Friday, 15/12/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Dua një bebe por nuk po vjen!

Dua një bebe por nuk po vjen!

dua nje bebe
Nisur nga shqetësimet dhe pyetjet e shumë pacienteve të mia pranë Spitalit Amerikan Tiranë, po ju shpjegoj më poshtë çfarë është infertiliteti, si duhet ta kuptojmë atë dhe si mund të trajtohet.

Meqë çdo pacient është i ndryshëm, edhe metodat e trajtimit janë të përshtatura sipas individëve. Mos harroni, faktori më i rëndësishëm i suksesit është trajtimi në një qendër e cila i ka kushtet për aplikimin e të gjitha metodave moderne që ekzistojnë sot për t’ju mundësuar çifteve arritjen e shtatzënisë.

Në Shqipëri koncepti i familjes është shumë i rëndësishëm. Për vazhdimësinë e familjes besohet se çifti duhet të ketë fëmijë. Prandaj, menjëherë disa muaj pas martesës pavarësisht se kjo është një periudhë e shkurtër, vjen dëshira për fëmijë. Nëse shtatzënia nuk arrihet në kohën e dëshiruar, çifti fillon të shqetësohet dhe me kalimin e kohës stresi i krijuar edhe nga mjedisi, ndikon negativisht te çifti.

Në të vërtetë mundësia e riprodhimit tek njerëzit është më e ulët se gjallesat e tjera. Pavarësisht se gruaja prodhon një vezë çdo muaj dhe kryen marrëdhënie seksuale rregullisht, shansi i shtatzënisë brenda një muaji është rreth 10-15%. Nëse gruaja dhe burri nuk kanë asnjë problem, 80% e çifteve të martuara mund të arrijnë shtatzëninë. Pjesa tjetër që mbetet, rreth 20% e çifteve, duhet të kontrollohen nga mjeku për probleme mjekësore. Para trajtimit të infertilitetit, gruaja dhe burri duhet të kryejnë ekzaminime të plota kontrolli dhe duhet ta bëjnë këtë njëkohësisht. Infertiliteti në disa zona pranohet si një problem vetëm i gruas. Por problemi mund të jetë si pasojë e gruas, burrit ose e të dyve. Mjeku duhet të flasë në mënyrë të detajuar me çiftin, për ta informuar atë. Një arsye e diskutimit me mjekun është paraqitja e dëshirave, frikës dhe shqetësimeve të çiftit dhe ndarja e tyre me mjekun. Gruaja dhe burri duhet të kalojnë edhe nga një ekzaminim fizik i detajuar.

TE BURRAT…
Si fillim i analizave bëhet ekzaminimi i burrit dhe spermogrami që është një test shumë i thjeshtë e jep të dhëna të cilat do të ndihmojnë në trajtim. Para analizës së spermës burri nuk duhet të kryejë marrëdhënie seksuale për 3 ditë. Nga analiza kuptohet nëse sperma ka parametra normale apo jo. Nëse ka sëmundje të kaluara më parë, bëhen ekzaminime më të detajuara. Disa nga këto janë: ekzaminime gjenetike, ekografia dopler e testikujve dhe analizat e hormoneve.

TE GRATË…
Përderisa funksioni i riprodhimit kryhet dhe përfu­ndon në trupin e gruas, ekzaminimet të cilave ajo duhet t’u nënshtrohet janë më të shumta dhe duhen kryer në ditë të caktuara të menstruacionit, sipas një radhe të caktuar.

Ekzaminim nën drejtimin ekografik: zakonisht një ekzaminim i kujdesshëm nxjerr në dukje shumë probleme.

Testet TORCH: Këto janë testet e toksoplazmës, rubellës, citomegalovirusit dhe hepatitit. Këto janë analiza gjaku të cilat duhen kryer nga çdo grua që planifikon shtatzëninë. Sipas përfundimeve mund të bëhen vaksina para shtatzënisë. Nëse këto sëmundje kalohen gjatë shtatzënisë mund të ketë rrezik shumë të lartë për beben që çon deri në vdekje të fetusit brenda mitrës apo të dështimit të tij.

Nivelet në serum të FSH, LH, E2, PRL: këto hormone analizohen ditën e tretë të menstruacionit. Duhet parë pakësimi i hershëm i rezervës së vezëve.

Vlerësimi i funksioneve të tiroides: duhen kryer ekzaminime si TSH, FT3, FT4, dhe nëse është e nevojshme anti-TPO.

Testet e trombofilisë: Këto teste duhen kryer nëse shtatzania nuk arrihet për një kohë të gjatë ose pavarësisht shtatzënisë, abortet (dështimet) janë të shpeshta. Trajtimet e kryera sipas përfundimit të testeve mund të jenë të suksesshme.

Analizat gjenetike: Në infertilitetet për një kohë të gjatë dhe në dështimet e shpeshta, duhen analizuar struktura gjenetike e nënës dhe babait. Në shumicën e rasteve kjo është e mundur me anë të një testi të thjeshtë dhe të lirë të gjakut, por shpesh nevojiten edhe teste të tjera mjaft të avancuara dhe të detajuara gjenetike.

Filmi i mitrës (HSG): duhet kryer brenda një jave pas mbarimit të menstruacionit. Ky film na jep të dhëna për hapësirën e mitrës dhe tubave, nëse janë normal dhe të hapur.

