Sunday, 25/2/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame
Tirana
0C

Ejubi alejhi selam ,gruaja e tij, semundjet dhe Iblisi i mallkuar

Ejubi alejhi selam ,gruaja e tij, semundjet dhe Iblisi i mallkuar

Thote Hasan el Basriu :Qëndroi Ejubi a.s i shtrirë pranë plehrave të Benu Israilëve për shtatë vite dhe disa muaj. Krimbat i kishin mbuluar trupin dhe askush tjetër përveç të shoqes nuk i afrohej. Ajo i sillte ushqim dhe sa herë që Ejubi falenderonte Zotin, edhe ajo e falenderonte. Me gjithë gjendjen shëndetësore të rënduar, Ejubi a.s kurrë nuk e ndërpreu përmendjen e Zotit. Ai ishte i durueshëm përballë sprovës që i kishte rënë.

Një ditë, Iblisi u thirri ushtarëve të tij dhe i mblodhi pranë vetes nga të katër anët e tokës. Kur u grumbulluan të gjithë, e pyetën:”Çfarë halli ke? Përse je i shqetësuar?”

Iblisi u tha:”Më lodhi ky njeri, të cilit nuk i lashë as pasuri dhe as fëmijë. Megjithatë, ai vazhdon të jetë i durueshëm. Më pas u sprovua dhe me shëndetin, duke u kthyer në një trup gjithë plagë, i shtrirë mbi mbeturina, ku askush tjetër përveç të shoqes nuk i afrohet. Megjithatë ai vazhdon të jetë i durueshëm. Prandaj u ftova që të më ndihmoni kundër tij.”

Ata e pyetën:”Po marifetet e tua te vjetra, me të cilat ke shkatërruar kushedi sa më parë?”

Ai u përgjigj:”Të gjitha kanë dështuar me Ejubin a.s. Prandaj më këshilloni diçka të re!”

Ata e pyetën:”Çfarë marifeti përdore për t’a nxjerrë Ademin nga xheneti?”

Iblisi u përgjigj:”Përdora të shoqen e tij.”

Ushtarët i thanë:”Atëherë, edhe me Ejubin përdor të shoqen. Ai e ka të vështirë t’a kundërshtojë, pasi nuk i qëndron pranë askush tjetër përveç saj.”

Iblisi u tha:”Ashtu është!” dhe menjëherë u nis për tek gruaja e Ejubit a.s.

Asaj iu paraqit në formën e një burri dhe me t’iu afruar e pyeti:”Ku e ke burrin?”

Ajo iu përgjigj:”Është ai atje që kruan plagët dhe që krimbat i kanë mbuluar trupin.”

Kur i dëgjoi këto fjalë nga gruaja e Ejubit a.s, Iblisi u gëzua pasi i mori si shenjë pakënaqësie. Menjëherë filloi me marifetet e tij, t’i kujtojë ditët kur jetonin të lumtur mes luksit, fëmijëve, hijeshisë që karakterizonte Ejubin asokohë, rininë e tij dhe në fund i kujtoi vuajtjet dhe gjendjen në të cilën ndodheshin. Ai nuk harroi t’i thotë se një gjendje e tillë mund t’u vazhdojë për tërë jetën.

Kur dëgjoi fjalët e Iblisit, gruaja e Ejubit a.s psherëtiu thellë dhe u mjerua. Duke e kuptuar mirë situatën shpirtërore të saj, Iblisi iu afrua me marifet dhe i tha:”Le të bëjë Ejubi kurban për mua këtë lëkurë gjarpri dhe do të shohësh që do të shërohet.”

E karikuar nga Iblisi, gruaja vajti tek i shoqi dhe i thirri gjithë pakënaqësi:”O Ejub! Deri kur do të të ndëshkojë Zoti yt?!” Ku e ke pasurinë? Ku i ke fëmijët? Ku i ke miqtë? Ku e ke lëkurën e bukur që kishe më parë? Bëje kurban këtë lëkurë dhe bjer rehat nga këto halle që të kanë mbërthyer!”

Ejubi a.s ia ktheu:”Të paska ardhur armiku i Zotit dhe të paska fryrë! E mjera ti e mjera! Vallë kush mi dha pasuritë, shëndetin dhe fëmijët, për të cilat qan?!”

Ajo iu përgjigj:”Allahu.”

Ejubi i tha:”Vallë për sa vite i shijuam këto begati?”

Gruaja iu përgjigj:”Tetëdhjetë vite.”

Ejubi e pyeti:”Sa vite kemi që jetojmë në vuajtje dhe mjerim?”

Gruaja iu përgjigj:”Shtatë vite e disa muaj.”

Ejubi i tha:”E mjera ti e mjera! Për Zotin nuk je sjellë drejt me Zotin. Përse nuk duron në fatkeqësi dhe vuajtje, aq kohë sa jetove në të mira dhe bollëk?! Për Zotin, nëse shërohem do të të kamzhikoj tetëdhjetë herë. Më urdhëroke të bëj kurban për djallin! Që sot e tutje, nuk do fus në gojë asgjë nga ushqimet dhe pijet që më sjell ti. Tani largohu se nuk dua të të shoh me sy.”

Pasi iu largua e shoqja, Ejubi a.s pa veten dhe rreth tij. As ushqim nuk kishte, as pije, as shokë e miq. Atëherë ra në sexhde dhe iu lut Zotit me fjalët:“Mua më ka goditur fatkeqësia e Ti je më mëshiruesi i mëshiruesve!”(Enbija, 83)

Thuhet që Ejubit a.s iu tha:”Ngrije kokën se të është pranuar lutja.” (Tefsiri Taberiut, 9/

Ibnu Kethiri përmend një hadith të transmetuar nga Enes ibnu Malik, se i dërguari i Zotit a.s ka thënë:”Ejubi a.s ngrihej për nevojat e tij personale dhe kthehej me të shoqen, e cila e mbante për dore. Një ditë, e shoqja u vonua. Zoti e frymëzoi Ejubin a.s:“Bjeri me këmbë tokës dhe aty do të dalë një burim me ujë të ftohtë për larje dhe pirje!” (Sad, 42)

Kur erdhi e shoqja, Ejubi a.s ishte shëruar tashmë plotësisht dhe i ishte kthyer hijeshia që kishte para sëmundjes. Ajo e pa nga larg dhe u habit. Duke mos e njohur, iu afrua dhe i tha:”Zoti të bekoftë! Mos e ke parë profetin e sprovuar të Zotit? Për Zotin e madhëruar, nuk kam parë njeri më të ngjashëm me të kur ishte i shëndetshëm se ti.”

Ejubi a.s ia ktheu:”Unë jam Ejubi.” (Tefsiri i Ibnu Kethirit 4/51)

Transmeton Ebu Hurejre – Zoti qoftë i kënaqur me të – se Profeti a.s thotë: ”Teksa Ejubi a.s po lahej pa rroba në trup, Zoti dërgoi një re karkalecësh, të cilët ranë pranë tij. Ejubi a.s  pa se ishin karkalecë floriri. Atëherë, ai mori rrobat dhe filloi t’i mbushë me karkalecët e florinjtë. Zoti i tha: ”O Ejub, a nuk të dhashë pasuri që të mos kesh nevojë për atë që shikon?” Ejubi a.s ia ktheu: ”Sigurisht o Zot, por unë nuk ngopem me bereqetin Tënd.” (Tefsiri i Ibnu Kethirit 4/51)

Categories

Archives