Thursday, 18/1/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Duaja e Profetit a.s për gjendjen e shqetësimit dhe dëshpërimit

Duaja e Profetit a.s për gjendjen e shqetësimit dhe dëshpërimit

Ndiheni pa të ardhme, të dështuar dhe të rrënuar…

Këto janë disa nga termat e përdorur për të përshkruar ndjenjën e mungesës së shpresës dhe të dëshpërimit që mund të përfshijë edhe më optimistin ndër ne në çaste të caktuara të jetës së tij. Sidoqoftë, kur trishtimi, zymtësia dhe pakënaqësia shndërrohet në përbërës të përhershëm të jetës tonë, kur krijon ndjesinë e mungesës së shpresës, të pafuqisë dhe parëndësisë, kur ndikon në aftësinë tonë për të punuar, studiuar, ngrënë, fjetur, dhe shoqëruar me njerëzit, atëherë mund të jemi duke vuajtur nga nivele dëshpërimi tej normales, ndryshe të quajtur depresion.

Profeti Muhamed a.s na ka mësuar një dua kundër dëshpërimit, që me një lakonizëm të mahnitshëm, shpërfaq edhe pasojat e depresionit akut.

Duaja është kjo: “O Allah, kërkoj mbrojtjen tënde nga ankthi, trishtimi, paaftësia, plogështia, përtacia, burracakëria, kurnacëria, shfrenimi dhe teprimi, nga borxhet dhe nënshtrimi.”

Kjo dua trajton 8-të gjendje emocionale që shkaktojnë brengosje të thellë:

Ankthi: Një re e pashpjegueshme dhe e vazhdueshme shqetësimi, frike, një parandjenjë sikur diçka e keqe do të ndodhë. Ndihesh i shqetësuar, nuk gjen qetësi dhe të duket sikur gjendesh në prag të një humnere në të cilin mund të përfundosh nga çasti në çast.

Trishtimi: Një gjendje brengosjeje që të shkërmoq trupin dhe mendjen. Fillon të besosh se është pothuajse e pamundur të jesh i lumtur. Ndihesh sikur nuk respektohesh dhe nuk duhesh nga askush.

Një ndjesi padobishmërie: Një ndjesi pafuqie dhe mungese shprese. Një pikëpamje e zymtë –  asgjë s’do të përmirësohet dhe asgjë s’mund të bësh për të përmirësuar situatën tënde. Ke ngecur në gjendje viktimizimi. Kjo të ul nivelin e tolerancës. Gjithçka dhe gjithkush përreth të shkakton acarim nervor.

Përtaci/plogështi: Asgjë s’të intereson dhe asgjë nuk të tërheq. Ndihesh i plogët, i amullt dhe i shteruar fizikisht. I gjithë trupi të peshon më rëndë dhe punët e vogla janë akoma më rraskapitëse si dhe kërkojnë më shumë kohë për t’u kryer.

Burracakëri: Të mungon vetëbesimi. Përjeton një ndjesi të thellë pavlefshmërie dhe fajësie.

Kurnacëri: Nuk të intereson mirëqenia e të tjerëve. Je shumë i fokusuar dhe angazhuar në zymtësinë dhe gërnjarinë tënde për të menduar për lumturinë e të tjerëve.

Borxhi mbytës: Ke vështirësi të përqendrohesh, të marrësh vendime, derisa çorganizohesh financiarisht me shpresën për të “blerë” daljen nga gjendja e mjerueshme në të cilën ndodhesh. Sjellja jote i ngjan dikujt që do të arratiset.

Nënshtrimi ndaj njerëzve: Gjendesh nën kontrollin dhe varësinë e njerëzve të tjerë. Ndihesh i shtypur nga njerëzit që ke përreth. Nuk ke më besim në vetëvete dhe në mungesë të rrugëdaljes ndihesh i detyruar të dorëzosh lirinë tënde.

Muslimani duhet gjithmonë të mendojë më të mirën për Allahun. Ai duhet të përpiqet të bëjë më të mirën dhe të presë rezultatin më të frytshëm: që Allahu do të pranojë punët e tij të mira; që Allahu do ta falë me mëshirën e tij; që Allahu do ta bekojë që të jetojë dhe të vdesë si besimtar.

PROFETI MUHAMED, PAQJA QOFTË MBI TË, THOTË:

“Asnjëri nga ju nuk duhet të vdesë veçse duke qenë shpresëplotë dhe duke menduar më të mirën për Allahun.”(Muslimi)

Sfida jonë është që, duke pasur parasysh rrethanat, të bëjmë më të mirën që mundemi, me bindjen e patundur se gjithçka që na hidhëroi, ishte e pashmangshme sepse kështu ishte shkruar, dhe çfarëdo që na shmanget, u shmang sepse nuk ishte e shkruar që të na ndodhte. Ne besojmë se jeta jonë shpaloset në përputhje me vullnetin e Allahut!

“S’ka fatkeqësi që godet tokën dhe ju, që të mos jetë e shënuar në Libër (Leuhi Mahfûdh) më parë se ta krijojmë atë. Kjo për Allahun është vërtet e lehtë!” (Kur’ani 57:22)

Allahu na dhëntë forcë dhe dhunti ta shndërrojmë ankthin, frikën dhe shqetësimet në mundësi për t’u lutur dhe për t’u kthyer tek Allahu me pendim të sinqertë. Amin!

 

Categories

Archives