Thursday, 30/3/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame
Tirana
0C

Duhani ,rreziku i pirjes dhe taktikat e lënies


Duhani ,rreziku i pirjes dhe taktikat e lënies


DUHANI, RREZIKU I PIRJES DHE TAKTIKAT E LENIES !!

MOTIVIMI PËR DUHAN

Pirja e duhant nuk është vetëm një shprehi (ves) e thjeshtë, por paraqet një kompleks të tërë shprehish dhe situatash shoqërore të duhanxhiut në jetën e përditshme.

Ja vetëm disa nga arsyet më të rëndësishme të pirjes së duhanit: për shkak të nervozizmit, për shkak të relaksimit, për shkak të vetmisë, për shkak të mosaktivitetit, për shkak të dietës, për shkak të shoqërisë, për fitimin e vetbesimit, për rritjen e kënaqësisë, për zbutjen e moskënaqësisë, nga shprehia, për stimulim, si dëshirë për identifikim, si një dëshmi e forcës dhe pozitës së lartë në shoqëri (pirja e cigareve të shtrenjta), si një formë e lajkatimit, mashtrimit, ikje nga problemet personale, si mjet për pagjumësi (portierët, rojat, etj.)
PËRBËRËSIT E TYMIT TË DUHANIT – FAKTORË TË RREZIKUT
Konsiderohet se në tymin e një cigareje ka rreth 70 mg thërrmija të forta dhe 23 mg gaz. Në cigaren e fabrikuar ka rreth 6% nikotinë, 30% hidrokarbur, 17% acide organike, 13% albumine dhe 2% vajra eterike. Në përbërjen e tymit të cigares ka edhe produkte tjera helmuese si acid azotik, acid hidrocianid, amoniak dhe cianid të cilët veprojnë në mënyrë shkatërruese në mukozën e rrugëve të frymëmarrjes dhe të traktit digjestiv.
Nikotina është elementi më i njohur toksik i cigares. Depërton në gjak dhe përhapet në të gjitha qendrat vitale të organizmit, duke u grumbulluar në mënyrë selektive në organet me rëndësi jetike: në tru, mushkëri dhe gjëndrra seksuale.
Për njeriun nuk është më pak i dëmshëm edhe monoksidi i karbonit, si përbërës i tymit të cigares. Nga një pako cigare lirohen afro 400 mg të këtij gazi i cili shkatërron rruazat e kuqe të gjakut. Ai kontakton shumë më lehtë dhe më aktivisht me Hb duke e kthyer në kompleks kimik-karboksil Hb. Në këtë mënyrë shumica e organeve dhe indeve të duhanxhinjëve marrin oksigjen në sasi shumë më të vogla (veçanërisht truri).
Në tymin e cigares ka mjaft rrëshirë katrani. Hulumtimet kanë dëshmuar se këto nxisin sëmundjet kancerogjene. Duke pirë 20 cigare në ditë njeriu fut në trup afër 1 gr katran cigareje i cili kryesisht mbetet në mushkëri.
Cilësi kancerogjene kanë edhe elementet radioaktive që përmban tymi i cigares: izotope plumbi, bizmut, polonium. Poloniumi depërton lehtë në pjesët më të imëta të organizmit, veçanërisht në mushkëri dhe gjëndrrat seksuale.
“Duhanxhiu i vërtetë” merr gjatë ditës dozë të konsiderueshme të rrezatimit, i cili është i dëmshëm për strukturat trashëguese.
Cigarja përmban edhe elemente tjera që janë gjithashtu të rrezikshme për shëndetin. Në cigare janë zbuluar sasi të konsiderueshme të formaldehidit, zhivës, kadmiumit . . .
Regjistri i elementeve të dëmshme të cigares mund të vazhdohet edhe më tutje.
Analizat laboratorike kanë treguar se elementet toksike të duhanit shkatërrojnë një varg vitaminash që janë të rëndësishme për zhvillimin e proceseve metabolike. Vetëm një cigare neutralizon afro 25 mg të thartinës askorbike (Vitamina C).PASOJAT E DUHANIT PËR SHËNDETIN