Histeroskopia: Është vlerësimi me sy i pjesës së brendshme të mitrës me anë të një aparati, nën ndikimin e anestezisë lokale. Nëse brenda uterusit ka polip, miomë apo septum, gjëra të cilat pengojnë shtatzëninë, këto kurohen në të njëjtën seancë. Në shumicën e klinikave, ngaqë neglizhohet përdorimi i kësaj metode, edhe trajtimet e infertilitetit janë të pasuksesshme.

Laparoskopia: Kjo është një ndërhyrje që kryhet nga mjeku nëse është e nevojshme (p.sh. në rastet si: ndërhyrje e mëparshme problematike, endometriozë, shtatzëni ektopike etj., krijohen ngjitje të cilat pengojnë shtatzëninë). Laparoskopia përdoret për diagnostikim dhe trajtim nën ndikimin e anestezisë së përgjithshme. Zakonisht pacienti mund të shtrohet vetëm një ditë ose të largohet nga spitali të njëjtën ditë.

Ekzaminimet e sipërpërmendura nuk zbatohen në të njëjtën mënyrë tek çdo pacient. Ashtu si gjithsecili ka gjatësi, peshë dhe ngjyrë të ndryshme, edhe faktorët e vonesës së shtatzënisë janë të ndryshëm. Prandaj analizat kryhen nga mjeku sipas domosdoshmërisë, duke ia shpjeguar pacientit në mënyrë të detajuar.

Si fillon trajtimi?

Mënyra më e thjeshtë e trajtimit është bashkimi i përllo­garitur në kohë. Gruas i jepet një trajtim medikamentoz që indukton ovulimin, me anë të së cilit stimulohet formimi i vezëve dhe më pas kryhet marrëdhënie seksuale në kohën kur veza kalon nga vezorja në tuba. Kjo është një metodë natyrale që rrit shansin e takimit të vezës me spermën. Formimi i vezës mund të ndiqet me ekografi. Nëse për disa muaj shtatzënia nuk është bërë e mundur në këtë formë, atëherë aplikohet procedura e inseminimit intrauterin- IUI.

Në procedurën e inseminimit intrauterin , materiali i inse­minimit vendoset brenda mitrës. Për këtë përdoren teknika të përshtatshme, ku sperma ndahet nga lëngu seminal. Pas kësaj procedure, 0.5-1 cc nga sperma e lëvizshme vendoset në brendësi të uterusit. Kombinimi i induktimit të ovulimit dhe metodës IUI përdoren në ra­stet kur infertiliteti është i pashpjegueshëm dhe suksesi i arritur është rreth 20-25%. Nëse me aplikimin induktim ovulimi + IUI pas 4 cikleve nuk arrihet shtatzënia, atëherë duhet kaluar në metodat ndihmëse të ripro­dhimit, sepse statistikat kanë treguar se një inseminim i mëtejshëm nuk do ishte i suksesshëm. Nëse, me gjithë trajtimet e mësipërme, shtatzënia është e pamundur, atëherë duhet filluar trajtimi fertilizim in vitro-bebe provëz.

Çfarë është bebe provëz – IVF ose ICSI?
Procedura bebe provëz është fertilizimi jashtë trupit, në kushte laboratorike, i vezës dhe spermës. Për këtë nga vezorja mund të merren një ose disa vezë. Fertilizimi bëhet me dy mënyra. E para është metoda klasike e bebes tub (IVF), ku sperma dhe veza bashkohen vetë. Metoda e dytë është ICSI ku sperma injektohet brenda vezës me anë të një mjeti mikroskopik.

Më pas, në të dyja procedurat, embrioni vendoset brenda mitrës me anën e një kateteri.

Sa herë mund të aplikohet metoda IVF?
Në rastin e një tentative të pasuksesshme të IVF ose ICSI, metoda mund të fillohet përsëri vetëm nëse çifti është fiziologjikisht dhe psikologjikisht gati për një provë të re. Nuk ka një limit në numër, por me kalimin e moshës së nënës shansi i shtatzënisë ulet. Midis dy tentativave duhet të kalojnë të paktën dy muaj.

Cili është suksesi i procedurës IVF?
Mundësia e suksesit ndryshon sipas shkakut të infertilitetit dhe moshës së nënës, por zakonisht, në një tentativë ai është 45-55%. Domethënë, afërsisht gjysma e çifteve që provojnë këtë metodë, arrijnë shtatzëninë. Suksesi i fertilitetit rritet nëse provat janë të shumta.

Cilat janë rastet kur nevojitet procedura e bebes tub?

? Kur mitra apo tubat janë të zënë për çfarëdo arsye
? Sasia e spermës si edhe lëvizja është e pakët
? Numri i spermatozoideve është i pakët ose ka çrregullime të strukturës së spermës
? Kur sperma merret direkt nga testikuj
? Në disa raste endometrioze
? Ka probleme të formimit të anti-trupave tek gruaja apo burri
? Kur nëna dhe babai kanë çrregullime të kromozomeve
? Infertilitet i pashpjeguar dhe për të cilin trajtimet e tjera kanë qenë të pasuksesshme

A ka raste kur procedura bebe provëz nuk mund të aplikohet?

? Nëse gruaja nuk ka mitër (nga lindja apo e hequr me operacion)
? Nëse gruaja nuk ka vezore ose e ka të pamundur të formojë vezë
? Nëse burri nuk ka spermë

Nga Op. Dr. Cihan Kabukçu
Obstetër – Gjinekolog

Tags:

Categories

Archives