Wednesday, 22/3/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Ekonomia kryefjalë apo enigmë e fushatave elektorale


Ekonomia kryefjalë apo enigmë e fushatave elektorale


shefqet krasniqi

Jemi në kohë të fushatës zgjedhore ku shumë parti politike po garojnë për t’i zënë vendet e tyre në mexhlisin kryesor dhe më të madh të vendit. Ky vend në fakt u takon burrave më të mëdhenj, më meritorëve, por a thua a po ndodh ashtu?!

Për fat të keq, te shumë qytetarë kjo nuk është aq e rëndësishme pasi shumë nga ta nuk shfaqin as interesin më të vogël kush vjen e kush largohet nga pushteti. Popullit nuk i intereson shumë se kush udhëheqë me politikën e vendit, por ajo çfarë u intereson është realizimi i një mirëqenie dhe standardi më të mirë jetësor. Për këtë, pothuajse në tërë botën, partitë politike në fushatat e tyre kanë fokusin kryesor tek ekonomia.

Arsye tjetër sigurisht është edhe ajo se kohëve të fundit qëndrueshmëria ekonomike e shumë vendeve është vënë në pikëpyetje: recesionet, falimentimet, borxhet, papunësia, mbyllja e fabrikave, kanë qenë ndër lajmet më të shpeshta që kemi dëgjuar viteve të fundit. Edhe tek ne, në mos për asgjë tjetër, të paktën për hatër të imituar miqtë tanë perëndimorë, fushatat janë vërshuar nga ekonomia. Madje, ekonomia është hiperbolizuar aq sa partitë kanë marrë guxim të shpallin programet e tyre gati për të shenjta. Janë duke u premtuar miliarda investime dhe qindra mijëra vende të reja pune.

Por, sa është kjo e vërtetë? Sa mund të realizohen gjithë ato premtime? Apo, a nuk është ky edhe një mashtrim i radhës për qytetarët? A nuk po keqpërdoret gjendja e tyre e mjerueshme për t’u vjedhur votën dhe për t’i lënë më pas të vazhdojnë me mjerimin e tyre.

Ky popull ka një numër tepër të madh të papunësisë, padyshim më të madhin në Evropë e rajon. Tek ne më së shumti flitet për vende pune, por më së paku hapen vende pune. Në anën tjetër shtrenjtimet e mëdha, kostoja shumë e lartë e jetesës. Më këtë fukarallëk të madh përqindja e kamatave është më e larta në Evropë, e njëmend siç thotë populli ‘livadhin e shkretë e kullosin kafshët e huaja’, pronarët e bankave nga brenda dhe jashtë e kanë gjetur këtë vend të shkretë dhe po rrjepin popullatën e shkretë, për gjynah të Zotit.

Mbi gjysmë milioni njerëz të zhytur në kredi me kamata të larta, ku shumë nga ta nuk mund të dalin nga ato kamata sa të jenë gjallë. E kamata nuk shton pasuri, por ajo shton dhe thellon varfërinë. Kjo pa dyshim vërehet për çdo ditë e më tepër. Në këto situata del në pah shtresa shfrytëzuese e njerëzve të ultë të cilët i shfrytëzojnë pamëshirshëm të varfrit duke u dhënë borxh me fajde. Ashtu siç del në pah edhe shtresa tjetër, e cila shfrytëzon çdo mënyrë dhe çdo rrugë për të ardhur deri tek pasuria, e për pasojë niveli i korrupsionit ngritet në kulm, duke u bërë kancer i kësaj shoqërie. Pikërisht sikur që kanceri shkatërron mushkëritë dhe dalëngadalë edhe trupin, po ashtu edhe korrupsioni shkatërron shoqërinë derisa ta falimentojë shtetin.

Një shkrim tjetër i dobishëm  Vota,përgjegjësia dhe shenjtëria e saj

Këto shtresa janë kategoria më e dëmshme dhe më fatale e shoqërisë, por mjerisht janë aq shumë të përhapur sa që përkundër dëmit që i shkaktojnë vendit, megjithatë ata ndihen kryelartë për dëmet që bëjnë, Allahu na ruajttë nga sherri i tyre.

Këtë gjendje kaotike në shumë sfera, e në veçanti atë ekonomike, e kanë vërejtur dhe potencuar edhe dashamirët tanë ndërkombëtarë, si Unioni Evropian, Banka Botërore për Zhvillim etj. Saqë së fundmi, një deputet nga Bundestagu gjerman deklaroi se Evropën nuk e shqetëson shamia, por e shqetëson niveli i lartë i korrupsionit.

Tani kur jemi në prag të zgjedhjeve parlamentare, dalin partitë tona dhe u hedhin hi syve të qytetarëve duke premtuar ngritje të ekonomisë, krijim të vendeve të reja të punës, të drejta fetare e çka jo tjetër, thua se në dorë posedojnë shkopin e mrekullive të hasreti Musait alejhi selam. Nuk e di se si po iu beson ky popull, apo si po mashtrohet e po del në zgjedhje, por mendoj se nuk ka pse del, secili që vjen në pushtet ma shkret se tjetri, dhe secili që kalon në opozitë nuk lë të zezë pa thënë për tjetrin dhe kështu me radhë. Herë njëri e herë tjetri në pushtet me të njëjtën retorikë dhe të njëjtin avaz, e populli i gjorë po vuan të zitë e ullirit.

Allahu e çliroftë këtë popull dhe e nxjerrtë nga kjo situatë e rëndë, duke na sjellë në pushtet ata që i druhen Atij lart në qiell dhe mëshirojnë njerëzit poshtë në tokë. Amin dhe deri javën e ardhshme me një temë tjetër, selam alejkum.

Categories

Archives