Pirja e duhanit është shkaktar kryesor dhe i veçantë i sëmundjeve dhe i vdekjeve të parakohshme. Duhanxhinjtë vdesin 5-8 vjet më herët se ata që nuk pinë duhan dhe janë të rrezikuar dy herë më shumë nga sëmundjet fatale të zemrës, dhjetë herë më shumë nga tumori në mushkëri, gojë, fyt, kapërcell, pankreas, veshkë, fshikë urinare, mitër, dy deri tri herë më shumë nga ulçeri.
Fëmijët e prindërve që pinë duhan lindin me peshë të vogël, shpesh me infeksione të mushkërive, më shumë infeksione kronike të veshit dhe me shumë mundësi për t’u bërë duhanxhinj më vonë.
Gjithashtu veprimet e dëmshme të tymit të duhanit vërehen në gjëndrrat endokrine dhe sistemin nervor që janë rregullatorë të jetës sonë. Tek meshkujt shkakton impotencë, ndërsa tek femrat çrregullim të ciklit menstrual dhe dëmtim të funksioneve germinative dhe sterilitet.
Me kalimin e kohës, nën ndikimin e toksikimit me duhan ngushtohen enët e gjakut të organeve vitale me pasoja fatale.
Lindjet e parakohshme, abortimet dhe vdekshmëria e foshnjave pas lindjes janë 2-3 herë më të mëdha tek shtatëzënat që pinë duhan.
Praktikisht, të gjitha toksinet e tymit të duhanit depërtojnë në qumësht nëpër gjëndrrat qumështore. Qumështi i helmuar arrin në lukthin e foshnjës dhe shpërndahet në tërë organizmin, kurse materiet e tij toksike veprojnë në dobësimin e mekanizmave mbrojtës të foshnjës. Në gjakun e foshnjës janë gjetur një varg toksinesh të duhanit, që veprojnë në strukturat e trurit të madh.

DUHANI DHE GJENET

Pirja e duhanit, siç është e njohur, është njëri ndër shkaqet kryesore të sëmundjeve të organeve të brendshme p.sh. të sistemit kardiovaskular dhe gastrointestinal të cilat barten me trashëgim. Analizat gjenetike kanë treguar se nënat që pinë duhan lindin fëmijë me predispozita për zhvillim më të hershëm të proceseve arteriosklerotike.
Rrezatimi jonizues i duhanit dëmton gjenet, te pasardhësit shkakton edhe zhvillimin e epilepsisë dhe të sëmundjeve tjera të sistemit nervor.
Pjesëmarrja e anomalive kongjenitale të zemrës te fëmijët e prindërve që pinë duhan është dyfish më e madhe sesa te fëmijët e prindërve që nuk pinë duhan.

PIRJA PASIVE E DUHANIT

Joduhanxhiu i cili qëndron në afërsi të duhanxhiut thith deri 80% të të gjitha materieve të tymit. Ky tym vetëm për 5 sekonda pasi të futet në organizmin e joduhanxhiut kryen veprimet e veta toksike.
Hulumtimet kanë treguar se në ambientin e ndotur me tym cigareje tek joduhanxhitë manifestohet me lodhje, marramendje, zvogëlim të aftësive të kujtesës, rritjen e tensionit të gjakut dhe rritjen e sedimentacionit të eritrocitve.

