Saturday, 16/12/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

 Duke pritur – Avni Tafili

 Duke pritur – Avni Tafili
Duke pritur

Pasha kohën! – Kur’an, 103:1

Ora s’po ndalon. Ditët po kalojnë…Jo, s’po ta kujtoj kalimin e kohës, e as të jetës, e as afrimin e vdekjes. Prit, mos u largo. Nuk dua të ndjellë frikë. Jo, assesi, thjesht dua të shpreh atë që mendoj e ndjej. Unë jam duke pritur, siç mund të jesh edhe ti duke pritur…duke pritur se një ditë dielli do të agojë si asnjë ditë tjetër…

Shkruan: Avni Tafili

A thua vallë, sikur të kihet nën zotërim gjithçka në këtë botë, por të kihet zemër të plogësht, a do të vlente gjë? E ke provuar këtë që them, të kesh diçka që e ke ëndërruar, e kur ta kesh, ngazëllimi të mos soset? Të lutem, prit! Nuk e përmenda “sosjen” për të rrëmbyer ndonjë ëndërr që ke, e as për ta thyer në mes vullnetin tënd. Më jep kohë të shprehem deri në fund. Nuk dua ta rrëmbej të ardhmen tënde. Edhe ti ke të ardhme që e pret ndoshta me mall. E të jesh optimist për të. Të admiroj. Ke të drejta, je si çdo njeri, me ëndrra dhe dëshira. Por më lejo të komunikoj me ëndrrat e dëshirat tua, duke respektuar privatësinë tënde. Nuk kam fuqi të ndryshoj të ardhmen tënde, edhe nëse do të insistoja. Ti je dhe ke. Je i lirë dhe ke vullnet.

Prit, të lutem, ta mbaroj atë që kam dhe dua ta ndaj me ty. Të ndaj pyetjesh, idesh, e të ndaj atë që ndjej. Ç’i vlejnë njeriut ëndrrat e dëshirat, po të ishte i vetëm. Me kë do t’i shijojë ato. Është i dobët. I paaftë. Njeriu s’është i përkryer. Unë jam i gabueshëm, siç mund të jetë secili, por ma mundëso ndryshimin, ma lehtëso përmirësimin, që po e ëndërroj, edhe ti përmirësohesh. Ëndërr që të gjithë aspiroj ta jetojnë, pasi nuk mund të jetohet vetë. E kush s’e urren izolimin, vetminë, e ngecjen! Mund të mos jemi egoistë, por kur njeriu jeton jetë të mbyllur, kjo mbyllje e bën të mendojë, të dëshirojë, të aspirojë si egoist. Jo, e urrej egoizmin, duhet ta urresh edhe ti. Zgjate dorën e bashkëjetesës, zgjate dorën për ndryshim. Zgjate dorën për përmirësim. Mund ta marr me mend se ç’mund të sillet në mendje. Po vallë, a ka rëndësi gjithçka na sillet vërdallë në mendjet tona? Ndonjëherë mund të dukem sikur po ushtroj vrazhdësi e forcë, e ndonjëherë mund të dukem sikur fantazoj, e bile ndonjëherë mund të dukem si ndonjë person, që s’ka me se të merret, ka kohë mjaft e ku ta djeg atë, të shkruajë… Jo, mua më ka mësuar shumë jeta. Jeta më mësoi se njeriu ka përbrenda vetes fuqi të pazbuluar. Ka aftësi brenda trurit të pashfrytëzuar. Kam mësuar edhe armikun kundër ndryshimit: humbja e besimit dhe vetëkënaqësia.

O njeri, që me ty po ndaj botën time, ç’po ndodhë? Po mbretëron një qetësi, e mua s’po më duket se diçka po prehet. Është heshtje, e mua frymën po ma zë. Kah shikoj, shoh që njerëzit flasin, ama sytë i kanë të përulur. Nuk di si ta shpjegoj. Më mungojnë fjalët. Kapakët e syve u duken sikur t’u ishte vënë ndonjë gjë që rëndon. Flitet me një gjuhë sikur zihet nëpër dhëmbë. E pyetem, mos plogështia, kur zemrat prek? Kur vështroj qiellin, të zbukuruar me yje, e mundohem të ndjejë qetësinë e thellësisë së natës, mendoj, njerëzit që tërë ditën flisnin e lëviznin, disa të gëzuar e disa të hidhëruar, disa me krah të mbledhur, e disa me sy të lodhur, e disa të ulur në qoshe, e them, a thua ç’po bëhet me ta? A kështu ëndrrat dhe dëshirat jetësohen? A janë të bindur prej dikujt apo veten e kanë bërë të besojë ashtu? Rrinë ndërsa ëndërrojnë, e kur fillon lëvizja, heshtin tërësishëm.

Jeta më mësoi… Edhe ty mund të ketë mësuar. Secili njeri ka mësuar diçka prej jetës së vet, prej së kaluarës së vet. Por dallimi mes meje dhe teje ndoshta është se unë shprehem, e ti jo, unë e ndaj me ty, ndërsa ti jo. E dallimi tjetër, më i papërballueshmi, ndoshta mund të pësoj edhe unë: të mësojmë prej së kaluarës por mësim të mos marrim as për vetveten. E sa fjalë e rëndë kjo “vetvetja”. Më shpërqendron. Individualizmi dhe egoizmi, çarja dhe përçarja, shkapërderdhja e shpartallimi; secili le të shikojë punët e veta, unë kam jetën time e bëj ç’dua unë, “unë” kam botën time…”Jeta më mësoi…” mbet thesar i humbur.

