  në masën 0.7% në uraniumin 238, ne nuk do të mund të përfitonim energjinë atomike. Zoti i ka dhënë një veti të tillë uraniumit -235 që ai mund të kthehet në fuqi bërthamore, vetëm kur është i ndarë dhe nuk paraqet rrezik në matricën e tij natyrale, në uraniumin -238.

Shumë procese biologjike  nuk mund të kryhen pa praninë e karbonit -14 në atmosferë. Në qoftë se kjo substancë, raporti i së cilës është një për milion, do të rritej sado pak dhe do të përbënte një rrezik vdekjeprurës. Në qoftë se izotopi natrium -24  do të ishte i pranishëm në ujrat minerale, larja në këto ujra do të ishte njësoj  sikur të ishte i pranishëm në Hiroshimë, ditën kur u hodh bomba atomoke.      Megjithatë, substanca kryesore në ujrat minerale është natriumi, izotopet e të cilit, përveç natriumit -24, janë mbizotëruese.

Në të vërtet ne nuk mund të pushojmë së komentuari këtë varg të shenjtë, po ta bënim këtë do të duheshin për t’u shkruar volume të tëra.

“Ne kemi krijuar çdo gjë në Tokë në ekuilibër harmonik dhe në raporte të sakta.”

 

Dr. H. Nurbaki

Përgatiti: Erion Sula

Categories

Archives