NDALIMI I PIRJES SË DUHANIT

Për të qenë sa më efikase lufta kundër pirjes së duhanit, në këtë aktivitet të madh duhet të inkuadrohet tërë shoqëria.
Lufta kundër pirjes së duhanit është kuptuar më seriozisht në shtetet perëndimore si Norvegji, Britani të Madhe, Luksemburg ku organizohen seminare grupore 5 ditore kundër duhanit.
Rëndësi të veçantë duhet t’i kushtohet veprimtarisë profilaktike ndaj popullatës së re. Pikërisht në fëmijëri krijohet dhe zhvillohet mënyra e shëndoshë e të jetuarit.
Për gjendjen e tanishme të përhapjes së duhanxhinjëve, OBSH i bën përgjegjës kryesor në radhë të parë prindërit, pastaj shkollat e në fund shërbimet shëndetësore.
Mos të harrojmë se roli i predikuesve fetarë është tejet i madh.
Prandaj, është e nevojshme që sa më herët të fillojë luftimi i kësaj shprehie me masa preventive. Masat preventive më të rëndësishme janë: arsimimi i nxënësve në të gjitha shkollat fillore e të mesme, duke futur orë të mësimit të detyruar, arsimimi shëndetësor i qytetarëve përmes mjeteve të informimit masiv, ligjëratave, etj., themelimi i shoqatave ose i klubeve të joduhanxhinjëve, për terapi grupore, informimi detal mbi dëmet që pasojnë nga pirja e duhanit dhe mundësitë e shërimit.
Meqë shëndeti i qytetarëve të çdo shteti është pasuria më e madhe, në luftën kundër pirjes së duhanit duhet të angazhohen të gjitha organizatat shoqërore dhe politike.
OBSH propozon strategjitë kundër pirjes së duhanit në nivel ndërkombëtar dhe nacional (kombëtar).

Një shkrim tjetër i dobishëm  Zemra burim i mendimeve

STRATEGJIA NË NIVEL NDËRKOMBËTAR

Aktivizimi i tërë sistemit të OBSH-së.
Aplikimi dhe përparimi i bashkëpunimit me të gjitha organizatat kombëtare që merren me shëndetësi.
Shkëmbimi i përvojave ndërkombëtare në eliminimin e epidemisë së pirjes së duhanit.
Koordinimi dhe matja e studimeve bazike dhe të aplikuara në këtë lëmi.
Formimi i grupeve të ekspertëve për përpunimin e problemeve sanitare legjislative, etj.
Organizimi i seminarëve regjionale për nxitjen e aksioneve kundër duhanit.

STRATEGJIA NË NIVEL KOMBËTAR

Futja dhe aplikimi i përpiktë i masave legjislative, edukative, etj.
Vendosja dhe zbatimi i masave kufizuese në prodhimin e duhanit.
Ulja e të gjithave subvencioneve në prodhimin e duhanit.
Masat e nevojshme në uljen e eksportit dhe importit të duhanit.
Rritja e të gjitha taksave fiskale.
Mobilizimi i të gjitha asosacioneve: vullnetare, mjekësore, profesionale, arsimore, humanitare, dhe formimi i shoqërive dhe fondeve për luftë kundër pirjes së duhanit:
– të ndalohet shitja e duhanit rinisë,
– ndalimi i duhanit në vende publike,
– ndalimi i reklamimit dhe zbatimi i masave tjera represive.

TAKTIKA SHOQËRORO-MJEKËSORE DHE STRATEGJIA E LUFTËS KUNDËR PIRJES SË DUHANIT

Taktika globale kundër pirjes së duhanit hartohet në programe të përgjithshme dhe specifike.
Me rastin e programit të përgjithshëm metoda më e suksesshme është terapia grupore.
Ndërsa variantet themelore të trajtimit specifik janë: aplikimi i medikamenteve (placebo ose trankvilizorët – Nicostop, Nikobrevin), zëvendësimet nikotinike, çamçakëzë nikotinik, terapia elekro-averzive – cigaret elektronike.
Trajtimi specifik është më pak i sukseshëm sesa trajtimi i përgjithshëm.
Njëri ndër shkaqet e pirjes së madhe të duhanit është që masat shëndetësore të luftës kundër duhanit kanë ndikim shumë më të kufizuar në krahasim me fuqinë që kanë masat shtetërore që stimulojnë prodhimin e tij. Këtu gjen shprehje interesi ekonomik i cili në esencë, është kauzi ekonomik.
OBSH ofron dy receta për ndërprerjen individuale të pirjes së duhanit.
Me këtë metodë 95-97% e kanë lënë duhanin pas 5 ditëve.

