Thursday, 20/7/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Duaja dhe dobitë e saj

Duaja dhe dobitë e saj

 

dua..

 

 

 

 

 

DUAJA DHE DOBITË E SAJ

O ju njerëz, frikojuni Allahut dhe dijeni se duaja është një ndër adhurimet më madhështore.

Numan ibën Beshiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell nga i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, të ketë thënë: “Duaja është adhurim”, dhe pastaj e lexoi fjalën e Allahut: “Zoti juaj ka thënë: “Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem! Me të vërtetë, ata që tregohen mendjemëdhenj e nuk duan të Më adhurojnë, do të hyjnë në Xhehenem të poshtëruar”. Gafir 60.

Allahu i Madhëruar urdhëroi në shumë ajete, që robi t’i lutet vetëm se Atij dhe premtoi se do të përgjigjet lutjes së tij, dhe poashtu i lavdëroi të Dërguarit dhe Lajmëtarët e Tij: “Ne iu përgjigjëm atij dhe i dhuruam Jahjain, duke ia bërë gruan të aftë (për lindje). Me të vërtetë, ata nxitonin për vepra të mira dhe Na luteshin, me shpresë e frikë dhe ishin të përulur ndaj Nesh”. Enbija 90.

I Lartësuari dhe i Madhërishmi na lajmëroi se është afër nesh, i përgjigjet lutjes së lutësit kur ai i lutet, dhe tha: “Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se)Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. Bekare 186.

I Lartësuari dhe i Madhërishmi poashtu urdhëroi t’i lutemi Atij me përulje të vërtetë, e sidomos gjatë vështirësive dhe sprovave, dhe na lajmëroi se nevojtarit nuk i vjen në ndihmë për t’ia larguar të keqen, përveç se Allahut: “A ka më të mirë se Ai që i vjen në ndihmë nevojtarit të këputur, kur i lutet Atij, që jua largon të keqen dhe ju bën juve trashëgimtarë në tokë?!”. Neml 62.

I qortoi rreptë ata që nuk i luten Atij, kur u zbresin atyre sprova e fatkeqësi, dhe tha: “Sa herë që çonim të dërguar në ndonjë vendbanim, Ne i dënonim banorët e tij me skamje dhe sëmundje, në mënyrë që të përuleshin”. Earaf 94, dhe “Ne iu kemi dërguar shumë popujve profetë para teje dhe i kemi dënuar ata me skamje dhe fatkeqësi, për t’u bërë të dëgjueshëm. Vetëm sikur të përuleshin kur u erdhi ndëshkimi Ynë! Por zemrat e tyre u bënë gur, ndërsa djalli ua paraqiste si të bukura veprat e tyre të këqija”. Enam 42- 43.

E gjithë kjo vjen nga mëshira dhe bujaria e Tij. Ai edhe pse nuk është nevojtar për njerëzit, i urdhëron që t’i luten Atij, për arsye se ata janë nevojtar për Të: “O njerëz! Ju jeni të varfër e nevojtarë për Allahun, kurse Allahu s’ka nevojë për asgjë dhe është i Denjë për çdo lavd”. Fatir 15, dhe “Allahu është i Pasur (s’ka nevojë për asgjë), ndërsa ju jeni të varfër”. Muhamed 38.

Me një hadith të shenjtë përcillet: “O robërit e mi, të gjithë ju jeni të humbur përveç atyre që Unë i kam udhëzuar, pra kërkoni udhëzimin nga Unë dhe Unë do t’ju udhëzoj! O robërit e mi, të gjithë ju jeni të uritur, përveç atyre që i kam ushqyer Unë, pra kërkoni t’ju ushqej, dhe Unë do t’ju ushqej! O robërit e mi, të gjithë ju jeni të zhveshur, përveç atyre që Unë i kam veshur, pra kërkoni veshjen Time dhe Unë do t’ju vesh! O robërit e mi, ju bëni mëkate natë e ditë, e Unë i shlyej të gjitha mëkatet, pra kërkoni nga Unë falje dhe Unë do t’ju fal!”.

O ju robërit e Allahut, lutjuni Allahut dhe dijeni se për tu pranuar një lutje ka kushte që duhet patjetër të plotësohen. Allahu premtoi se do t’i përgjigjet lutjes së lutësit dhe Allahu nuk e thyen premtimin e Tij, mirëpo pengesat për tu pranuar një lutje vijnë nga ana e vet robit.

Nga pengesat e pranimi të lutjes është:

1. Mosrespektimi i njeriut ndaj detyrimeve të Allahut dhe veprimi i mëkateve dhe tejkalimi i kufijve të Allahut.

Allahu i Madhëruar thotë: “Vallë, tani (po beson), ndërkohë që më parë ishe I padëgjueshëm dhe ngatërrestar?!”. Junus 92.