Nuk e kuptoj dot, pse sa e vështirë të jetë besimi në fuqi dhe mundësi; përderisa ne e urrejmë forcën kur kundër nesh ushtrohet, ne sikur presim prej dikujt të na shtyjë me forcë për të bërë diçka! Ne nuk lemë kurrfarë dere, prej së cilës do të hynim, për ta komunikuar atë që duam, atë që aspirojmë, atë që të gjithë e ëndërrojmë: të jemi më ndryshe, të jemi të gjallë; të jemi në lëvizje! E kush nuk e dëshiron të ardhmen e ndritshme. Kur shoh të rinjtë, si vërtiten rrugëve pa shpresë, pa ëndrra, pa vizion, nuk më besohet si janë shndërruar në një qiri që shuhet në vetvete. Çfarë janë ata prindër, që nuk ndërgjegjësohen, po çfarë je ti që nuk po ndërmerr diçka, nuk po ndryshon shprehitë tua. Pse ke frikë nga ndryshimi! Ti ndoshta nuk e di se ç’është ndryshimi, por jam i sigurt se ne mund të kemi frikë ndaj diçkasë, e të mos jemi të vetëdijshëm për të. Ndryshimi fillon me hapa të vegjël. Jo, ndryshimi e përmirësimi fillon njëherë duke u stërvitur edhe me gjeste të imta e të thjeshta, ja, kur zgjohesh prej gjumit vetëm bëj diçka ndryshe, nëse je kalitur pasi të zgjohesh menjëherë të pish ujë, mos pi ujë! Bëj diçka tjetër. Ndërro. Ndrysho.

O njeri, ti s’je krijesë e thjeshtë, si krijesat tjera, si buburreci. Edhe pse buburreci është krijesë që ne shumë mund të marrim mësim prej tij. Buburrecat janë model i vazhdimësisë, model i guximit dhe palodhjes. Janë model i vullnetit të fortë. E ndryshimin mund ta fillosh duke medituar vetëm në një buburrec. Braktis librin, para sysh mund të kesh një libër të hapur e të gjallë me plot argumente. Jo vetëm buburreci, gjithçka rreth teje janë libra të hapur përplot shenja e urtësish. Merr mësim, e sill ndryshim në vetvete. Më mundëso ndryshimin, pa ty s’mund të plotësohet përmirësimi. Dua të ndaj idetë e mia, që edhe ti ndërkohë të fillosh të ndash idetë e tua me të tjerët. Medito e ndaje me të tjerët…dëshiro e ndaje me të tjerët… Forco vullnetin e ndaje atë forcë me të tjerët…

Zgjohem në një pjesë të natës, ndjej thellë në qenien time freskinë dhe qetësinë, por kur ia hapi shtigjet të menduarit tim, sikur më prishet qetësia, e menjëherë më vijnë pyetjesh nëpër mend… Eh, ç’është kjo që po më bezdis, nuk dua të mendoj më, mërzitem e ndjehem i paforcë. I dobësuar. E ndonjëherë edhe i harxhuar shpirtërisht. Kur të tjerët flenë, e s’dëgjojnë, çka të ndaj unë! Çka të bëj i shkreti unë! I vetëm jam. Nuk bëj dot zhurmë, edhe pse zhurma lëkundë, prapë s’është zgjim, është tronditje e tmerrim. Prapë filloj të ngushëlloj, e të bëhem sikur më i arsyeshëm të bëhem, e të marr në konsideratë shkaqe e rrethana…, por prapë sikur nuk mund ta bind veten! E vazhdoj t’i shtroj vetes pyetjesh: kur zhurma gjatë tërë ditës mbretëroi, ç’u bë me zhurmën? Njerëzit a flenë dhe ditën? Nuk i bihet n’fije! Natën disa njerëz rrinë të zgjuar. E të shumtë janë në gjumë. A kanë rënë për t’u qetësuar apo për të harruar ditën që lanë pas? Çuditem, pastaj them prapë me vetveten: ç’po ndodhë, pse unë në thellësitë e natës ndonjëherë s’gjej qetësinë? Kush më theu e më dërmoi? Mos e harrova Zotin? Jo them, po sprovohem…Ndjej lodhje, mos humba gjithçka? Jo them, ende kam diçka me çka të prehem!

Njerëzit edhe pse mund të rrinë me njëri-tjetrin, të flasin, të buzëqeshin, të kalojnë kohën, prapë janë të vetmuar. Unë s’dua të jem ashtu….Por unë vazhdoj të zbraz forcën e mbledhur në shpirt. Jo, unë mbushem çdo sekondë! Kështu e bindi veten…duke pritur se një ditë dielli do të agojë si asnjë ditë tjetër…

O Allah, Ti ke fuqi mbi çdo send! Kjo më mjafton. Gjithnjë duaja ka qenë armë për besimtarin; o Allah, në Ty besoj dhe Ty të nënshtrohem, më udhëzo mua, dhe vëllezërit e motrat e mia për hir Tënde!

Categories

Archives