RECETA 1

Vendosni të pini vetëm një cigare gjatë një ore.
Nëse pini duhan e mbani cigaren në dorën e djathtë, provoni ta mbani në dorën e majtë.
Filloni të pini cigaret që nuk ju pëlqejnë.
Nëse keni pirë cigare me kafe, filloni të pini lëng frutash në vend të kafesë.
Merruni me gjimnastikë.
Thirrni miqtë dhe u tregoni atyre qëllimin për lërjen e duhanit.
Nëse do të mund të duroni pa pirë duhan vetëm një ditë, do të mund të mos pini edhe ditën tjetër. Provojeni këtë!
Kurseni paratë që keni planifikuar për blerjen e duhanit dhe në vend të cigareve bleni ndonjë gjë për vete. Këtë e keni merituar.
Mos u dëshpëroni nëse nuk keni mundur të duroni dhe e keni ndezur cigaren. Disa bëjnë shumë përpjekje para se ta lënë përfundimisht duhanin.

RECETA 2
Mos pini duhan në prani të fëmijëve dhe të gruas.
Mos pini duhan esëll, sepse kjo dëmton shpejtë mukozën e lukthit.
Mos pini duhan as para se të flini, as natën.
Mos pini duhan kur ecni, sepse rritet veprimi i produkteve të tymit të duhanit në funksionimin e organeve më të rëndësishme.
Mos pini duhan në lokale të mbyllura.
Mos pini 1/4 e fundit të cigares, sepse aty bëhet koncentrimi më i madh i elementeve të dëmshme për jetën.
Përpiquni ta pini duhanin pa e futur tymin brenda në organizëm, sepse gjatë thithjes 95% e nikotinës arrin në gjak.
Mos pini cigare me lagështi.
Mos pini duhan nëse vuani nga sëmundjet kronike.
Mos pini duhan kur keni për të kryer punë të rëndësishme ku nevojitet fuqia mendore e fizike.
Nëse arrini t’i zbatoni në jetë këto, mund të shpresoni se për disa muaj do të mblidhni forcat tuaja dhe do t’i thuani lamtumirë duhanit, si një shprehi shumë e dëmshme për shëndetin tuaj dhe të tjerëve (tregimi për duhanxhinjtë).

FJALA PËRMBYLLËSE PËR DUHANIN

Motra, vëllezër të dashur, të rinjë e të moshuar, djalosh e vajzë dhe ti vogëlush, nëna dhe baballarë të nderuar!
Kjo që u cek më lartë le të jetë mësim për ju që e pini duhanin, që të shpëtoni nga kjo shprehi e rrezikshme, përbuzni dhe flakni këtë dukuri të dëmshme individuale dhe kombëtare.
Ajo që është e dëmshme ajo që shkatërron shëndetin, pasurinë tuaj e bashkë me këtë edhe fatin tuaj, nuk mund të jetë as moderne, as kulturë e as civilizim.
Përkujtoni vazhdimisht fjalët e Zotit të dashur: “Mos e mbytni veten tuaj . . .”, Mos hidhni veten në rrezik . . .”, si dhe fjalët e të Dërguarit të Tij: “Askujt (as vetes dhe as tjetrit) s’guxohet t’i bëhet dëm!”
I drejtohemi Zotit Hirmadh me fjalë të sinqerta:
“O Zot i madh dhe i vërtetë
largoji besimtarët shqiptarë
nga ky kob, shkatërrues i vërtetë
i cili dëmton shëndetin
pasurinë dhe ndot ambientin.
Vetëm kështu duke mos pirë duhan
bëhemi të shëndetshëm,
të përparuar dhe të kulturuar!”

Përktheu dhe përshtati: Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi

Tags:

Categories

Archives