2. Ngrënia e pasurisë haram, haja dhe pija dhe veshja me haram. Kjo është nga pengesat më të mëdha të pranimit të lutjeve dhe duave.

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Pastaj e përmendi njeriun, i cili ka udhëtuar gjatë me flokë të shpupuritura dhe të pluhurosura, dhe i cili i shtriu duart e tij kah qielli: O Zot, o Zot! Kurse ushqimi i tij është haram, dhe pija e tij haram, dhe veshmbathja e tij haram, dhe është ushqyer me haram. E si do t’i pranohet lutja e tij!”.

Pra i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e ka përmendur se kënaqësia me haram qoftë ajo me haje apo pije apo veshje, është një nga pengesat më të mëdha të pranimit të duasë. Në një hadith tjetër ka ardhur: “Ushqehu me hallall, do t’ju pranohen duatë”.

Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij “ez-Zuhd” thotë: “Bijtë e Israilit u sprovuan me sprovë dhe dolën me një vend t’i luten Allahut me qëllim që tua largon atë sprovë. Allahu i shpalli të dërguarit të Tij, i cili gjendej në mesin e tyre, t’i lajmëron se ju jeni duke dalë me trupat e juaja të fëlliqura, i ngritni duart e juaja të cilat janë të përlyera me gjak, dhe i keni mbushur shtëpitë e juaja me harame, dhe tani nëse shtohet zemërimi Im ndaj jush, nuk do t’ju sjell asgjë tjetër përveç se largim nga Unë”.

O ju njerëz, për këtë arsye jeni të kujdesshëm për vetveten e juaj dhe shikoni se nga i fitoni të hollat dhe nga ushqeheni dhe nga pini dhe nga visheni, me qëllim që Allahu t’ua pranon lutjet e juaja.

3. Mospasja e sinqeritetit në lutje, pra lutja duhet të jetë vetëm se për Allahun.

Allahu i Madhëruar thotë: “Andaj, lutjuni Allahut me adhurim të sinqertë për Të, edhe nëse këtë e urrejnë jobesimtarët!”. Gafir 14, dhe “prandaj mos iu lutni askujt, krahas Allahut!”. Xhin 18.

Ata që i luten dikujt tjetër e jo Allahut, apo me Allahun i luten edhe tjetrit, si idhujve, varreve, të vdekurve nëpër teqe, përmendoreve, etj, Allahu nuk ua pranon lutjet e tyre. Këta njerëz janë të larguar nga Allahu dhe e kanë ndërprerë lidhjen mes tyre dhe mes Allahut. Ky lloj i njerëzve janë vet meritor që kur të bien në vështirësi dhe ti drejtohen me lutje Zotit të tyre, ato mos tu pranohen.

Një shkrim tjetër i dobishëm  Allahu i Lartësuar për çdo sëmundje ka zbritur ilaçin e saj!

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Njihe Zotin tënd në rehati që të njeh Ai në vështirësi”. Do të thotë se çdo rob nëse i frikohet Allahut, i ruan kufijtë e Tij, dhe përkujdeset për të drejtat e Tij në gjendje rehatie, me këtë e ka njohur Zotin e tij dhe e ka formuar një lidhje të posaçme mes tij dhe mes Zotit të tij. Kur do jetë robi në gjendje vështirësie, atëherë Zoti i tij do ta njeh ashtu si e njihte robi Atë ne gjendje rehatie, dhe do t’i ndihmon që t’ia largon brengat dhe problemet e tij.

Me një hadith të shenjtë ka ardhur: “Ai vazhdon të më afrohet edhe më tepër me anë të veprave vullnetare, që e shton edhe më tepër dashurinë Time ndaj tij, e kështu Unë filloj ta dua atë, e kur e dua, atëherë bëhem veshi me të cilin dëgjon, syri me të cilin sheh, dora me të cilën bie, dhe këmba e tij me të cilën ecë. Nëse ky rob kërkon diçka prej meje, Unë me siguri do t’ia jap, nëse kërkon strehimin Tim, vërtet Unë do ta strehoj atë. Unë nuk nguroj për asgjë më tepër se në marrjen e shpirtit të robit Tim fisnik: ai e urren vdekjen, e Unë e urrej lëndimin e tij”.

Pra, kush sillet ndaj Allahut me devotshmëri dhe adhurim në gjendje rehatie, Allahu do të sillet me të me butësi dhe me ndihmë në gjendje vështirësie, ashtu siç e rrëfen Allahu rastin e Junusit, alejhi selam, kur e gëlltiti balena: “dhe, po të mos ishte nga ata që i luten Allahut, me siguri do të mbetej në barkun e saj deri në Ditën e Ringjalljes”. Junus 143 -144. Dmth, se po të mos kishte qenë Junusi në gjendje rehatie adhurues i Allahut dhe mos falës i namazit dhe po të mos kishte bërë vepra të mira, atëherë: “me siguri do të mbetej në barkun e saj deri në Ditën e Ringjalljes”. Junus 144. Disa nga të parët tanë thanë: “Përmende Allahun në rehati që Allahu të përmend në vështirësi”.

Le ta din të gjithë ata që e kan bindjen se njerëzit nëpër varre apo njerëzit e mirë, kanë mundësi të ndërmjetësojnë mes lutjeve të tyre dhe mes Allahut, se ato nuk ju pranohen. Allahu nuk ka nevojë për ndërmjetësues, po Ai na ka urdhëruar që t’i lutemi në mënyrë direkte pa ndërmjetësimin e askujt: “Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua”. Bekare 186. Për këtë arsye jeni të kujdesshëm nga lutjet e shpikura dhe të ndaluara që janë të shpërndara sot në mesin e muslimanëve.

4. Neglizhenca dhe moskujdesja gjatë lutjes. Kjo është një nga arsyet e mospranimit të lutjes.

Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: ” Lutjuni Allahut duke qenë të bindur se Ai do t’ju përgjigjet. Dhe ta dini se Allahu nuk i përgjigjet lutjes që i bëhet nga një zemër e hutuar”.

5. Lënia e thirrjes në të mirë dhe ndalimit nga e keqja.

Hudhejfe ibën Jeman, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Pasha Atë ku shpirti im është në Dorën e Tij, do të thirrni në të mirë dhe do të ndaloni nga e keqja, ose do të jeni shumë afër që Allahu t’ju dërgon mbi ju dënime, e pastaj t’i luteni dhe mos ti pranon lutjet e juaja”.

Aliu, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, transmeton se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Duaja është arma e besimtarit dhe shtylla e fesë dhe drita e qiejve dhe tokës”.

Poashtu me një hadith tjetër ka ardhur: “Duaja bën dobi edhe atëherë kur ju zbret diçka dhe kur nuk ju zbret diçka. O ju robërit e Allahu për këtë arsye kapuni për duanë”.

O ju robërit e Allahut, frikojuni Allahut dhe jeni të përpiktë në lutjet e juaja dhe kërkoni nga Zoti i juaj me përpikshmëri që t’ju pranon ato. Aisha, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, transmeton se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Allahu i donë ata që janë të përpiktë në lutjet e tyre”.

Duaja është një nga adhurimet më madhështore, për arsye se ajo aludon në modesti për Allahun dhe për nevojë për Allahun, zbutje të zemrës dhe dëshirë për atë që gjendet tek Ai dhe frikë nga Ai, kurse lënia e duasë aludon në mendjemadhësi dhe zemër ngurtësi dhe largim nga Allahu.

Kjo është një nga shkaqet e futjes së njeriut në Xhehenem, ashtu siç e cek edhe Allahu: “Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem! Me të vërtetë, ata që tregohen mendjemëdhenj e nuk duan të Më adhurojnë, do të hyjnë në Xhehenem të poshtëruar”. Gafir 60.

Sikurse lutja e Allahut është shkak edhe për hyrjen në Xhenet: “Ata do të afrohen, duke biseduar me njëri-tjetrin e duke thënë: “Më parë, Ne kemi pasur frikë në familjet tona (nga gjykimi i Allahut), por, Allahu na ka dhuruar mëshirë dhe na ka ruajtur nga era përcëlluese (e Zjarrit). Ne qysh më parë i jemi falur Atij. Ai është vërtet Bamirës dhe Mëshirëplotë”. Tur 25 – 28.

O ju musliman, për këtë arsye luteni Allahun sa më tepër dhe shpeshtoni lutjet e juaja dhe tentoni që ato të jenë të sinqerta për Allahun. Lutjet janë arma më e fortë e besimtarit në kohën e sprovave, e sidomos këto ditë ku muslimanët sprovohen në fenë e tyre, në besimin e tyre, në dijetarët e tyre dhe në thirrësit e tyre.

Allahu i Madhëruar thotë: “Lutjuni Zotit tuaj përulshëm dhe ngadalë! Njëmend, Ai nuk i do ata që e kalojnë kufirin. Dhe mos bëni çrregullime në Tokë, pasi është vënë rregulli, ndërsa Atij lutjuni me frikë dhe shpresë. Vërtet, mëshira e Allahut është afër punëmirëve”. Earaf 55 – 56.

SHEJH DR. ABDULMUHSIN EL KASIM

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

Tags:

Categories

Archives